Ne jemi pjesë e një gjenerate që na kanë mësuar të mendojmë se historia politike shkon gjithnjë drejt një orientimi të caktuar. Të shkoje drejt Europës qe e barasvlefshme me ndjekjen e rrugës së progresit. Sot, historia nuk e ka më kaq të qartë këtë orientim. Veç Europës, kemi edhe qendra të tjera fuqie, të cilat në dekadat e fundit kanë pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm, E ashtuquajtura Euforia, që në vitet 90’-të ishte burim shprese për shumëkënd që vinte nga vendet post-komuniste, sot nuk është më modeli frymëzues për shumë emigrantë të larguar nga shtete totalitare, të paktën jo në të njëjtën masë siç ka qenë në periudhën pas fundit të Luftës së Ftohtë. (Ivan Krastev, After Europe)
Shkruan: Lulzim HOXHA, Tiranë
Fuqizimi i partive të ekstremit të djathtë në Europë, gjatë viteve të fundit, dhe veçanërisht fitimi i zgjedhjeve në Parlamentin Europian dhe rritja e popullaritetit të partive ekstremiste në Francë, Gjermani dhe vende të tjera të BE-së, kanë sjellë sinjale të vazhdueshme alarmi sa u takon rritjes së tensioneve shoqërore në Europë. Ky fenomen mund të shpjegohet përmes faktorëve të ndryshëm socialë-ekonomikë dhe politikë, ku konflikti shoqëror ndërmjet grupeve të ndryshme po shtohet së bashku me ritheksimin e kufijve shtetërorë në kuadër të masave antiemigracion.
Në këtë shkrim do të trajtohet rivitalizimi i këtyre partive në Europë, me një intensitet të krahasueshëm vetëm me periudhën mes dy luftërave botërore, si dhe do të argumentohet se për nga boshti ideologjik këto parti jo vetëm që kanë shumë pak ngjashmëri me partitë fashiste dhe naziste që u shfaqën në Europën e paraluftës, por ato mund t’i përshtaten më së miri klimës së euroskepticizmit, populizmit dhe kritikave kundrejt neoliberalizmit dhe organizatave ndërkombëtare, që kohët e fundit kanë pasur një përhapje masive. Ideologjitë e ekstremit tipikisht të djathtë u mëshojnë problematikave që lidhen me nacionalizmin dhe proteksionizmin ekonomik në kuadër të qëndrimeve kundër emigracionit dhe retorikave ksenofobe. Të tilla botëkuptime nisin të fitojnë terren gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike dhe pakënaqësive shoqërore, duke paraqitur alternativa bindëse në një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për shumicën e popullsisë, përkundrejt premtimeve të pambajtura të partive politike tradicionale dhe gjuhës burokratike të teknokratëve të Brukselit.
Studiuesja e shkencave politike, Pipa Norris, shpjegon se pasiguria ekonomike dhe sfidat përballë globalizmit kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në suksesin e partive të ekstremit të djathtë. Sipas saj, “Pasiguria ekonomike dhe shpërbërja e strukturave shoqërore në kuadër të përdorimit masiv të teknologjisë i favorizojnë kushtet për zhvillimin e retorikave ekstremiste, për shkak se ato ofrojnë një zgjidhje tepër të thjeshtëzuar ndaj problemeve tepër komplekse”. Pakënaqësitë ekonomike, sidomos mes atyre grupeve shoqërore që e perceptojnë veten si të lëna mënjanë nga zhvillimet teknologjike që i ka sjellë procesi i globalizmit, janë përkthyer në mbështetje për partitë që premtojnë mbrojtjen e interesave kombëtare, sovranitetit dhe rivendosjen e stabilitetit ekonomik. Rrënjët e së djathtës ekstreme janë të vendosura në ndjesitë e frikës dhe ankthit të popullsisë ndaj mungesës së stabilitetit dhe sigurisë në shoqëri, ndërsa kësisoj nisin të zhvillohen në armiqësinë ndaj grupeve të tjera “të huaja”, të cilat perceptohen si përgjegjëse për gjendjen e gjërave. Në këtë kontekst, duket se demokracia liberale nuk përbën më një zgjidhje ndaj problemeve që i paraqet sfida e ndryshimeve demografike. Për më tepër, rikthimi në pushtet i Donald Trump-it dhe vendimet e tij për vendosjen e barrierave ekonomike me shtete që vetëm disa muaj më parë konsideroheshin si aleatë të përhershëm të SHBA-së, na tregon për transformimin e ideve politike perëndimore, të cilat së paku qysh pas rënies së Murit të Berlinit jemi mësuar t’i trajtojmë si një sinonim i parimeve të demokracisë liberale.
