Ne të gjithë jemi thuajse në një mendjeje, se dashuria mbart sublimen. Por, a ka diçka që e kalon këtë kufi të dashurisë? Nëse do të binim dakord për atë çka mbetet më e njëmendtë për të kaluar këtë kufi ndjesie, do të thoshim Pa dyshim se e kalon vetëm një: Fjala.
Agim BAÇI, Tiranë
….“Gjatë tundimeve të shkurtra për të gjetur një sjellës, personazhi që më shumë më është afruar si hije, ishte Stresi vetë, pikërisht ai që merret me hetimin e çështjes....”[1]. Ismail Kadare futet si një lexues në vorbullën e shumë lexuesve të veprës së tij, por pa ditur se me privilegjin e autorit do të përcaktonte edhe qasjen e shumicës së kritikëve të librit të tij. Thuajse të gjitha këndvështrimet lidhen me konceptin e “besës” dhe të fiksionit, që bartet nga Stresi. Një figurë që vjen e rritet, e që, sipas autorit, duket se edhe meriton të jetë “fituesi i garës”, për të sjellë nusen e largët në shtëpi. Ky version, i ushqyer publikisht nga Kadare, duket se krijon edhe hendekun për Kostandinin, për të qenë ai heroi i duhur. Përballja e Stresit me Kostandinin, e vendosur në plan të parë edhe nga vetë Kadareja, duket e padrejtë, pasi Stresi i ka të gjitha gjasat ta ndërtojë historinë, pasi është kryehetuesi, ndërkohë që Kostandini nuk ka më të drejtën e fjalës, sepse ai është “atje”, në përtejbotë.
Por kjo mëdyshje e autorit nuk është saktësuar as për atë vetë, edhe pse “balada e Doruntinës” ishte një shqetësim që kish nisur të profilizohej, edhe pse në periferi, që nga Muzgu i Perëndive të Stepës, kur tregohet fillimisht si “një e veçantë nga të veçantat”. Më pas, gjithçka vjen e bëhet dominuese te Hija, si një lojë mes personazheve, por në të gjallë, e më pas, gjithçka zë vendin e vet te pyetja e drejtpërdrejtë “Kush e solli Doruntinën?”. Një fabul që duket se ka jetuar, përfshi këtu edhe poezinë e hershme, deri në mbërritjen si pyetje e drejtpërdrejtë.
Megjithatë, duke shmangur mëdyshjet e vetë Kadaresë për sjellësin e Doruntinës, të cilat i ngjajnë më tepër vijimit të lojës artistike sesa dëshirës për t’i thënë fundin një historie, vlen të shtrojmë një shteg të ri të rrugëtimit mbi rrëfimin e kalorësit me të motrën, një rrugëtim që është hartuar përmes dilemës: duhet të na shqetësojë më shumë fakti se kush e solli Doruntinën apo përse e sollën Doruntinën?
Për të saktësuar këtë dilemë, vlen të kalojmë nga mëdyshja e autorit te mëdyshja e personazhit qendror të veprës, ose më saktë, strumbullarit të pyetjeve të mbartura, që i hap rrugë rëndësisë së kësaj përgjigjeje, pra te Stresi, i cili, pas shumë hamendësimesh, na drejton drejt një “tuneli” tjetër, që kërkon dritë, jo më nga ai vetë si një sjellës i mundshëm, por nga heqja dorë prej hetimit dhe dorëzimi më pas tek “e pabesueshmja”.
