Siç e theksojnë edhe shumë teoricienë, kjo është një krizë e demokracisë liberale, një kthesë dramatike që nuk dihet se si do të evoluojë. Gjithsesi, kjo valë e ekstremizmit të djathtë e prek edhe rajonin e brishtë të Ballkanit, ku historikisht kjo tipologji politike dhe ideologjike merr përmasa të tjera dhe kombinohet me nacionalizëm të ashpër, siç e definon Cas Mudde, keqpërdorimin e nacionalizmit në funksion të doktrinave të djathta ekstreme.
Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë
Bota moderne gjithnjë është në një dinamikë të përhershme konceptesh dhe paradigmash. Shfaqja e më tepër aktorëve globalë e bën skenën ndërkombëtare një betejë të vrazhdë dominimesh dhe, bashkë me këtë, prodhon edhe forma të qeverisjes, që nganjëherë shkojnë përtej normalitetit dhe pritjeve të zakonshme të funksionimit mbi baza të parimeve demokratike të njohura historikisht dhe botërisht si një planimetri ambiciesh për të vendosur një rend demokratik global, por edhe ekuilibrash që ruajnë minimalisht një koncept të hapur liberal-demokratik.
Shfytyrimi i një bote paraprake me ekuilibra dhe koncepte minimale, të promovuara që nga Lufta e Dytë Botërore dhe që nënkupton një horizont demokratik pjesëmarrjeje aktive qytetare rreth vlerave të përbashkëta demokratike, tashmë ka krijuar një krizë përfaqësimi, e cila po manifestohet nëpërmjet shfaqjes së forcave politike dhe të qeverisjeve që anojnë kah koncepte ekstreme, sidomos të ekstremit të djathtë.
Për ta kuptuar më në thellësi gjithë këtë trazim të ekstremit të djathtë që po ndodh në botë, që tashmë po reflektohet gjithandej pas fitores së Trump-it në SHBA, detyrimisht duhet ta shohim gjithë suazën konceptuale, ideologjike dhe diskursive, në të cilën realisht vendoset ekstremi i djathtë, gjithmonë si ideologji politike dominuese, pa hyrë në grupe të tjera sociale, që mbeten për studime të tjera më të veçanta.
Për më tepër e djathta ekstreme përfaqëson ideologji, e cila në hapësirën publike dhe mediale manifestohet përmes diskurseve specifike, të dallueshme për nga mënyra se si artikulon gjërat, kauzat. Por, edhe për nga mënyra se si e kupton politikën dhe me çfarë instrumentesh e përcjell atë tek një publik më i gjerë.
E djathta ekstreme, suaza e definimeve
Ideologjia është definuar në mënyra të shumta dhe shpesh këto definime janë bazuar në ndonjë ide normative. Martin Seliger-i i dallon dy përdorime të termit ideologji: restriktive dhe inkluzive. Nën termin “restriktive” ai i vendos sistemet e besimit të ekstremit të majtë dhe të djathtë në botën perëndimore të pasluftës.
Në përputhje me Seliger-in, Cas Mudde, në librin e tij “The ideology of the extreme right”, e refuzon përdorimin restriktiv mbi ideologjinë, pasi ky definim, sipas tij, e kufizon jo vetëm pikëpamjen për fenomenin në fjalë, por edhe përdorimin në kërkimet krahasues. Ajo që është ekstremiste dhe ideologjike në një kontekst, vë në dukje Mudde, mund të jetë e moderuar dhe joideologjike në një tjetër.
Përkufizimi i konceptit të ekstremizmit të djathtë ka qenë një temë debati mes studiuesve që e hulumtojnë të djathtën ekstreme për dekada me radhë. Diskutime të vazhdueshme si këto janë shpesh të lidhura me studimin e fenomeneve të ndërlikuara shoqërore, fenomene që, për më tepër, janë gjithnjë në ndryshim. Por, përveç kësaj, ka edhe diçka tjetër që e bën ekstremizmin e djathtë të veçantë: historia emocionalisht e ngarkuar e fenomenit pas Luftës së Dytë Botërore, përmes së cilës ekstremizmi i djathtë është ndërlidhur me vrasje masive, shfarosje dhe pushtim.
