loader image
March 21, 2026

Figura e Adem Jasharit në këngët epiko-historike dhe në diskursin personal

Ky emër është shenjë e një jete që ka prodhuar histori, identitet dhe tani është shndërruar në emblemë, shenjë dhe simbol për etninë shqiptare, duke hapur e mbyllur historinë, identitetin, kulturën dhe ekzistencën tonë shqiptare. Kurse figura legjendare e Ademit, si hero dhe sheshi si vendtakim i shqiptarëve, është bërë hapësirë nacionale shqiptare, si takim, universale si mesazh e kuptim, duke projektuar të ndodhurën historike nëpërmjet shenjave të gjalla, të cilat kanë mbetur si dëshmi e një kohe që ka prodhuar e projektuar vizionaritetin e pavarësisë në mbrojtje të përhershme të shenjave ambientale (etni, gjuhë) dhe atyre universale (kulturë e fe).

Shkruan: Fitim VELIU, Prishtinë

Këngët epikë për UÇK-në në Drenicë përbëjnë një shtresë të identitetit tonë historik, duke dhënë e thënë atë që ka ndodhë në luftën tonë të fundit për liri e pavarësi. Këto këngë epike-historike ruajnë në brendi një trashëgimi shqiptare, pra një identitet në kontinuitet sa i përket heroit, temës, diskursit dhe figurës.

Komandanti, Adem Jashari, si hero nacional i shqiptarëve dhe prijës i UÇK-së, këndohet me tone të epikës së njëjtë sikur këngët mbi Mujin e Halilin, sepse historia është pikë përbashkuese e Mujit, Azemit e Ademit. Ky trinom heroik, epik e etik, përbën palcën e epikës legjendare, historike dhe të kohës së ashpër dramatike e tragjike. Tema e këtyre këngëve është mbrojtja e tokës, pasurisë, nderit dhe kolektivitetit. Po e njëjta temë është edhe te Muji e Halili, pra cikli i epikës nis si fillim në kohën antike, në ndeshje me sllavët (shkjet siç i quan populli) dhe vazhdon deri në kohën e shfaqjes së UÇK-së. Epika shqiptare fillon me Mujin e Halilin, vazhdon me Azemin dhe mbyllet me Ademin. Ky është trinomi më epik në historinë botërore, qoftë si komunikim historik ose diskurs epik. Këngët për UÇK-në janë diskursi epik i shkrimit, që kanë si toponim Drenicën, si vend i lindjes së lirisë, një vendi ku lufta lidhet me hijen që i ka, pra që lufta i shkon për shtati, edhe si etikë, por edhe si epikë.

“Nga Tirana motra e vëllezër,

du me t’knu Drenicë, t’kam zemër
“O me lot nana, o me gjak trimnie

po lufton Drenica (UÇK-ja), o si i ka hije.”

 

UÇK-ja dhe Drenica, në vijim, përjetësohen si lidhje ekzistenciale në rrafshin emocional, kurse Drenica në vargun retorik ik në lashtësinë e dikurshme të Dardanisë së moçme.

“Kush po i thotë Drenicës zemra ime e lashtë,

 Kush po i prin Kosovës me ushtri të re,
Kush e paska zemrën me njëqind rrufe?
Flet Adem Jashari, shtatin sa një mal:

Njëqind vjet i kisha për flamur i parë”.

 

Vargjet në brendi thurin figurën e heroit, Ademit dhe ushtrisë, nëpërmjet figurës së retorikës, që synojnë mjetin e bindjes, për ta dhënë ngjarjen në kohë si të ashpër e tragjike.

Rrufeja është figurë dramatike, zemra lirike. Këto figura e japin natyrën e heroit në situata tragjike e jetike, kurse shtati sa një mal ka në brendi hiperbolën si figurë të zmadhimit dhe ky varg na shpie tek vargu epik për Mujin e Halilin, pra tek përmasat e tyre legjendare, kjo për ta dhënë Ademin si vazhdimësi të vëllezërve të tij. Në vijim, vargjet epike për heronjtë e UÇK-së sforcohen kah diskursi fantastik, kur heronjtë kthehet në përmasa të jashtë­za­konshme, sepse vargu i heroit është varg i diskursit madhështor, pra ky varg kërkon stil të lartë, sepse heroi është i tillë, prandaj edhe ligjërimi bëhet tok me të.

