loader image
October 28, 2025

Jehona e vdekjes së Fan Nolit te shqiptarët në Jugosllavi

Pas vitit 1969, veprat e Fan Nolit, të përkthyera dhe autoriale, ribotohen në Prishtinë si kolanë e veçantë, por edhe si vepra të ndara, varësisht nga interesimi i lexuesve të asaj kohe. Gjithashtu, pas vitit 1969 kemi edhe lektyra shkollore të përmbledhura nga tregimet e Fan Nolit. Me një fjalë, personaliteti i Fan Nolit, pas publikimit të kolanës së veprave të tij më 1968, në Kosovë u bë i njohur nga shtresat e shkollës fillore e deri te ato të nivelit akademik. Pas vitit 1980, fillon një interesim më i shtuar për ta njohur Fan Nolin dhe veprimtarinë e tij në Kosovë.

Nuridin AHMETI, Prishtinë

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë, krahasuar me shkrimtarët e tjerë nga Shqipëria, mund të thuhet se figura e Fan S. Nolit (1882-1965) ishte mjaft e njohur në qarqet intelektuale, sepse, përveç tjerash, në vitin 1949, numri 3 i revistës letrare Jeta e re, që botohej në Prishtinë, i kushtohet pothuajse tërësisht kësaj figure. Kjo revistë fillon me një shkrim të autorit Kasim Domi me titull: “Fan S. Noli – jeta dhe veprat e tij”, ku në disa faqe trajtohet veprimtaria e tij, duke u fokusuar kryesisht në krijimtarinë letrare. Në këtë numër, gjithashtu, botohen edhe disa vjersha autoriale dhe të përkthyera nga Fan S. Noli.

Për dallim nga bashkëkohësit e tjerë të Nolit, nga vitet ’50, në Prishtinë hasim përkthime të tij të veprave ose pjesë të veprave të autorëve të huaj, si: Shekspiri, Servantesi, Khajami dhe Ibanezi. Por, personaliteti krijues i Nolit, në masë të gjerë, te shqiptarët në Jugosllavi do të njihet sidomos nga viti 1968, kur nga shtëpia e njohur botuese “Rilindja” në Prishtinë botohet vepra disavëllimëshe e tij.

Pas vitit 1969, veprat e Fan Nolit, të përkthyera dhe autoriale, ribotohen në Prishtinë si kolanë e veçantë, por edhe si vepra të ndara, varësisht nga interesimi i lexuesve të asaj kohe. Gjithashtu, pas vitit 1969 kemi edhe lektyra shkollore të përmbledhura nga tregimet e Fan Nolit. Me një fjalë, personaliteti i Fan Nolit, pas publikimit të kolanës së veprave të tij më 1968, në Kosovë u bë i njohur nga shtresat e shkollës fillore e deri te ato të nivelit akademik. Pas vitit 1980, fillon një interesim më i shtuar për ta njohur Fan Nolin dhe veprimtarinë e tij në Kosovë.

Në vitin 1982, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Fan Nolit, Instituti Albanologjik organizon një konferencë shkencore dhe materialet e këtij organizimi botohen, po atë vit, si vëllim i veçantë me titull Fan S. Noli, në 100-vjetorin e lindjes 1882-1982. Në vitin 1984, profesori i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Prizrenit, Yll Zajmi, e mbrojti disertacionin e doktoratës rreth jetës dhe veprës së Fan Nolit në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Ky punim doktorate, në vitin 1986, u botua nga “Rilindja” në Prishtinë me titull Fan Noli – jeta dhe veprat. Në vitin 1989, po nga e njëjta shtëpi botuese, studiuesi i njohur i historisë, Masar Kodra, e botoi veprën me titull Fan Noli në rrjedhat politike të shoqërisë shqiptare (1905-1945).

Ndërkohë që për personalitetin e Nolit është shkruar deri më sot dhe janë botuar studime, artikuj, analiza etj., për jetën dhe veprën e tij, si në Tiranë, Prishtinë, Shkup e diasporë, ne dëshirojmë të vëmë në pah një dimension tjetër të jetës së tij, për të cilin mendojmë se nuk është trajtuar mjaftueshëm. Çështja e këtij artikulli është se çfarë jehone pati lajmi për vdekjen e Fan S. Nolit te shqiptarët e Jugosllavisë. Këtë aspekt kemi bërë përpjekje ta paraqesim përmes artikujve të botuar të kohës në Prishtinë dhe Shkup. Siç dihet nga biografia, Noli ndërroi jetë më 13 mars 1965 në Amerikë.