“Doruntinën e solli Kostandini”, thotë Stresi, pasi ka parashtruar rezultatet e hetimit përballë “jurisë së gjyqit”. E më pas, duke e përsëritur edhe një herë tjetër, shton se përse duhej të ishte Kostandini që duhej ta sillte: “Ju të gjithë keni dëgjuar që më përpara dhe, në qoftë se jo që më parë, së paku në kohën që u nisët këtu, apo në kohën që mbërritët këtu, për dasmën e çuditshme të Doruntinë Vranajt, dasmë që u bë shkak për këtë histori. Ju keni dëgjuar besoj se ajo krushqi e largët, e para e një largësie të tillë, nuk do të bëhej, nëse Kostandini, njëri prej vëllezërve të nuses, nuk do t’i jepte besën nënës se do t’ia sillte Doruntinën sa herë që t’i lipsej, në gaz apo në zi. Dhe ju e dini pastaj se sa shpejt erdhi koha e zisë për Vranajt dhe për Arbrin, por Doruntinën nuk e solli askush, sepse dhënësi i besës, Kostandini, kishte vdekur. Ju kini dëgjuar për mallkimin që Zonja Mëmë i bëri të birit për shkeljen e besës dhe e dini se si tri javë pas këtij mallkimi Doruntina erdhi më në fund në shtëpi. Ja përse unë e shpall dhe e rishpall se Doruntinën e solli askush tjetër, veçse vëllai i saj, Kostandini, fjala e dhënë e tij, besa e dhënë. Asnjë shpjegim tjetër s’ka dhe s’mund të ketë ky udhëtim. S’ka rëndësi, u ngrit apo s’u ngrit i vdekuri nga varri, për ta kryer vetë atë që duhej të kryente, s’ka rëndësi se cili qe kalorësi dhe ç’kalë shaloi ai atë natë të errët kur u nis, ç’krahë mbanin frerin dhe mbi flokët e kujt binte pluhuri i udhës. Secili nga ne ka pjesën e vet në këtë rrugëtim……Ne të gjithë…[2]
Pra, thirrja e Stresit është më se e qartë: Duhet të shohim mesazhin e ardhjes së Doruntinës, një mesazh ku, siç shprehet në fund të kryehetimit, “secili nga ne ka pjesën e vet në këtë rrugëtim”, pra duhet të jesh një pjesë e asaj dëshire për t’u kryer ajo që duhet, që të jesh edhe prej atyre që e kuptojnë atë.
Për këtë rrugëtim në “ndihmë” Stresit i vjen kritiku Ali Aliu, duke vijuar fjalimin e tij. “Doruntina u kthye në shtëpi, domethënë u vu në vend fjala e dhënë. Kush ishte ai që e mbajti besën, ai që e shpuri fjalën e dhënë në vend, pra fakti me kë u kthye Doruntina, mbetet çështje e dorës së dytë”, thotë Ali Aliu[3]. Megjithatë, edhe Aliu, në një dilemë të këndvështrimit të tij, bën një gjysmëtërheqje, edhe pse me anim nga rëndësia e ardhjes së Doruntinës. “Edhe Stresi i gjallë, edhe Kostandini i vdekur, janë pranë e pranë, në një përjetësi të pashkoqur… Doruntinën ka mundur ta sjellë fryma e Kostandinit, vetë ai, si frymë edhe si fanitje, ka mundur ta sjellë pasuesi i tij i gjallë, qoftë edhe vetë Stresi”, thotë Ali Aliu[4], duke shkuar pikërisht drejt hullisë që ka ndërtuar Kadare në dilemën e tij, thënë “me zë të lartë” në librin “Ftesë në studio”.
Por, ka nga ata studiues që, përmes hetimit, e më pas dorëzimit të Stresit drejt baladës, dëshirojnë më shumë t’i vënë theksin një beteje tjetër – asaj të autorit me sistemin, çka e mban sfidën vetëm në kufijtë e disidencës. Por, ky këndvështrim me disidencë duket i sforcuar dhe më shumë është ushqyer nga kritikët e huaj, duke u pëlqyer (jo publikisht) edhe nga vetë autori që nuk ka kundërshtuar të tilla qëndrime, si p.sh Eric Faye që shkruante: “Kostandini është i vetmi disident i personazheve të Kadaresë, në një kohë që Shqipëria po vetmohej për shkak të izolimeve pa fund”[5]. I së njëjtës linjë me Faye-në shfaqet edhe studimi eseistik i belgut Piet de Moor, i cili kërkon t’i bëjë një analizë kësaj vepre duke e vënë atë përballë pushtetit, nën të cilin Kadareja edhe shkroi veprat e tij kryesore. “Tema e kapërcimit të kufijve (Shqipëria është e mbyllur përballë perëndimit të hapur, martesa përballë incestit, vdekja përballë jetës) përbën zanafillën e historive të përshkruara në veprën e Kadaresë. Këtu futen edhe martesat problematike brenda të njëjtit fis, endogamia ose incesti; prandaj nuk është çudi që regjimi shqiptar e kundërshtoi veprën Kush e solli Doruntinën. Një shkrimtar, i cili guxon ta konfrontojë atë diktaturë që mbrohet me armë dhe tela me gjemba nga pjesa tjetër e botës, me një histori ku një vajzë braktis Shqipërinë për t’u martuar jashtë shtetit, gjendet menjëherë në shënjestrën e pushtetarëve”, shkruan De Moor[6].