“Sot si shkurti e marsi hapet,

del një diell me dritë të mekur,

vetëtima kurrë nuk kapet,

as me plumb as me hekur, o hej.

Te Gjashtë Lisat e Likoshanit,

flakë e luftës dhezë e ndezur,

babë e bir në fushë të mejdanit”.

Muhamet e Naser Gjeli, luftëtarë të rrallë, në vargun epik dalin sa të guximshëm aq edhe dramatikë, kur këngëtari këndon e heroi thekson:

 

“N’flakë të luftës, në rresht të nderit,

pranë e pranë vëllai me vëlla,

o janë djemtë e Naser Gjelit

dhe Naseri është me ta.

 Muhameti, me fjalë plaku,

më i urti e guxim bashkë:

Jo, nuk shkelet kurrë, o, pragu,

bjeri bir, t’i nxjerrim jashtë!

Këto vargje shënjojnë dramën familjare, kur brenda anëtarëve funksionojnë kodet morale – nderi, urtësia e dashuria për vendin, të cilat kthehen në përbetim, pra në besë e shpresë.

Gjaku i Arbrit

Është vargu i rrjedhës së këngës për UÇK-në, që në misionin e saj ka shenjat themelore të etnisë, kombit e lirisë:

 “Kam Drenicën plot me trima,

kam një komb e një atdhe,
Vjen Prekazi si vetëtima,

gjaku i Arbrit jemi ne”.

Prekazi e Arbëria janë toponime të lashtësisë, kurse gjaku shënjon rrjedhën si proces të komunikimit të etnisë së njëjtë që lakohet nëpër thyerjet e situatës tragjike, si fatalitet. Por, këto vargje më tej shoqërohen me tiparin e tyre themelor të identitetit, gjuhës, si shtresë e përkatësisë kombëtare.

“Këtu folet shqip,

këtu i thonë Drenicë,
Kur s’kemi pushkë,

kryet ua premë sakicë”.

Këto vargje thurin një të vërtetë historike në situata të ashpra e tragjike, kur heroi drenicak mbaron me armën e nxehtë, i kthehet të ftohtës, por aksionin dhe kauzën nacionale tashmë i ka besë, fjalë të dhënë e të thënë, aksiomë të veprimit e të guximit, sepse gjuhën e ka rrënjë të shtresës, lirinë mungesë, e luftën të vetmen shpresë. Lufta e mban gjallë, edhe si kujtesë njerëzore, por edhe si shpresë hyjnore.

Tringa e Prekazit

UÇK-ja në Drenicë kishte në radhët e saj luftëtare, të cilat ranë heroikisht duke e mbrojtur kauzën kombëtare shqiptare, nderin personal e atë kolektiv. Sala Ahmeti është Tringa shqiptare e Tringës fishtjane. Pra, shenjat janë të njëjta, në histori e përjetësi, pra brezi ka historinë, por edhe trashëgiminë e njëjtë, të kohës e kauzës:

”Nana Salë trimneshë,

gjallë kullën s’e lëshon,

veç në lule të ballit

pushka e saj qëllon,

palë e palë barbarët

në tokë po i palon.”

Nana Salë është dhënë me figurën e epitetit trimneshë, kurse në ndeshje me armiqtë kemi figurën e eufemizmit palon, që përkthehet po i rrënon, shkatërron e dërrmon. 

Lahuta shqiptare dhe kënga legjendare

Në këngën “Amaneti” kemi të pranishme lahutën, instrumentin më të vjetër muzikor të këngës shqipe ndër shekuj e breza, sepse cikli epik e do edhe instrumentin etik, si përfaqësim e komunikim. Këtë instrument e gjejmë te francezët si lyte, te gjermanët si lyrë e te shqiptarët si lahutë. Në këtë këngë shtrohet problemi i bashkimit shqiptar, i gjuhës, i flamurit dhe i amanetit në proces, që del gjithmonë i papërfunduar. Kjo këngë këndohet nga dy zëra, njëri gegë e tjetri toskë, për ta shprehur dhimbjen shqiptare si ndarje e çarje.

