Shkruan: Ismail SINANI
Ismail Qemali nuk mund të kuptohet kurrë me “optikën e sotme zyrtare”, pasi që ne si shqiptarë ende nuk kemi pranuar t’i bëjmë një revidim historisë, atyre librave që na kanë ngopur me ideologji dhe ksenofobi, por aspak me të vërtetën. Ne, sot, pa pasur një pasqyrë të qartë se çfarë ka ndodhur, të paktën nga reformat e Tanzimatit e këndej, nuk mund të bëjmë një vlerësim të saktë për asnjë figurë shqiptare që ka qenë në krye të Perandorisë Osmane. Duke mos ditur asgjë për Abdulhamidin e Dytë, të atij që e drejtoi Perandorinë Osmane për të paktën 33 vjet, ne nuk mund të dimë asgjë për qasjen e Ismail Qemalit pasi që veprimtaria e këtij të fundit është jashtëzakonisht e ngjeshur pikërisht në këtë periudhë. Po kështu, nëse nuk e dimë rolin e xhonturqve dhe “bashkëveprimin” e tyre me shqiptarët, e pastaj miratimin e Kushtetutës së vitit 1908 në Perandorinë Osmane, kurrë nuk do të dimë asgjë për ata burrështetas shqiptarë që e themeluan Shqipërinë dhe për shkëputjen e tyre nga Perandoria.
Nëse historianët tanë nuk shkruajnë se deri në cilin mot gjuha osmane ishte lingua franca në aparatin shtetëror në Shqipëri, nuk kemi bërë asgjë.
Ne sot mund të merremi me rrëfenja dhe mite, mund të themi gjithçka, siç kemi bërë tash e 100 vjet, por të vërtetat arkivore na flasin për shumëçka tjetër. Ngritja deri në qiell e Austro-Hungarisë dhe, sidomos, e Anglisë në raport me shqiptarët në atë kohë, nuk e zhbën faktin se ishte pikërisht Konferenca e Ambasadorëve në Londër që i la shqiptarët me një plagë mbi 100-vjeçare, diçka të ngjashme me atë që po u ndodh palestinezëve me Bregun Perëndimor dhe Gazën nga viti 1967 e këndej. Kuptohet, jo 100 për qind njësoj, ama me elemente identike gjithsesi se po.
Sot, kur flasim për Ismail bej Vlorën, siç edhe është quajtur në atë kohë, ne në asnjë mënyrë nuk guxojmë ta veçojmë atë nga kushërinjtë e tij, Syreja bej Vlora dhe Ferid Bej Vlora e, sidomos, nga pinjolli i fundit i kësaj familjeje të madhe, Eqrem bej Vlora.
Vetëm duke i parë këto katër figura bashkë në një sfond, ne mund të sjellim një përfundim më të saktë se kush ishin këta njerëz, kjo derë e madhe e me nam që i shërbeu Perandorisë Osmane mbi 400 vjet.
Përmes studimit të jetës së tyre, mund të arrijmë deri te Sinani, ai admirali i flotës osmane, që si shpërblim nga Sulltani vendoset në Vlorë e pastaj pasardhësit e tij njihen si “vlorajt”.
Nëse zhvishemi nga emocionet, ne duhet ta pranojmë se identiteti i Sinanit, “babait të parë” të vlorajve, shihet me dyshim nëse ka pasur “gjak shqiptari” – ky togfjalësh supernacionalist e ksenofob, apo ka qenë dikush nga ndonjë milet tjetër, siç ka ndodhur shpesh në Perandorinë Osmane.
Pa dyshim këto janë tema që kërkojnë gjurmime më të thella arkivore, diçka që historianët tanë, kuptohet jo të gjithë, kanë ngurruar ta bëjnë, pasi që duke qenë – pjesa dërrmuese turkofobë e osmanofobë – nuk kanë shprehur dëshirë t’i mësojnë këto dy gjuhë, e të paktën këtë të fundit, për ta parë se ku kemi qenë të renditur në “vitrinën perandorake” të shtetit osman për mbi 500 vjet.
Duke qenë të vetëmjaftueshëm, ne kemi qenë në gjendje “ta zhbijmë” këtë periudhë e jemi marrë vetëm me “tradhtarin Hamza Kastriotin”, por nuk i kemi parë figurat e tjera, ata valinj e pashallarë që i kanë drejtuar kryeqendrat kryesore të kësaj Perandorie që nga Sarajeva, Beogradi, Nishi, Shkupi, Janina, Varna, Manastiri, Libani i sotëm, Palestina, Damasku, Aleksandria, Tripoli, e deri në Jemen, atje në fund të Gadishullit Arabik.
Ne nuk e kemi kuptuar as rolin e Feridit, kushëririt të Ismail Qemalit, i cili pasi e rregullon Konjën, e bën qytet modern të ngjashëm me Sarajevën dhe Vjenën, merr drejtimin e Qeverisë në Stamboll në fillim të shekullit të njëzetë, kur Perandoria tashmë ishte në grahmat e fundit. Ndërsa nuk kemi dashur kurrë ta kuptojmë misionin diplomatik që e ka pasur Ismail Qemali duke e mbrojtur shtetin e tij, Perandorinë Osmane, nëpër Europë pasi që ka qenë një intelektual i rangut më të lartë dhe një aristokrat që ia kanë pasur zili gjithkund ku ka shkuar.
