Fondi Sovran si qëllim primar e ka menaxhimin e pasurisë së rëndësishme publike, duke rritur vlerën, performancën dhe kthimin në investime përmes mirëqeverisjes, planifikimit të duhur afatgjatë dhe mbikëqyrjes së efektshme. Gjithashtu, fondi synon të sigurojë kapital dhe partneritet për ta rritur shumëllojshmërinë, qëndrueshmërinë financiare, konkurrueshmërinë dhe shkathtësitë punuese e teknologjike të ekonomisë së vendit.
Shkruan: Lulzim BEQIRI, Prishtinë
Fondi Sovran llogaritet të jetë projekti më i madh zhvillimor për ekonominë kosovare. Ky projekt ka nisur si rezultat i premtimit elektoral nga partia në pushtet në fushatën zgjedhore të vitit 2021. Qeveria aktuale ka hartuar projektligjin për Fondin Sovran, i cili pritet të miratohet në ekzekutiv dhe pastaj t’u dërgohet për aprovim deputetëve të Kuvendit të Republikës.
Fondi Sovran i Republikës së Kosovës do të jetë institucion investues dhe zhvillimor, i cili do ta rregullojë menaxhimin e aseteve, investimet dhe financimin e fondit. Fondi është i hartuar ashtu që ta nxitë qëndrueshmërinë ekonomike, shoqërore dhe mjedisore në qeverisjen e ndërmarrjeve përmes këtyre mjeteve:
– Këshilli i punëtorëve ose organizimi sindikal;
– Kontrata kolektive sipas legjislacionit në fuqi;
– Barazia gjinore në përbërjen e organeve të ndërmarrjes; dhe
– Standardet e qëndrueshmërisë mjedisore.
Fondi Sovran si qëllim primar e ka menaxhimin e pasurisë së rëndësishme publike, duke rritur vlerën, performancën dhe kthimin në investime përmes mirëqeverisjes, planifikimit të duhur afatgjatë dhe mbikëqyrjes së efektshme. Gjithashtu, fondi synon të sigurojë kapital dhe partneritet për ta rritur shumëllojshmërinë, qëndrueshmërinë financiare, konkurrueshmërinë dhe shkathtësitë punuese e teknologjike të ekonomisë së vendit. Siç parashihet në projektligjin për Fondin Sovran, ky fond do ta përkrahë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, të mbështetur në drejtësinë shoqërore, barazinë gjinore dhe mbrojtjen e mjedisit sipas ligjit dhe standardeve europiane dhe ndërkombëtare, do të shërbejë si institucion investues i Republikës së Kosovës, do ta përfaqësojë interesin financiar të Republikës së Kosovës dhe do t’i përkrahë orientimet zhvillimore afatgjata të Qeverisë.
Kapitali themeltar i Fondit parashihet të jetë rreth njëzet milionë (20 000 000) euro, i shprehur në një aksion të vetëm. Kapitali mund të rritet me statutin e fondit. Kapitali themeltar mbulohet në tërësi nga Republika e Kosovës dhe derdhet në llogarinë që mbahet në Bankën Qendrore në emër të fondit. “Aksionet e fondit nuk mund të tjetërsohen. Fondi nuk mund të emetojë, të shesë, të dhurojë ose të lërë peng aksione të Fondit.”, thuhet në projektligjin për fondin sovran.
Republika e Kosovës nuk lë peng aksionet e Fondit dhe nuk i ngarkon me barrë asetet e Fondit, nuk e tërheq kapitalin nga Fondi, përveç nëse Qeveria, me pëlqim të Kuvendit të Republikës, vendos ta bartë asetin e Fondit në pronësi të Republikës. Bartja lejohet kundrejt kompensimit të vlerës së tregut.
Sipas projektligjit, asetet e fondit ndahen në këto kategori:
– Asete të rezervuara;
– Asete strategjike; dhe
– Asete të portofolit.
Aseti i rezervuar është industri me karakter të sigurisë, të mbrojtjes ose të interesit jetik për Republikën e Kosovës. Fondi nuk mund të shesë, të dhurojë ose ta ngarkojë me barrë asetin e rezervuar. Aseti strategjik është aset i rëndësishëm i ekonomisë së vendit. Fondi mban shumicën e të drejtave kontrolluese dhe shumicën e aksioneve ose të pjesëmarrjes në pronësi të asetit strategjik. Aseti i portofolit është çdo aset i Fondit që nuk është i rezervuar ose strategjik. Fondi mund ta disponojë asetin e portofolit sipas këtij ligji.
Sipas vlerësimeve të grupit punues të projektligjit për Fondin Sovran, këto do të jenë ndërmarrjet publike, të cilat mund t’i barten fondit sovran:
– Korporata Energjetike e Kosovës;
– Telekomi i Kosovës;
– Posta e Kosovës;
– Kombinati Metalurgjik “Trepça”;
– Trainkos;
– Infrakos.
Korporata Energjetike e Kosovës SH.A. (KEK SH.A.) është ndërmarrja kryesore energjetike në Republikën e Kosovës. Ajo është e integruar vertikalisht dhe është korporatizuar në fund të vitit 2005. Asetet e Korporatës janë nën pronësi të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në periudha të ndryshme kohore KEK sh.a. iu nënshtrua ndryshimeve të shumta. Kapitali i kompanisë është rritur në € 312.7 milion në 2022, duke reflektuar strukturën kapital/detyrime në 54 për qind kapital me 46 për qind detyrime në 2022.
