loader image
November 18, 2025

Ismail Qemali, beu “oriental” dhe “islamik”

Pa dyshim, Ismail bej Qemali nuk ishte as imam e as besimtar që tërësisht e plotësonte idealin që shumëkush mund ta ketë në mendje, por ai kishte gjithçka dhe diçka më shumë, tipare për të cilat shumë shqiptarëve sot u vjen turp nga vetja: besimtar musliman dhe me aspekte socio-kulturore me origjinë lindore.

Rilind DAUTI, Shkup

Ekziston një teori që thotë se të gjithë njerëzit kanë gjak mbretëror, se e gjithë Europa janë pasardhës të Karlit të Madh, porse dallimi është se familjet zyrtare mbretërore mund ta dëshmojnë këtë qind për qind sigurt, ndërsa për njerëzit e rëndomtë arrin “vetëm” deri 99%.

Arsyeja për një bindje të tillë është se njerëzit kanë dy prindër, katër gjyshër, 8 stërgjyshër e kështu me radhë. Dhe, kur arrin në më pak se 1000 vjet mbrapa, i bie që çdokush që jeton sot t’i ketë miliarda paraardhës, gjë që është e pamundur, sepse popullsia e tërë botës nuk arrinte as 1 miliard. Ndërkaq, mbretërit kishin më shumë fëmijë që vetëm njëri ose dy e trashëgonin fronin, ndërsa të tjerët martoheshin me anëtarë të fisnikërisë më të vogël, e pastaj pasardhësit e tyre martoheshin me njerëz të rëndomtë. Rrjedhimisht, është gati matematikisht e sigurt se e gjithë Europa janë pasardhës të mbretërve.

Sipas të njëjtës logjikë, mund të thuhet se i gjithë Ballkani ose së paku popullsia muslimane e saj, janë pasardhës të sulltanëve osmanë! Madje, te rasti i tyre shanset për diçka të tillë janë edhe më të mëdha se në Europë. Sepse, tek osmanët nuk kishte ndarje rigjide mes “fisnikëve” (ekzistenca e tyre nuk njihej ligjërisht) dhe popullsisë së rëndomtë, kështu që shanset për “përzierje” martesore ishin edhe më të mëdha. Për më tepër, nëse pasardhësit meshkuj të Sulltanit shpesh vriteshin mes vet, bijat e sulltanëve nuk e kishin këtë problem dhe të njëjtat u jepeshin për martesë burrave në funksione me rëndësi dhe jo vetëm atyre me qëndrim në Stamboll, por edhe sundimtarëve lokalë në viset tjera të Perandorisë. I tillë ishte rasti me të parin e familjes Vlora, njërin nga të shumtit e Perandorisë Osmane, që e kishte emrin Sinan Pasha. Këtë figurë, Sulltan Bejeziti II e bëri bejlerbe të Anadollit dhe Rumelisë, si dhe sanxhakbe të Vlorës, prej nga e ka marrë emrin familja dhe përpos pozitave të larta shtetërore, Sulltani ia pat dhënë edhe njërën nga bijat e tij për martesë [Genciana Abazi-Egro, Literary Patronage of the Albanian Vlora Dynastic Family, fq. 6 (fusnota)]. Përpos nëse ky Sinan Pashë ka pasur edhe një bashkëshorte tjetër, për të cilën nuk dihet (dhe opsion me gjasa të vogla, sepse vështirë se një bijë sulltani do të pranonte që burrin ta ndajë me një grua tjetër), rezulton që familja e madhe shqiptare e Vlorajve, përfshirë Ismail Qemalin, janë pasardhës të Sulltan Bejazitit të Dytë e, përmes tij, pasardhës edhe të Sulltan Mehmet Fatihut!

Siç thamë, kjo trashëgimi sulltanore është përmes linjës femërore, ndërsa në linjën mashkullore Vlorajt janë qind për qind shqiptarë. Por, në periudhën sa ishin zyrtarë osmanë, pinjollët e kësaj familjeje edhe në linjën mashkullore pretendonin origjinë turke, nga një Sinan Pashë i Konjës së Anadollit. Këtë pretendim, kronisti i familjes, Eqerem beu, e relativizon me atë që “Kështu e kërkonte asokohe politika dhe moda, sepse nuk ishte aspak e hijshme që një “derë” e cila për katër shekuj me radhë kishte qenë mëkëmbëse e sulltanit në vend ta ketë prejardhjen prej një të krishteri të rëndomtë e të panjohur nga malet e Labërisë”, (Fatos Baxhaku, https://gazeta-shqip.com/ndryshe/vlorajt-dhe-kanina/). Disa studiues, në fakt, i japin mbështetje teorisë për prejardhje turke të familjes Vlora. Bëhet fjalë për një Sinan Pashë me origjinë nga Konja, që është bërë sundimtar i Vlorës dhe për qytetin është kujdesur shumë, prandaj ka fituar popullaritet te popullsia lokale që ia ka dhënë nofkën “Arnavud” (“shqiptari”), ani se ai kishte ardhur nga Anadolli [Stefanos P. Papageorgiou, The attitude of the Beys of the Albanian Southern Provinces (Toskaria) towards Ali Pasha Tepedelenli and the Sublime Porte (mid-18th-mid-19th centuries), http://journals.openedition.org/ceb/3520].

