Ismail Qemali mendonte se Perandorisë i duhej doemos reforma që sillte barazinë përpara ligjit dhe njëjtësimin e praktikave ligjore dhe e dinte që për të vendosur këtë lloj reforme duhej ushtrimi i fuqisë shtetërore. Por, këtë fuqi shtetërore e shihte si më lehtë të zbatueshme jo nga një autoritet i vetëm qendror, por nga aleanca mes qendrës perandorake dhe udhëheqësve lokalë të administratës shtetërore.
Arbër ZAIMI, Tiranë
Trashëgimia kryesore e Ismail Qemal Vlorës është pajisja e shqiptarëve me shtet dhe aq e madhe është kjo arritje, saqë vështirë të mos eklipsohen të tjerë aspekte të kësaj figure të rëndësishme.
Një prej këtyre aspekteve, që duhet shënuar në rrëfimin e kombit tonë, është edhe mendimi i tij gjeopolitik. Teksa me siguri çdokush e njeh si atin themelues të shtetit, është me vend të konsiderohet edhe pionier i politologjisë dhe gjeopolitikës shqiptare. Është interesante të shqyrtojmë në këtë artikull disa nga alternativat gjeopolitike të konsideruara me interes për shqiptarët e të propozuara nga Ismail Qemali gjatë jetës e karrierës së vet.
Shqiptarët dashje-pa-dashje janë lidhur herët me gjeopolitikën. Për shekuj me radhë u ra për shans të jetojnë në zonën kufitare mes Romës dhe Bizantit, mes katolicizmit e ortodoksisë e, më pas, për shekuj të tjerë në një tjetër zonë kufitare, atë mes Perandorisë Osmane dhe Europës Qendrore e Mesdhetare, në kufijtë mes kulturave myslimane e asaj kristiane-perëndimore. Këta kufij nuk ishin të ngurtë, por të lëvizshëm, ndërsa lëvizjet e tyre prodhuan kushtet për kulturën shqiptare, që u zhvillua si kulturë shumëfetare, e aftë të flasë edhe me lindjen edhe me perëndimin. Historiani Noel Malcolm, te libri i tij “Agents of Empire”, na jep shembuj interesantë të përfshirjes së shqiptarëve në gjeopolitikë, duke ndjekur gjenealogjitë e dy familjeve ulqinake në shek. XVI. Pinjollët e këtyre dy familjeve arrijnë të shërbejnë si diplomatë e si spiunë, përveçse si luftëtarë, klerikë e administratorë, për të gjitha fuqitë politike të kohës, që përplaseshin në brigjet Adriatike e Joniane në atë kohë. Ata ishin në gjendje të këshillonin Vatikanin e Venedikun, si njerëz që e njihnin mirë Lindjen, por ishin në gjendje të ofronin shërbime po aq të vlefshme edhe për Stambollin, si njerëz që e njihnin mirë perëndimin. Pra, gjeografia e historia u jepte shqiptarëve një avantazh, i bënte ata përkthyes të mirë mes sferave të interesit – gjë që ka ndodhur edhe në raste të tjera popujsh që rrojnë në zona kufitare mes perandorive të mëdha. Mandej, shumë shqiptarë kanë mbërritur në poste të larta politike e ushtarake në perandoritë ku kanë shërbyer, veçanërisht në Perandorinë Osmane. Këto poste të larta nënkuptonin një përgatitje të mirë shkollore e kulturore dhe një njohje të thellë të mënyrave se si funksionojnë shtetet e marrëdhëniet mes tyre. Pra, me siguri (duke e përdorur në mënyrë anakronike termin) ka patur një numër të bollshëm shqiptarësh që do të mund të ishin quajtur gjeopoliticienë e politologë edhe para se të lindte Ismail Qemali. Por, teksa familjet Bruni e Bruti të cilëve ua bën mikrohistorinë dhe historinë Malcolmi, apo kryeministrat e kryegjeneralët e Perandorisë Osmane, patjetër që shquheshin nga dija e aftësitë, ato nuk mund të thuhet se ishin në shërbim të ndonjë projekti shqiptarist. Vetëdija nacionaliste shqiptare lindi në shek. XIX me rilindjen, e pak para mesit të atij shekulli lindi dhe Ismail Qemali.