Për kritikën ndërkombëtare, vendin kryesor e zë fiksioni dhe modernizmi. Të anuar nga debatet e kohës, por edhe nga vetë autori, ashtu si edhe kritika shqiptare, mjaft kritikë europianë dhe amerikanë kanë mbështetur, edhe pse jo në theksin e plotë, idenë e “besës”, si një “e veçantë arbërore”. I kësaj linje është kritiku spanjoll Nieto. “Kostandinin e detyronte ‘besa’, fjala që i kishte dhënë së ëmës se do t’ia sillte të bijën kudo që ajo ndodhej, nëse nëna kishte nevojë që ajo të kthehej…. Kadareja ka ditur të mbajë një klimë intrige, të përzierë me legjendën dhe fjalën e urtë popullore të Arbërisë[7]”. Ndërsa për analistët amerikanë, ngjarja është edhe më “tradicionale”, e njëkohësisht moderne, por pa përcaktuar përfundimisht rëndësinë e ndonjë definicioni në “kalërimin” e Kostandinit mes dy botëve. “Ngjarja paraqitet në Shqipërinë mesjetare, pas përleshjeve të mëdha midis katolikëve dhe kishës ortodokse. Ngjarja është një legjendë, por zëri tregues i kapitenit Stres, tingëllon çuditërisht modern. Po ashtu, moderne është edhe ndërthurja e tregimit në interpretimet e tij të mundshme”, thuhet në New Amsterdam Books[8]. Edhe Stephan Salisbury i shtohet enigmës së ndërmjetme. “Një parabolë magjike dashurie, vdekjeje dhe pushteti të prangave të familjes”[9]. Për revistën Liberty Review, me mjaft rëndësi është raporti me kohën. “Ajo çka të tërheq më shumë kur lexon Doruntinën është sensi i kohës. U vlen të gjitha kohërave. Proza e tij nuk është e ngarkuar me fshatarësinë supersticioze apo historinë fetare, të cilat janë tipike për romanet moderne të mesjetës. i gjithë libri është diçka e lehtë, proza e tij është delikate dhe imponuese. Shpesh autori në këtë vepër duket se i nënkupton gjërat, dhe rrallë i shpreh ato haptas”[10]. Megjithatë, të gjitha këndvështrimet duket se i hapin rrugë dilemës më të madhe të të gjithë rrëfenjës: “Përse e sollën Doruntinën?”, ose më saktë “Përse duhej të mbërrinte Doruntina në shtëpinë e saj?”, duke e vënë përballë pyetjes së njohur botërisht nga vetë autori: “Kush e solli Doruntinën?”.
Ndërkaq, studiuesi Shaban Sinani, duke e konsideruar motivin e vdekjes ndër motivet më të fuqishme të prozës kadareane, thekson se ringjallja e Kostandinit është “nderim për besën”[11]. Sinani thekson se legjenda e Doruntinës nuk ishte “punë legjendash”, por konkluzion i një epoke historike. “Ajo shpallte lidhjet e lashta të kulturës së popullit tonë me ato të vendeve të qytetëruara të kontinentit”, shprehet Sinani[12]. Për Sinanin, Doruntina është një kumt për “dhënien e besës”, por edhe një rikthim për të zgjuar atë që ai e quan “Shën Njeriu”, e cila është një thirrje për rilindje morale[13]. Ky këndvështrim antropologjik është një ndërlidhje mes këndvështrimit nga brenda dhe jashtë të baladës, duke e ndërlidhur mentalitetin e pastër shqiptar me atë çka perceptojnë ata që nuk kanë jetuar kurrë “me zakonin e shqipes”. Ndryshe nga të huajt, Sinani nuk veçon asnjë disidencë të autorit.
