“Në emër të Facebook-ut, rrjeteve sociale dhe realitetit virtual. Amin”
Ali PAJAZITI, Shkup
Kjo është një lutje postmoderne, e qytetarit digjital, kur njerëzimi po e përjeton epokën e ashtuquajtur informatike, të mediave sociale, që janë bërë përbërës krucialë të jetës dhe që e kanë transformuar perceptimin e fesë si sistem konservator (Stepanov, 2018) dhe të devotshmërisë si segment i saj. Gjatë historisë, feja ka përdorur mjete të ndryshme për t’i komunikuar vlerat e saj themelore, përfshirë tekste të shenjta, fjalime gojore dhe libra të shtypur (Horsfield, 2015). Në shek. XX ajo i ka shfrytëzuar mediat, gazetat, radion dhe TV-në, kurse në atë XXI bota e teknologjisë kompjuterike është hapësira ku rikonceptohet e shenjta. Përdorimi i kompjuterëve, smartfonëve, tabletëve, internetit dhe teknologjive të ngjashme të komunikimit, si dhe funksioni në rritje i tyre, sjell një proces digjitalizimi që përfshin dimensionet ekonomike, kulturore dhe fetare të jetës sociale. Është kjo epoka e anarkisë botëkuptimore, kur doktrina, dogma, bindje, pikëpamje teologjike të panumërta na vërshojnë si një ortek, kur motorët e kërkimit janë shndërruar në shamanë digjitalë (Raushenblush, 2021).
Detradicionalizimi është një nga denominatorët e shoqërisë së fillimmileniumit të tretë kur shënohet transformim rrënjësor i fetarisë. Helland-i (2000: 214-219) flet për religion online, online religion, Campbell-i për fenë e rrjetëzuar (networked religion), ndërsa autorë të tjerë, për fenë e së sotmes. Ata i përdorin sintagmat religjioni virtual, e-religjioni, religjioni kibernetik (cyber religion) që përafërsisht simbolizojnë të njëjtën gjë, fenë post-klasike.
Rimodelim rrënjësor i spiritualitetit
Feja digjitale hap mundësi të reja për besimtarët dhe organizatat fetare, duke i lejuar ata të përshtaten me ndryshimet moderne teknologjike dhe t’i shpërndajnë idetë e tyre në shkallë globale. (Lomachinska, 2024) Është koha kur bota e spiritualitetit evoluon furishëm. Adhurimi online, lutjet virtuale, programet edukative të zhvillimit shpirtëror, platformat për diskutimin e temave fetare dhe ndarjen e përvojave në rrjetet sociale, bibliotekat fetare elektronike, programet misionare digjitale, pelegrinazhet virtuale, aplikacionet e ndryshme mobile për lutje, etj., janë disa nga shënjuesit e ridizajnimit të përshpirtësisë. Sektarizmi kibernetik është fenomen i lëvizjeve të reja fetare dhe grupeve të tjera që e përdorin internetin për shpërndarjen e teksteve, për rekrutime dhe shkëmbim të informacionit.
Sipas Paltridge-s, sot, përmes internetit, jemi të ekspozuar ndaj një morie imazhesh dhe ideologjish të larmishme, shpesh kontradiktore. “Nuk kemi të bëjmë vetëm me një kaos shqisor, por edhe kaos ideologjik, sepse mbi ne derdhen të gjitha këto botëkuptime të ndryshme. Kjo është një gjendje shumë dërrmuese… i minon konceptet mbi realitetin dhe të vërtetën, me të cilat mund të jesh rritur.” (Suba, 2022)
I veshur me një këmishë blu, xhinse dhe një kapele, pastori Noah Carr — @pastor.noah për ndjekësit e tij online — vrik drejt kamerës duke thirrur: “Prisni një moment!” … dhe këlthet: “Më lejoni të bëj një lutje të fuqishme për ju para gjumit, tani, dhe, kur të mbaroj së luturi për ju, ju lutem ndajeni këtë me pesë persona të tjerë… nuk dihet kurrë se kush do të bekohet!”
Mehdi Isa, një konvertit musliman, dhe gruaja e tij, Mubina, e cila mban nikab (formë e mbulesës islame), kanë mbi 122.7 milionë pëlqime në të gjitha videot e tyre të ndara në llogarinë @mehdinatv, mbi 2.1 milionë ndjekës globalë – duke i bërë ata disa nga krijuesit më të njohur të përmbajtjes fetare në X. Përmbajtja e këtij çifti musliman me rezidencë në Kanada shtrihet nga skeçet komike, deri te pyetjet dhe përgjigjet rreth çështjeve islame, duke synuar të përballen me stereotipet dhe t’i informojnë njerëzit për jetën e tyre të përditshme. (interfaithamerica.org)
Në rrjetet sociale na shfaqen edhe llogari si #jewishtiktok, #FaithTok, #muslimtiktok, @islami.ne.kosoveiks, #buddhism etj.
