Ismail bej Vlora, plaku i bardhë prej derës së Vlorajve, u ba Ismail Qemali, iu hoq titulli dhe festja perandorake dhe iu krasit mjekra për merak. Na u paraqit bardhë e zi, pa asnji kontradiktë: nji rrugëtim heroik e simbolik që përfundon me shfaqjen në ballkonin elegant të shtëpisë ku ngriti flamurin e pavarësisë.
Edison ÇERAJ, Tiranë
Çdo personazh historik, kur shkruhet për të, shndërrohet në dy personazhe: siç ka qenë në të vërtetë dhe kopja e tij bio-grafike me anë të rrëfimit. Ai i vërteti dhe ai i tekstit, qoftë ky tekst historik/shkencor apo i nji lloji tjetër. Në fakt, bahen tre personazhe: i vërteti, ai që njohin historianët/studiuesit dhe ai që njeh shoqëria në përgjithësi, e cila e merr esencën të përpunuar me tekste shkollore, përmes nji profili të shkurtër, nji vepre arti, filmi, dokumentari etj., dhe kjo ndodh përherë, kudo e në çdo kohë. (Kemi nji Skënderbe ose Napoleon sipas provave/dokumenteve dhe kemi nji tjetër sipas popullit.)
E nëse këtu fusim nji vend si Shqipëria, ku katedrën e rrëfimit për të shkuarën e uzurpoi për gati 50 vjet partia-shtet e regjimit komunist, atëherë gjanat pështjellohen e ndryshojnë ndjeshëm. Për me përligjë e glorifiku partinë dhe ideologjinë zyrtare, historianët dhe studiuesit që kalonin “vetingun” e partisë, iu futën punës vetëmohuese për me na e mësu historinë jo siç ka qenë, sipas provave, por ashtu siç duhet të jetë! Sipas kësaj “filozofie përparimtare”, iu mësua e shkuara shumë brezave, qysh në kopsht e deri në arsimin e lartë. Dëmet janë të pallogaritshme.
Edhe Ismail bej Vlora, plaku i bardhë prej derës së Vlorajve, u ba Ismail Qemali, iu hoq titulli dhe festja perandorake dhe iu krasit mjekra për merak. Na u paraqit bardhë e zi, pa asnji kontradiktë: nji rrugëtim heroik e simbolik që përfundon me shfaqjen në ballkonin elegant të shtëpisë ku ngriti flamurin e pavarësisë.
Për shembull, breza e breza nxënësish e njohën dhe vazhdojnë ta njohin Ismail bej Vlorën si armik të sulltanit e të Perandorisë. Por, në librin e tij “Kujtime” ai rrëfen:
“[…] kurse, sa i përket Madhërisë së sotme, i cili më kishte mbuluar me ndere e mirësi, unë i kisha borxh jo vetëm besnikëri si shtetas, por edhe mirënjohje të vërtetë. Në anën tjetër, unë nuk mund t’ia mbaja fshehur, se isha i pakënaqur me gjendjen e punëve në Perandori, dhe Madhëria e Tij e dinte se, për t’i ndrequr të metat, unë kisha shkuar drejt e tek ai për të mirën e vet e të Perandorisë.” (Ismail Qemali, “Kujtime”, f. 328-29)
Më tej ai takohej me sulltanin e bisedonin shtruar si dy miq që ia shprehin gabimet dhe meritat njëri-tjetrit: herë flasin hapur e herë të tjera nuk i thonë disa gjana; ndonjiherë dyshojnë se çfarë po bluan tjetri; herë u bashkohen “interesat” e herë ndahen dhe secili përpiqet sipas asaj që di e mundet…
“Më ftuan të hyj në sallën e fronit, u prita nga Sulltani në një mënyrë që, pas nëntë vjetësh mungese në kryeqytet ishte shumë e përzemërt për mua. U befasova nga pamja dhe gjendja e shkëlqyer fizike dhe shpirtërore e Abdylhamidit, i cili, me uniformë ushtarake e me shpatë, dukej dhjetë vjet më i ri se ç’e kisha lënë dikur. I ulur prapa tavolinës së punës, ma bëri me shenjë të ulesha përballë tij, dhe, si ndezi një cigare, e hapi bisedën në një mënyrë tepër të ngrohtë e miqësore. Më kërkoi ndjesë me hollësi për çfarë kishte ndodhur ndërmjet nesh dhe tha se tani ishte i bindur për çiltërsinë e ndjenjave të mia ndaj tij dhe për vlerën e këshillave që i kisha pas dhënë në të kaluarën.” (Po aty, 383)
Ismail bej Vlora dhe protagonistë të tjerë të asaj periudhe nuk e panë shkëputjen nga Perandoria Osmane si revolucion kundër saj, por si zgjidhja e vetme në një situatë të turbullt e të paparashikueshme. Duhej ba diçka për fatin tonë dhe trojeve tona në nji kohë kur fqinjët ishin të babëzitur për territor.
Shqiptarët nuk ikën nga Perandoria Osmane: ata ikën kur perandoria u ba Turqi, gja që kishte fillu me u ravijëzu çdo ditë e ma qartë.
Ismail bej Vlora nuk ishte “udhëheqësi i revoltës së popullit kundër feudalizmit dhe Perandorisë”, por një politikan i matur dhe i ditur që kërkonte stabilitet dhe njohje ndërkombëtare, jo përmbysje sociale ose ndonji revolucion alkimik që e shndërron errësirën në dritë.
Mbi gurthemelin e tij qëndron shteti e shtetësia shqiptare sot. Pavarësisht se vlonjat, nuk e kishte gjoksin gropë me “o sa mirë me qenë shqiptar”, sikundërse nuk e adhuroi ndonjiherë Perandorinë ose sulltanin.
Dukshëm kishte ma shumë vepra se fjalë, si kur i shërbeu Perandorisë, ashtu edhe kur nisi sakrificën për Shqipërinë.