Përse këto hamendësime?
Nëse do t’i përgjigjeshim pyetjes “Kush?”, pa ditur “Pse?”, duket se nuk do të mund të ndërtonim urën e duhur për të shkuar drejt rrugës së nevojshme të dhënies së një përgjigjeje të besueshme, jo për nga faktet, por për nga ajo që ne kemi dashur, sidomos parë kjo në rëndësinë e baladës, si zëdhënëse e të gjitha kohërave, e jo të një kohe të vetme. Ndaj, hetimit të Stresit për ardhjen e Doruntinës ne do t’i përgjigjemi me një “hetim” të ri, ndryshe nga gjetja e përgjegjësit: Përse e sollën Doruntinën? Një pyetje që më pas do të mund të na bëjë edhe më kërkues ndaj “faktit” se, përse ajo duhej të kthehej në shtëpi?
Vetë Kadare gjatë rrëfimit i është shmangur përgjigjes së prerë, duke anuar nga vijimi artistik i leximit, përmes ngritjes së mëdyshjeve hetimore. E gjitha kjo më shumë i shkon për shtat shmangies së përgjigjeve se sa dhënies së tyre. Mungesa e përgjigjes për pyetjen “Kush”, është veçse ngritja e një hullie për të kuptuar pyetjen “Përse?”. Sepse është thelbësore që për të menduar atë që është edhe më e rëndësishme, duhet së pari të ndahesh nga e parëndësishmja.
Por, pyetja “Kush?” nuk është e lehtë. Atëherë çfarë ndodh? Ndodh që të nisë dyshimi. Dhe, rezultati që vjen nga ajo ç’ka mund të sjellë dyshimi është i qartë: mund të pjellë mendime të tmerrshme, siç është ai i incestit të supozuar, ose i udhëtimit erotik me një të panjohur, ose edhe me vetë Stresin “që mungon në mënyrë të mistershme”.
Megjithatë, duhet pranuar se në fund hetimi i kujdesshëm, e për më tepër shumë i detajuar i Stresit, arrin një qëllim të jashtëzakonshëm – zhduk mundësitë e rëndësishme të leximit për t’u bazuar te rëndësia se kush e solli. Duke zhvlerësuar këtë hetim, përmes detajimit të ngjarjes, dhe duke përfunduar në variantin që nis si i pabesueshëm, atë të ngritjes së Kostandinit nga varri, Stresi shtron rrugën drejt asaj ç’ka sjellë Doruntina me mbërritjen e saj në shtëpi, e jo për atë që e solli në shtëpi.
Doruntina sjell rëndësinë e ardhjes së saj, si një prej mundësive të vetme për të mbetur “moralisht gjallë” të atij që ka premtuar rikthimin e saj. Sepse sipas të gjithë studiuesve dhe komentuesve që mbështesin teorinë e Krijimit të Njeriut, ai që nuk di të mbajë fjalën, është i vdekur qysh në këtë botë – sepse ai nuk është në hullinë e njeriut të vërtetë, në hullinë e asaj që na dallon nga çdo qenie tjetër – atë të mundësisë të tregojmë se cilët jemi dhe se çfarë mund të bëjmë.
Ne të gjithë e kemi të lehtë të hamendësojmë se të gjitha variantet e ngritura gjatë hetimit nga Stresi mund të jenë të mundshme, por askush nuk e kapërcen atë- të pamundshmen – rikthimin tek ai që e nisi duke u betuar për rikthim. Sepse ajo është e vërteta e së vërtetës – është ajo që ne duam që të ndodhë, e që i kalon të gjithë kufijtë e mundshëm, kufijtë e rrokshëm, të cilët ne i harrojmë me lehtësi.
Ku mbështetet ky “hetim i ri”?
Një vepër arti duhet të ketë pikësëpari arsyen “Njeri” për t’iu përgjigjur “arsyes lexim” nga çdo banor i këtij planeti. Pra, duhet të jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjes: sa na bën njeri, sa e prek njerëzoren brenda nesh një vepër arti?
