Është i gjatë rrugëtimi i “popullit” shqiptar deri te formacioni “komb”, proces ky i cili lidhet fort me kallëpet e (de)konstruksionit, ashtu që, duke e vënë konstruksionin në shërbim të së vërtetës historike dhe duke e flakur (keq)përdorimin e (pa)nevojshëm të dekonstruksionit për një të ardhme me perspektivë, për t’u mbështetur tek organizimi sa më i mirë i shoqërisë, si një nga prurjet më të mëdha të njerëzimit, si dhe në ruajtjen dhe kultivimin sa më të mirë të gjuhës sonë amtare, si një nga vlerat më monumentale të identitetit tonë kombëtar.
Mixhait POLLOZHANI, Strugë
“Nëse ne u tregojmë njerëzve atë që duan ta dëgjojnë, në vend të asaj që duhet të dëgjojnë, atëherë nuk do të jetë mirë.”, ka thënë kantautori i famshëm amerikan, Xhon Bon Xhovi. Kjo thënie mund të lidhet me atë se si ne shqiptarët e shohim çështjen tonë kombëtare. Ndonëse titulli i këtij artikulli mund të tingëllojë tejet ambicioz, pretendues, mbase edhe ekstravagant, megjithatë qëllimi ynë nuk është që të bëjmë filozofin, as edhe sociologun, por do të përpiqemi që nëpërmjet një narracioni të zhveshur nga romantizmi patetik dhe postmodernizmi kaotik të sjellim disa argumente për t’i mbështetur pikëpamjet tona mbi të kaluarën dhe mbi të tashmen e kombit shqiptar, të cilat menduam se duhet t’i thuhen lexuesit. Sigurisht, që do të përmbahemi nga “profecitë” e mëdha mbi të ardhmen tonë kombëtare, të cilat mund të jenë një sfidë përplot kurthe, pse jo edhe me mundësi huqjeje “nostradamusiane”.
Rrugëtimi nga “populli” deri te “kombi”
Por, si rrjedhojë vetvetiu pason pyetja se “Çhyn këtu nocioni (de)konstruksion?”, i cili në këtë rast, me formulimin e tij dykuptimor ngërthen domethënien e dy doktrinave filozofike, konstruktivizmit dhe dekonstruktivizmit. Pra, edhe përgjigjja vjen apriori, që kjo është vetëm një qasje analitike mbi gjendjen e shqiptarëve. Nëpërmjet këtyre dy doktrinave filozofike, do ta trajtojmë të kaluarën dhe të sotmen socio-antropologjike dhe do t’i ndërtojmë perceptimet tona mbi rrugëtimin aq kompleks të popullit (kombit) shqiptar. Për më shumë që, pikërisht nëpërmjet këtyre teorive, do të mund ta prekim sadopak edhe në thelbin e domethënies së (mega)ideve, (mega)idealeve dhe (mega)pritshmërive tona në planin (mbarë)kombëtar! Por, para se të pasqyrojmë shkurtimisht rrugëtimin historik të shqiptarëve, me pak fjalë do të përshkruajmë se çfarë nënkuptojmë me nocionet konstruksion dhe dekonstruksion.
Nëse vetë procesi me të cilin një tërësi ndërtohet nga pjesët e saj quhet konstruksion, atëherë ky nocion i referohet, gjithashtu, përdorimit të çdo të dhëne (informacioni) për çdo pretendim, interpretim, etj., që zakonisht merr edhe konotacion negativ (d.m.th. kuptimin e imponimit), p.sh. në ndërtimin arbitrar, ndërtimin te pabazuar të fenomeneve të ndryshme. Ndërkaq, dekonstruksioni, si doktrinë filozofike, është një sistem analize dhe kritike që çon në zbulimin e dallimeve midis strukturës dhe bazës së domethënies së subjektit tematik, i cili shfaqet në shumë fusha të shkencës, kryesisht në gjuhësi, letërsi, arkitekturë dhe art. Por, kohëve të fundit tejet i pranishëm po bëhet edhe në fushën e historisë. Andaj edhe bëhet i kuptueshëm fakti se fati dhe qenia e popullit shqiptar lidhet fort me kallëpet e (de)konstruksionit!
Të prirë për trajtimin e gjerave nga këndvështrimi historik, para se të futemi në “labirintet” e pafundme dhe “kopshtet” të pasura me plotë artefakte dhe dëshmi tjera nga e kaluara e popujve, do të duhet ta bëjmë një distinksion ndërmjet nocionit “popull” dhe “komb”. Në këtë mënyrë mbase do t’i përafroheshim zbërthimit të kompleksitetit të identitetit etnik të shqiptarëve.