Kujtimet e tij Ismail Qemal Vlora i nis me një përshkrim të thukët, por befasues të situatës gjeopolitike e historike në mes të të cilës ai u lind:
“U linda në janar të 1844 në Vlorë, në qytetin shqiptar ku shumë vite më vonë do të shpallja pavarësinë e vendlindjes sime. Im atë qe Mahmud Bej Vlora, ime më Hedije Hanëmja, nga Gjirokastra. Kur u linda unë Perandoria Osmane, ku asokohe bënte pjesë edhe Shqipëria, sapo kishte kapërcyer nëpër një epokë ndër më domethënëset të historisë së saj. Ishte rrëzuar Ali Pasha i Janinës; ishte kushtetuar mbretëria e Greqisë; ishte njohur qeveria gjysmë e pavarur e Mehmet Aliut në Egjipt; Perandoria Osmane ishte bërë pjesë e Koncertit Europian, e si pasojë e kësaj ngjarjes së fundit, kishte ndodhur edhe shpallja e Dekretit të Madh të Gjylhanesë, i cili shënonte fillimin e një periudhe barazie e drejtësie për të gjithë popujt e Perandorisë, pavarësisht racës apo fesë – e pra këto ishin ngjarje me rëndësi të madhe e me pasoja largvajtëse. Greqia ishte një si punë pyke që e futën midis trupit europian të Perandorisë, e cila në çdo moment mund të shtyhej edhe më thellë në mënyrë që të arrihej ndarja e pjesës europiane, madje të kërcënohej edhe stabiliteti i vetë kryeqytetit perandorak. Në të njëjtën kohë, krijimi i një dinastie myslimane në Egjipt, gjë e cila formonte një qendër islame shumë pranë qyteteve të shenjta dhe në zemër të botës arabe, vinte në pikëpyetje vetë autoritetin kalifor të sulltanit.
Por më domethënësja prej gjithë këtyre ngjarjeve ishte hyrja e Perandorisë në radhët e Fuqive të qytetëruara, e hapi i parë i kësaj ishte rrëzimi i regjimit të parregullsive. Është fat i keq që sulltani i atëhershëm dhe këshilltarët e tij mendjendritur, nën presionin e historisë, krijuan një sistem tej mase të centralizuar, i cili për nga natyra qe i gabueshëm dhe vicioz e ra në kundërthënie me shpirtin dhe frymën e Perandorisë. Guxoj të besoj se nëse Porta e Lartë nuk do të kishte përqendruar gjithë pushtetin në Stamboll, por do ta kishte përmirësuar sistemin ekzistues të vetë-qeverisjeve duke ndëshkuar abuzimet, perandoria do të kishte bërë një progres të madh me administratën e brendshme. Shtetarët që asokohe drejtonin fatet e Perandorisë shkuan dhe e gjetën frymëzimin vetëm te sistemi francez, se ai ta rrëmben lehtësisht imagjinatën dhe është lehtësisht i kuptueshëm sajë qartësisë teorike e logjike që ka. Prandaj erdhëm te situata ku në Turqi ekziston një legjislacion administrativ i kompletuar nga aspekti teorik, por absolutisht i dështuar nga aspekti i rezultateve praktike”.