Jemi një nga lashtësia,

toka jonë është Shqipëria,

do të jemi një, ose sot ose kurrë,

shqip ku flitet përmbi dhe,

le të valojë veç një flamur,

vetëm kur t’jetoj në një shtet me Ty,

atëherë do të them amaneti bac u kry”!

Këto vargje jepen në trajtën e dialogut si shqetësim për etninë, gjuhën e flamurin, shenjat themelore të identitetit shqiptar, të ndarë, por që kërkohet aksioma e bashkimit në një atdhe fizik e shpirtëror, si ekuacion i përbashkët, duke përjashtuar variantet e tjera atdhetare që kanë për qëllim efektin material ose social.

Trinomi epik

Cikli i UÇK-së përbën një shtresë të jehonës së luftës sonë të shenjtë e të shtrenjtë, aty tashmë duken shenjat e epopesë, siç janë heroi kryesor, pra prijësi, Ademi, pastaj heroinat që kryejnë të njëjtin funksion epik, lahuta si instrument lashtësie i këngës së moçme legjendare, shqiptare, gjuha si rrjedhë e komunikimit arbëror dhe shpirtëror, Zana, figurë mitologjike, që tashmë në këtë cikël është një alter ego e vetë e heroit, për ta dhënë dramën e tragjedisë si bashkëvuajtje, pra shoqëruese e heroit në bëmat e luftës. etj. Ciklit të Mujit e Halilit, Ahmetit e Azemit, tashmë i shtohet edhe Cikli i këngëve të UÇK-së së Ademit.

Flijimi e rrugëtimi 

Shqiptarët këtë muaj e kujtojnë heroin e tyre nacional, Adem Jasharin, flijuesin e personales për dashurinë e universales. Ai e mbylli një epokë historike të nisur në kohë mitologjike. Si kohë e kujtojmë, si sakrificë e mësojmë se jeta dhe vdekja e tij ishin kauzë kombëtare e dashuri shqiptare. Jetën dhe vdekjen ia fali Dardanisë së moçme antike, vendit që krijoi histori të përzier me mitologji, por që me veprën e tij heroike Ademi e mbylli epokën mitologjike dhe atë historike, për të hapur kohën e lirisë dhe epokën e pavarësisë, pra një rrugëtim që kërkon bashkim e veprim, dije e dashuri, maturi e mençuri.

Jasharajt

Ky emër është shenjë e një jete që ka prodhuar histori, identitet dhe tani është shndërruar në emblemë, shenjë dhe simbol për etninë shqiptare, duke hapur e mbyllur historinë, identitetin, kulturën dhe ekzistencën tonë shqiptare, ndërsa figura legjendare e Ademit, si hero dhe sheshi si vendtakim i shqiptarëve është bërë hapësirë nacionale shqiptare, si takim, universale si mesazh e kuptim, duke projektuar të ndodhurën historike nëpërmjet shenjave të gjalla, të cilat kanë mbetur si dëshmi e një kohe që ka prodhuar e projektuar vizionaritetin e pavarësisë në mbrojtje të përhershme të shenjave ambientale (etni, gjuhë) dhe atyre universale (kulturë e fe). Ademi, tani është shndërruar në simbol kohe, për të gjallët, për të kuptuar jetën si sakrificë sublime që kërkon etnia, andaj etnia shqiptare tani e përgjithmonë identifikohet në shenjat, gjurmët e Ademit dhe sheshit Jasharaj.

Figurat e mëdha

Tani, shqiptarët i kanë shenjat e tyre identitare, kulturore e universale, heroin si shenjë historike dhe gjuhën si esencë etnike, jetike për vazhdimësinë tonë me shenjat tona. Shenjën e parë të identitetit të heroit, Ademin, pa të cilin s’ka histori sublime, sepse shenja e parë identitare e një shteti pas gjuhës është heroi, nëpërmjet të cilit ruhet shenja e parë, gjuha. Pra, Ademi tani bëhet jo vetëm heroi i historisë, por edhe i kulturës dhe i pavarësisë kombëtare, jo vetëm kosovare, por shqiptare, sepse heroi ynë u flijua si vetëdije nacionale shqiptare, nën të cilën shtrihet Kosova si hije. Ademi është emërues i të përbashkëtave nacionale (gjuhës, flamurit, atdheut, himnit e ideologjisë). Jasharët e hapin temën e madhe të flijimit, si dëshmi të një kohe tejhistorike, por variojnë ta universalizojnë flijimin si të tashme dhe të ardhme ekzistenciale.

