loader image
May 31, 2025

Fëmijët e Gazës – dëshmitarët e fundit të një rendi të kalbur

Gjenocidi në Gaza nuk është reaksion i sotëm ise i çastit e as i nxitur nga populli i shtypur. Ai është vazhdimësi e ideologjisë supremaciste shekullore, që ende ushqehet me veprimet kolonizuese. Kur ndalemi dhe i shikojmë këto veprime të Izraelit në Gaza dhe pamjet e dhimbshme të trupave të copëtuar të fëmijëve, nuk mund t’ia gjejmë përgjigjen pyetjes se si ka mundësi që një popull që e ka përjetuar gjenocidin në lëkurën e vet, ta bëjë dyfishin e masakrave ndaj një populli që dikur ua hapi dyert e shtëpive në Palestinë?!

Avdi BAKIU, Shkup  

Bota ka parë përplasje të shumta të civilizimeve, perandorive dhe fuqive rajonale për ndikim, por rrallëherë ka dëshmuar veprime kaq mizore të njeriut, veçanërisht të njeriut “të bardhë”. Palestina është pika zero e njerëzimit, që sot po i dëshmon gjitha mizoritë e njeriut “të bardhë”, që nga kryqëzata e parë para 10 shekujve. Nuk mund ta kemi të qartë se çfarë po ndodh sot në Gaza nëse nuk e dimë zanafillën e kësaj ideologjie. Prandaj, duhet të kthehemi 10 shekuj pas dhe të ecim rreshtave të historisë së shkruar, që do na shpjerë te Kryqëzata e Parë. Kur Europa ishte e zhytur në dallgët e errësirës dhe luftërat mes principatave e luftërat civile nuk pushonin, ishte Kisha ajo që i gjeti një “zgjidhje” këtij problemi. Nën moton “Deus vult!” (“Zoti e do!”), Papa Urbani II i nxiti europianët t’i ngrinin armët kundër myslimanëve, të cilët i përshkroi si “armiq të Krishterimit”. Ekspedita ushtarake “për ta çliruar” Jerusalemin dhe Varrin e Shenjtë nga myslimanët nisi më 1096 dhe për tre vjet, më 1099, përfundoi me pushtimin brutal të Jerusalemit dhe krijimin e Shteteve Latine në Tokën e Shenjtë.

Kur kryqtarët hynë në Jerusalem, më 15 korrik 1099, ata kryen një nga masakrat më të tmerrshme të Mesjetës. Sipas burimeve historike, numri i viktimave ndryshon në varësi të kronikave, por zakonisht llogaritet se prej 10,000 deri në 20,000 njerëz u vranë gjatë dhe pas marrjes së qytetit. Shumica e viktimave ishin myslimanë dhe hebrenj, por pati edhe të krishterë të ritit lindor që u masakruan gabimisht. Ky moment mund të vlerësohet si djepi i supremacisë së bardhë që gjatë historisë do të marrë emërtime të ndryshme, por në bërthamë do të mbetet i pandryshueshëm.

Në vitin 1492 fillon inkuizicioni spanjoll, pasi ushtritë e krishtera të Ferdinandit dhe Isabelës e pushtuan Emiratin e fundit mysliman të Granadës. Këtu fillon faza e pastrimit të Gadishullit jo vetëm nga prezenca fizike e myslimanëve, por edhe nga trashëgimia e pasur shkencore që këta të fundit e kishin lënë në Spanjë.

Gjatë inkuizicionit spanjoll, myslimanët dhe hebrenjtë u përballën me dy mundësi brutale:

– Të konvertoheshin në Krishterim (shpesh në mënyrë publike dhe nën kërcënim);

– Të ekzekutoheshin nëse refuzonin ose nëse akuzoheshin se ishin “konvertuar rremë” (se fshehurazi ishin ende myslimanë ose hebrenj).

Pra, fryma supremaciste kishte metastazuar në gjithë Europën dhe kjo do të përcillet deri në ditët tona. Gaza, sot, është dëshmia më e mirë dhe më e qartë e brutalitetit të kësaj trashëgimie. Të gjithë jemi dëshmitarë të gjenocidit, ndoshta të paprecedentë, që Izraeli po e zhvillon në Gaza, me mbi 52,000 palestinezë të vrarë në mënyrën më brutale, ndërkohë që shtetet perëndimore, veçanërisht SHBA-ja, vazhdon jo vetëm ta furnizojë me armatim Izraelin, por edhe të bëjë gardianin e këtij shtetit në OKB. Madje, kjo punë ka shkuar aq larg, sa SHBA-ja t’i shpallë luftë Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) që po e ndjek penalisht kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për krime kundër njerëzimit.

Gjenocidi në Gaza nuk është reaksion i sotëm ise i çastit e as i nxitur nga populli i shtypur. Ai është vazhdimësi e ideologjisë supremaciste shekullore, që ende ushqehet me veprimet kolonizuese. Kur ndalemi dhe i shikojmë këto veprime të Izraelit në Gaza dhe pamjet e dhimbshme të trupave të copëtuar të fëmijëve, nuk mund t’ia gjejmë përgjigjen pyetjes se si ka mundësi që një popull që e ka përjetuar gjenocidin në lëkurën e vet, ta bëjë dyfishin e masakrave ndaj një populli që dikur ua hapi dyert e shtëpive në Palestinë?!