Pra, pa asnjë lloj filtri romantizues apo nostalgjik për fëmijërinë, siç rëndom gjendet në memuaristikën e kohës, në fare pak rreshta ai paraqet në mënyrë analitike transformimin që po i ndodhte rajonit. Perandoria Osmane po detyrohej të kapte trenin e modernizimit në aspektin e administratës dhe ligjeve, gjë që prodhoi Tanzimatin, e cila do të kish qenë reformë shumë e suksesshme nëse Porta e Lartë nuk do të kishte bërë gabimin e pafalshëm, centralizimin e tepërt. Ky centralizim prodhoi konfliktin mes sundimtarëve rajonalë, që kryesisht ishin fisnikë lokalë, si familja e Vlorajve, dhe pushtetit qendror. Në këtë konflikt sundimtarët rajonalë u vendosën kundër progresit dhe u mbështetën në një lloj populizmi primitiv, duke kthyer masat popullore kundër reformës. Këto ishin revoltat kundër Tanzimatit, që skenën kryesore e patën në viset shqiptare të Perandorisë. Viset më të prapambetura, të lëna pa ndonjë vëmendje të veçantë sa i përket investimeve e infrastrukturës, jo se nuk kishin nevojë për reformë e progres. Por, kur progresi paraqitet si detyrim e si eleminim i të drejtave vetëqeverisëse, jo rrallë ai refuzohet. Kjo ngjan pak me hyrjen e Napoleonit në Spanjë, një vend i cili ishte ndër më të prapambeturit në Europën e asaj kohe. Napoleoni u premtonte popujve liri, barazi, të drejta dhe vlerat e iluminizmit, por populli spanjoll nuk i pranoi këto “të mira”, jo se nuk i duheshin, por se nuk i donte si imponim nga pushtuesi. Një nga parrullat e partizanëve antinapoleonianë ishte “rrofshin prangat”. Nëse liria e popullit vjen si dhuratë prej pushtuesit të huaj, atëherë përnjëmend “rrofshin prangat ku na mbanin sunduesit tanë”.
Ismail Qemali, pra, mendonte se Perandorisë i duhej doemos reforma që sillte barazinë përpara ligjit dhe njëjtësimin e praktikave ligjore dhe ai e dinte se për të vendosur këtë lloj reforme, duhej ushtrimi i fuqisë shtetërore. Por, këtë fuqi shtetërore e shihte si më lehtë të zbatueshme jo nga një autoritet i vetëm qendror, por nga aleanca mes qendrës perandorake dhe udhëheqësve lokalë të administratës shtetërore. Duket sikur intuitivisht ai i paraprin mendimit gramscian mbi hegjemoninë. Sundimi përmes dhunës është sundim i pamundur, i vetmi sundim i mundshëm është ai që pranon dhe njeh agjensitë lokale si ndërmjetësuese mes popullit e sundimtarit. Këtë lloj mendimi të hollë dialektik, që mban parasysh kontradiktat e brendshme të lirisë e të progresit, Ismail Qemali, siç duket, e ka përftuar jo thjesht nga leximet, por nga filtrimi i jetës së vet, përvojës familjare e asaj profesionale, ballafaqimeve e përndjekjeve, studimeve e punimeve. Sigurisht, Ismail Vlora ishte një njeri i ndriçuar, me arsim e përvojë si pakkush tjetër për kohën dhe i asociuar me vetëdije të plotë me progresin e me liberalizmin. Por, përvoja e paraardhësve të tij, të cilët pësuan përndjekje si pasojë e pjesëmarrjes në revolta kundër Tanzimatit, e bën atë ta kuptojë së brendshmi nevojën për autonomi lokale. Kjo gjë rimishërohet në mendimin e tij kur ndodh revolucioni i Turqve të Rinj. Ai merr pjesë në disa nga mbledhjet e rëndësishme të tyre, e pavarësisht se ftohet të jetë protagonist në atë lëvizje reformiste radikale ku themeluesit dhe shumë protagonistë ishin shqiptarë, Ismail Qemali mban gjithsesi një farë distancimi. E shkruan më vonë po te kujtimet e veta se për xhonturqit ka të njëjtën kritikë si për Tanzimatin, reforma të duhura, por të shtruara pa mbajtur në vëmendje nevojën e popujve të Perandorisë për vetëqeverisje. Ashtu siç parashtrohen reformat nga xhonturqit, Ismail Qemalit i duken të rrezikshme, sepse mund të përfundojnë në asimilime të detyrueshme ose të dhunshme, e në shovinizma të tjera, siç u pa me armenët. Kjo është korniza e mendimit gjeopolitik të Ismail Qemal Vlorës, nevoja për reforma civilizuese krah për krah me afirmimin e vetëqeverisjes. Pra asnjërën pa tjetrën, e gjithmonë të dyja bashkë. Ai është i gatshëm vazhdimisht të njohë e të konsiderojë pushtetet e fuqive të mëdha, madje edhe përfshirjen brenda ndonjërës prej tyre për shkak të nevojave për mbrojtje e ekonomi, por me kushtin që të ruhej vetëqeverisja dhe kufizimi kushtetues i pushtetit. Sa u përket ligjeve e kushtetutës, të domosdoshme këto edhe për reformën progresiste edhe për vetëqeverisjen, Ismail Qemali vë në dukje se kopjimi i një sistemi të huaj, sado koherent e i bukur të duket ai në letër, jo doemos do të rezultojë në praktika të mira. Duket sikur ai thërret për një zhvillim vendor të ligjeve duke mësuar nga jashtë, por a ka vallë historia kohë për procese të tilla që lypin dekada në mos shekuj?