Trumpizmi dhe ndikimi i tij në ekstremizmin europian
Rritja e populizmit dhe politikave antiemigracion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pasur një ndikim të ndjeshëm në zhvillimet politike ndërkombëtare, veçanërisht në Europë. Trump-i, me stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe shpesh polarizues, ka krijuar një model për shumë liderë europianë që e kanë shfrytëzuar frikën dhe pasigurinë e publikut për t’i forcuar pozitat e tyre politike. Retorika e tij ka bërë që shumë individë dhe grupe politiko-shoqërore në Europë të ndihen të legjitimuar në promovimin e ideologjive radikale si një alternativë fituese për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar.
Në shumë raste, Trump-i ka afirmuar një agjendë që është në përputhje me ato të grupeve të ekstremit të djathtë në Europë. Slogani e tij “America First” dhe tendenca për të dobësuar institucionet mbikombëtare, si Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara, ka nxitur një valë të ngjashme nacionalizmi edhe në disa shtete europiane. Masat e tij kundër emigrantëve, institucioneve ndërkombëtare dhe elitave teknokrate kanë dhënë legjitimitet politik për liderë si Giorgia Meloni në Itali dhe Viktor Orbán-i në Hungari. Sipas studiuesve të populizmit, Inglehart dhe Norris, populizmi i Trump-it ka krijuar një valë të re të nacionalizmit kulturor, që refuzon vlerat liberale dhe promovon politika izolacioniste duke ngritur barriera të reja politike ndërmjet grupeve të ndryshme të shoqërisë. Shumë nga këto grupe i përdorin politikat e Trump-it si një model për t’i sfiduar autoritetet dhe institucionet që ata i konsiderojnë si të korruptuara ose të paafta për t’i mbrojtur interesat e popujve të tyre. Në librin e tij, “After Europe”, politologu Ivan Krastev shkruan se “Teksa në Europën Perëndimore njerëzit priren t’u besojnë më tepër qeverive të tyre sesa institucioneve të BE, e anasjellta ndodh në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore ku teknokratët e Brukselit konsiderohen si më të aftë dhe më pak të korruptuar sesa liderët e tyre kombëtarë.” Sot kemi mbërritur në momentin kur mosbesimi i qytetarëve të vendeve perëndimore ndaj qeverisë së tyre është rritur, ngase liderët e tyre politikë perceptohen më tepër si përkrahës të politikave të BE sesa interesave të popullit të tyre. Të njëjtin ligjërim po e përdor edhe Donald Trump-i në SHBA, i cili në fjalën e tij gjatë ceremonisë së betimit si president proklamonte se: “Deri dje, të ardhurat e qytetarëve amerikanë shkonin për të financuar organizatat ndërkombëtare. Nga sot e tutje, do të jenë të ardhurat e organizatave ndërkombëtare që do t’i financojnë qytetarët amerikanë”. Në këtë kuptim, agresiviteti i politikës së jashtme të administratës së re amerikane, jo vetëm që është në të njëjtën linjë me fuqizimin e partive të ekstremiste në Europë, por njëherësh shërben si model për t’u ndjekur nga një pjesë e mirë e partive nacionaliste të Europës, që i mbështesin politikat proteksioniste dhe janë kritikë ndaj politikave të BE. Nëse pas rënies së Murit të Berlinit dhe rrëzimit të shteteve komuniste në Europë, liberalizmi u konsiderua si ideologjia që do t’i përhapte vlerat e qytetërimit europian anembanë botës, në një moment kur duket se mure të reja politike janë duke u ringritur, vlerat e liberalizmit gradualisht po zëvendësohen nga një formë e re autoritarizmi, që pavarësisht se në retorikat e nacionalizmit përngjan me atë të shekullit të njëzetë, ndryshe prej tij duket se mund të bashkekzistojë më së miri brenda rregullave të pluralizmit politik. Ky transformim ka sjellë edhe një rikompozim në ndërveprimin politik midis “ne” dhe “ata”, ku dy dekada më parë paraqitej në të mirë të mbrojtjes së vlerave të diversitetit dhe multikulturalizmit, ndërsa në kohën tonë konsiderohet si shkak i çdo problemi politiko-ekonomik dhe shoqëror.