“Apologji e së mirës dhe kritikë e ashpër e së keqes”

Ky është titulli me të cilin studiuesi dhe ligjëruesi i letërsisë në Universitetin e Prishtinës e njoftoi opinionin e gjerë përmes një artikulli të botuar në të përditshmen Rilindja në Prishtinë, më 21 mars 1965, pra një javë pasi kishte ndërruar jetë Fan S. Noli. Studiuesi i njohur i letërsisë shqiptare, Hysni Hoxha, botoi një artikull nekrolog në gazetën Rilindja, me titull “Apologji e së mirës dhe kritikë e ashpër e së keqes”, duke e vlerësuar lartë kontributin e tij, sidomos në fushën e përkthimit dhe letërsisë. Tashmë neve na mbeti vetëm vepra e Fan S. Nolit” (Rilindja, 21 mars, Prishtinë, 1965, f. 11) – shkruante ndër të tjera Hysni Hoxha.

Shkrimin e studiuesit Hoxha për Nolin, pas 60 vjetësh po e (ri)paraqesim para lexuesit në tërësinë e tij, pa hequr dhe shtuar asgjë. Aty vërehet qartë se për aspektet politike të jetës së Nolit shkrimi dominohet nga qasja dhe terminologjia ideologjike e kohës.

“In memoriam.

Apologji e së mirës dhe kritikë e ashpër e së keqës.

Me rastin e vdekjes së poetit, përkthyesit dhe estetit të madh shqiptar Fan S. Nolit.

Të shtunën e kalueme, më 13 mars, në valët e radios u përhap lajmi për vdekjen e poetit, përkthyesit dhe estetit të madh shqiptar Fan S. Noli. At ditë, në Filadelfi, në Shtetet e Bashkueme t’Amerikës, larg vendit dhe popullit të vet, vdiq nji prej fytyrave më të ndritshme të popullit shqiptar. Kur vdes njeriu, atëherë për atë flitet mirë, me zemër. Ndërkaq, për Fan S. Nolin, i cili në shtigjet e errta të jetës me brengë e dashuni të madhe ndaj njeriut ndezi dritën e fatbardhsisë për vogjelinë-gjithmonë asht folë mirë, ashtu siç e ka meritue kjo zemër fisnike-Fan S. Noli, ky shkrimtar i madh e burrë shteti përparimtar.

Lindi më 6 kallnor 1882 n’Ibrik Tepe, ose Qytezë. Fan S. Noli shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin turk n’Adrianopojë, kurse në Fakultetin filozofik u regjistrua n’Atinë. Por shum shpejt iu desht me mërgue jashtë atdheut të vet. Qysh i ri, më 1903, punon si mësues i një shkolle greqisht n’Egjipt, ku bje në kontakt me lëvizjen patriotike shqiptare. Qysh atëherë e çfaq aftësija e rrallë e Fan S. Nolit. Kurse ma vonë, n’Amerikë shkue më 1906, luftoi me plot fuqi për bashkue grupet e ndryshme patriotike, për të zhdukë rrymën shoveniste greke. Pak më vonë n’Amerikë bahet prift i kishës së parë ortodokse shqiptare n’Amerikë, tue mundue se në kët mënyrë veprimtarija e vet do t’ishte ma e suksesshme për t’i bashku dhe vllaznue turmat shqiptare n’Amerikë. Në vjetin 1909 Fan S. Noli filloi të botojë në Boston gazetën “Dielli”, organin kryesor i Shqiptarëve t’Amerikës, ndërsa në sajë t’inciativës dhe përpjekjeve të Fan S. Nolit, më 1912 në Boston u themelue federata “Vatra”, në gjinin e së cilës mblidhej dhe edukohej shumica e emigrantëve shqiptarë n’Amerikë. Ndërkaq, në Paris më 1919 ka qenë delegat shqiptar për me kërkue sigurimin e indipedencës së Shqipnisë. Përveç kësaj, edhe shum manifestacione tjera flasin për aftësinë e rrallë dhe humanitare në karierën e shëndoshë politike të Fan S. Nolit. Në fund, mbas gjendjes së vorfën dhe të mjerueshme të Shqipnisë në vjetin 1924, kur lëvizjet demokratike përmbysën qeverinë reakcionare t’Ahmet Zogut, u formue qeverija demokratike. Atëherë Fan S. Noli bahet kryetar i saj. Atëhërë lindi nji kaptinë e re e shëndritshme e historisë së Shqipnisë. Populli shqiptar shpëtoi nga torturat dhe masa krimet e tiranisë s’Ahmet Zogut. Atëherë lindi dielli i madh dhe i shëndritshëm. U gëzue vogjëlija. Por, mbas nji kohe të shkurtë, gëzimi dhe shpresa e vogjëlisë u fikën. Fuqitë reakcionare të Zogut prap e shkelën trollin e Shqipnisë. Mirëpo Fan S. Noli nuk u përkul.

