Erupsioni i rutinës izraelito-palestineze shpërfaqi ndër shqiptarë një situatë që ishte e panjohur jo vetëm për qëndrimin ndaj Palestinës dhe Izraelit, por dhe për nivelin e humanizmit shqiptar, si atij individual ashtu dhe social!
Agim POPOCI, Mitrovicë
Rutina izraelito-palestineze me një ose dy të vrarë, të plagosur ose keqtrajtuar në Rripin e Gazës, kishte vënë në gjumë jo vetëm protagonistët në kërkim të gjetjes së një zgjidhjeje të këtij konflikti kompleks në Lindjen e Mesme, por edhe vetë palët në konflikt, që po shikonin me vëmendje atë që po ndodhte Ukrainë, në zgjidhjen e të cilit konflikt mund të përfitonin në Këshillin e Sigurimit edhe bashkëjetuesit e kësaj rutine!
Mirëpo, erupsioni i rutinës izraelito-palestineze më 7 tetor, me mbi një mijë izraelitë të vdekur dhe përgjigja e menjëhershme e shtetit izraelit, që në emër të së drejtës për t’u mbrojtur la mijëra civilë të vrarë, ndonëse bëhej fjalë për një konflikt prej shumë dekadash, e gjeti pjesën tjetër të botës pa një qëndrim të qartë humanitar.
E drejta “për të vrarë” e ndau botën mu në Rripin e Gazës, konflikt të cilit nuk i shpëtuan as shqiptarët, duke reaguar herë në emër të humanizmit etik, shpesh edhe të krishterë, ndërsa ata që ishin irrituar si myslimanë, të kompleksuar nga reagimi perëndimor dhe jehona e tij, reagimin në shumicën e rasteve e kishin si humanistë marksistë, duke qenë të paqartë si ndaj demokracisë, ashtu dhe vullnetit të lirë!
Ulëritës në gjithë këtë kaos të humanizmit shqiptar ishin humanistët laikë, të cilët duke denigruar humanizmin e shpërfaqur ndaj civilëve të vrarë palestinezë, u kujtonin atyre “Palestinën serbe”, e cila edhe sot zyrtarisht mbështet Serbinë dhe nuk e ka pranuar shtetin e Kosovës!
Historia e konfliktit izraelito-palestinez vërtetë është komplekse, por, për fat të keq, shqetësuese në këtë situatë, përveç dhjetëra mijëra jetëve të humbura dhe qindra mijëra njerëzve të lënë pa kulm mbi kokë, na rezulton niveli i humanizmit shqiptar, si atij individuaml ashtu dhe social, edhe pas luftërave të fundit që përjetoi kombi shqiptar!
Palestina serbe
Protestat e shumta, si në qendrat e Perëndimit, ashtu dhe të atyre në Lindjen e Mesme, kundër vrasjes së civilëve nga forcat izraelite, u shoqërua dhe me reagimin shqiptar, që në masën më të madhe dominonte ai i myslimanëve kundër agresionit ndaj palestinezëve që goditeshin si në shtëpitë e tyre, ashtu dhe spitale!
Në rrjetet sociale këto reagime shoqëroheshin nga një mori fotografish nga mediat lokale dhe ato ndërkombëtare, që dëshmonin përdorimin e një force joproporcionale të forcave izraelite në luftën e saj për shkatërrimin e Hamasit, si autore e masakrës së 7 tetorit dhe qindra pengjeve!
I çuditshëm ose, më mirë të themi, absurd dhe i tmerrshëm, nga ana tjetër, ishte dakordësimi shqiptar i vrasjes edhe të fëmijëve dhe të sëmurëve palestinezë nëpër spitale, me arsyetimin se Palestina nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, duke e pagëzuar madje edhe si “Palestinë serbe”!
Askush nuk mund t’ju thotë shqiptarëve të harrojnë veprimet kriminale të palestinezëve ndaj shqiptarëve edhe në vitin 1999 kur e mbështetën kriminelin Sllobodan Millosheviq.
Askush nuk mund t’ju thotë shqiptarëve ta harrojnë ftesën që presidenti i Palestinës, Jaser Arafat, i bëri kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, për Krishtlindje në vitin 2000, në kohën kur kundër tij ishte lëshuar fletarresti nga Gjykata e Hagës, ndërsa ai kishte lënë pas mbi 10 mijë shqiptarë të vrarë, mbi 4 mijë të zhdukur dhe mbi 20 mijë vajza dhe gra shqiptare të përdhunuara nga forcat serbe.
Askush nuk mund t’ju thotë shqiptarëve të harrojnë që Sllobodan Millosheviq nuk i priti Krishtlindjet e vitit 2000 me Arafatin dhe presidentin rus Jelcin, sepse Tel Avivi zyrtar e kërcënoi se nëse presidenti i Jugosllavisë, Millosheviq, nëse vjen, do të arrestohet.
