loader image
October 5, 2024

Flaka e qiririt

Duke e parë funksionin estetik dhe etik të letërsisë, detyrimisht vijmë te roli që e ka letërsia në shoqëri, sepse ajo u shërben shkrimtarëve për ta afirmuar njerëzoren në përmasa shoqërore, për të luftuar për lirinë e njeriut, për t’u shprehur kundër diktaturës, kufizimit dhe tjetërsimit të qenies njerëzore.  

Zeqirija IBRAHIMI, Shkup  

Ndër poezitë më të njohura të letërsisë shqipe të traditës është “Fjalët e qiririt”. Aty qiriri “digjet e përvëlohet” vetëm që ta ndriçojë botën. Një rol tipik iluminist. Në të Naim Frashëri, përmes qiririt që digjet “për të bërë pakëz dritë”, e përshkruan ndoshta më së miri rolin që e ka shkrimtari ose intelektuali për shoqërinë dhe kombin. Përveçse realizim i suksesshëm poetik, kjo është një alegori e fuqishme për mënyrën se si Naimi, por jo vetëm ai, e kuptonte artin letrar në kohën e tij.

Ndonëse teoritë e reja letrare e kanë zhvendosur interpretimin e artit letrar në dimensionin e ngarkesës poetike të fjalës, mimezisi – si imitim i realitetit – që nga Aristoteli vazhdon të mbetet koncept që shkrimtarët dhe lexuesit e letërsisë gjithnjë i sfidon me tekstin letrar. Meqë edhe shkrimtarët janë njerëz dhe jetojnë në kontekst të caktuar social, ata nuk janë të shkëputur nga ky realitet dhe domosdo që ai lë gjurmë në veprën e tyre, sado që intenca e tyre është që të jenë tejkohorë dhe tejhapësinorë. Kushdo që e lexon një vepër letrare, veçanërisht prozën, por edhe dramën, nuk e ka vështirë të lexojë edhe gjurmët e kohës dhe hapësirës që i përcjell vepra artistike. Kur dikush e lexon romanin “Vëllezërit Karamazovë”, nuk mund të mos e vërejë përshkrimin letraresk që i bën Dostojevski psikologjisë së shoqërisë ruse të shek. XIX, kur dikush e lexon romanin “Shakaja” të Milan Kunderës, nuk mund të mos e vërejë parodinë që ai ia bën diktaturës komuniste çeke, kur dikush e lexon romanin “Varreza e Pragës” të Umberto Ekos, nuk mund të mos e vërejë relativizimin që ai u bën të a.q. “Protokolle të Pleqve të Zionit”, kur dikush e lexon romanin “Bora” të Orhan Pamukut, nuk mund të mos e lexojë përplasjen ideologjike të shoqërisë turke në vitet 70-80-të të shekullit të kaluar ose secili që i ka lexuar romanet “Koncert në fund të stinës” dhe “Dimri i vetmisë së madhe” të Ismail Kadaresë, nuk mund të mos e vërejë gjendjen e Shqipërisë komuniste gjatë prishjes së marrëdhënieve të saj me Bashkimin Sovjetik dhe me Kinën.

Natyrisht, funksioni i parë i tekstit poetik është përjetimi estetik, sepse ky është edhe funksioni themelor i artit, por megjithatë secila vepër artistike, rrjedhimisht edhe arti letrar, përcjell një ide mbi vetë artin, një mesazh social, një bindje politike, një ideologji, një etikë, një interpretim të një historie, shpesh edhe një synim për indoktrinim, dhe lexuesi me edukim letrar nuk e ka të vështirë ta dallojë atë. Prandaj, letërsia sot – përveç vlerësimit mbi kritere estetike – vlerësohet edhe për atë se çfarë mesazhi përcjell. Nëse një shkrimtar i bën një vepër himnizuese Hitlerit, Stalinit, Millosheviqit ose cilitdo kriminel tjetër të botës, sado që ajo mund të jetë artistikisht e arrirë në kuptim të realizimit gjuhësor, ajo nuk do të vlerësohet nga kritika dhe madje do të refuzohet, pse jo edhe do të ndalohet, sepse ndikimi i saj është i dëmshëm, ngase ajo e relativizon krimin dhe i afirmon veset antihumane. Madje, përtej kësaj, edhe nëse shkrimtari ka vepër “të matur” në kuptim të vlerave universale të humanizmit, fakti që ai mund të mbështesë një figurë publike që njihet si kriminel, siç ishte rasti me shkrimtarin austriak Peter Handke – fitues i çmimit Nobël për letërsi më 2019, e relativizon veprën e tij dhe, bile, shpërblyesit e tij.