Kjo teori ka një praktikë domethënie, kur në ekzistencën e të gjallëve do të kërkohet përkujtimi i atyre që dhanë frymën e shpirtin, një binom për ta forcuar edhe më tej jetën, ekzistencën tonë si qëllim. Dëshmorët e Jasharëve janë e sotmja jonë, edhe pse jo të gjallë fizikisht, ata mbeten më koherentë e më të fuqishëm se ne të gjallët të sotëm e të nesërm.

Misioni i heronjve

Dëshmorët e kanë kryer misionin e tyre më të shtrenjtë, duke dhënë jetën, kurse ne të gjallët duhet të punojmë vazhdimisht deri në vdekje për kombin, fenë e etninë. Këtë mendim e konstatim duhet ta provojë e lexojë secili lexues, qoftë ai sublim a subtil, nëpërmjet teorisë se edhe fëmija më i vogël i familjes Jashari është më i fuqishëm sesa ne sot. Sa të vegjël jemi ne para veprës së tyre flijimtare. Thonë se koha i shëron plagët, por plagët tona një ditë do të shërohen, por jo edhe gjurmët si dëshmi e kohës që shënjohet si kujtesë, dhimbje dhe kohë. Marsi, muaj që sjell jo vetëm gjurmën si dëshmi, por edhe kohën si histori, e historia risjell kujtesën si mosharresë të veprës së përjetshme të komandantit legjendar, Adem Jashari. Toposi, sheshi Jasharaj, është shpallur tani emblemë historike që identifikon shtratin e ekzistencës për të gjallët.

Kujtesa e kohës

Sheshi, si figurë e simbol sa vjen e forcohet me të panjohurat e saj të mëhershme, kjo për të prodhuar ngjarjen si biografemë të kohës dhe jetës, ndërsa koha do të zbulojë misionin e shumë të të panjohurave për ta rigjetur formulën e përjetshme të konceptit flijim, një koncept që e ka rigjetur e përmbyllur heroi nacional, Ademi, kurse ne duhet të jemi në kërkim të përhershëm për ta rigjetur vetveten diku në mesin e tyre, sa herë që koha kërkon sakrificë. Koha nuk do ta përmbyllë të thënën për ta, madje as shkrimi që nënkupton shpesh të pathënën, sepse vepra e tyre nuk matet me dijen dhe konstatimin e dijes sonë për ta. Ata mbeten enciklopedi e jetës shqiptare si kujtesë kohore në mesin e të gjallëve.

Simboli

Vepra e familjes Jashari mbetet e pazbërthyeshme deri në fund. Jasharët krijuan histori në formë e përmbajtje, duke e shndërruar Sheshin Jasharët në simbol të takimit, të bashkimit, të krenarisë të kujtesës dhe të dhembjes. Sheshi tani ka marrë epitetin e etosit dhe etnosit shqiptar si simbol i bashkimit të identitetit shqiptar, aty ku amanetet rigjejnë shpirtin e humbur në sfondin e jetës së përgjumur. Ademi e rigjeti historinë e humbur në vorbullën historike e antike, e formësoi tani në modernizmin e historisë shqiptare të vulosur përgjithmonë në formulën e porosisë së ideologut, shkrimtarit dhe enciklopedistit shqiptar Sami Frashri, i cili në veprën e tij “Shqipëria në tri pamje” e mbyll veprën me porosinë: Zoti, e Drejta, Kombi, Gjuha, Shqipëria, Shqip­tarë­sia.