Kështu, përmes njërës ose tjetrës teori dhe linjë trashëgimie është gati tërësisht e sigurt se ati i pavarësisë së Shqipërisë dhe babai i kombit shqiptar kishte gjak “aziatik”, “anadollak”, turk, “halldup”. Një e vërtetë e hidhur për shumë shqiptarë turkofobë dhe, në përgjithësi, racistë, që zakonisht janë të mbushur me (vet)urrejtje edhe për përkatësinë islame të shumicës së shqiptarëve. Kur jemi te kjo, si argument kundër këtij realiteti e marrin edhe atë që muslimanët e rrymës kryesore ishin kundër proceseve kombëtare, ndërsa bektashinjtë ishin dhe janë “the good ones”, dhe pikërisht Ismail Qemali ishte bektashi. Por, pa mohuar kontributin e bektashizmit në disa aspekte pozitive për shoqërinë dhe kombin shqiptar, përkatësia bektashiane e Ismail beut dhe familjes Vlora duket shumë diskutabile.

Sot sufizmi te shqiptarët identifikohet vetëm me tarikatin bektashi, por, historikisht, në Shqipëri dhe pjesët tjera të Ballkanit, ishin të pranishëm edhe shumë tarikate tjera. Kështu, për shembull, për teqenë e Kaninës ka mendime të ndryshme nëse i takon tarikatit bektashi apo tarikatit halveti (Teqeja e Kaninës, Vlorë; https://pine.al/activity/objekte-kulti/teqeja-e-kanines-vlore?lang=sq). Ky tarikat tashmë njihet botërisht si i Islamit sunit, ndërsa në forcimin dhe shpërndarjen e këtij tarikati rol kyç ka pasur pikërisht Sulltan Bejeziti II (që përmendëm se ishte nismëtar i ngritjes së dinastisë së Vlorajve) (Hasan Karataş, The Ottomanization of the Halveti Sufi Order: A Political Story Revisited). Tek teqeja e Kaninës janë varrosur Ismail beu dhe kushëriri i tij, Ferit pashë Vlora, që ishte kryeministër i Perandorisë Osmane. Nëse bektashinjtë e sotëm krenohen me atë që kanë qenë aq të “përparuar”, prandaj dhe sulltanët “e prapambetur” i kanë përndjekur, nuk ka logjikë që prej fillimit të shekullit XVI deri te fillimi i shekullit XX “bektashinjtë” e familjes Vlora gëzonin pozita të larta dhe të besuara nga sulltanët. Kur dihet që, pas Tanzimatit, në Perandorinë Osmane u lejua që në funksione të larta të shërbejnë edhe hebrenj dhe të krishterë, duket edhe më e besueshme që të pranohen edhe bektashinj, që prapëseprapë thonë se janë muslimanë, por Vlorajt gëzonin pozita të larta edhe shumë para kësaj, kur përkatësia në Islamin e rrymës zyrtare ishte kriteri kyç.

Ka edhe rrethana të tjera që nuk shkojnë në favor të mendimit për përkatësinë bektashiane të Ismail beut dhe Vlorajve. Për shembull, përderisa Ismail Qemali me familjen ishin të syrgjynosur në Selanik, aty i vdes vëllai i vogël, Sulejmani, dhe trupi i tij nuk varroset në ndonjërën nga teqetë e Selanikut, por në oborrin e xhamisë Ortaj (Ismail Qemali 1844-1919, https://www.radiokosovaelire.com/ismail-qemali-1844-1919-2/). Pastaj, për njërën nga xhamitë e Vlorës disa burime thonë se e ka (ri)ndërtuar një pinjoll i Vlorajve (një Neshat Pashaj), edhe atë pas pavarësisë, në vitin 1925. E kemi edhe dëshminë e vet Ismail Qemalit që në Stamboll e falte namazin e teravisë bashkë me Sulltan Abdylhamidin II (https://www.infoshqip.com/ismail-qemali-dhe-abdul-hamidi-ii-e-falnin-se-bashku-namazin-e-teravise/). Prandaj, nëse Ismail beu dhe Vlorajt ishin bektashinj, ç’janë gjithë këto kontakte me xhamitë e Islamit të rrymës kryesore dhe me osmanët që identifikoheshin me këtë religjion?!

