loader image
February 14, 2026

E drejta dhe rendi ndërkombëtar kundrejt realpolitikës: nga Doktrina Monroe te Doktrina Donroe

Interesimi i shtuar i Kinës, në vitet e fundit, për bashkëpunim me shtetet e Amerikës Latine ka nxitur rishfaqjen e debatit rreth Doktrinës Monroe në SHBA, posaçërisht në radhët e kongresmenëve republikanë. Kapja e presidentit venezuelas, Nicolas Maduro, dhe dërgimi për gjykim në SHBA, duket si manifestimi i parë i një politike të jashtme më të vendosur, referuar në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të publikuar në nëntor të vitit 2025.

Ditar KABASHI, Prizren

Viti 2026 nisi me zhvillime sa të bujshme, po aq të pazakonta në arenën ndërkombëtare. Më 3 janar të këtij viti, forcat speciale ushtarake të SHBA-së organizuan një operacion në kryeqytetin e Venezuelës, ku e kapën Presidentin Nicolas Maduro, bashkë me bashkëshorten e vet dhe i dërguan për gjykim në SHBA.

Ky akt e rikontekstualizoi një dimension specifik të politikës së jashtme të SHBA-së, atë që njihet si Doktrina Monroe.

Doktrina Monroe: themel i hapave proaktivë

Kjo doktrinë politike u çanësua për herë të parë në mesazhin vjetor të Presidentit James Monroe, drejtuar Kongresit më 2 dhjetor 1823. Atëbotë, Presidenti Monroe e shpalli Hemisferën Perëndimore si regjion interesi të SHBA-së dhe paralajmëroi vendet europiane të mos përziheshin në këtë pjesë të globit. Ky qëndrim, i perceptuar fillimisht si një deklaratë rutinë politike, u kthye shpejt në strumbullarin e politikës shtetërore federale ndaj Amerikës Latine dhe vendeve përreth.[1]

Doktrina gjeti zbatim në vitin 1865, kur SHBA-ja ushtroi trysni diplomatike dhe ushtarake në mbështetje të presidentit meksikan Benito Juárez, duke kontribuar në rrëzimin e Perandorit Maximilian, i ardhur në pushtet me ndihmën e Francës. Më vonë, në fund të shekullit XIX, SHBA-ja u bë palë në luftën e Kubës për pavarësi kundër Spanjës dhe i shpalli luftë këtij shteti europian në vitin 1898, gjë që rezultoi me fundin e pranisë koloniale spanjolle në atë pjesë gjeografike. Ndërkohë, SHBA-ja e mori zyrtarisht kontrollin mbi Porto Rikon, Guamin dhe Filipinet, dhe u faktorizua në Kubë, të cilën udhëheqësit amerikanë kishin parashikuar prej kohësh ta blinin nga Spanja përmes Marrëveshjes Platt.[2] Miratuar më 22 maj 1903, Marrëveshja Platt, nën arsyetimin e mbrojtjes së pavarësisë kubane nga ndërhyrjet e huaja, ia lejoi SHBA-së një përfshirje të gjera në punët e brendshme dhe të jashtme të Kubës. E draftuar pas luftës mes SHBA-së dhe Spanjës dhe e integruar detyrimisht në Kushtetutën e Kubës, dispozitat e kësaj marrëveshjeje e shndërruan de facto Kubën në protektorat amerikan, duke ia njohur SHBA-së të drejtën e aksionit ushtarak, kufizimin e borxheve dhe traktateve të Kubës, si dhe vendosjen e bazave detare, përfshirë Guantanamon. Marrëveshja Platt shërbeu si bazë juridike për involvime të përsëritura amerikane deri në vitin 1920 dhe u shfuqizua më 1934, në kuadër të Politikës së Fqinjësisë së Mirë të Presidentit Franklin D. Roosevelt, ndonëse SHBA-ja nuk u tërhoq as atëherë nga baza detare në Guantanamo.[3]