Posta e Kosovës u ngrit dhe u zhvillua deri në fund të viteve të tetëdhjeta, në kohën kur u bë suprimimi i autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Përkrah institucioneve të tjera, edhe Posta dhe Telegrafi i Kosovës u shfrytëzuan pamëshirshëm për t’u shkatërruar tërësisht në luftën e viteve 1998-1999. Me përfundimin e luftës, saktësisht më 2 gusht 1999, punonjësit e dëbuar u rikthyen në vendet e tyre të punës.
Për Trepçën, si vendburim xeheror, dihet që nga koha e sundimit të romakëve në këto vise (bazuar në dokumentin në arkivin e Dubrovnikut të vitit 1303), mirëpo eksploatimi modern i “Trepçës” ka filluar në vitin 1927, nga ana e shoqërisë aksionare “Trepça Mine Ltd.”, e themeluar në Londër. Në këtë periudhë e fillon “jetën” Trepça e sotme. Prodhimi i rregullt në Trepçë fillon në vitin 1930 dhe për një kohë shumë të shkurtër Trepça ishte shtylla kryesore industriale e ekonomisë së Kosovës.
Pas shumë përpjekjeve, në nëntor të vitit 2016 Kuvendi i Kosovës e shpëtoi Trepçën nga likuidimi me nxjerrjen e Ligjit për Trepçën, me ç’rast e transformoi në shoqëri aksionare, ku 80 për qind të aksioneve të kësaj korporate janë pronë e qeverisë së Republikës së Kosovës dhe 20 për qind të aksioneve në pronësi të punëtorëve të Trepçës.
Misioni i Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës “Infrakos” SH.A. është që të operojë me rrjetin hekurudhor të Kosovës, t’i rrisë dhe mirëmbajë vijat hekurudhore për operim, duke u bazuar në standardet e Bashkimit Europian.
Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh.A. është një kompani e orientuar kah tregu që do të ofrojë shërbime të transportit të mallrave dhe udhëtarëve në mënyrë konkurruese, të sigurt, ekonomike dhe miqësore me mjedisin.
Pra bashkimi i këtyre ndërmarrjeve do të krijojë ndërmarrje të fuqishme zhvillimore, do ta përmirësojë tej mase infrastrukturën ligjore dhe orientimin drejt profitit më të madh.
Sipas “Sovereign Wealth Fund Institute”, aktualisht ekzistojnë 134 fonde sovrane (FPS) në botë, nga të cilat 23 janë në Afrikë, 24 në Azi, 9 në Australi dhe Paqësor, 20 në Europë, 14 në Amerikën Latine, 25 në Lindjen e Mesme dhe 18 në Amerikën Veriore. 13 nga top 100 FPS-të, në bazë të vlerës totale të aseteve nën menaxhim, gjenden në kontinentin e Europës, duke përfshirë FPS nga Norvegjia, Rusia, Gjermania, Austria, Irlanda, Finlanda, Spanja, Belgjika, Greqia, Malta dhe Luksemburgu, ndërsa FSP që kanë vlerë më të vogël (pra që nuk janë në top 100), por që gjenden në Europë, përfshijnë ato nga: Franca, Suedia, Monako dhe Polonia. Ndonëse nuk është e renditur nga IFPS, një FPS tjetër nga Europa e që ka relevancë krahasuese për Kosovën. është edhe “Slovenian Sovereign Holding” e themeluar në vitin 1993 në Slloveni.
Zotërimi i tregut të FPS-ve është në duart e 10 fondeve sovrane me 73 për qind të gjithë pasurive në dispozicion me një vlerë që e arrin shumën 7.4 triliardë euro, ku si liderë prin shteti i Norvegjisë me 930 miliardë euro. Duke u bazuar edhe në suksesin që kanë fondet e përmendura, si edhe fondet tjera, edhe fondi kosovar do të jetë i suksesshëm në zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas të dhënave nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (tetor 2021), janë 592 ndërmarrje/njësi punuese të cilat janë nën administrimin e Agjencisë, si:
– 515 janë gjithsej Ndërmarrje Shoqërore dhe Ndërmarrjeve të Reja; dhe
– 77 janë gjithsej asete/njësive punuese në Kosovë, selitë e të cilave janë jashtë Kosovës.
Statusi aktual i të gjitha ndërmarrjeve/njësive punuese nën administrim të Agjencisë është si në vijim:
– 579 NSH të vendosura në likuidim;
– 544 NSH ende në proces të likuidimit;
– 35 NSH me proces të përmbyllur me vendim të Dhomës së Posaçme;
– 15 NSH në tranzicion, të cilat ende nuk i janë nënshtruar procesit të likuidimit;
– 11 NSH të cilat nuk administrohen nga AKP, por që procesi i transferimit të tyre ende nuk ka përfunduar me institucionet tjera (Kosovatransi dhe Ekonomitë Pyjore).
Sipas AKP-së, janë 94 asete, si: miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, pika të karburanteve, qendra rehabilituese, zyra, toka bujqësore të të gjitha kategorive e të tjera, si edhe rreth 48 mijë hektarë tokë që mund t’i barten Fondit Sovran.
Prandaj Fondi Sovran do të jetë një nga nismat më të mira të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës. Ky fond vjen si rezultat i një gjakderdhjeje financiare që ka ndodhur në të kaluarën, si në privatizim, ashtu edhe në menaxhimin e ndërmarrjeve publike.