Ai me plot brengë u nda prej vogjëlisë dhe u mërgue n’Amerikë, ku vazhdoi luftën e rreptë kundër Zogut. Atëherë fjala e Fan S. Nolit, poetit të madh, buçiti si armë e fuqishme, jehoi si shpresë në turmat e vogjëlisë. Vepra e parë letrare e Nolit asht drama ,,Israelitë dhe Filistinë”, e cila u botue në vjetin 1902. Për kët vepër si edhe për vjershat tjera, Fan S. Nolit, si edhe shum poetëve tjerë Bibla i ka shërbye si burim i pashterun i preokupimeve të tij. Ndërkaq, Noli, subjektet marrë nga Bibla, me mjeshtri të rrallë i ka aktualizue tue u dhanë ngjyrat e trajtave të jetës bashkëkohore. Të tilla janë, për shembull, vjershat:“Moisiu në mal”, ”Kirenari” etj. Fan S. Noli asht i pajisun me ndjenjën e masës. Edhe atëherë kur zemrën e ka të brengosun, prej pendës së tij nuk lindin tinguj patetikë dhe jobindës, por kanga, dhimbja e butë e nji zemre fisnike, dhimbja e cila prek zemrën e njeriut tue lanë efekte të duhuna poetike. Ndjenjën e masës e hasim edhe në ,,Marshin e Krishtit”, “Marrshin e Barabajt” etj., ku autori, nëpërmjet të fjalëve dhe tingujve plot muzikalitet, sugjeron ritmin buçitës: “Hosanna, o çlironjës, Mesi, hosannal! Shtroni udhën me lule, dafin’ e hurma, Brohoritni trumbeta, timpa ne zurna, Thirr e zbras, o gurmas: Hosanna hosannal! ”Marshi i Krishtit”. Poezija e Fan S. Nolit asht apologji e së mirës dhe kritikë e ashpër e së keqes. Ajo asht kanga e pavdekshme ku çfaqet malli dhe dhimbja e sinqertë ndaj njeriut – kanga e pavdekshme e nji epoke të turpshme dhe e nji historije të zezë të tradhtorit dinak”, Ahmet Zogut.

Nji vend të dalluem në letërsinë shqipe Fan S. Noli zen edhe si prozator ,,Historija e Gjergj Kastriotit” merret si nji ndër prozat ma të bukura të krijueme në letërsinë shqipe. Më 1947 Fan S. Noli botoi botimin e dytë të kësaj vepre, të cilën e përpunoi dhe e plotsoi.