Kur jemi këtu, në dallim nga Islami i rrymës kryesore, që disa qarqe tek shqiptarët e marrin si argument kundër tij që “atë na e solli pushtuesi”, këtë argument nuk e përdorin kundër bektashizmit, që gjithashtu nuk është autokton shqiptar, por erdhi nga Anadolli. Përkundrazi, për bektashizmin kanë simpati, sepse, përpos atribuimit të meritave ekskluzive për kontributin kombëtar, ata nuk u përmbahen disa aspekteve të Islamit, siç është segregimi gjinor. Por, te rasti i Ismail Qemalit dhe Vlorajve rezidenca e tyre ishte e ndarë në pjesën e burrave, që quhej selamllëk, dhe pjesën e grave, që imagjinata orientaliste e përqafuar edhe nga shumë shqiptarë ia ka njollosur kuptimin – haremi. Pikërisht në harem pati lindur edhe Ismail Qemali, ndërsa aty nuk u lejua qasja e burrave që erdhën nga gjithë Shqipëria për Kuvendin e Vlorës. Prandaj, më 28 nëntor 1912 flamurin e “gardianit të civilizimit europian” – Gjergj Kastriotit, Ismail bej Qemali e ngriti nga selamllëku i sarajit të Vlorajve (Gëzim Llojdia, https://gazetadielli.com/a-do-te-behet-shtepia-muze-e-familjes-patriotike-vlora/).

Kështu, te Ismail Qemali dhe familja e madhe e Vlorajve kishte gjithçka për të cilën shqiptarët muslimanë përqeshen haptazi ose për të cilat ekziston nënqeshje që shfaqet në mënyrë pasivisht agresive. Ai lindi në shtëpinë ku zbatohej ndarja mes gjinive dhe iu dha emri musliman Ismail, pastaj kur vet u bë prind i plot fëmijëve, një shprehi po ashtu e asocuar me shqiptarët muslimanë, atyre po ashtu u dha emra “oriental” që sot janë cak i përqeshjes dhe “bulizimit” me motiv islamofobik (Mahmud, Tahir, Qamil,…). Nëse shqiptarët muslimanë fyhen si “mbeturinë turke”, qoftë vetëm shpirtërisht, por ndonjëherë kjo insinuohet edhe gjenetikisht, për Ismail beun diçka e tillë dihet sigurt. Ismail bej Qemali ishte tërësisht i zhytur në kulturën “anadollake”, aq sa martesën e parë e kishte me gruan me emrin Nasipe dhe që mbante titullin “oriental” Hanëm (sot po ashtu objekt i përqeshjes) dhe ishte kushërirë (jo e afërt) me të dhe që ishte gjithashtu e dinastisë së Vlorajve (Afrim Imaj, https://www.panorama.com.al/jeta-e-panjohur-e-ismail-qemalit-pa-ditelindje-dhe-pa-mbiemrin-vlora-grekja-surmeli-gruaja-e-ismail-qemalit-zonja-e-pare-e-shqiperise/), një praktikë kjo që, fatmirësisht, ka ngelur tabu tek masat e gjera të shqiptarëve sado që larg të jetë farefisnia në linjën mashkullore, por është edhe një tjetër dëshmi se sa shumë Vlorajt dhe Ismail Qemali e kishin përqafuar kulturën turke, përpos fakteve të njohura më gjerësisht, si njohja e turqishtes, mbajtja e fesit dhe shërbimi shtetit osman.

Ismail bej Qemali dhe Vlorajt kishin kontakte me xhamitë, Ismail beu falte namazin me Sulltan-Kalifin, e pastaj kur u bë për rahmet, merhum Ismail Qemalin, të birin e Hedije Nënmit, nuk e varrosi ndonjë babamond “në hap me kohën”, por hoxhallarë tradicionalë (Albert Z. Zholi, https://telegraf.al/dosier/si-u-organizua-varrimi-madheshtor-i-ismail-qemalit-me-12-shkurt-1919/).

Pa dyshim, Ismail bej Qemali nuk ishte as imam e as besimtar që tërësisht e plotësonte idealin që shumëkush mund ta ketë në mendje, por ai kishte gjithçka dhe diçka më shumë, tipare për të cilat shumë shqiptarëve sot u vjen turp nga vetja: besimtar musliman dhe me aspekte socio-kulturore me origjinë lindore. Gjithsesi, ai ishte edhe nën ndikimin e kulturës greke, me të cilën pat rënë në kontakt si nxënës i “Zosimesë”, dhe kulturës perëndimore, me të cilën pat rënë në kontakt si zyrtar osman, pastaj si aktivisti kryesor për autonominë dhe pavarësinë e Shqipërisë, kur me durim e urtësi kërkonte mbështetje nga Fuqitë e Mëdha europiane për të shpëtuar mëmëdheun në udhëkryqin më të rrezikshëm që e gjeti historia.

Por, kur ta përmbledhësh origjinën dhe biografinë e tij, ati i Shqipërisë së pavarur (ende të parealizuar plotësisht, por edhe kjo që është, duhet të pranohet si një arritje e madhe), është metaforë edhe për mijëra burra të tjerë shqiptarë që u përpoqën për të mirën e atdheut: këmbëngulës në besimin e tyre fetar dhe të mbushur me dashuri të madhe për popullin dhe atdheun shqiptar. Këtë që e dëshmuan qoftë duke derdhur penë, qoftë duke derdhur gjak. Synimi i Ismail Qemalit dhe të tjerëve burra të mëdhenj të kombit ende nuk ka mbaruar, andaj e mashtrojmë veten nëse mendojmë që atë synim mund ta arrijmë duke u përpjekur t’i mashtrojmë të tjerët për atë që jemi, ashtu siç ishte edhe i madhi Ismail Qemal bej Vlora.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X