Në mesazhet vjetore drejtuar Kongresit në vitet 1904 dhe 1905, Presidenti Theodore Roosevelt e zgjeroi Doktrinën Monroe, përmes të ashtuquajturit Roosevelt’s Corollary, duke pohuar se jo vetëm që shtetet e Hemisferës Perëndimore nuk ishin të hapura ndaj kolonizimit europian, porse SHBA-ja bartte edhe përgjegjësinë për ta ruajtur rendin dhe për ta mbrojtur jetën dhe pronën në këto vende. Kjo qasje u artikulua në kontekstin e ndikimeve europiane në Amerikën Latine për shkak të borxheve shtetërore, veçanërisht pas bllokadës detare të Venezuelës në vitin 1902 nga anije luftarake britanike, gjermane dhe italiane. Zhvillime të tilla u perceptuan në SHBA si kërcënim ndaj dominimit të saj tradicional në regjion. Në këtë aspekt, Roosevelt-i kishte deklaruar se paaftësia shtetërore mund ta bënte të nevojshëm aktivizimin e një autoriteti policor ndërkombëtar, rol të cilin SHBA-ja e konsideronte të ligjshëm në Hemisferën Perëndimore në përputhje me Doktrinën Monroe. Nga ky interpretim i Roosevelt-it kuptohet se, teksa Doktrina Monroe në fillesat e veta kishte objektiv pengimin e ndërhyrjeve europiane, zgjerimi i saj u përdor për të justifikuar implikimet amerikane në të gjithë hemisferën.[4]

Doktrina Monroe u rikthye simbolikisht në vitin 1962 gjatë krizës së raketave në Kubë, kur Bashkimi Sovjetik filloi vendosjen e bazave raketore në Kuba. Me mbështetjen e Organization of American States, Presidenti John F. Kennedy vendosi një bllokadë detare dhe ajrore ndaj ishullit. Kriza përfundoi me tërheqjen e raketave sovjetike nga Kuba dhe, në mënyrë të ndërsjellë, me zhvendosjen e disa bazave raketore amerikane në Turqi.[5] Ky veprim është cilësuar edhe si reflektim i shpirtit të Doktrinës Monroe, pasi Presidenti Kennedy e paraqiti krizën si shkelje të kufijve historikë hemisferikë.[6]

Doktrina Donroe: emërtim i ri për një strategji të konsoliduar

Interesimi i shtuar i Kinës në vitet e fundit për bashkëpunim me shtetet e Amerikës Latine ka nxitur rishfaqjen e debatit rreth Doktrinës Monroe në SHBA, posaçërisht në radhët e kongresmenëve republikanë.

Kapja e presidentit venezuelas, Nicolas Maduro, dhe dërgimi për gjykim në SHBA duket si manifestimi i parë i një politike të jashtme më të vendosur, referuar në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të publikuar në nëntor të vitit 2025. Sipas këtij dokumenti zyrtar, SHBA-ja e rikonfirmon zbatimin e Doktrinës Monroe për ta rivendosur epërsinë e tyre në Hemisferën Perëndimore, duke mbrojtur interesat e sigurisë dhe qasjen në hapësira strategjike kyçe, si dhe duke penguar fuqitë joamerikane të vendosin prani ushtarake ose të kontrollojnë asete jetike. Kjo pikëpamje, e quajtur Trump Corollary ndaj Doktrinës Monroe, paraqitet si rivendosje e peshës së SHBA-së, drejtuar kah angazhimi i aleatëve ekzistues për kontrollin e migracionit, lufta kundër trafikut të drogës dhe stabiliteti regjional, si dhe kah zgjerimi i shtrirjes përmes ndërtimit të partneriteteve të reja dhe rritjes së rolit të SHBA-së si subjekti kryesor ekonomik dhe i sigurisë në regjion.[7]

Doktrina Monroe ka luajtur rol historikisht për të arsyetuar politikat e SHBA-së në Amerikën Latine. Sot ajo po ritheksohet në diskursin global nëpërmjet iniciativave të administratës Trump dhe të ashtuquajturës Doktrinë Donroe, e cila, ashtu si doktrinat pararendëse, i jep përparësi interesit kombëtar ndaj së drejtës ndërkombëtare. Këtë pohim e mbështet edhe Strategjia e Sigurisë Kombëtare, në të cilën nënvizohet qartazi se SHBA-ja do ta mbrojë me këmbëngulje sovranitetin e saj, duke kundërshtuar çdo përpjekje që mëton dobësimin e shtetit nga ana e organizatave ndërkombëtare apo transnacionale, nga efektet e aktorëve të huaj në debatin publik dhe lirisë së shprehjes, si dhe nga veprimtaritë e lobimit që duan t’i orientojnë politikat amerikane ose ta përfshijnë vendin në konflikte të jashtme.[8]

Kësisoj, SHBA-ja paraqiten si një entitet që aspiron ta përcaktojë në mënyrë të pavarur pozicionimin e vet ndërkombëtar pa faktorë të huaj përcaktues.

