loader image
November 18, 2025

Enver Hoxha dënoi edhe djalin e Ismail bej Vlorës

Djali i vogël i Ismail beut, Qamili, i cili ishte gjallë dhe jetoi në Shqipëri edhe pasi e morën pushtetin komunistët, iu nënshtrua represionit politik si gjithë patriotët e tjerë me kontribute historike personale ose familjare. Sipas kujtimeve të familjarëve, në fillim të vitit 1945, Qamilin e thirri në takim Mehmet Shehu, asokohe një nga autoritet ushtarake më të larta dhe më të njohura, i cili i tha se e kishte thirrur për t’i marrë mendim “si djali i Ismail Qemal Vlorës”. Arsyeja e vërtetë ishte t’i kërkonte mbështetjen për regjimin që Shehu, shokët e tij dhe jugosllavët po e instalonin në Shqipëri.

Çelo HOXHA, Tiranë

Rregulli kërkon që në zyrat e administratës në Shqipëri vendoset një portret standard i presidentit të republikës. Ky rregull u shkel më 2013, kur e morën pushtetin socialistët. Kryeministri socialist, Edi Rama, nuk e pëlqente presidentin e atëhershëm, Bujar Nishani (2012-2017), i dalë nga radhët e partisë kundërshtare të kryeministrit, Partisë Demokratike, dhe vendosi që portretin e presidentit në zyrën e kryeministrit ta zëvendësonte me një portret në pikturë të kryeministrit të parë të Shqipërisë, Ismail bej Vlorës.

Kur u pyet më vonë, nga një gazetar, se kush ishte personi në pikturë në zyrën e tij, ai u përgjigj me humor: “Ismail Qemali. Është gjyshi im, nuk e shikon ngjashmërinë?”. Po shakaja e tij nuk është aq e pafajshme po të kemi parasysh që qyshkur u bë kryeministër, Rama ka mbajtur një mjekër të shkurtër si ajo e Ismail beut dhe duke e pasur të thinjur nga natyra, megjithëse është shumë më i ri nga Ismail beu, nuk është krejt e përjashtueshme mundësia që referenca me babain e kombit të jetë apel i tij për respekt historik.

Sidoqoftë, fakti që prishet një rregull, i cili tregon mungesë respekti për kushtetutën dhe hierarkinë institucionale dhe për të kompensuar nivelin e ulët etik përdoret vlerësimi i shtirur për themeluesin e shtetit shqiptar, është, në fakt, me figurën historike më të rëndësishme të shtetit. Kjo nuk është hera e parë që drejtuesit e shtetit shqiptar tregojnë mungesë respekti për Ismail bej Vlorën.

Djali i vogël i Ismail beut, Qamili, i cili ishte gjallë dhe jetoi në Shqipëri edhe pasi e morën pushtetin komunistët, iu nënshtrua represionit politik si gjithë patriotët e tjerë me kontribute historike personale ose familjare. Sipas kujtimeve të familjarëve, në fillim të vitit 1945, Qamilin e thirri në takim Mehmet Shehu, asokohe një nga autoritet ushtarake më të larta dhe më të njohura, i cili i tha se e kishte thirrur për t’i marrë mendim “si djali i Ismail Qemal Vlorës”. Arsyeja e vërtetë ishte t’i kërkonte mbështetjen për regjimin që Shehu, shokët e tij dhe jugosllavët po e instalonin në Shqipëri. Qamil Vlora iu përgjigj, kujton nusja e djalit të tij: “Në do të dish mendimin tim, unë po të them se mjaft u vranë shqiptarët me njëri-tjetrin, prandaj mos bëni më gjakderdhje, mos vrisni më”.

Jo shumë më vonë, Qamili Vlora u arrestua dhe u dënua me burg pikërisht ngaqë ishte djali i Ismail beut. Në letra të gjykatës pa dyshim që ka akuzë të stisur.

