loader image
September 7, 2024

Koha për përfaqësim më të mirë të krimeve serbe në Kosovë

Në të ardhmen, me një koordinim më të mirë me të gjitha faktorët, Kosova duhet ta padisë Serbinë për masakrat e 1998-99-ës. Zbulimi i skulpturës së Leutrimit, djaloshit të vrarë e të masakruar nga forcat serbe, që u vendos në Skenderaj, është edhe një tregues para të gjithëve e, sidomos, para mohuesve, se deri ku kanë shkuar forcat serbe. Nëse Dita Ndërkombëtare kundër Gjenocidit nuk do të pasohet me vepra konkrete të dënimit të kriminelëve dhe mbajtjes përgjegjës të të gjithë atyre që kanë kryer krime dhe kanë dhënë urdhra, atëherë nuk kemi çka të flasim për vlera demokratike dhe norma.  

Selim IBRAIMI, Uashington 

Luftërat asnjëherë nuk kanë sjellë gjë të mirë për popujt e vegjël e sidomos për ata popuj pakicë me fe dhe etni të ndryshme. Nga Afrika e deri në Ballkan, gjatë fundshekullit të 20-të, gjenocidi u praktikua për zhdukjen e popujve tjerë e ku Bosnja dhe Kosova u bënë viktima të eksperimentit serb për zhdukjen e popullatës. Mbi 100 mijë të vrarë në luftën e Bosnjës dhe mbi 12 mijë në Kosovë janë dëshmi të mjaftueshme për politikat shekullore të gjenocidit serb. Srebrenica, Reçaku, Krusha e Vogël dhe e Madhe, vazhdojnë të mbeten në kujtimet e popullit boshnjak dhe kosovar për fushatën e madhe të shfarosjes masive të iniciuara nga Serbia dhe serbët e Bosnjës. Edhe pse me vonesë, tre dekada më pas, OKB-ja e vendosi ta caktojë si Ditë Ndërkombëtare kundër Gjenocidit korrikun, gjegjësisht Masakrën e Srebrenicës (1995), masakër e ndërmarrë nga serbët dhe qeveria në Beograd në sytë e forcave ndërkombëtare. Vendimi i OKB-së nuk u mirëprit nga Serbia, Rusia dhe shumë shtete të tjera që votuan kundër ose abstenuan. Po aty, në Nju-Jork, zyrtarë të lartë serbë, bashkë me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, kishin shkuar të mbrojnë interesat serbe dhe haptazi ta mohojnë gjenocidin serb ndaj popullit boshnjak.

Politika e jashtme serbe në mohimin e gjenocidit

Nuk është për t’u habitur se pse serbët në botë dhe në Ballkan janë vënë mbrojtje të interesave serbe dhe mohimit të masakrave të bëra në shekullin e fundit. Është në natyrën serbe që të mos pranojnë fajin dhe të kërkojnë falje ndaj popujve ku kanë kryer gjenocid. Dhe, kjo nuk do të ndodhë asnjëherë, sepse shteti serb është munduar që masakrat e shekullit të Srebrenicës dhe ato në Kosovë asnjëherë të mos përfshihen në OKB si ngjarje të rëndësishme që do të kujtohen nga bota e civilizuar. Pas shpalljes së 11 korrikut si ditë ndërkombëtare, zyrtarët serbë kanë bërë disa deklarata publike, veçanërisht nga presidenti i Republika Srpska-s (RS), Millorad Dodik, dhe nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të Republika Srpska, Nenad Stevandiq, duke injoruar më tej ngjarjet e korrikut të 1995-ës. Gjithashtu po këta zyrtarë serbë kanë lidhje të fuqishme me Beogradin dhe Kremlinin, duke shërbyer si lojtarë të Rusisë në Ballkan për ndonjë destabilizim të mundshëm në të ardhmen. Dodiku, gjithashtu, ka bërë të njohur planet për shkëputjen e RS-së nga Federata e BeH, duke cenuar integritetin dhe sovranitetin territorial të BeH-së. Duhet kuptuar se veprimet e fundit serbe ishin si rrjedhojë e zërave për shpalljen e korrikut si ditë ndërkombëtare dhe “bota serbe” u vu në aksion për ta trazuar edhe njëherë Ballkanin para syve të BE-së dhe SHBA-së. Kur OKB-ja e miratoi rezolutën me të cilën 11 korriku shpallet si Dita Ndërkombëtare e Gjenocidit në Srebrenicë, për qeverinë serbe dhe për pjesën dërmuese të popullit serb kjo nuk kishte ndonjë rëndësi, pasi Serbia, qoftë tani ose në të ardhmen, nuk është e përgatitur ta pranojë të vërtetën e gjenocidit, e as të ballafaqohet me realitetin e ri të ekzistencës së popullit boshnjak. Përpjekjet serbe për ta zhvlerësuar këtë ngjarje dhe masakër nuk do të ndalen vetëm me protesta publike dhe qeveritare kundër shteteve që votuan në OKB. Serbia, me politikat qeveritare, do të vazhdojë pandërprerë që të vë në lëvizje doktrinat e vjetra serbe të urrejtjes e të shfarosjes si pasqyrë e mentalitetit serb kundër popujve me etni dhe fe ndryshe. Serbët, në këtë shekull, ende mendojnë se do të hyjnë në luftëra të reja për një botë të re serbe në Ballkan. Kur jemi këtu, për habi serbët shohin sinjale nga Perëndimi se një gjë e tillë mund të ndodhë, ashtu si dikur kur në prani të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare, serbët, bashkë me njësitë paraushtarake, kryen masakra në Bosnjë dhe në rajon. Ledhatimet dhe kritikat aktuale të Perëndimit ndaj serbëve edhe njëherë dëshmojnë se, pavarësisht ditës ndërkombëtare ndaj gjenocidit, Fuqitë e Mëdha dhe qeveritë e prira për dhunë dhe terror ndaj fqinjëve, kanë krijuar kushte që përsëri gjatë këtij shekulli të vazhdohet me gjenocide jo vetëm në Europë. Për më shumë, mund të sjellim rastin e gjenocidit izraelit ndaj palestinezëve gjatë vitit 2023-24, ku paralelisht Gjykata Ndërkombëtare në Hagë shpalli shtetin izraelit dhe Hamasin si pjesë të gjenocidit aktual në Gaza. Në terrenin ballkanik, gjenocidi ka rrënjë të thella historike dhe daton që nga dyndja e parë sllave në Ballkan, gjatë ngritjes së shtetit serb në mesjetë e duke vazhduar, për habi, me serbët modernë deri në vitin 1999 po në Kosovë. Ka mbetur ende e freskët në mendjet e popullatës së Rrezallës vrasja e Leutrimit të vogël në vitin 1998. Zbulimi i skulpturës së Leutrimit, djaloshit të vrarë e të masakruar nga forcat serbe, që u vendos në Skenderaj, është edhe një tregues para të gjithëve e, sidomos, para mohuesve, se deri ku kanë shkuar forcat serbe. Nëse Dita Ndërkombëtare kundër Gjenocidit nuk do të pasohet me vepra konkrete të dënimit të kriminelëve dhe mbajtjes përgjegjës të të gjithë atyre që kanë kryer krime dhe kanë dhënë urdhra, atëherë nuk kemi çka të flasim për vlera demokratike dhe norma. Këto veprime në kohë të turbullta mund të konsiderohen si shenja për agresorët se mund të vazhdohet me të njëjtat vepra kudo dhe natyrisht edhe në Ballkan.