Online radikalizmi fetar
Radikalizmi online e nënkupton procesin gjatë të cilit individët ekspozohen, imitojnë dhe internalizojnë besimet dhe qëndrimet ekstremiste, përmes internetit, veçanërisht rrjeteve sociale dhe formave të tjera të komunikimit online (Binder & Kenyon, 2022). Sipas Ware-t (2023) janë tre breza të radikalizimit online: (1) 1984-mesi i viteve 2000 (forumet njëkahëshe, webfaqet); (2) mesi i viteve 2000 fundi i viteve 2010 (Twitter, FB, YouTube, Instagram); (3) fundi i 2010-tave deri më sot (Whatsapp, Telegram, Gab, Parler). Më herët Rappoport-i, në analizën e vet, flet për katër faza: anarkiste, antikoloniale, e majta e re dhe fetare, kurse Jerrold Post-i kësaj skeme ia shton të pestën: atë të “terrorizmit të aktorit të vetëm” (lone actor terrorism).
Kur një djalosh 13-vjeçar u arrestua nga policia e Estonisë në fillim të vitit 2020 për drejtimin e një organizate ndërkombëtare terroriste, komuniteti perëndimor qe tronditur thellësisht. Kjo ishte vetëm një pikë e re e pakëndshme në një trend afatgjatë të materialeve ekstremiste, që po bëhen gjithnjë e më të arritshme online. “Qasja në një botë urrejtjeje online sot është po aq e lehtë sa filmat vizatimorë të mëngjesit të të shtunës në televizor,” kumton Oren Segal i Anti-Defamation League (ADL, Lidhja Kundër Shpifjes), duke ofruar një krahasim të dhimbshëm që ilustron se si ekstremizmi modern ka zëvendësuar aktivitete më të buta argëtuese.
Ekstremizmi fetar nënkupton interpretime të ashpra dhe të ngushta të besimit, të cilat synojnë të imponojnë pikëpamjet e tyre me çdo mjet, përfshirë edhe dhunën. Kur këto ide shpërndahen në internet, ato mund të përfshijnë përmbajtje propaganduese, thirrje për anëtarësim, konvertim ose instruksione për veprime të dhunshme. Platforma, si rrjetet sociale, forumet online dhe aplikacionet e mesazheve të koduara krijojnë mundësi të reja për grupe ekstremiste, të cilat i përdorin këto hapësira për të rekrutuar anëtarë të rinj, për ta shpërndarë ideologjinë e tyre dhe për t’i mobilizuar mbështetësit.
Në epokën në të cilën jetojmë shfaqet edhe fenomeni i fetarisë së çastit (fast religiosity), që dallon shumë nga konvencionalja, sepse nuk është e kultivuar dhe ndërtuar natyrshëm. Ky lloj fetarie mund të manifestohet edhe si toksifikim fetar digjital, si mimetizëm i pakontrolluar (Xhigal, 2025), si ndjekje irracionale e klerikëve të caktuar që kanë një diskurs thirrës/prozelitues radikal.
Në lojën online “Kryqëzatat” (The Crusades) lojtarët duhet të zgjedhin një nga fetë ose pseudofetë (p.sh., katolicizmi, islami ose paganizmi) gjatë regjistrimit dhe të luftojnë për sukses dhe fitore mbi armiqtë në kontekstin e kryqëzatave dhe konflikteve mesjetare. (mk.game-game.com)
Duke iu përgjigjur pyetjes së tij mbi mënyrën se si u radikalizua, autori i sulmit në supermarketin në Buffalo, ku ekzekutoi 10 afro-amerikanë, shkroi se botëkuptimin e tij e zhvilloi “…kryesisht nga interneti. Ka pasur pak ose aspak ndikim në bindjet e mia personale nga njerëzit që kam njohur personalisht.” (Gendron, 2022) Ekstremistët e sotëm nuk janë më vetëm konsumatorë të materialit radikal të shpërndarë nga propagandistët; ata janë, sipas fjalëve të Kesa White-s, “Webmasters of Hate” (webmasterë të urrejtjes) – ata kryejnë kërkime individuale, shpërndajnë propagandën e tyre dhe krijojnë një klimë armiqësore ndaj të huajve. 92 për qind e atyre të cilët janë dënuar midis viteve 2019 dhe 2021 ishin të radikalizuar plotësisht ose pjesërisht online. (Ware, 2023)
Shembuj të narrativës fetare digjitale radikale
Platformat digjitale prodhojnë ekstremizëm hibrid, fobi dhe violencë digjitale-virtuale, që më pas manifestohet në terrenin real. Në një studim të Universitetit të Birminghamit është konstatuar një islamofobi e fuqishme online në twitter dhe YouTube: fjalët kyçe kanë qenë islamisevil, stopislam, banmuslims, islamiscancer, islamonazism dhe islamistheproblem. Në përgjigje të një sulmi si ai në Christchurch, në vend që të tregohet empati, shumë mesazhe në X atakonin muslimanët: “Pak myslimanë të vdekur, krahasuar me miliona pafajës të therur nga dora e barbarëve islamikë”. #islamisevil #NewZealandTerroristAttack” (Awal, 2025)
Kanali në Telegram i “Lehava”-s, grup ekstremist supremacist hebre, që kultivon antipati ndaj të krishterëve, migrantëve, arabëve dhe muslimanëve, shpall: “Me sasi të tilla armësh do të prodhonja njëqind të vrarë”; “Muslimanët janë si aknet, shpërthen një dhe pas tij vijnë edhe njëzet e dy.” (Fiennes, 2025)
Lokalisht, ndërmarrje radikale-ekskomunikuese është edhe ajo e Grupit të Deçanit për “kthim në fenë e të parëve”, në krishterim. Qasje e ngjashme është edhe e grupit virtual “promovon” puro-albanianizmin përmes frazës: “Kush thotë selam, s’ka vend këtu!”