Duke e pasur para vetes shembullin e Handkes, para nesh shtrohet pyetja se a mund të jetë shkrimtar i mirë ai që nuk është njeri i mirë? Gjithsesi se kjo është një pyetje që kërkon një elaborim më të gjerë dhe shumëdimensional, por ajo që është e njohur që nga antikiteti është se shkrimtari është një misionar, që Lasgushi e përshkruan në trajtë profeti (“Vekja e Nositit”), ndërsa Naimi në trajtë qiriri, i cili shkruan jo sepse dëshiron famë, por sepse është i detyruar nga shtytja shpirtërore për të afirmuar të vërtetat sublime, të cilat i shndërron në fjalë, përkatësisht në vepra artistike. Prandaj, kur letërsia shndërrohet në propagandë ideologjike, ajo nuk është vepër që vlerësohet dhe që i reziston kohës. Fjala bie, kush e merr sot seriozisht romanin “Këneta” të Fatmir Gjatës, që i bën avokati procesit të ekzekutimit të drejtuesve të punës për tharjen e kënetës së Maliqit më 1946?

Përveç afirmimit të një etike universale, një funksion tjetër i letërsisë është edhe edukimi estetik i njeriut. Ashtu siç e dallojmë muzikën tallava nga muzika e Betovenit, dramën amatore nga drama profesioniste, filmin e Bollywoodit nga ai i Hollywoodit, edhe letërsia na mëson se në çka dallohet Umberto Eko, Milan Kundera, Gabriel Garsia Markez, Rabindranat Tagora, Orhan Pamuku e Ernest Heminguej në raport me Shefqet Musarajn ose Fatmir Gjatën. Vetëm dikush që i lexon këto vepra, e kupton se cila është vlera e vertetë e fjalës poetike, e kupton avancimin e krijimit të veprës letrare dhe e kupton rëndësinë që, duke shkruar një vepër letrare, shkrimtari arrin të përçojë edhe një mesazh, të afirmojë një virtyt ose të gjykojë një ves. Një shoqëri që nuk lexon letërsi të përmasave të shkrimtarëve të sipërpërmendur botërorë, mbetet që “ta hajë sapunin për djathë” dhe të mos e kuptojë kurrë provincializmin e saj, madje të mburret me tallavanë e saj. Kjo, në të vërtetë, po ndodh sot, kur shkrimtar bëhet gati secili që di të rimojë fjalët “këndon e punon / lexon e dëgjon” dhe pastaj të marrë pëlqime (LIKE) në rrjete sociale, si dhe përgëzime dhe inkurajime që të shkruajë sa më shpesh, ndërsa kjo arrin deri në marrje të çmimeve e certifikatave që shtypen për pesë pare në secilin qoshk të qytetit.

Letërsia dhe shoqëria

Duke e parë funksionin estetik dhe etik të letërsisë, detyrimisht vijmë te roli që e ka letërsia në shoqëri, sepse ajo u shërben shkrimtarëve për ta afirmuar njerëzoren në përmasa shoqërore, për të luftuar për lirinë e njeriut, për t’u shprehur kundër diktaturës, kufizimit dhe tjetërsimit të qenies njerëzore. Rrjedhimisht, veprat letrare kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë rol të këtillë në shoqëri dhe prandaj në shumë raste shtetet kanë organizuar fushata për ndalimin e disa veprave, ngase i kanë konsideruar si “të dëmshme për shoqërinë”. Duke i takuar një gjenerate që e ka prekur kohën e ish Jugosllavisë, e mbajmë mend se vepra “Gjarpinjtë e gjakut” e Adem Demaçit ishte e ndaluar, ashtu siç kanë qenë të ndaluara veprat e Fishtës, Ernest Koliqit, Camajt etj. në Shqipëri, për shkak të akuzës së ata kishin qenë bashkëpunëtorë të fashizmit. Censura në letërsi, përveç ndalimit të plotë, është shprehur edhe me “korrigjime” të teksteve, madje edhe të autorëve të traditës, siç është bërë në kohën e komunizmit me veprën e Naim Frashërit në pjesët religjioze të saj.