Që kur ka ekzistuar njerëzimi, njerëzit kanë jetuar në grupe (në një familje të gjerë, në një klan, në një fis, në një aleancë fisnore, etj.). Këto grupe kishin edhe njëfarë kulture të përbashkët, materiale ose shpirtërore. Me kalimin e kohës, këto grupe u bashkuan “natyrshëm” dhe krijuan “popujt”. Por, rrugëtimi nga “populli” dhe deri te “kombi” qe i gjatë dhe i vështirë. Meqenëse kombi, prej kohësh, ka qenë objekt i kërkimeve shkencore, lidhur me rrethanat e ndryshme historike, me botëkuptimet politike dhe marrëdhëniet gjeopolitike në botë, si rrjedhojë lindën edhe kuptime të ndryshme mbi të, të cilat paraqesin supozime, fakte dhe përfundime të ndryshme në lidhje me origjinën, zhvillimin dhe ardhmërinë e kombit. Kjo do të thotë se ka më shumë “lloje kombesh”, kurse koncepti “komb” është jashtëzakonisht i vështirë për t’u përcaktuar. Një nga përkufizimet flet se kombi është një grup popujsh që flasin të njëjtën gjuhë, që jetojnë në një territor të caktuar dhe kanë një trashëgimi të përbashkët kulturore (mundësisht edhe një shtet të përbashkët). Sigurisht, ka përjashtime. Ndër ata popuj janë edhe shqiptarët, të cilët kanë (mbi)jetuar një fat dhe një zhvillim historik asimetrik kombëtar.
Historia na mëson se edhe shqiptarët, ashtu edhe si popujt e tjerë, e kanë ndjekur modelin francez të shekullit XIX të formimit të kombit, ndërkohë që ndikim dhe ndihmesë të madhe në formimin e identitetit me premisa etnike, përkatësisht në themelimin dhe afirmimin shkencor të shqiptarizmës, të mbështetur nëpërmjet studimit të gjuhës, kulturës dhe historisë së popullit shqiptar, ka pasur shkolla gjermane. Pra, nga francezët shqiptarët morën modelin e kombformimit, kurse gjermanet bënë ngjizjen e shtetformimit i cili, megjithatë, nuk rezultoi si i plotë, për të thënë se mbeti i përgjysmuar! Kuptohet, që nuk duhet mohuar as edhe kontributin e të tjerëve, sidomos të dijetarëve dhe veprimtarëve që venduan dijen dhe qenien e tyre në realizimin e aspiratave të shqiptarëve për zhvillimin, konsolidimin dhe emancipimin si popull, komb ose edhe si subjekt shtetëror. Aspirata e parealizuar e shqiptarëve për të jetuar në një shtet të përbashkët ka shkaktuar shumë dilema, eufori dhe zhgënjime qytetare.
Konstruksioni në shërbim të së vërtetës historike
Duke u bazuar në dy drejtimet kryesore që merren me teoritë e kombit, siç janë primordializmi dhe konstruktivizmi (modernizmi), të cilët u përgjigjen ideologjive dhe praktikave të ndryshme politike, primordializmi më shumë konservatorizmit dhe konstruktivizmi liberalizmit, të dyja këto kanë shtrirje të kufizuar, por reciprokisht plotësuese në shpjegimin e fenomenit kombëtar. Primordializmi, pra, shpjegon më mirë nevojat emocionale për përkatësinë kombëtare dhe gatishmërinë për të bërë vetëflijim individual për të mirën e kombit, si dhe thekson studimin e aspiratave nacionale nga baza poshtë. Konstruktivizmi, ndërkaq, shpjegon më mirë mekanizmat e shoqërimit politik, aspiratat e elitave politike dhe konfliktit të bazuar në përkatësinë kombëtare.
Thuhet që identiteti nuk adoptohet nga jashtë, por ai kërkohet dhe formohet nga rrënjët dhe se, nisur nga primordialja, del se, me gjasë, asnjë komb nuk ekziston dot pa mitet e veta popullore dhe se kombi gjithnjë mbetet konstruksion, i cili vetëm në njërën pjesë bazohet në fakte të qëndrueshme, kurse një pjesë e mirë e tij mbështetet te konstruktet identitare kulturore. Dhe, nisur nga tradita historike, njihen disa kombe që kanë ditur të ndërtojnë mite të suksesshme, kurse disa të tjerë nuk kanë mundur ta bëjnë dot këtë. Por, si mund të shpjegohet e vërteta kombëtare shqiptare me ndihmën e doktrinës konstruksioniste?