Mobilizimi kombëtar

Pasi u bë një hap i rëndësishëm me Bosnjën, duke e shënuar 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Gjenocidit, në Kosovë duhet bërë më shumë punë nga qeveria dhe organizatat joqeveritare që merren me pasojat e luftës në Kosovë. Në këtë fushë do të duhej që pas luftës të ishte ngritur zëri më fuqishëm për masakrat serbe. Të paktën për disa vite, në të gjitha takimet e marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara me Serbinë do të duhej që masakrat serbe të mos mbeteshin nga procesi i negociatave. Qeveria aktuale në Kosovë ka vendosur që gjenocidin serb në Kosovë 1998-99 ta vendosë në qendër të dialogut me Serbinë, por është vërejtur nga negociatorët europianë dhe ata amerikanë se qëllimisht nuk duan ta bëjnë si çështje të normalizimit të raporteve ose nuk dëshirojnë t’i vënë Serbisë pengesa tjera. Vazhdimi me këtë dyfytyrësi, ndoshta, mund të çojë në mospajtime të reja në mes dy shteteve dhe një mundësi të re që Serbia të ndjehet krenare për masakrat e bëra gjatë luftërave në Ballkan. Pavarësisht disponimit negativ të BE-së ndaj çështjes së gjenocidit serb, Prishtina zyrtare e ka për detyrë të bëjë presion që masakrat serbe në Kosovë të jenë në qendër të marrëveshjeve më Serbinë. Gjithashtu qeveria në botën e jashtme nëpërmes përfaqësive diplomatike duhet të bëjë paraqitje më të mirë të rasteve të masakrave serbe. Këtë mund ta bëjnë edhe universitetet, organizatat joqeveritare që merren me krimet e luftës dhe, natyrisht, një zë të fortë deri më tani do të duhej të kishte edhe Akademia e Shkencave të Kosovës. Duhet më shumë punë dhe pak fjalë, sepse nga mosveprimi konkret kosovar po shihet se po fiton vetëm Serbia.

Kosova i ka të gjitha kapacitetet që ta sensibilizojë më shumë botën për masakrat serbe në Kosovë. Në ta ardhmen, me një koordinim më të mirë me të gjitha aktorët, Kosova duhet ta padisë Serbinë për masakrat e 1998-99-ës. Ndërkaq pajtimi duhet të bëhet me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Nga ana tjetër, Perëndimi mund të vazhdojë me ledhatimet ndaj Serbisë, por Kosova e ka për detyrë t’i bëjë këto dy veprime që nuk bien ndesh me asnjë normë ndërkombëtare. Me Serbinë duhet vepruar njëjtë siç u veprua me Gjermaninë pas 1918 -tës dhe 1945-tës, duke paguar dëmshpërblime, duke marrë përgjegjësi dhe, paralelisht, duke e shtyrë drejt bashkëpunimit me botën. Kosova këtu nuk duhet të bëjë lëshime, andaj qeveria duhet të jetë e vendosur që ta dëshmojë gjenocidin serb para të gjithëve.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X