Cilat janë projektet që zhvillon kohë pas kohe Ismail Qemal Vlora, në suazë të kornizës që përmendëm më sipër?
- Konfederata Ballkanike brenda Perandorisë Osmane
Në vitin 1892, pasi kishte përfunduar mandatin si Vali i Bejrutit, Ismail Qemali u bë këshilltar i sulltan Abdyl Hamitit II dhe i paraqiti atij një memorandum ku kërkonte një federalizim të perandorisë, me më shumë të drejta vetëqeverisëse për popujt e për vilajetet. Sipas këtij projekti, së jashtmi shteti do të paraqitej unitar, si një Fuqi e Madhe, por së brendshmi vilajetet do të përparonin drejt një vendimmarrjeje më autonome, ngjashëm me shtetet që përbëjnë sot SHBA-të, ose me landet që përbëjnë Gjermaninë. Të dyja modelet janë marrë parasysh nga Ismail Qemali, i cili nga njëra anë ishte admirues i anglezëve e i amerikanëve për mënyrën se si shtetndërtimin perandorak e themelonin te njohja e interesave rajonale e lokale e jo te shtypja e tyre, por nga ana tjetër ishte edhe admirues i madh i Bismarckut, gjë të cilën e shkruan në memorandum. Ismail Vlora ia njeh themeluesit të Gjermanisë së bashkuar meritën e bashkimit të shteteve me histori qindravjeçare, që hera herës kanë qenë edhe në luftë me njëri-tjetrin, por gjithsesi pa ua shuar veçoritë dhe interesat speciale. Siç e thotë vetë në memorandumin e tij, “në këto faqe përpiqem të tregoj se si do të dukej një politikë bismarckiane e aplikuar në Lindje”. Nuk na mbetet veçse të spekulojmë mbi atë se si do të dukej e ardhmja po të kishte dëgjuar Abdyl Hamiti II këshilltarin e vet. Asokohe Perandoria kishte nisur rënien, e tashmë quhej në kulisat diplomatike e gazetareske „i sëmuri i Europës“. Ismail Qemali e dinte se 14 vite para se të shkruhej memorandumi, Perandoria e kishte humbur luftën me Rusinë, gjë që i kishte siguruar pavarësi Serbisë e që tashmë kishte shkaktuar spastrime masive të dhjetëra mijëra shqiptarëve nga rajonet e sanxhakut të Nishit. E dinte edhe se prijësit shqiptarë ishin mbledhur në Prizren dhe kishin kërkuar fillimisht autonomi e disa prej tyre edhe pavarësi. Por, opsioni që Ismail Qemali zgjedh për projektin e vet përkufizohet nga nevoja për mbrojtje e ekonomi dhe këtë nuk e shihte lehtë në versionin e një Shqipërie të pavarur mes fuqive agresive të kohës. Ai e mbështeste vetëqeverisjen shqiptare dhe të popujve të tjerë brenda një konfederate otomane të drejtuar nga një monarki kushtetuese e liberale. Nëse bëjmë pak histori kundërfaktuale, po të kishte mbijetuar ky opsion, mbase sot shqiptarët do të vazhdonin të jetonin në trojet e tyre jo vetëm në katër vilajetet e njohura, po edhe në vilajetin e Beogradit e atë të Selanikut ku gjithashtu kishte shumë syresh.