Dualizmi si paradoks shqiptar

Ju e mbrojtët gjuhën, idealin dhe tokën tonë, me gjakun tuaj, ndërsa ne po e tkurrim atë pa fije turpi, të bindur se jemi në udhën tënde edhe si mision edhe si vizion. Stereotipi “Bac, u kry” e ka krijuar tipin e shqiptarit ideal që jeton me ëndrra e shpresa të mëdha, në një jetë që i ngjan agonisë së jetës buzë vdekjes. Tipin e shqiptarit, që shpresën e ndërton mbi jetën që e rrënon atë, një paradoks që kërkon zgjidhje pragmatike brenda një Shqipnie etnike, pa kauza e farsë emocionale. Ne vijmë pranë varrit tuaj për të të falënderuar, por në brendinë tonë pëshpëritim cicërimën se kemi humbur diçka udhës së përgjumur – moralin politik ose idealin historik.

Përfundim 

Adem Jashari, në këngët tona epike e historike, tashmë është shndërruar në një figurë përbashkuese për kombin shqiptar, madje një model i këtillë, pra në rrafshin e sakrificës e të heroizmit, është vështirë të  gjendet gjetiu, ndaj me plot të drejtë Ademin mund ta identifikojmë si heroin më të madh nacional të shqiptarëve. Në këtë punim timin shkencor për figurën e Ademit, unë e kam analizuar e poetizuar Ademin në dy rrafshe ose diskurse: në rrafshin e poezisë, të këngës e të poetikës së eposit heroik dhe në diskursin personal.

Në pjesën e parë e kam analizuar figurën e heroit në shumicën e këngëve epike të trimërisë, duke u ndalur në stilin e këngës, figurat letrare dhe frymën e këngës, pra përgjithësisht në këto këngë e kam analizuar frymën heroike, epizmin dhe përmasat e këngës mes mitikes, artistikes dhe reales, ndërsa në pjesën e dytë, që është një sprovë personale e tipit të esesë, pretendoj ta shoh Ademin si figurë që e lidh epokën antike me modernizmin shqiptar, në rrafshin historik, pra Ademin si frymë te heronjtë shqiptarë, Muja e Halili, Azemi e Ademi, pra një grup luftëtarësh, që kanë mision të njëjtë, frymë e stil, në tregim e në këngë. Fryma në të gjitha këto këngë është e njëllojtë, që do të thotë se i bashkon vizionariteti deri në përmasa të legjendaritetit. Në të gjitha këngët e Ciklit të UÇK-së, që kanë personazh figurën e Adem Jasharit, heroi ynë del në mbrojtje të shenjave të etnisë: flamurit, gjuhës, kulturës e qenies shqiptare. Pra, temat themelore rreth të cilave flasin këto këngë janë lufta për ta mbrojtur etninë, Shqipërinë, së bashku me simotrat e saj të ndara përreth.

Këto këngë epike-historike ruajnë në brendi një trashëgimi shqiptare, pra një identitet në kontinuitet sa i përket heroit, temës, diskursit dhe figurës. Komandanti Adem Jashari, si hero nacional i shqiptarëve dhe prijës i UÇK-së, këndohet me tone të epikës së njëjtë sikur këngët mbi Mujin dhe Halilin, sepse historia është pikë përba­shk­u­ese e Mujit, e Azemit e Ademit. Ky trinom heroik, epik e etik, përbën pa­lcën e epikës legjendare, historike dhe kohës së ashpër dramatike e tragjike.

Tema e këtyre këngëve është mbrojtja e tokës, e pasurisë, e nderit dhe e kolektivitetit. Po e njëjta temë është edhe te Muji e Halili, pra cikli i epikës nis si fillim në kohën antike, në ndeshje me sllavët (shkjet siç i quan populli) dhe vazhdon deri në kohën e shfaqjes së UÇK-së. Epika shqiptare fillon me Mujin e Halilin, vazhdon me Azemin dhe mbyllet me Ademin. Ky është trinomi më epik në historinë botërore, qoftë si komunikim historik ose diskurs epik. Këngët për UÇK-në janë diskursi epik i shkrimit, që kanë si toponim Drenicën, si vend i lindjes së lirisë, një vendi që lufta lidhet me hijen që i ka, pra që lufta i shkon për shtati, edhe si etikë, por edhe si epikë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X