Askush nuk mund t’ju thotë shqiptarëve që të harrojnë deklaratat e ambasadorit të Palestinës në Beograd kundër Kosovës, sa herë i duhet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, t’i rikujtojë Perëndimit me gojë joserbe se “Kosova është Serbi”!
Dhe, në fund, askush nuk mund t’ju thotë shqiptarëve të harrojnë dhe përbuzin njohjen e shtetit të Kosovës nga Izraeli!
Por, çdo shqiptar, nëse jo historinë e humanizmit dhe arsyen pse e përdori Ciceroni në Romën e lashtë, si u rishfaq gjatë Rilindjes Italiane dhe si hyri në gjuhën angleze në shekullin XVI, si u përdor në Gjermani në fillim të shekullit XIX, si u përkufizua nga teologu bavarez Friedrich Immanuel Niethammer apo studiues si Georg Voigt dhe Jacob Burckhardt, për ta kuptuar veten dhe humanizmin shqiptar, duhet ta dijë se filozofi Sidney Hook që në vitin 1974 e ka përkufizuar qartë se humanistët janë kundër imponimit të një kulture në disa qytetërime, nuk mbështesin diktaturat dhe nuk justifikojnë përdorimin e dhunës për shoqërinë. Humanistët, thotë Hook, mbështesin eliminimin e urisë dhe përmirësimin e shëndetit, strehimit dhe arsimit.
Humanizmi shqiptar
Kaq mjafton që shqiptarët të cilët që nga viti 1912 luftojnë me ushtrinë dhe hegjemonizmin serb edhe pas dy luftërave botërore dhe një lufte ballkanike, madje shqiptarët e jetës aktuale që janë protagonistë të terrorit serb ndaj gjithçkaje shqiptare para dhe pas luftës së fundit me forcat serbe në vitin 1999, jo vetëm do të bien dakord me përkufizimin e Hook-ut, por do ta kenë të qartë se pse ekziston humanizmi shqiptar dhe nuk do t’ju vijë turp që të jenë kundër imponimit të një kulture në disa qytetërime, të mos mbështesin diktaturat dhe të mos e justifikojnë përdorimin e dhunës, të mbështesin eliminimin e urisë dhe përmirësimin e shëndetit, strehimit dhe arsimit.
Vetëm atëherë shqiptarët, që në vitin 1999 ishin në Bllacë, Kukës dhe jo vetëm, do ta kuptojnë nga erdhën ato miliona kafshata buke, batanije dhe shtretër, kur Millosheviqi i dëboi nga shtëpitë e tyre. Dhe, detyrimisht, duhet t’u rrëfejnë pasardhësve se si e rindërtuan vendin e tyre me ndihmën e miqve, pas luftës kur edhe filloi jeta e re në Kosovë! Kjo do t’u ndihmojë jo vetëm shqiptarëve të Kosovës, por edhe kombit në tërësi, që ta kuptojë se pse humanizmi shqiptar ekziston dhe pse pësoi rënie në rastin e luftës në Maqedoni, asaj në Luginën e Preshevës, sikur ishte dhe indiferent ndaj zhvillimeve në botë dhe si u rishfaq në rastin e tërmetit në Shqipëri!
Për të kuptuar, në fund, pse nuk ka asgjë të keqe nga humanizmi krishterë, i cili ekziston nga mesjeta dhe ndërthurë besimin e krishterë me mirëqenien njerëzore, si dhe pse humanizmi laik u krijua për të denigruar humanizmin dhe sot ekziston si sinonim i lëvizjes bashkëkohore humaniste, siç thotë Jeaneane D. Fowler!
Vetëm kështu, pjesë e humanizmit do të jenë dhe humanistët shqiptarë pa u kompleksuar se janë myslimanë dhe pa u fshehur nën hijen e humanizmit marksist edhe duke e pranuar në heshtje qëndrimin e paqartë ndaj demokracisë dhe refuzimit të vullnetit të lirë.
Po, humanizmi shqiptar duhet ta dënojë vrasjen e civilëve palestinezë dhe jo vetëm, sot dhe gjithmonë pavarësisht se ku jetojnë, duke mos shpërfillur faktin se përplasjet ushtarake kurrë nuk kanë filluar rastësisht! Patjetër, duke pasur parasysh se gjithmonë do ketë burokratë dhe persona publikë pa shtyllë kurrizore, që do ta mbështesin vrasjen e atij që e përcakton i forti!
Sulmoi Izraeli ose Palestina, Rusia ose Ukraina etj., pak rëndësi ka. Vrasja e civilëve është krim dhe, si i tillë, do të dënohet sa të jetë jeta!