Pasi që hebrenjtë e Europës ishin viktima të supremacisë së bardhë, gjegjësisht antisemitizmit europian gjatë shekullit XVIII, XIX dhe fillimshekullin XX, lindi sionizmi, si një lëvizje reaksionare që, në vend se ta luftonte antisemitizmin në Europë, e pranoi supozimin racist se hebrenjtë nuk u përkisnin shoqërive europiane dhe se duhej të gjenin një tokë “të tyre” jashtë Europës – në këtë rast Palestinën. Kështu, babai i kësaj ideje, Teodor Herzl, në fund të shekullit XIX i hodhi themelet e një shteti hebre në tokat e Palestinës, që atëherë ishte nën mandatin britanik.

Për ta realizuar këtë plan dhe për t’i kolonizuar tokat palestineze, Herzl-i u kujdes që antisemitizmi në Europë të përdorej si një mundësi për ta imponuar sponsorizimin europian të kolonizimit hebre të Palestinës. Historiani hebre, Ilan Pappe, në librin e tij “10 mite mbi Izraelin”, shkruan: “Herzl do të përfundonte në Ditarët e tij se ‘anti-semitët do të bëhen miqtë tanë më të besueshëm, vendet antisemite aleatët tanë’”. Dhe, kështu ndodhi.

Fakti që Arthur Balfour (ministër i Jashtëm i Britanisë) ishte një antisemit i njohur protestant, i cili në vitin 1905 sponsorizoi një projekt-ligj (Akti i të huajve) për të parandaluar emigrimin në Angli nga hebrenjtë e Europës Lindore që iknin nga masakrat, nuk ishte i rastësishëm për faktin tjetër, që sionistët nxituan t’i drejtoheshin atij për ta realizuar idenë e Izraelit. Aq më tepër, kjo mund të shihet në mbështetjen e tij për projektin sionist përmes “Deklaratës Balfour”, e cila do t’i largonte hebrenjtë nga Anglia. Pra, me një fjalë, nuk zgjidheshin mjete dhe mënyra bashkëpunimi, madje edhe me antisemitët, për ta arritur qëllimin.

Pas kësaj, emigrimi hebre në Palestinë mori përmasa shqetësuese dhe kolonizimi filloi të dukej në horizont. Dekadat që pasaun e sollën pushtetin nazist në Gjermani. Hitleri qe betuar ta pastrojë jo vetëm Gjermaninë, por gjithë Europën nga hebrenjtë. Ideologjia naziste, e udhëhequr nga Adolf Hitleri, i paraqiste hebrenjtë si “armiq të brendshëm” dhe “kërcënim ekzistencial” për Gjermaninë dhe “racën ariane”. Plani i Hitlerit u zbatua midis viteve 1933 dhe 1945, por u realizua edhe plani i sionistëve për t’i shtyrë hebrenjtë e Europës të emigronin në Palestinë. Kulmi i kësaj lufte ishte Holokausti: një program industrial i vrasjes së sistemuar të rreth 6 milionë hebrenjve në kampet e shfarosjes, si Auschwitz, Treblinka, Sobibor dhe të tjera.

Sipas historianit Ilan Pappe, në vitet e 30-ta të shekullit të kaluar disa udhëheqës sionistë bashkëpunuan me regjimin nazist për ta përshpejtuar kolonizimin e Palestinës, edhe nëse kjo do të thoshte të anashkalohej tragjedia e hebrenjve të tjerë në Europë.

Në këtë mënyrë, elitat europiane, veçanërisht në Britani dhe Francë, e panë sionizmin si një mënyrë për të larguar hebrenjtë nga Europa, duke i nxitur të emigronin në Lindjen e Mesme. Edhe sot, elitat perëndimore vazhdojnë ta mbështesin sionizmin, pavarësisht gjenocidit të vazhdueshëm në Gaza, pavarësisht se 8 miliardë njerëz janë dëshmitarë të përditshëm të krimeve sioniste dhe përfshirjes perëndimore.

Prandaj qëndrimet e vendeve perëndimore janë të vakëta dhe me plot hipokrizi mes rreshtash. Publikisht, me një dozë pasigurie ata ndonjëherë i kritikojnë veprimet barbare të Izraelit, ndërsa në fshehtësi e furnizojnë me armatim. Ata, përmes Izraelit, e ruajnë dominimin në Lindjen e Mesme, ndërsa shteti sionist, përmes tyre, jeton edhe një ditë më shumë në tokat e kolonizuara palestineze.

Dhe, sot, për dallim prej hebrenjve të Holokaustit, palestinezët nuk kërkojnë të emigrojnë gjetiu që ta shpëtojnë jetën e tyre, nuk kërkojnë një shtëpi tjetër. Ata kërkojnë drejtësi. Por, meqë drejtësia është term inekzistent në këtë rend botëror, ne po kthehemi në pikën zero, në Gaza, ku ky rend do të shembet dhe njerëzimi e bota do të marrë një trajtë tjetër.

Se kur do të shembet kjo ideologji supremaciste, që i ka shkaktuar shumë vuajtje botës, nuk mund të themi, por një gjë është e sigurt – Gaza do ta shpëtojë botën, edhe pse po e paguan shtrenjtë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X