Fjalorin Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist, vëllimi 8, botim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, Qamil Vlora është prezantuar kështu:

“Qamil Ismail Vlora: Diplomat. Djali i themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail bej Vlorës Qemalit. Lindi në Stamboll, më 1895. Shkollimin fillestar e kreu në Stamboll, ndërsa atë të mesëm dhe të lartë në Nicë, Francë. Pas vdekjes së të atit (1919) në Itali, u kthye në Vlorë; më 1921, u zgjodh kryetar i Federatës Atdheu, dega e Vlorës. Më 1923, u vendos në Tiranë, u emërua sekretar i nivelit të tretë në Ministrinë e Jashtme; më 1925 u emërua Sekretar i Parë i MPJ. Për një kohë të shkurtër u emërua Kryekonsull në Selanik dhe zëvendës/drejtor administrativ i asaj Ministrie. Në gusht të vitit 1932 u akuzua të bënte pjesë në “Organizatën e Fshehtë të Vlorës”; u largua nga Shqipëria, së bashku me familjen, dhe u vendos në Francë. U kthye në atdhe më 1939 dhe u emërua anëtar i Këshillit të Shtetit. Në tetor 1943 u zgjodh deputet i Vlorës në Asamblenë Kushtetuese. Pas ardhjes në pushtet të regjimit diktatorial komunist, duke mos pranuar bashkëpunimin me ta u dënua me burg më 1946. Vdiq më 1950.”

Themeluesi i shtetit shqiptar quhej Ismail Vlora, por komunistët nuk e thirrën kur në emrin e tij origjinal. Ata e thirrën atë sipas traditës osmane, duke i vendosur për mbiemër emrin e babait. Ky ndryshim në emrin e babait të shtetit shqiptar hiqte çdo referencë me shkëlqimin e familjes së shquar të Vlorajve, prej së cilës kishin dalë edhe drejtues të Perandorisë.

Më 1962, me rastin e 50-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në njërën nga gazetat e regjimit (besoj se ishte Zëri i Popullit), u botua një artikull i shkurtër, ku flitej se si një karrocier kishte çuar Ismail beun nga Durrësi në Vlorë për ta ngritur flamurin e pavarësisë. Asociimi i Ismailit beut me karrocierin ishte denigrim për ngjarjen dhe personazhin, pavarësisht qëllimit fillestar të artikullit. Zbritja e Ismail beut në Durrës dhe udhëtimi i tij në Vlorë është i dokumentuar, ndërsa kujtimet e drejtuesit të delegacionit të pritjes, Qemal Karaosmani, janë botuar më 1937 në gazetë. Pritja dhe shoqërimi që iu bë delegacionit të Ismail beut ishte madhështore. Qemal Karaosmani, ashtu si Ismail beu, është firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë.

Për shkak të paragjykimeve klasore ideologjike, artikulli për karrocierin synonte të fshinte nga historia personazhet historike reale, sepse përfaqësonin klasën e pasur e me pushtet dhe ta zëvendësonte me personazhe nga ajo që e quanin “vegjëlia”. E vërteta historike është se nuk kishte karrocier në Shqipëri, asokohe e gjithë kohën, që të organizonte udhëtimin e një delegacioni aq të madh e të shquar, sepse nuk kishin as kontaktet dhe as burimet e nevojshme. Ne e dimë tashmë se delegacioni u mirëprit nga familjet e pasura, si konaku i Dervish Biçakut në Lushnjë, i cili kishte burime ekonomike të mjaftueshme. Ka qenë traditë në Shqipëri, në kohërat që nuk ishte e përhapur kultura e hoteleve, që udhëtarët të bujtnin te familjet e kamura e zonës dhe ata i mbanin dyert të hapura.

Gjatë regjimit komunist, sidomos në vitet e para, kur ishte i dehur nga fryma jugoslllave, goditja e themeluesve të shtetit shqiptar ishte në vijë politike. Lef Nosi u ekzekutua, shumë të tjerë ikën jashtë Shqipërisë për të mos pasur fatin e Lef Nosit, disa të tjerëve, të cilët nuk jetonin më, iu goditën familjet.

Ndërsa ne që shkruajmë sot nuk bëjmë gjë, veç shohim se asnjë lloj persekutimi, gënjeshtre apo falsifikimi nuk mund t’i zhvleftësojë përgjithmonë ata që kur patën radhën të dilnin në skenë, qëndruan në anën e duhur të historisë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X