Rreziku i emigrantëve dhe fundi i multikulturalizmit
Kriza e emigrantëve ka nxjerrë në pah një Europë të polarizuar e të përçarë, duke përforcuar formimin e ndarjeve të reja ideo-politike. Nën dritën e ekonomisë së sotme globale ndarjet tradicionale mes së majtës dhe të djathtës gradualisht janë duke u zëvendësuar nga konflikti mes “globalistëve dhe vendasve” ose, siç e quan politologu Ivan Krastev, “Mes atyre që e mbështesin shoqërinë e hapur (“Open Society”) dhe atyre që i mbështesin shoqëritë e mbyllura dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Mirëpo, nëse ardhja e një milionë emigrantëve në Europën e vitit 2010 mund të duket një numër i madh, në fakt nuk është i paprecedentë. Qysh nga Lufta e Dytë, Europa është përballur me valë të ndryshme emigracioni, pa pasur këtë tension politik e shoqëror që ka sot. Sipas të dhënave nga Financial Times, në vitin 2015 në mbarë botën kishte mbi 20 milionë refugjatë në kërkim të një vendi të ri, kurse Europa strehoi në total vetëm 5% të këtij numri të përgjithshëm. Pjesa më e madhe e refugjatëve të ardhur nga luftërat në Siri dhe Afganistan u strehuan në Turqi, Jordani dhe Iran. Me fjalë të tjera, kriza e emigrantëve në të vërtetë qe një krizë globale, por pse kjo valë emigracioni solli një reagim kaq të ashpër në Europë, kur në fakt Europa priti një numër kaq të papërfillshëm emigrantësh? Përgjigjen e kësaj pyetjeje mund ta identifikojmë në mënyrën se si është ndërtuar narrativa e identitetit kombëtar nga e djathta populiste në vende të ndryshme të Europës. Europa e dekadave të fundit është qeverisur përgjithësisht nga liderë teknokratë, të cilët kanë qenë tërësisht të shkëputur nga baza e elektoratit. Në nivel kombëtar, anëtarësia në partitë tradicionale të masave gjatë 40 vjetëve të fundit është ulur me 63.3 për qind (kjo shifër e publikuar nga Financial Times i referohet vetëm Francës, Italisë dhe Anglisë). Gjithashtu, këto parti politike drejtoheshin nga një grup burokratësh, elitash dhe zyrtarësh karrieristë, që nuk përbënin asnjë ndryshim nga njëra parti në tjetrën, por duhet thënë se të tilla parti, të zbrazëta për nga përmbajtja ideologjike, të quajtura ndryshe “catch all parties” kanë dominuar skenën politike të Perëndimit më së paku qysh nga fundi i Luftës së Ftohtë. Pikërisht nga kjo perspektivë mund ta shquajmë suksesin e partive ekstremiste: komunikimi i tyre politik është shumë më i lidhur më bazën e elektoratit, fermerët, punëtorët dhe shtresat e margjinalizuara të shoqërisë, gjithashtu janë shumë më të efektshëm në mobilizimin e masave nëpërmjet përdorimit të rrjeteve sociale, të cilat mundësojnë që mesazhet që i bëjnë apel frikës dhe indinjatës të filtrohen shumë më shpejt në masat e popullsisë sesa komunikimi “politikisht korrekt” i partive tradicionale. Ndërkaq në një epokë kur njerëzit po tëhuajësohen përherë e më tepër nga komuniteti dhe shoqëria ku bëjnë pjesë, apeli i emocioneve luan një rol parësor në krijimin e një sensi të përkatësisë dhe identiteti të përbashkët. Multikulturalizmi dhe identity politics nuk janë ide që frymëzojnë më, ashtu sikundër liberalizmi po perceptohet gjithnjë e më tepër si një fasadë e farkëtuar nga elitat e korruptuara të institucioneve ndërkombëtare. Siç duket, vlerat që deri dje identifikoheshin me Perëndimin, janë në një proces ripërkufizimi dhe në një periudhë ndryshimesh të mëdha, nacionalizmi dhe rreshtimi pas vlerave kombëtare janë botëkuptimet latente që ië ofrojnë shoqërisë strehën e duhur ideologjike në përballjen me dinamikat që pritet të sjellë e ardhmja.