Natyrisht, çdo fjalë për të do të ishte e pakuptimtë nëse nuk e zbatojmë teorinë krahasimtare. Për shembull, dikush që i ka lexuar “Kujtimet” e Ismail Qemalit dhe i lexon kujtimet e Uinston Çurçillit, një personash që ka vepruar në kohën e Perandorisë Osmane e deri në Luftën e Dytë Botërore, e kupton se sa human, sa i dëlirë ishte Qemali ynë, e çfarë arroganti e ciniku ishte Çurçilli, emrin e të cilit kemi dëshirë ta përmendim si ndonjë vlerë të madhe e për t’u dukur më interesantë. Nëse Qemali ynë fliste për liri, demokraci, barazi mes popujve, fliste për paqe, për art, për të bukurën, Çurçilli në atë kohë, për të parën herë, pati përdorur armët kimike mbi territoret e sotme të Irakut. Edhe prova e parë e Aviacionit Mbretëror ishte bërë mbi Lindjen e Mesme. Dhe deri këtu mund të mbyllen sytë, po qe se Çurçilli nuk do të arsyetohej se “ata njerëz edhe ashtu do t’i vrisnim ndaj nuk ka fare rëndësi nëse këtë e kemi bërë me armë kimike apo me bomba”.
Kaq mjafton për ta kuptuar Qemalin tonë dhe për ta bërë dallimin.
Shkojmë tutje! Sot mund të ketë shumë prej atyre që janë nihilistë karshi Ismail Qemalit. Madje, nuk janë të paktë ata që thonë se “s’ka bërë asgjë, se po të kishte qenë i aftë nuk, do ta braktiste Shqipërinë pas 14 muajsh”. Por, askush nuk dëshiron ta pranojë faktin se ai vepronte në një kohë kur qarkullimi i informacionit dhe lëvizjet nëpër qendra të mëdha të (vetë)vendosjes ishin shumë më ndryshe nga koha në të cilën jetojmë ne sot. Të udhëtosh në atë kohë nga Stambolli në Bukuresht e pastaj në Budapest, e të mbërrish në Londër, e të kthehesh në Trieste e pastaj në Durrës, e në fund në Vlorë ku edhe do ta shpallë pavarësinë, e ndërkohë ta kesh parasysh se ushtria osmane po shpartallohej gjithandej nga Kumanova deri në Dibër, e grekët t’i kesh deri “te hunda” e malazezët t’i kesh mbi kokë në Shkodër, është një e arritur shumë e madhe që meriton çdo respekt.
Por, edhe ky moment duhet parë me optikën e duhur: nëse shpallja e pavarësisë ishte veprim nacionalist antiosman apo ishte veprim dëshpërues për të shpëtuar diçka nga “katër vilajetet shqiptare” në kuadër të Perandorisë.
Sot, kur e kundrojmë atë periudhë, ne e gëzojmë të drejtën edhe ta kritikojmë Ismail Qemalin se pse ka qenë aq pacifist, se pse nuk ua ka kthyer pushkën serbëve, malazezëve e grekëve në jug. S’do mend se “pacifizmi” i tij në atë periudhë sot i dëshpëron shumë njerëz, ndoshta edhe me te drejtë, por nuk duhet harruar fakti se edhe ai ishte njeri dhe deri në atë kohë, pavarësisht nivelit të tij intelektual, nuk kishte besuar kurrë se “Anglia mike” dhe “Austro-Hungaria aleate” do t’i linin shqiptarët në baltë. Ai kishte bindjen e thellë se do të ishin pikërisht këto dy fuqi që do t’u dilnin zot shqiptarëve, gjë që nuk ndodhi, të paktën jo në shkallën që e priste ai.
Megjithatë, kjo nuk ia ulë vlerën këtij personaliteti. Ai, të paktën, nuk ishte snob, ishte punëtor i zellshëm, ishte i thellë në mendime… ishte një prind, një burrë me probleme familjare…
E ne sot duhet të reflektojmë se ai meriton të quhet “babai i Shqipërisë, i kombit”, pa vizionin e të cilit ne sot ndoshta diku do të flisnim shqip e ndoshta edhe jo. Ai kishte një vizion, një ide, hodhi themelin për shtetin e parë me flamur shqiptar. Sot, mbi 100 vjet pas vdekjes së tij, ne duhet ta pyesim veten se çfarë kemi bërë ndërkohë, a kemi pasur dhe a kemi vizion se ku duam të mbërrijmë, a kemi vendosur ligj si gurin bazë të shtetit apo krejt këto i kemi kaluar përciptazi?
Ai e nisi shtetin, ndoshta nuk e përfundoi, ama e nisi!
(Editoriali i revistës “Shenja”)