Pra, teoritë konstruksioniste nuk duhet lidhur vetëm me shpjegimin e miteve mbi komb-formimin shqiptar, por akoma më shumë me të kaluarën me të (pa)njohurat, me të (pa)vërtetat, të (pa)ndriçuarat, të (pa)argumentuarat. Teoritë konstruktiviste duhet shfrytëzuar për të treguar se si pat ndodhur që shqiptarët janë ndër popujt e rrallë që kanë kaluar katër stadiumet, përgjatë historisë të krijimit të qenies së tyre etnike, duke filluar që nga parahistoria si pellazgë, gjatë antikitetit si ilirë, gjatë mesjetës si arbër, për të përfunduar në epokën e re si shqiptarë. Gjithashtu, duhet shpjeguar njëherë e mirë edhe procesin e ngjizjes së arbërve nga substrati heterogjen ilir, i përcjellë edhe nga pluraliteti fetar, Krishterimi dhe Islami, por edhe nga komunitete të ndryshme shizmatike të krishtera dhe sektare islame. Po me këto teori duhet trajtuar atë histori aq të gjatë pushtimesh, sundimesh nga perandori të ndryshme, siç kanë qenë romakët, bizantinët, osmanët, por edhe pushtimet e ushtrive të vendeve fqinje, serbe e bullgare, si dhe nazifashistët gjermanë dhe fashistët italianë. Pastaj funksionimin real të shteteve ilire gjatë Antikitetit, të principatave gjatë Mesjetës dhe vilajeteve gjatë periudhës osmane, për t’u ndalur pastaj te shpërndarja aktuale në pesë shtete, si dhe te ngritja e një diaspore kaq masive. Ndërkaq, një qasje më analitike kërkon edhe trajtimi i proveniencave ideologjike me të cilat është përballur dhe po përballet populli shqiptar, njëherë me komunizmin dhe tani me liberalizmin. Mbase, zbatimi i teorive konstruktiviste do t’i emërtonte më saktësisht faktorët dhe rrethanat, që kanë rezultuar me plotë migrime e tkurrje demografike dhe territoriale, të cilat sigurisht që kanë lënë gjurmë në ndërtimin e konstruktit antropologjik, mendor dhe politik të shqiptarëve.
(Keq)përdorimi i (pa)nevojshëm i dekonstruksionit
Nuk ka dyshim se aty ku ka konstruktivizëm, ka edhe dekonstruktivizëm! Tërë këtë pasqyrim telegrafik mbi historinë e fatumit shqiptar nuk duhet kuptuar si një justifikim për diskontinuitetin, disharmoninë dhe kaosin, që më të theksuara shfaqen në planin politik, gjeografik, si dhe në atë gjeopolitik, por si një gjë që flet se populli (kombi) shqiptar jo vetëm që ka qenë inferior në momente të caktuara historike, por paraqitej edhe me kauza të paartikuluara mirë. Farkimi i identitet kombëtar shqiptar, duke i përdorur mitet romantike nga e kaluara historike, krijon “delirium emocional” të panevojshëm, që në të shumtën e rasteve rezulton të jetë i dëmshëm në planin nacional. Një narrativë e këtillë koherente e historisë kombëtare, së bashku me kujtimet kolektive, bëhet e pandashme nga ideologjia e mbarsur me patriotizëm, e pse jo edhe nacionalizëm. Por, duhet të theksojmë, gjithashtu, se ndikimi i patriotizmit në një shoqëri mund të krahasohet me idenë ambivalente dekonstruksioniste të farmakonit, duke sugjeruar se ilaçi i përdorur në një dozë shumë të madhe mund të bëhet i dëmshëm.
Ndonëse dyshimi i dekonstruksionistëve për mitologjinë kombëtare dhe identitetin statik kombëtar nuk e dobëson shëndetin e një kombi, siç mund të duket në shikim të parë, e që në fakt edhe mund ta forcojë atë, problem është kur ato (keq)përdoren pa nevojë për qëllime destruktive dhe dashakeqëse me vetëdije ose pa të, të instruuara dhe të dirigjuara nga qendra të caktuara, ato bëhen të dëmshme.
Ndaj, nuk është sekret se dekonstruktivizmi (i Derridas-ë) bën përpjekje për ta zvogëluar vlerën e identiteteve, qoftë edhe të atij kolektiv, duke e bindur opinionin se gjithçka është vetëm produkt i kohës dhe i kulturës. Përllogaritja ideologjike e dekonstruktivizimit të Derridas-ë, i ka ushqyer liberalët e majtë, anarkistët dhe përfituesit e tjerë politikë, për të (keq)përdor multikulturalizmin si pandan kundrejt koncepteve dhe vlerave tradicionale të shoqërisë bashkëkohore. Kjo frymë duhet pranuar se është e pranishme dhe po merr përmasa edhe brenda shoqërisë shqiptare, ithtarët e së cilës, në emër të zhbërjes së hiperbolizimit dhe eliminimit të glorifikimit, po vënë në dyshim edhe ato procese dhe personalitete historike që janë referenca të forta të identitetit shqiptar. Prandaj, është më se e nevojshme nga ne shqiptarët që të lexohet mirë, të kuptohen dhe të zbatohen drejt teoritë dekonstruktiviste. Për më shumë, të mos dalim ne shqiptarët si dekonstruktivistë të këqij!
Përfundimi
Ndonëse që në krye të këtij artikulli mbajtëm qëndrim të rezervuar ndaj parashikimit mbi ardhmërinë e popullit shqiptar, megjithatë duke u bazuar në mbijetesën e trungut shqiptar, edhe përkrah atyre përjetimeve dhe rrethanave gjatë historisë aq të gjatë, ushqejmë optimizmin e një të ardhmeje me perspektivë të shqiptarëve. Por, ama, krahas obligimeve të nevojshme për vitalitetin e një populli, ne shqiptarët duhet përsosur mënyrën e organizimit në të gjitha segmentet jetësore, si një nga prurjet më të mëdha të njerëzimit, si dhe ruajtjen dhe kultivimin sa më të mirë të gjuhës sonë amtare, që përbën një nga vlerat më monumentale të identitetit tonë kombëtar.