Kjo ndërlidhje ka dy aspekte të ndërlikuara që e bëjnë të vështirë përkufizimin e ekstremizmit të djathtë.
Sipas studimit të Ineke van der Valkdhe dhe Willem Wagenaar “The extreme right: entry and exit, që nga viti 1945, grupet ekstremiste të djathta kanë qenë objekt i përbuzjes së vazhdueshme. Për shkak të këtij izolimi politik dhe shoqëror, si dhe masave represive të ndryshme, theksohet në studim, e djathta ekstreme ka ndjekur një strategji mbijetese për dekada të tëra, e cila synon t’i fshehë pikëpamjet e saj ideologjike dhe të paraqesë një mesazh më të moderuar ose të modifikuar në forma të tjera.
Gjithashtu, në këtë studim, vihet në dukje se përveçse një koncept i shkencave politike, termi “ekstremizmi i djathtë” pas Luftës së Dytë Botërore u bë gjithashtu një etiketë që u përdor për të diskredituar grupe, ide ose individë. Në këtë studim theksohet se aspektet thelbësore të ekstremizmit të djathtë përfshijnë orientimin drejt njerëzve “si ne”, një neveri ndaj njerëzve që nuk janë si ne , pra “ata”, dhe ndaj kundërshtarëve politikë, si dhe një prirje për autoritarizëm.
Ndërkohë duhet të theksojmë se koncepti i së djathtës në botë ka evoluar në mënyra të ndryshme, në varësi të kontekstit historik, kulturor dhe politik. Në aspektin teorik, e djathta zakonisht e mbështet kapitalizmin, pronën private dhe një ekonomi të lirë me ndërhyrje të kufizuar shtetërore. Ajo promovon sipërmarrjen, konkurrencën dhe përgjegjësinë individuale si faktorë kryesorë të zhvillimit ekonomik. Zakonisht, e djathta klasike liberale mbështet tregun e lirë dhe lirinë individuale. Por, tashmë në botë po shfaqen fytyra të tjera të së djathtës, që e zhvendosin këtë ideologji në konceptime dhe forma ekstreme, siç janë e djathta populliste, e cila e kombinon nacionalizmin me politika kundër elitave dhe migracionit, si dhe e djathta autoritare që favorizon një shtet të fortë dhe politikë më të rreptë ndaj lirive individuale. Pikërisht, këto lloje të së djathtës i zhvendosin kufijtë dhe e çojnë konceptin e së djathtës në një lloj ekstremi radikal.
Po t’i rikthehemi teorikisht fenomenit të së djathtës ekstreme, detyrimisht do të duhet t’i përshkruajmë të gjitha karakteristikat e dallueshme, të cilat i prezanton Cas Mudde, në librin e tij “The ideology of the extreme right”.
Karakteristikat e ideologjisë së djathtë ekstreme
Për më tepër, ideologjia e së djathtës ekstreme përfshin nacionalizmin, besimin se njësia politike (shteti) dhe njësia kulturore (kombi ose komuniteti etnik) duhet të jenë të njëjta. Cas Mudde e dallon nacionalizmin shtetëror, sipas të cilit shteti është njësia kryesore e organizimit, ndërsa kombi përbëhet nga njerëzit që jetojnë brenda kufijve të tij, dhe nacionalizmin etnik, ku komuniteti etnik konsiderohet si njësia kryesore, ndërsa shteti shihet si shprehja politike e këtij komuniteti. Mudde shpërfaq i edhe parimet e nacionalizmit të ashpër, i cili dallohet për nga homogjenizimi i brendshëm. Ideologjia e së djathtës ekstreme, gjithashtu, përshkohet nga racizmi, gjegjësisht besimi se ekzistojnë dallime të natyrshme dhe të përhershme midis grupeve njerëzore. Një element tjetër mbetet ksenofobia, që nënkupton frikë, urrejtje ose armiqësi ndaj grupeve të perceptuara si të huaja, si emigrantët, azilkërkuesit etj.