- Krijimi i një aleance shqiptaro-greke
Teksa ka studiues që flasin për marrëveshje të fshehta mes Ismail Vlorës dhe grekëve, tekstin e të cilave nuk e kemi parë kund, çka dihet është se pasi humbi shpresat në Perandorinë Osmane, e cila kishte hyrë në shek. XX me konfuzione e trazira të brendshme e me dobësim të madh ekonomik e teknologjik, Ismail Qemali filloi të shihte për projekte të tjera që mund të sillnin një farë sigurie gjeopolitike për shqiptarët. Nga karriera e tij e gjatë si drejtues në poste të rëndësishme administrative e diplomatike, ai kishte përftuar një rrjet të gjerë kontaktesh të rëndësishme në shtetet e fuqishme europiane. Dhe, u përpoq të hapte çështjen e Shqipërisë me austrohungarezët, me italianët, me anglezët, por pa ndonjë rezultat konkret. Shqipëria shihej si diçka tepër e paformë, si një projekt që do të kushtonte shumë për t’u bërë i qëndrueshëm, por që nuk ofronte diçka në këmbim. Ishte e vogël, e varfër në burime njerëzore e natyrore, kështu që nuk ishte lehtë të fitoje interesat e Fuqive. Austrohungarezët i shihnin shqiptarët me interes për sa kohë që ata u bënin presion nga jugu serbëve, të cilët agjitonin dhe luftonin kundër zgjerimit ballkanik të perandorisë europiano-qendrore, por megjithatë ky interes vonoi deri sa mori formën e një mbështetjeje shtetformuese. Italianët shihnin me interes vetëm bregun Adriatik, pjesët e brendshme u dukeshin të huaja e të parëndësishme. Britanikët e francezët çështjen otomane e shihnin me interes vetëm kur flitej për territoret e Lindjes së Mesme, ku kalonin udhë me rëndësi për tregtinë ndërkontinentale. Në këto kushte, Ismail Qemali e ka parë të natyrshme që krijimi i një aleance mes katër vilajeteve shqiptare dhe Greqisë do të përbënte interes gjeopolitik për të dyja palët. Vlen të theksohet se Ismail Qemali e shihte Greqinë e pavarur si një projekt ku shqiptarët kishin kontribuar jo pak. “Shumica e krerëve të revoltës greke ishin shqiptarë të krishterë, të cilët mbanin lidhje të natyrshme me krerët shqiptarë myslimanë” shkruan Ismail Qemali në kujtimet e tij. Kjo njësi nuk është e qartë nëse do të ishte e formës federuese apo thjesht një marrëveshje aleance, një “entente”. Sidoqoftë, një njësi e tillë gjeopolitike nuk pati fat. Serbët, sa herë që dëshironin të miqësoheshin me shqiptarët, investonin tek theksimi i “rrezikut grek”, ndërsa, nga ana tjetër, edhe vetë Greqia në shekullin XX nisi të krijojë homogjenizim fetar, duke spastruar shqiptarët myslimanë e duke shkaktuar një hendek të thellë që e pamundësoi afrimin mes popujve, pavarësisht interesave gjeopolitike që ndonjëherë mund të kenë qenë edhe të përafërta. Nëse do të kishte ecur ky projekt i Ismail Beut, ndoshta në Janinë sot do të kishim ndonjë degë të Universitetit të Shkupit, por nuk mund të jemi të sigurt. Patjetër, ka mundur të shkojë edhe keq.