Kjo kornizë, e përvijuar në strategjinë e lartcekur, synon riafirmimin e Doktrinës Monroe dhe rikthimin e epërsisë amerikano-veriore në Hemisferën Perëndimore. Në dimensionin teorik, mund të thuhet se ajo zbeh barazinë sovrane të shteteve dhe rikthen sferat e ndikimit, duke pasqyruar unilateralizëm të fuqive të mëdha. Në këtë kuptim, rasti i Venezuelës shërben si ilustrim për kufijtë e përdorimit të forcës shtetërore në funksion të interesave strategjike dhe të sigurisë kombëtare.

Sipas komentimit të Trump-it ndaj Doktrinës Monroe, SHBA-ja pretendon riaktivizimin e doktrinës, duke projektuar prezencën e tyre ushtarake në regjion, avancimin e kapaciteteve detare me qëllim kontrollin e rrugëve të migracionit dhe të trafikut të paligjshëm, si dhe realizimin e dislokimeve përgjatë kufijve. Krahas kësaj, SHBA-ja paralajmëron përdorimin e sistemit ushtarak më dominues se ai i çdo vendi tjetër në botë për të siguruar qasje në burimet energjetike dhe minerare të regjionit.[9]

Përtej emërtimeve dhe parimeve: sfida e rendit ndërkombëtar

Pas Luftës së Dytë Botërore u konsolidua një sistem, sipas të cilit barazia sovrane e shteteve dhe kufizimi i forcës përbënin fondamentin e rendit ndërkombëtar. Sot, këto parime po kontestohen praktikisht. Normat jus cogens dhe të tjerat që burojnë nga dokumentet e dala nga organet e OKB-së ende e ruajnë vlefshmërinë formale juridike, por pa fuqinë e duhur detyruese. Si rrjedhojë, përditë e më shumë po kundrohet vendosja e interesave kombëtarë kundrejt një rendi dhe të drejte të përbashkët në botë. Kjo nuk nënkupton per se braktisje të hapur të së drejtës ndërkombëtare, por një interpretim selektiv të saj, bazuar në kapacitetet reale të shteteve, të cilat po përzgjedhin dhe po përvetësojnë norma ndërkombëtare sipas prioriteteve të tyre strategjike.

Ky rikonceptualizim i gjeopolitikës paralajmëron një zhvendosje nga idealet normative të multilateralizmit drejt një stabiliteti më pragmatik të mbështetur në potencialin shtetëror. Sfida kryesore nuk qëndron te ekzistenca e interesave shtetërore, por te hezitimi për t’i harmonizuar ato me detyrimet universale, pa cenuar strukturën e rendit ndërkombëtar.

Relativizimi i sovranitetit të shteteve, i konsoliduar përmes Doktrinës Monroe në sfondin amerikan, ka fituar sot trajtën e një rendi diferencues ndërkombëtar, ku vlefshmëria praktike e normave të së drejtës ndërkombëtare dhe respektimi i sovranitetit kushtëzohen nga marrëdhëniet asimetrike të fuqisë ndërmjet subjekteve ndërkombëtare. Se çfarë precedentësh do të lindin nga kjo, këta do të dëshmojë koha.

[1] “Monroe Doctrine (1823)”, Milestone Documents, https://www.archives.gov/milestone-documents/monroe-doctrine (Qasur më 13.1.2026).

[2] Nandika Chatterjee, “The 200-Year-Old Foreign Policy Vision Underlying Trump’s ‘Donroe Doctrine’”, https://time.com/7343795/trump-venezuela-monroe-doctrine-history/ (Qasur më 15.1.2026).

[3] “Platt Amendment (1903)”, Milestone Documents, https://www.archives.gov/milestone-documents/platt-amendment (Qasur më 14.1.2026).

[4] “Theodore Roosevelt’s Corollary to the Monroe Doctrine (1905)”, Milestone Documents, https://www.archives.gov/milestone-documents/roosevelt-corollary (Qasur më 14.1.2026).

[5] Monroe Doctrine (1823), Milestone Documents.

[6] Chatterjee, “The 200-Year-Old Foreign Policy Vision Underlying Trump’s ‘Donroe Doctrine’”.

[7] “National Security Strategy of the United States of America”, November 2025, The White House Washington, https://www.whitehouse.gov/wp-content/uploads/2025/12/2025-National-Security-Strategy.pdf (Qasur më 16.1.2026).

[8] Po aty.

[9] Mariano Aguirre Ernst, “The ‘Trump Corollary’ in the US security strategy brings a new focus on Latin America – but it is a disordered plan” https://www.chathamhouse.org/2025/12/trump-corollary-us-security-strategy-brings-new-focus-latin-america-it-disordered-plan ((Qasur më 17.1.2026).

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X