Përveç këtyre elementeve përbërëse të së djathtës ekstreme, Mudde vë në pah edhe qasjen politike dhe të qeverisjes. E djathta ekstreme njihet për kritikat ndaj demokracisë dhe refuzimin e aspekteve thelbësore të saj, si pluralizmi dhe barazia politike. Gjithashtu, këtu përfshihet edhe elitizmi, gjegjësisht besimi se shoqëria ndahet natyrshëm në liderë dhe ndjekës dhe se një elitë e vogël duhet të udhëheqë pa ndërhyrjen e masave. Mes tjerash, e djathta ekstreme dallohet për idenë e teknokracisë, besimin se qeverisja duhet të bëhet nga ekspertë të kualifikuar dhe jo nga përfaqësues të zgjedhur, si dhe për popullizmin, besimin në mençurinë e popullit të zakonshëm, kundërshtimin e elitave dhe mbështetjen për mjete demokratike të drejtpërdrejta si referendumi. Një tjetër karakteristikë e të djathtës ekstreme është kritika sistematike ndaj partive politike, qoftë si institucione ose ndaj politikave të tyre. Këto janë disa nga karakteristikat e të djathtës ekstreme të përshkruara nga Mudde.
Siç mund të shohim, këto prirje tashmë janë të pranishme në botën e sotshme, janë pjesë e dinamikave në nivel planetar. E djathta ekstreme, sikundër edhe të gjitha ekstremet e tjera ideologjike dhe fetare, mbështetet në një ideologji të fortë, mbi të gjitha, populliste, duke promovuar ndasi në nivele të ndryshme në botë, në nivele shtetesh, kombesh, shoqërish, grupesh etj.
Sigurisht, gjithnjë duhet bërë dallimi mes dy nocioneve që përfaqësojnë realitete të ndryshme. Duhet bërë dallimi mes konceptit tradicional të ideologjisë së djathtë, që përfaqëson një botëkuptim politik mbi demokracinë si vlerë bazike e shoqërisë moderne, dhe ekstremizmit të djathtë, që i zhvendos limitet e këtij botëkuptimi, në fakt që i redukton në shfaqje totalitare. Të gjitha llojet e ekstremizmit kanë prirje për ta reduktuar deri në fund botëkuptimin mbi botën, duke luajtur gjithnjë me elemente unifikuese dhe manipuluese. Pavarësisht se çfarë lloji mund të jetë ekstremizmi, gjithnjë ka prirje për t’iu kundërvënë demokracisë liberale pikërisht në ato esenca që tashmë njihen si vlera themelore të jetës demokratike, të rregullave ndërkombëtare dhe gjithë kuadrit plural botëkuptimor që nënkupton njeriun dhe liritë e tij politike. Ekstremizmi i djathtë më tepër i afrohet një bote njëdimensionale, totalitare pa atë shumëllojshmëri politike dhe kulturore të garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare.
Në botën e pasigurive
Një sërë studimesh sinjalizojnë për rritje të ekstremizmit të djathtë në botë. Kjo rritje evidentohet edhe në Europë, ku parti të ekstremit të djathtë tashmë kanë një prani shumë më të madhe, siç është rasti në Itali, Gjermani, Austri dhe, sigurisht, edhe në Francë. Pikërisht këto dinamika politike, të frymëzuara tashmë edhe nga fitorja e dytë e Trump-it në SHBA, që sidoqoftë mbetet tipologji më vete, kanë krijuar një kontekst krejtësisht tjetër në botë, një fazë tjetër tipologjish dhe botëkuptimesh, që i japin krah, i çelin udhë, ekstremizmit të djathtë dhe të gjitha llojeve të tjera të ekstremizmit. Ajo që mendohej se kishte kaluar me Luftën e Dytë Botërore, si një periudhë tipike, duket se po rikthehet e kombinuar me forma moderne të propagandës dhe diskurseve publike të ekstremit të djathtë.