Pa dyshim, në këtë operacion të gjetjes së identitetit njerëzor brenda nesh, fjala e dhënë mbart edhe misionin më të rëndësishëm të njerëzores, si një veti nga ku ngrihen më pas shtyllat e veprimit, pra edhe të mundësisë më të madhe për bashkëveprim njerëzor. Duke parë këtë udhë të gjatë ku udhëton fjala, a mundemi të gjejmë një përgjigje se sa na bën “Njeri” fjala e dhënë? Ose, edhe nëse udhëtojmë në “krahun e kundërt”, sa na e shemb brenda nesh “njerëzoren” fjala e pambajtur?
Ne të gjithë jemi thuajse në një mendjeje, se dashuria mbart sublimen. Por a ka diçka që e kalon këtë kufi të dashurisë? Nëse do të binim dakord për atë çka mbetet më e njëmendtë për të kaluar këtë kufi ndjesie, do të thoshim Pa dyshim se e kalon vetëm një: Fjala. (Se Dashuria pa Fjalën do ishte diçka që do të mbetej aty ku ndodhte, pa mundur ta kuptojë askush, pa udhëtuar kurrkund, pa qenë shtysë për asnjë). Por cila fjalë qenka vendimtarja? – Pa dyshim ajo fjalë që na bën Njeri, ajo që na dallon nga çdo qenie tjetër, ajo që na jep kuptim dhe na bën të kuptojmë atë që na veçon nga çdo qenie tjetër.
Por, çfarë njeriu do të ishte ai që s’do ta mbante fjalën? Sepse fjala e dhënë është mënyra për të respektuar veten, për të dashur veten, e më pas edhe të tjerët.
Pra, nga fjala, ose më saktë, nga mbajtja e fjalës, nis njeriu, nis besa e madhe, ajo ndaj vetes. Sepse për të mbajtur besën ndaj atdheut, mjafton shpesh të jesh edhe vetëm trim. Ndërsa për të mbajtur fjalën ndaj vetes, duhet të jesh më shumë se sa një trim: duhet të dish të duash, të falësh, të japësh, të marrësh, të bësh kompromise me veten.
Variantin e gjetjes së vetvetes e mbështesin edhe variantet arbëreshe të baladave, të cilat flasin për një origjinë të lashtë të botëkuptimit të jetës, ku natyrisht ka rëndësi ajo që e veçon njeriun nga gjithçka tjetër në këtë botë. E nëse i referohemi një terminologjie të preferuar nga Gëte dhe Shiler në studimet e tyre mbi baladën, vetëm ajo që na bën “Njeri” është “e kaluara absolute”. Pra, ajo çfarë ka kaluar pa këtë gjurmë e ka shënuar vdekjen shumë më parë se të shënohet në atë botë.
[1]Ismail Kadare, Ftesë në studio, shtëpia botuese ““Naim Frashëri”, Tiranë, 1990, f. 167.
[2] Ismail Kadare, Kush e solli Doruntinën, Onufri, Tiranë, 2004, ff. 186-188.
[3]Ali Aliu, Miti ballkanik te Kadareja, Onufri, Tiranë, 2006, f. 75.
[4]Ali Aliu, Miti ballkanik te Kadareja, Onufri, Tiranë, 2006, f.78.
[5] Ismail Kadare, Kush e solli Doruntinën, Onufri, Tiranë, 2004, f. 4.
[6]Piet de Moor, Një maskë për pushtetin, Onufri, Tiranë, 2007, f. 36.
[7]Bashkim Kuçuku, Kadare në gjuhët e botës, Onufri, Tiranë, 2005, ff. 435-436.
[8]Bashkim Kuçuku, Kadare në gjuhët e botës, Onufri, Tiranë, 2005, f. 360.
[9] Bashkim Kuçuku, Kadare në gjuhët e botës, Onufri, Tiranë, 2005, f. 361.
[10]Bashkim Kuçuku, Kadare në gjuhët e botës, Onufri, Tiranë, 2005, f. 361.
[11] Shaban Sinani, Për prozën e Kadaresë, Naimi, Tiranë, 2009, f. 112.
[12]Shaban Sinani, Për prozën e Kadaresë, Naimi, Tiranë, 2009, f. 109.
[13]Grup autorësh, Letërsisa bashkëkohore shqiptare, Alb-as, Tiranë, 2001, ff. 166-167.