Radikalizmi fetar online është prezent edhe në Maqedoninë e Veriut. Shumë postime në rrjetet sociale ka ku identiteti i muslimanëve shihet si një çështje që kërcënon vlerat krishtere maqedonase: “Nuk ka më durim tek maqedonasit. Është koha ta kthejmë shtetin. Nuk mundet që terroristët e UÇK-së dhe muslimanët të luajnë me Maqedoninë Ortodokse. Mjaft më! Keni kërkuar, shikojeni!” (isdglobal.org) Nga përmbajtjet ekstremiste të frymëzuara fetarisht janë edhe ato të grupimit “Vëllazëria Krishtere”, prezente në Facebook dhe YouTube, organizatë që e identifikon veten si apolitike, humanitare, patriotike dhe fetare, që në fakt është etnonacionaliste, entitet që ndjek matrica të krahasueshme me grupet e djathta ekstreme të SHBA-ve. Të kësaj fryme janë edhe platformat si: “Stop ndërtimit të Xhamisë në Prilep” (2015), shpalljet si “Gjëja të cilën shqiptari e përkëdhel (Kur’ani), maqedonasi e djeg.”
Në YouTube ka edhe regjistrime të radikalizmit puritan islamist, si “Xhihadi jem”, “Muslimanët duke i sulmuar kryqat, kafirat, t’pafetë!”, kurse në instagram: “Mos voto! Votimi është shirk (politeizëm), sepse zgjidhen ligjvënës tjerë, pos Allahut”. Sipas SCN (Strong Cities Network) “Minberimedia”, e cila nga qershori 2012 ka shënuar 12 milionë shikime, praktikat hanefite i paraqet si shkarje nga islami, si jobesimtare. Selefi.org kumton se stolisja e shtëpive për hir të Ramazanit është bidat (risi e refuzuar), takvimi gjithashtu; aty gjenden edhe porosi si “Xhamia nuk është për të luajtur pingpong!”, “Mos e bleni këtë Kur’an që shitet sepse i tëri është transkriptuar me alfabet latin” e të ngjashme. “Bejtul muhaxhirin” është një grup radikal që, mes tjerash, kumton se është në shërbim të menhexh-it (metodës) të selefit, “gjaku duhet derdhur”, që ka qenë prezente në Telegram dhe TamTam (BalkanInsight, 2022), që promovon libra si “Prova e muxhahidëve”.
Në këtë kontekst do përmendur edhe kanale çorientuese, të një feje jashtëkornizore, patologjike, të një antiislami, të një individi të ribrenduar emërisht që propagandon “fenë pa xhami”, kombin musliman, xhenetin pa namaz, idenë boshe “imami i shqiptarëve” etj.
Si më tutje?
Ekstremizmi fetar online ose kibernetik përbën një kërcënim të vërtetë për stabilitetin shoqëror dhe sigurinë globale. Interneti ka krijuar një terren të ri, ku ideologjitë e dhunshme mund të përhapen me shpejtësi të madhe. Për ta adresuar këtë sfidë, nevojitet një qasje e shumanshme, që përfshin bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore, organizatave fetare, platformave teknologjike dhe shoqërisë civile. Vetëm përmes edukimit, rregullimit të duhur ligjor dhe promovimit të vlerave të tolerancës dhe respektit të ndërsjellë mund të reduktohet ndikimi i ekstremizmit fetar në hapësirën online. Për shfrytëzim të shëndoshë të hapësirës kibernetike duhet kulturë digjitale dhe vetedukim i vazhdueshëm. Detoksifikimi digjital është një domosdoshmëri në kohën kur influencerët fetarë janë prezentë gjithandej shpeshherë duke prezantuar edhe fe(tari) të rrejshme, pasojat e së cilës janë të shumanshme dhe lemeritëse.