- Pavarësia e Shqipërisë
Fillimi i Luftës Ballkanike dhe paaftësia e Turqisë për t’i mbrojtur trojet shqiptare e bëri të pamundur eksperimentimin me projekte gjeopolitike. Pavarësia ishte opsioni i vetëm dhe koha nuk priste. Më 1911 në Podgoricë Nikollë bej Ivanaj dhe bajraktari i Grudës, Sokol Baci Ivezaj, u mblodhën e vendosën të nisnin një kryengritje, sepse trojet e tyre, kahmoti shqiptare, dukej se do t’i jepeshin Malit të Zi. Kryengritja ndezi mbarë Malësinë, e në prill në Deçiq shqiptarët e komanduar nga Dedë Gjo Luli u përballën me otomanët. Në qershor të po atij viti Ismail Qemali shkoi nga Italia në Kelmend, ku bashkë me prijësat malësorë e me Luigj Gurakuqin lëshuan Memorandumin e Gërçës, ku kërkuan nga Perandoria Osmane të mos rekrutonte më luftëtarë shqiptarë për luftëra në vende të ndryshme, sepse shqiptarët duhet të mbronin vendlindjen e tyre. Një vit më pas, me aktivitet të shtuar diplomatik po edhe në terren, pas vizitash intensive në kuvende e kongrese të diasporës shqiptare, Ismail Qemali e të tjerë e shpallën pavarësinë më 28 nëntor në Vlorë. Ajo pavarësi mori mbështetjen e drejtuesve dhe përfaqësuesve nga Kosova e sotme, Shkupi e Ohri, Ulqini e Tivari, Tuzi e Plava e Gucia, si edhe nga Çamëria e troje të tjera sot në Greqi. Në kabinetin e parë të dalë nga Kuvendi i Vlorës, Ministrinë e Luftës ia besuan Mehmet Derallës nga Kalkandeleni (Tetova), sepse në trojet e sanxhakut të Kosovës pritej të bëheshin luftimet kryesore. Qeveria përmbante myslimanë synitë e bektashianë, si dhe të krishterë katolikë e ortodoksë. Por, teksa qëllimet ishin të mira, rrethanat ishin antagoniste. Serbia, me ushtri, hyri deri në Elbasan e Durrës e iu afrua Lushnjës, e kudo ku shkeli, dogji e masakroi. Në jug grekët hynë deri në Skrapar e pranë Beratit. Situata nuk qe aspak premtuese. Siç shkruan vetë Ismail Qemal Vlora “Ne shpresonim kundër shpresës”.
- Aleanca shqiptaro-bullgaro-turke
Lufta ballkanike u pasua nga një tjetër luftë ballkanike, e u shoqërua edhe nga një luftë botërore. Rrëmuja mbase i shpëtoi shqiptarët, sepse po të kishin qenë të qetë e të përqendruar fqinjët mbase do të kishin patur më tepër sukses në planet e tyre agresive e gjakësore. Midis kësaj rrëmuje, në vitin 1913 në Shqipëri vjen Beqir Fiqri Grebeneja. Beqir Grebeneja ishte radikal shqiptar, xhonturk, i dërguar nga Komiteti për Bashkim e Përparim, i njohur në historinë tonë edhe si Xhemijeti. Një vit më parë ai kishte qenë shumë aktiv në luftërat kundër forcave greke në Vilajetin e Janinës, ku u quajt edhe hero i Grebenesë, por pasi kishte pësuar humbje të atyre anëve prej nga kishte edhe origjinën, kishte ardhur me një ide tjetër gjeopolitike për shqiptarët. Një tjetër prodhim i emergjencës. Bashkë me xhonturqit ai propozonte që Shqipëria e pavarur të zgjidhte për mbret gjeneralin otoman Ahmet Izet Pashën, nga Kozani i Vilajetit të Manastirit, pjesë e Greqisë së sotme. Me Ahmet Izetin mbret dhe Ismail Qemalin kryeministër, shqiptarët do të lidhnin një aleancë të ngushtë me Bullgarinë dhe me Turqinë dhe do të merrnin pjesë si palë në Luftën II Ballkanike. Është interesante të mendosh se si do të kishte rrjedhur historia po të kishte gjetur rrugë ky projekt. Shqiptarët nuk morën pjesë në luftërat ballkanike, megjithatë trojet e tyre u bënë fushëbeteje për shtetet e tjera dhe shqiptarët pësuan më së rëndi, pikërisht ngaqë s´morën pjesë. Beqir Fiqriu u takua edhe me liderët e tjerë shqiptarë, si Esat Pasha, i cili në Shqipëri të Mesme kishte ndërtuar një sundim që e refuzonte shtetin e Ismail Qemalit, por edhe me parinë e Shkodrës në veri. Të gjithë ata, bashkë me Ismail Qemalin, si duket e përkrahën projektin e parashtruar nga Beqir Grebeneja, i cili porositi edhe financa, armë e municion që të dërgoheshin nga Turqia. Në janar të vitit 1914 një anije me 200 ushtarë dhe 19 oficerë të afërt me Ismail Qemalin u nisën për në Vlorë nga Turqia, me qëllim shpalljen e Ahmet Izetit mbret. Por gjërat nuk shkuan mirë për këtë projekt, sepse siç duket u mor vesh nga konsulli serb në Vlorë, një farë Gavrilloviqi, i cili menjëherë njoftoi Fuqitë e Mëdha që kishin dërguar në Shqipëri një Komision Ndërkombëtar të Kufijve. Fuqitë e Mëdha mbanin një forcë policore holandeze, dhe ndërhynë duke bërë kontroll në portin e Vlorës, ku kapën 200 ushtarët turq, arrestuan Beqir Fiqriun dhe detyruan qeverinë e Ismail Qemalit të japë dorëheqjen. Vetë Ismail Qemali u detyrua ta lëshojë vendin e të shkojë syrgjyn në Europë. Ndërsa Beqir Fiqriu pasi u lëshua nga burgu shkoi në Turqi dhe vdiq pak muaj më vonë në luftë kundër Rusisë në Kaukaz.
