Cilësimi i Nolit si demokrat është qesharak. Demokrat, në kuptimin bazik të termit, është një person që përkrah dhe respekton demokracinë dhe parimet e saj. Ndërsa demokracia është mënyrë qeverisjeje, ku pushtetin e ka populli, i cili e ushtron direkt ose përmes përfaqësuesve të tij; njeh ndarjen e pushteteve, respekton të drejtat natyrore dhe liritë shoqërore, etj. Në qeverisjen e Nolit nuk vihet re asnjë element që është tipik për demokracitë.
Çelo HOXHA, Tiranë
Fan Noli është një nga figurat më të adhuruara për komunistët shqiptarë, i promovuar fuqishëm gjatë regjimit komunist 1944-1991. Ndërsa sundimi komunist është një njollë e errët në historinë e Shqipërisë, periudha më tragjike e saj, e dalluar për sundimin e krimit dhe armiqve të kombit shqiptar.
Në vlerësimin e Akademisë së Shkencave (1985), Noli është “atdhetar e demokrat, burrë shteti, dijetar, poet, përkthyes dhe historian.”
Është fakt që Noli u mor me shumë gjëra në jetë, por në vlerësimin historik të tij faktori kryesor ka qenë veprimtaria e tij politike. Për mendimin tim, kjo veprimtari është vlerësuar gjithmonë për arsyet e gabuara dhe Noli është përdorur për qëllime politike nga komunistët. Në përgjithësi, narrativa pozitive komuniste për veprimtarinë politike të Nolit është ngritur mbi gënjeshtra dhe në vijim do të mundohemi ta argumentojmë gjerësisht këtë qasje të kundërt.
Noli, thuhet në narrativën komuniste, bëri një revolucion demokratiko-borgjez, me synimin “të zhdukte sundimin politik të bejlerëve dhe çifligraëve”. E gjitha kjo është gënjeshtër. Noli u bë udhëheqësi dhe simboli i një grushti shteti; ai e mori pushtetin me dhunë, duke përzënë prej tij një qeveri legjitime.
Cilësimi i Nolit si demokrat është qesharak. Demokrat, në kuptimin bazik të termit, është një person që përkrah dhe respekton demokracinë dhe parimet e saj. Ndërsa demokracia është mënyrë qeverisjeje, ku pushtetin e ka populli, i cili e ushtron direkt ose përmes përfaqësuesve të tij; njeh ndarjen e pushteteve, respekton të drejtat natyrore dhe liritë shoqërore, etj.
Në qeverisjen e Nolit nuk vihet re asnjë element që është tipik për demokracitë. Noli e mori pushtetin me dhunë, nuk e mori nga populli apo përfaqësuesit e tij. Dhe i shkeli brutalisht të drejtat natyrore dhe liritë shoqërore të popullsisë të sanksionuara në Statutin e zgjeruar të Lushnjës.
Sipas Akademisë së Shkencave gjithashtu, Noli luftoi “që shteti të vinte në jetë parimet e demokracisë së përparuar borgjeze”, por që ai dhe bashkëpunëtorët e tij “nuk treguan vendosmërinë e duhur për t’i respektuar [parimet demokratike] deri në fund”. Cila ishin parimet e demokracisë borgjeze, sipas Akademisë, nuk dihen, sepse ajo nuk i përmend ato.
E vërteta është se ajo që quhet qeverisja e Nolit ishte praktikisht regjim ushtarak gjysmën e kohës dhe autokratik gjithë kohën. Gjatë qeverisjes së Nolit, Shqipëria jetoi në gjendje shtetrrethimi thuajse gjysmën e kohës. Gjendje shtetrrethimi do të thoshte se qytetarëve u ishin kufizuar një sërë të drejtash të mbrojtura nga Statuti. Shtetrrethimi vendosej në kohë të ndryshme për rrethe të ndryshme, por thuajse gjithë vendi ishte në një gjendje të tillë. Shtetrrethimi e bënte formën e qeverisjes një diktaturë ushtarake. Për sa kohë vazhdoi gjendja e shtetrrethimit mbetën pa fuqi nenet e Statutit: 112, 113, 114, 116 dhe 17.
Në vijim është përmbajtja e neneve që u pezulluan:
- Liria personale ёshtё е garantuar. Askush nuk mund tё ndiqet, tё arrestohet, tё burgoset, tё dёrgohet nё gjyq ose nё çdo mёnyrё tё pengobet nga liria, veçse nё rastet е parapara prej ligjit е nё formёn е caktuar prej tij (neni 112).
- Banimi ështё i padhunueshёm. Asnjё е hyme pahir nuk mund tё bёhеt, veç kur dhe si urdhёron ligji (neni 113).
