loader image
October 30, 2025

Don Kishoti sipas Nolit

“Një nga gabimet, ndër mjaft punë të vyera që ka bërë Fan Noli në punën e tij si përkthyes, është përdhunimi i origjinalit të librit “Don Kishoti i Mançës”, duke i vendosur ngjarjet e pjesës së parë në Shqipëri dhe një parathënie e tij që shpjegon këtë zgjedhje. Në këtë parathënie, i mllefosur me shtresën feudale që e rrëzoi nga pushteti, ose dhe i ndikuar nga teoritë marksiste që lëvizjen e historisë e shpjegonin nëpërmjet luftës së “kllasave”, ai e komenton librin e madh të Servantesit duke e thjeshtëzuar e paraqitur figurën e Don Kishotit si një “bejlurçin prapanik”, që donte të ndalte rrotën e historisë e ta kthente shoqërinë “nga kapitalizma në feudalizmë”, nga “përparimi në errësirë”.

Edison ÇERAJ, Tiranë

Në Shqipëri, “Don Kishoti” vazhdon me qenë i Nolit, jo i Mançës, jo i Cervantes-it.

Në nji shkrim të hershëm në gazetën “Shekulli”, Fatos Lubonja, me të drejtë, i kushton vëmendje mënyrës se si e ka sjellë Noli “Don Kishotin” në shqip. Me “sjellje” në këtë rast nuk bahet fjalë vetëm për përkthimin, por edhe paraqitjen e kësaj kryevepre te lexuesi përmes “introduktës” dhe përqasjes së saj në kontekste të tjerë, me nji ngarkesë të veçantë socio-politike.

Shqetësimi që ngre Lubonja është vërtet i randësishëm, jo vetëm sepse bahet fjalë për keqkuptimin e nji kryevepre, por ka diçka edhe ma të thellë:

“Sipas meje, një nga gabimet, ndër mjaft punë të vyera që ka bërë Fan Noli në punën e tij si përkthyes, është përdhunimi i origjinalit të librit “Don Kishoti i Mançës”, duke i vendosur ngjarjet e pjesës së parë në Shqipëri dhe një parathënie e tij që shpjegon këtë zgjedhje. Në këtë parathënie, i mllefosur me shtresën feudale që e rrëzoi nga pushteti, ose dhe i ndikuar nga teoritë marksiste që lëvizjen e historisë e shpjegonin nëpërmjet luftës së “kllasave”, ai e komenton librin e madh të Servantesit duke e thjeshtëzuar e paraqitur figurën e Don Kishotit si një “bejlurçin prapanik”, që donte të ndalte rrotën e historisë e ta kthente shoqërinë “nga kapitalizma në feudalizmë”, nga “përparimi në errësirë”. Pra, si një figurë qesharake, e cila së bashku me shokun e tij të aventurës, Sanço Pançon, që Noli e quan “laro”, meriton të përqeshet. Në mësimet e letërsisë të shkollave të mesme gjatë gjithë epokës komuniste, parathënia e Nolit ishte baza e komentit që i bëhej Don Kishotit nga mësuesit e letërsisë – çka i shkonte për shtat edhe shpjegimit marksist-leninist për botën tonë, edhe propagandës antizogiste. (Duke patur parasysh mjerimin e arsimit tonë, kam frikë se kështu e trajtojnë edhe sot.)” (Lubonja, 2001)

Pra, nji prej atyre veprave që Koha tashma e ka dhanë gjykimin e saj se është monumentale, ndoshta romani ma i mirë i shkruar ndonjiherë, personazhi i tij kryesor etiketohet aq lehtë si “bejlurçin prapanik” prej vetë përkthyesit, që paska dashtë me e kthy shoqërinë nga drita në errësirë!

Ja pse në Shqipëri, ajme, Don Kishoti përfaqëson njeriun naiv, të trashin, atë që i hyn detit n’kambë, atë që nuk kupton se si funksionon bota, gja që nuk ka ba vaki në asnji vend tjetër.

E krejt kjo prej peshqeshit që na la Noli dhe sidomos prej kanonizimit që i bani komunizmi këtij interpretimi për breza me radhë.

Pa dyshim që kjo është nji qasje sipërfaqësore, dhe kjo është ma e pakta që mundet me u thanë për këtë qëndrim ndaj Don Kishotit.

Në figurën e Don Kishotit shfaqet në nji mënyrë të gjallë ajo që Platoni e quante “hija e së Vërtetës”. Ai jeton i përshkuar nga idealet, duke pa përtej mureve të shpellës, ku njerëzit shohin vetëm kopje. Për të, bota e përditshme nuk është e mjaftueshme, ndaj ai i jep shpirt nji përmasë ma të lartë, edhe pse të tjerët e quajnë mashtrim apo andrra n’beze.

Kjo e vendos Don Kishotin pranë asaj që Kierkegaard-i do ta quante “njeriu i besimit”, i sakrificës: individi që guxon me ecë vetëm, kundër turmës, duke zgjedhë “të pamundurën”, sepse aty e sheh përmbushjen e vetme të ekzistencës. Tek ai gjejmë ankthin ekzistencialist, por edhe guximin për me e përqafu atë.

Njëkohësisht, në planin etik, Don Kishoti mishëron atë që Nietzsche do ta përshkruante si “tjetërsues i vlerave”, i vlerave të popullit/masës. Në nji botë që i përulet logjikës së interesit konkret, të menjihershëm, ai vendos nji horizont tjetër: drejtësinë, moralin, të vërtetën – jo si mjete, por si qëllime. Pikërisht për këtë shoqëria e etiketon si “të marrë” (sot “non grata”), sepse idealizmi i tij ekspozon zbrazëtinë e normave që ajo vetë ka pranuar.

Në këtë kuptim, Don Kishoti është jo vetëm nji figurë letrare, por nji arketip filozofik. Ai është “njeriu i përjetshëm” që mishëron tragjedinë e njeriut ndërmjet asaj që është dhe asaj që duhet të jetë, ndërmjet botës së interesit dhe botës së idealit.

Ai nuk lufton vetëm me mullinjtë e erës, por me erën e padukshme të harresës, me heshtjen dhe kompromisin e shoqërisë që është mësu me u përkulë.

Tek ai, humori dhe dhimbja bahen nji. Aty gjejmë edhe nji buzëqeshje që lind nga plagët, nji ironi që mbart mallin për nji botë ma të drejtë.

Pavdekësia e tij qëndron pikërisht në këtë tension: në faktin se ai nuk arrin kurrë, por as nuk resht kurrë së kërkuari – nuk dorëzohet.

Don Kishoti është andrra që guxon me ecë mbi tokë, si nji pasqyrë që pakkush e merr guximin me i dalë përpara. E kështu qeshin me të, se nuk qajnë dot.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X