Për më tepër, siç e theksojnë edhe shumë teoricienë, kjo është një krizë e demokracisë liberale, një kthesë dramatike që nuk dihet se si do të evoluojë. Gjithsesi, kjo valë e ekstremizmit të djathtë e prek edhe rajonin e brishtë të Ballkanit, ku historikisht kjo tipologji politike dhe ideologjike merr përmasa të tjera dhe kombinohet me nacionalizëm të ashpër, siç e definon Cas Mudde, keqpërdorimin e nacionalizmit në funksion të doktrinave të djathta ekstreme.
Në gjithë këtë shfytyrim botëkuptimor që po ndodh në nivel global dhe që realisht e prodhon të djathtën ekstreme, tash për tash nuk duket se ka një përgjigje, një solucion. Përkundrazi, ka një dorëzim apatik të konceptit të demokracisë liberale, që mbetet kundërbota e kësaj doktrine ekstreme djathtiste, e cila ka krijuar reminishenca të frikshme historike, sidomos reminishencat e Luftës së Dytë Botërore.
Nga përvoja e historisë njerëzore mësojmë se doktrina e ekstremizmit të djathtë shpie në padurime nacionale, në pasiguri dhe, së fundmi, në konflikte. Fjala pasiguri mbase mbetet më e pakta që mund të thuhet në këtë kontekst të rritjes së ekstremizmit të djathtë. Bota realisht po kalon në këtë pasiguri dhe nuk mund të dihet se cili mund të jetë fati i saj.
Historiani Moshik Temkin, në librin e tij “Luftëtarë, rebelë dhe shenjtorë – Arti i udhëheqjes nga Makiaveli deri te Malkolm X”, eksploron gjerësisht me konceptin e udhëheqësit në historinë njerëzore, duke ofruar një tablo të jashtëzakonshme të momentumeve historike, të kthesave të mëdha dhe të rolit të udhëheqësve në skutat më të errëta të historisë.
“Si historian, nuk besoj në fat. Askush s’është i destinuar të hyjë në luftë. Ekzistojnë shkolla të mendimit në marrëdhëniet ndërkombëtare, për shembull, që kanë pikëpamje përcaktuese të asaj që kombet ‘bëjnë’ në botë. Por, mjerisht, bota reale s’funksionon sipas teorive akademike. Realiteti është që kombet nuk veprojnë dhe nuk ka parime meta-historike që përparojnë në botë. Njerëzit veprojnë. Gjithnjë ka njerëz që marrin vendime, edhe nëse kemi vështirësi t’i përcaktojmë”, thekson Temkin-i.
Dhe, krejt në fund, po i rikthehemi edhe njëherë, politologut Cas Mudde, i cili në një shkrim të tij e analizon popullizmin në Europë. “Duke qenë se transformimi i shoqërive europiane është i thellë dhe struktural, popullizmi politik nuk është më një fenomen kalimtar ose i kufizuar. Partitë populliste kanë ardhur në pushtet në vende si Greqia dhe Italia, shpesh në koalicione populliste, ndërsa në vende si Hungaria dhe Polonia partitë tradicionale janë shndërruar vetë në populliste. Kjo do të thotë se popullizmi tashmë është në qendër të Europës dhe të Bashkimit Europian”, thekson ai.
Sipas tij, nëse popullizmi politik do të arrijë ta transformojë në mënyrë themelore politikën europiane, kjo varet nga aftësia e forcave tradicionale liberale për t’u përshtatur me rrethanat e reja. “Ajo që mbetet tashmë e qartë është se as kopjimi i demokracisë joliberale, as përforcimi i liberalizmit jodemokratik nuk do ta shpëtojnë demokracinë liberale”, thekson Mudde.