- Liria е fjаlёs dhe е shtypit ёshtё е garantuar. Censura preventive ёshtё е ndaluar. Konfiskimi rregullohet me ligj. Vetёm nёnshtetasit shqiptarё mund tё nxjerrin gazeta. (neni 114)
- Е drejta е shoqёrimit dhe e drejta e mbledhjes paqёsisht dhe ра armё, јаnё tё garantuara, nё konformitet me ligjet, tё cilat kurrё nuk mund tё impozojnё lejen preventive tё qeverisё. Shoqёritё kurrё nuk mund tё shpёmdahen рёr kundravajtje tё ligjit, veçse me vendim gjyqi. Vetёm nё mbledhjet botore mund tё ndodhet policia. Vetёm mbledhjet pёrjashta, nё vend tё hapur mund tё ndalohen, nё qoftё se prej mbledhjes lind rreziku i prishjes sё qetёsisё botore. (neni 116)
- Fshehtёsia postare ёshtё е padhunueshme. Kurrё dhe nё asnjё mёnyrё mund tё hapen letrat. (neni 117)
Gjendja e shtetrrethimit i jepte qeverisë së Nolit të drejtën të cenonte lirinë personale të individit, ta ndiqte atë, ta arrestonte, ta burgoste në shkelje të ligjit. Qytetarit mund t’i dhunohej banesa nga autoritetet, kundër vullnetit të tij; individi nuk kishte liri fjale dhe shtypi, qeveria mund të vendoste censurën preventive; e drejta e mbledhjeve publike kalonte në vullnetin e qeverisë, si gjithë të drejtat e tjera; posta nuk kishte më siguri, ajo mund të kontrollohej nga qeveria. Këto nuk janë tiparet e një pushteti demokratik dhe njeriu që e krijoi një situatë të tillë nuk mund të quhet një demokrat.
Gjendja e shtetrrethimit vazhdoi deri në fillim të shtatorit 1924, ndërsa autokracia deri në largimin e Nolit nga pushteti, tre muaj më vonë.
Forma e shtetit ishte monarki, me regjencën në rolin e mbretit (Këshilli i Lartë). Regjenca funksioni shumë pak me marrjen e pushtetit nga Noli dhe me largimin edhe të Sotir Pecit nga Këshilli i Naltë, pushtetin e tij e uzurpoi qeveria, në shkelje të Statutit. Sipas Statutit, pushteti buronte nga populli përmes zgjedhjeve dhe ushtrohej nga përfaqësuesit e tij në Kuvend dhe të zgjedhurit ose të emëruarit e Kuvendit. Gjatë qeverisjes së Nolit nuk u zhvilluan kurrë zgjedhje, kështu që qeveria e tij nuk vepronte bazuar në vullnetin e popullit ose përfaqësuesve të tij. Noli i grumbulloi të gjitha pushtetet, në shkelje të ligjit, duke u bërë një diktator absolut.
Qeverisja e Nolit nuk respektoi asnjë parim demokratik. Ajo ishte burim i inateve politike që u shndërruan në lëvizje të dhunshme, duke e kthyer luftën politike nga një garë demokratike në një konflikt për jetë a vdekje. Në qeverisjen e Nolit, lufta ndaj kundërshtarëve politikë u bë aq e egër, sa vetë qeverisë iu desh të ndërhynte për të frenuar zellin e shërbëtorëve të saj. Qeveria u detyrua t’u drejtohej prefekturave, më 28 gusht 1924, me një qarkore ku shkruhej: “Po shohim se në disa vende dekret-ligji mbi vrasjen e kriminelëve është kuptuar keq dhe disa zyrtarë pa qenë kompetent po janë tue ba veprime të jasht ligjëshme dhe plot gabime.” Ose: “Guximi i zyrtarvet jo-kompetent mbi internime të fëmijëve dhe heshtje autoritetve përgjegjës mbi këtë pikë tregon mos kujdesimin në detyrë të tyne dhe formon nji faajl ligjuer qi meriton dënim.”
Një mënyrë qeverisje e tillë u shfaq në Shqipëri vetëm pas marrjes së pushtetit me dhunë nga komunistët (1944), e ndoshta është pikërisht ky tipar i përbashkët që i bëri komunistët ta shikonin Nolin si simbol të demokracisë. Edhe komunistët, regjimi më i egër që ka ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri, e quante diktaturën e vetë demokraci popullore ose demokraci socialiste popullore. Në fakt, ashtu si në rastin e Nolit, pushteti ishte diktaturë, ekstreme: absolute.