Fan S.Noli, me veprat e tij të përkthyeme nga letërsija botnore, ka kontribue ma tepër se askush tjetër në letërsinë shqipe. Ai asht përkthyesi ma i mirë që ka dhanë deri më tash letërsija shqipe, njikohsisht edhe nji ndër përkthyesit ma të dalluem të letërsisë botnore. I pasionuem e me afinitet të rrallë ndaj letërsisë, përktheu disa kryevepra të letërsisë botnore: ,,Hamletin”, ,,Maghetin”, “Jul Qezarin” dhe vepra tjera të Shekspirit, mandej romanin e famshëm të Servantesit “Don Kishoti i Mançës”, nji ndër poezitë ma të bukura të shkrueme deri më sot, ,,Korbin” e Edgar A. Po etj. I pajisun me dellin poetik, ai i ka përjetue thellë vleftat artistike dhe kështu jo vetëm në poezinë e tij origjinale, por edhe në përkthimet, buron flaka e bukur autentike e pendës së Fan S. Nolit. Përkthimi i poezisë “Korbi” t’Edgar Alan Po asht ndër përkthimet ma të bukura të kësaj vjershe në letërsinë botnore. Janë të rrallë përkthyesit në botë që kanë mundë me këndue në mënyrë aq sugjestive e aq të bukur atmosferën melankolikë, harmoninë me plot muzikalitet të kulluet të vargut të kësaj poezije. Fan S. Noli asht shque edhe si kritik i rrallë i letërsi së dhe i artit të muzikës. Të njohtuna janë parathaniet e tij, në të cilat ai flet me plot sensibilitet dhe me konstatime të sakta dhe origjinale. Në vjetin 1947 në Nju Jork, Fan S. Noli botoi në gjuhën anglishte studimin muzikor “Betoveni dhe revolucioni”, i cili tërhoqi vemendjen e pendave ma të shqueme të letërsisë botnore, si Bernard Shout, i cili e çmoi shum kët studim, Tomas Manit dhe të tjerëve. Konstatimet origjinale të kësaj vepre edhe sot janë burime të vlefshme për studime serioze n’artin e muzikës. Me kët vepër Fan S. Noli u ba mjeshtër i pendës me famë të madhe botnore. Tashma ne na mbeti vetëm vepra e Fan S. Nolit” Rilindja, 21 mars, Prishtinë, 1965, f. 11).

Në shenjë përkujtimi për Nolin, në vititn 1965, në numrin 2, revista “Jeta e re” boton një poezi të shkrimtarit të njohur Jakup Ceraja me titull: “Kujtimit të Nolit” ( “Jeta e re”, nr. 2, Prishtinë, 1965, f. 256) dhe një fragment të studimit të Nolit “Betoveni dhe revolucioni francez”, me këtë përshkrim te nëntitulli shkruan: “Me 13 mars, në qytetin Landerdal (Florida, ShBA) vdiq në moshën 84 vjeçare Fan S. Noli – poet, publicist, kompozitor dhe personalitet i shquem shqiptar. Me kët rast po e botojmë nji fragment të pjesës së katërt të studimit të tij “Betoveni dhe revolucioni francez” ( “Jeta e re”, nr. 2, Prishtinë, 1965, f. 257).

“Diçka rreth poezisë origjinale të Nolit dhe gjenezës së saj politike”

Ky është titulli i punimit me të cilin përkujtohet Noli në revistën “Jehona”, nr. 4-5, të vitit 1965 që botohej në Shkup. Autori i këtij punimi është studiuesi i njohur i letërsisë Xhevat Tahiri Gega. Ky studiues, poezinë në përgjithësi, por edhe atë të Nolit nuk e sheh të ndarë nga zhvillimet ideologjike të kohës. Punimi fillon me këtë hyrje “Mbas 84 vjetëve jete­se e ma tepër se 60 vjetë pune të palodhëshme e tejet të frytëshme, me 13 mars 1965, në Lander­dal të Floridës – Sh.B.A. ndërroi jetë njeni prej persona­litetëve ma të shqueme të kulturës sonë kombëtare – vdiq Fan S. Noli – njeriu ma eminent në themelimin dhe veprimtarinë e Federatës Vatra; oratori kishtar dhe kryepeshkopi i Kishës autoqefale shqiptare; oratori politik dhe patrioti që ligjëroi në mënyrën e vet noliane dhe mobilizoi fuqitë demokratike për themelimin e të parit shtet demokratik në Ballkan; publicisti mendjehollë dhe përkthyesi ma eminent në letrat shqipe; kri­tiku letrar dhe historiani i dalluem; poligloti shqiptar dhe kom­pozitori, i cili për studimin e veprës së të famshëm Betoveni dhe Revolucioni francez fitoi admirimin ma të madh të Ber­nard Shout dhe të të gjitha qarqeve kulturale në botë; vdiq poeti, që këndoi pak vargje origjinale, por aqë fuqishëm, me aqë fuqi mobilizuese, sa rrallë kush në letërsinë shqipe; vdiq Noli, emni i të cilit asht i lidhun tepër ngusht me historinë e popullit shqiptar në tanë gjysmën e parë të shekullit tonë. E ne sot na mbeti vetëm kujtimi i tij – ideali i tij i naltë, vullneti i tij si shembull i palodhshmënie dhe pathyshmëni, mbi të gjitha na mbeti vepra e tij e gjanë dhe madhështore. Këto pak rreshta i kushtohen kujtimit të tij”. (“Jehona”, nr. 4-5, Shkup, 1965, f. 24). Mund të thuhet se, përmes këtij shkrimi, masa e gjërë u njoftuan në Maqedoninë e asaj kohe.