- Partia Amerikane për ndryshimin e kufijve të Shqipërisë
Me përfundimin e Luftës Botërore e me thirrjen e Konferencës së Versajës, ku do të vendoseshin fatet e popujve nga konsensusi i pasluftës, Ismail Qemali, tashmë më se 70-vjeçar, nuk mund të rrinte i qetë. Në diasporë kishte qenë aktiv intelektualisht, por një letër e ardhur prej Partisë Kombëtare të Shqiptarëve të Amerikës, kërkonte prej tij angazhim edhe më të madh. Shqiptaro-amerikanët kërkonin nga Ismail Qemali të shkonte në Paris si përfaqësues i tyre dhe të kujdesej që të ruhej pavarësia e Shqipërisë dhe kufijtë e saj të korrigjoheshin në mënyrë që të përfshiheshin brenda saj të gjitha trojet e banuara me shumicë shqiptare. Kjo qe, vetëkuptohet, një kërkesë shumë e vështirë. Por, Ismail Qemali nuk mund t´i thoshte jo. Në korrespondencën e tij dallohet entuziazmi për këtë mision të mbramë kombëtar. E teksa përgatiti me rigorozitet pedant qëndrimet që do të paraqiste në Paris, nuk mund ta dinte se bashkë me familjen do të përjashtohej nga Franca. Gjatë atij ekspulsioni të papritur e brutal, ku shteti francez i dëboi në Spanjë, i vdiq edhe e shoqja. Ky dëbim patjetër që ishte edhe rezultat i veprimtarisë së shërbimeve serbe, të cilat midis prijësave shqiptarë preferonin Esad Toptanin, por assesi Ismail Qemalin e bashkëpunëtorët e tij, si Hasan Prishtinën apo Luigj Gurakuqin etj. Pa u dëshpëruar e pa u dorëzuar, plaku 75 vjeçar megjithatë vazhdoi misionin e tij në vende të tjera. U ftua nga Italia për të diskutuar me ta platformën për të ardhmen e Shqipërisë, por udhës duke shkuar në takim me diplomatët italianë, vdiq. E gjetën në dhomën e hotelit në Peruggia, me hemorragji në tru. Nuk u përjashtuan asnjëherë mundësitë që të ketë vdekur i helmuar. Por, as nuk u verifikuan dot.
Këto pesë projekte mund të duken si të largëta nga njëra-tjetra, por ato tregojnë nga njëra anë një mendje që evoluon, e nga ana tjetër realitetet që ndryshojnë në kohë zhvillimesh të mëdha gjeopolitike e politike. Shpesh dëgjojmë moralistë të sotmë që me anakronizëm denoncojnë „ndryshimet“ e qëndrimeve, por filozofi i vjetër i progresit, Herakliti, ia ka vënë vulën kësaj pune kur tha „Gjithçka rrjedh“. Dashuria e tij për kombin shqiptar, prirjet e tij përparimtare dhe liberaliste, si dhe qasja e tij realiste e pragmatiste ishin ato që nuk ndryshonin, sepse ishin pjesë e kushtetutës së tij shpirtërore e personale. Gjithçka tjetër rridhte sepse bota po ndryshonte shpejt. Në shekullin që vijoi shqiptarët nuk arritën të nxjerrin ndonjë tjetër politolog e gjeopoliticien të atij niveli.