Sidoqoftë, të gjithë jemi dakord se efektin që e ka një vepër letrare për ta kundërshtuar një ves shoqëror, nuk mund ta ketë asnjë aksion publik. Fjala bie, “Shakaja” e Kunderës e ka përqeshur në mënyrën më të mirë diktaturën komuniste dhe kjo ka shërbyer për ndërgjegjësimin jo vetëm të shoqërisë çeke, por të gjithë njerëzimit, për iluzionin që e prodhonte komunizmi. Për këtë arsye në vendet komuniste botimi i letërsisë ishte në kontroll të rreptë nga shteti. Shqipëria ka plot shembuj të këtillë, por edhe në ish Jugosllavi ka pasur plot raste të refuzimit të botimit, të tërheqjes nga qarkullimi ose të censurës së ndryshme ndaj veprës letrare. Kjo ka bërë që shkrimtarët të prodhojnë mundësi të reja që “ta përdredhin” gjuhën, që të mund t’i ikin censurës. E tillë ka qenë letërsia hermetike në Kosovën e viteve të ish Jugosllavisë, ku veprat e Rexhep Qosjes, Teki Dervishit, Beqir Musliut, Anton Pashkut etj., do t’ia dalin që mesazhin ta fshehin nëpër figura stilistike, ashtu që lexuesi i edukuar të mund ta rrokë, por që për shkrimtarin mbetet argumenti se në tekst nuk ka asnjë gjurmë që e prish status-quonë shoqërore. Fjala bie, në romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” të Qosjes në lexim të parë nuk ka asgjë që e kundërshton pushtetin, por lexuesi i edukuar artistikisht e kupton fare mirë se ai roman e godet terrorin shtetëror ndaj lirisë së njeriut shqiptar, siç e shpjegon Hasan Mekuli më vonë. Në atë roman, sipas Mekulit, pasqyrohet terrori shtetëror ndaj shqiptarëve që, përmes aksionit të grumbullimit të armëve në vitet kur ministër i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë ishte Rankoviqi (1946-1953), synohej shpërngulja e shqiptarëve në Turqi ose ushtrohej presion ndaj intelektualit të lirë shqiptar të kohës. Shembuj të këtillë dhe interpretime të këtilla të veprave të kësaj periudhe në letërsinë kosovare ka shumë dhe kritika letrare pas vitit 1990-të është marrë me to dhe me deshifrimin e tyre, ndonëse dekodimi i tyre në terma socialë bëhej qysh në vitet kur ato vepra botoheshin.

Duke i ndërmendur këta shembuj, vijmë në konstatimin se edhe letërsia shqiptare, veçmas kjo këndej kufirit, ka pasur rol të rëndësishëm shoqëror, madje shkrimtarët kosovarë ishin ata që u vunë në ballë të rezistencës dhe artikulimit politik të interesave kombëtare, që rezultoi me aktivizim konkret organizativ deri në çlirimin e Kosovës. Kështu, Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës ishte çerdhja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa edhe shkrimtarët e tjerë, si Jusuf Gërvalla, Adem Demaçi, Rexhep Qosja etj., në anën tjetër, do të jenë frymëzues dhe shpesh edhe pjesëmarrës aktivë në rezistencën paqësore ose të armatosur të shqiptarëve të Kosovës për liri.