Përfundim

Pas vitit 1945, veprimtaria shkrimore e Fan S. Nolit, te shqiptarët në Jugosllavi, mund të thuhet se ishte e pranishme. Lajmin për vdekjen e Fan S. Nolit në Amerikë e dha veprimtari i njohur shqiptar në SHBA, Athanas Gegaj, më 17 mars 1965, përmes gazetës Dielli të Bostonit, duke botuar një shkrim në formë nekrologjie me titull: “Shqiptarë, a dëgjuat? Imzot Noli nuk është më mes nesh!”.

Në Shqipëri, revista Nëntori nr. 4, e vitit 1965, botoi mendimet e shkrimtarëve, poetëve, gjuhëtarëve etj nga Shqipëria në lidhje me personalitetin e Fan S. Nolit. Në këtë revistë për Nolin shkruan: Dritëro Agolli, Sterjo Spasse, Dhimitër Shuteriqi, Janaq Paço, Fatmir Gjata, Aleks Çaçi, Eqrem Çabej dhe Aleks Buda, duke vlerësuar lart kontributin e tij (f. 5-34). Studiuesi Aleks Buda, në numrin 2 të revistës Studime historike të vitit 1965, botoi një artikull në formë nekrologjie për Nolin, duke theksuar ndër të tjera: “ndjemë një pikëllim të madh që mendja e F. S. Nolit nuk është më. E vajtojmë, sepse prisnim të na falte ende kaq vepra mjeshtërore” (Studime historike, nr. 2, USHT-IHGJ, Tiranë, 1965, f. 7).

Ndërkohë që në Tiranë vdekja e Nolit pati jehonë, gjë e kuptueshme për shkak të qëndrimeve të tij majtiste, në Prishtinë dhe Shkup u botuan disa shkrime dhe poezi, por nuk mori jehonën e njëjtë si në Shqipëri. Në Prishtinë hasim një artikull në gazetën e asaj kohe Rilindja. Po ashtu, shkrime të studiuesve shqiptarë, si edhe punime të vetë Nolit të botuara në shenjë përkujtimi, gjejmë në vitin 1965 në revistën letrare Jeta e re.

Është për t’u habitur se disa revista shkencore dhe publicistike që botoheshin në Prishtinë, e që trajtonin edhe probleme letrare e historike si: Përparimi, Zani i rinisë dhe Gjurmime albanologjike, nuk botuan asnjë punim për Nolin, qoftë edhe si nekrolog.

Në Shkup, revista Jehona e vitit 1965 e përkujtoi Nolin duke botuar një artikull studimor mbi veprimtarinë e tij, të shkruar nga studiuesi Xhevat Gega.

Krahasuar me veprimtarinë e tij politike, shkrimore, patriotike dhe prezantimin që iu bë në Kosovë Nolit pas vitit 1945, mund të thuhet se vdekja e tij nuk pati jehonën e duhur te shqiptarët në Jugosllavi, kjo, ndoshta, për arsye se në atë kohë në Jugosllavi ende mbretëronte politika rankoviçiste, marrëdhëniet e Jugosllavisë me Shqipërinë ishin të tendosura dhe intelektualët tanë ndoshta hezitonin të identifikoheshin me Shqipërinë. Rrjedhimisht, edhe drejtuesit e këtyre revistave nuk e panë të arsyeshme trajtimin e një figurë si Noli në ato vite, në menyrë më të zgjeruar.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X