Letërsia shqiptare në Maqedoni (të Veriut)

Të gjendur në kushtet e ish Jugosllavisë, në Maqedoni (të Veriut) ishte zhvilluar një qark i shkrimtarëve të tubuar rreth “Flakës së vëllazërimit”, ku një kohe kishte punuar edhe Jusuf Gërvalla e Teki Dervishi dhe kishin ushtruar ndikim në krijimin e shkrimtarëve shqiptarë edhe në këtë areal shqiptar. Që nga Murat Isaku, Abdylaziz Islami, e deri te Kim Mehmeti e Shkëlzen Halimi, janë diku rreth 20 emra që kanë botuar disa vepra letrare, që janë bërë të njohura edhe përtej kufijve politikë të Maqedonisë, por që – për fat të keq – roli i këtyre shkrimtarëve në rrjedhat shoqërore nuk do të jetë ai që ka qenë në Kosovë. Qoftë për shkak të mungesës së kulturës së leximit, ndonjëherë edhe për shkak të indiferencës së vetë shkrimtarëve ose edhe kontrollit të fuqishëm të pushtetit, janë fare pak ose aspak të dukshme angazhimet e këtyre shkrimtarëve në jetën publike. Pas kësaj plejade, edhe brezi i ri i shkrimtarëve nuk ia ka dalë të ketë përmasa të fuqishme shoqërore. Është për keqardhje që gati në asnjë panair të librit (kudo që të mbahet: në Shkup, Tetovë, Gostivar etj.) nuk del ndonjë vepër letrare që do ta luhaste opinionin dhe do të ishte një shkundje shoqërore, kjo edhe përkundër faktit se Ministria e Kulturës sponsorizon disa miliona euro në vit për botime librash. Se ku përfundojnë ato lekë dhe pse kjo nuk reflekton me vepra letrare me impakt më të gjerë estetik e shoqëror, kjo është një brengë që akoma nuk i gjendet zgjidhje.

Botimet e shumta, përveç që i mbushin raftet, por që nuk e përmbushin edhe nevojën estetike të lexuesve, arrijnë ta bëjnë edhe një dëm tjetër – i përmbytin veprat e vërteta artistike, ashtu që ato të mos vërehen dhe të kalojnë pa u dukur, ndërsa – në gjendjen kur kemi edhe aq pak kritikë letrarë – shumë penda të mira dhe premtuese mbulohen nga rrëmuja e sasisë së veprave të botuara pa ndonjë kriter e ndonjë vlerë të veçantë.

Nuk është ndonjë zbulim nëse themi se degradimi i përgjithshëm shoqëror, që ka sjellë edhe degradimin e arsimit, ka bërë që të rinjtë të mos e kuptojnë funksionin e letërsisë në shoqëri, ndërsa rrjetet sociale që e kanë reduktuar tekstin në vetëm disa rreshta (një “tweet” – cicërimë prej më pak se 200 karaktere), kanë bërë që letërsia të duket e rëndë dhe parëndësishme, ashtu që shkrimtarët të mos merren seriozisht më, ndërsa poezia dhe romanet për shumë të rinj duken si harxhim i kotë i letrës dhe kohës.

Ky shqetësim që, shprehur me terma të Ibrahim Rugovës, do të quhej “Refuzimi estetik”, që pasojat po i shfaq në perceptimin që kanë këta të rinj për artin muzikor, për poezinë, për teatrin e për filmin, nuk është se ka ndonjë zgjidhje të menjëhershme, ngase kjo nuk është zgjidhur as në përmasa globale, aq më shumë që ajo nuk ka ardhur përnjëherë, por është një shqetësim që duhet të jetë alarm për të gjitha shtresat e shoqërisë.

Nëse në shkollë nuk analizohet poezia “Vdekja e Nositit”, nëse nuk lexohen romanet “Bardha e Temalit”, “Kush e solli Doruntinën” dhe “Koha e dhive”, nëse në teatër nuk vihet në skenë drama “Besa”, nëse nxënësit nuk ndjekin asnjë orë poetike, nëse arsimtari nuk ua shpjegon nxënësve poezinë “Fjalët e qiririt”, shoqërinë tonë mund ta kapin flakët e qiririt dhe të digjet, por asnjëherë të mos ndriçohet. Sepse qiriri për artistin është dritë, ndërsa për piromanin është vetëm flakë.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X