Në fazat e hershme të jetës njeriu e ka të vështirë të kuptojë vlerën që ka dituria në ruajtjen dhe mbrojtjen e jetës. Ëndrrat për përmasën materiale të jetës janë shumë më të fuqishme për të diktuar qëndrimet dhe kahun e lëvizjeve në jetë. Pothuaj çdo përpjekje, sado e vogël, lidhet ngushtësisht më përfitimin material, pasi përmirësimi i kësaj pozite perceptohet si mundësia më e mirë për të ndryshuar statusin në shoqëri.
Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë
Brezat i lënë vendin njëri-tjetrit në përpjekje për të çarë shtratin ku duhet të rrjedhë lumi jetësor. Rishtarët ndërtojnë ëndrrat e tyre, trasojnë rrugët që duhet të ndjekin për t’i realizuar. Është për t’u vlerësuar që kanë ëndrra ku përfshihen edhe vlera të rëndësishme njerëzore, që kanë përcaktuar horizonte ku duan të arrijnë, sepse edhe mund të mos kenë ëndrra ose ëndrrën më të madhe të jetës të kenë përplotësimin e përmasës materiale dhe asgjë tjetër.
Në çdo përpjekje që bën për të hapur trasenë e jetës, gjithmonë do të qëndrosh përballë dilemës, mirë apo keq, drejtë apo gabim. Ky tension i brendshëm do të ndihmojë njeriun të njohë vetveten dhe fuqinë e besnikërisë ndaj vlerave njerëzore që duhet ta karakterizojnë në çdo hap që hedh. Duhet punuar që jeta të përmirësohet, por ky përmirësim të mos jetë vetëm në përmasën fizike, duke qenë indiferent tërësisht ndaj përmasës shpirtërore. Indiferenca ndaj përmasës shpirtërore sjell dëme të pariparueshme në jetën e njeriut. Janë dëme që nuk vërehen aty për aty, por me kohën thellohen dhe vështirësojnë ndjeshëm jetën, pasi jo vetëm veten por edhe njerëzit që të rrethojnë i vlerëson vetëm mbi përmasën e interesit material. Nëse njeriu i nënshtrohet këtij verdikti, bukuria e jetës, ngjyrat dhe hijeshia e saj kanë vdekur.
Në fazat e hershme të jetës njeriu e ka të vështirë të kuptojë vlerën që ka dituria në ruajtjen dhe mbrojtjen e jetës. Ëndrrat për përmasën materiale të jetës janë shumë më të fuqishme për të diktuar qëndrimet dhe kahun e lëvizjeve në jetë. Pothuaj çdo përpjekje sado e vogël lidhet ngushtësisht më përfitimin material, pasi përmirësimi i kësaj pozite perceptohet si mundësia më e mirë për të ndryshuar statusin në shoqëri. Anashkalohet vlera e dijes në sendërtimin e personalitetit dhe ecja në rrugën e saj konsiderohet shpenzim i panevojshëm kohe. Fitimi i shpejtë është busulla. Arritja në majë të shoqërisë sa më shpejtë është shënjestra. Ethshmëria ndaj këtyre arritjeve është kaq e fuqishme saqë përpin gjithë shqetësimet e tjera dhe e fokuson njeriun vetëm në pikën e përmasës materiale.
Është ende në fazën e mungesës së përvojës. Përballja me jetën i duket si lojë dhe vështirësitë e saj as që i shkojnë nëpër mend. Shpërfill përvojën e më të vjetërve. Mendon se këshillat e tyre vlejnë pak në një botë që ndryshon dita – ditës. Beson se nëse ndjek përvojën e më të urtëve rriten mundësitë që të mos realizojë ëndrrat për të ardhmen e madhe. I ushqyer me këto mendime e ka të vështirë të pranojë vlerën e diturisë, vlerën e më të urtëve. Është ende koha e ëndrrave të mëdha, që shpejt përballja me jetën do t’i sistemojë dhe do t’i zbresë nga piedestali ndezullive për t’u dhënë vlerë aq sa kanë vlerë.
Jeta pa dije do të ishte zbrazëti, prandaj çdo njeri e ka për detyrë të përpiqet të shtojë nga një gjë të re prej dijes që ruan dhe mbron njerëzoren tek njeriu. Pa këtë dije edhe sikur të jetë i aftë të kryejë funksionet më të vështira në profesione të ndryshme, nuk mund të përjetohet bukuria e jetës. Pa këtë dije njeriu është thjesht një mekanizëm i akullt që zë një vend të caktuar në ingranazhin e madh të shoqërisë dhe kryen një funksion për të cilin shoqëria ka nevojë në sferën konsumeriste. Edhe këto funksione duhen kryer, por kur ato janë jashtë binarëve të njerëzores atëherë janë rrezik për njeriun dhe shoqërinë. Nëse këto funksione vlerësohen me përmasën njerëzore, frytet e tyre do të jenë të ushqyera më dashurinë për të mirën e të drejtën dhe për rrjedhojë edhe shoqëria do të jetë më e prekshme prej mirësive. E gjitha është frut i dijes që duhet të ketë njeriu. Por a mund të bëhesh i ditur vetëm se je pasardhës i një njeriu të ditur?
Dija është det i thellë, mbushur me vështirësi dhe pengesa kapërcimi i të cilave mund edhe të të stepë, të të zhbëjë vrullin me të cilin nisesh në rrugën e diturisë. Nëse zemra e njeriut digjet nga dashuria për dijen, nuk ka pengesë që t’ia pamundësojë kërkimin e saj. Nuk ka rëndësi në je apo nuk je pasardhës i një njeriu të ditur. Mjafton dashuria e pastër dhe e sinqertë ndaj dijes që ta shtyjë njeriun drejt përpjekjeve titanike për të kërkuar dituri nga djepi deri në varr. Nëse nuk i kushton kohë diturisë nuk mundesh me qenë i ditur. Nëse nuk i kushton kohë përcjelljes së saj nuk mundesh me qenë i ditur. Nëse nuk jeton sipas asaj dije që ke marrë nuk mundesh me qenë i ditur. Mundesh me qenë pasardhës i një njeriu të ditur, por në qoftë se në qenien tënde nuk rrezaton asgjë nga sa u tha më sipër, thjesht gjaku që ke trashëguar nuk të bën automatikisht të ditur. Nëse pretendon diçka të tillë mashtron veten.
A mund të jetojë njeriu përkohësinë duke mashtruar vetveten? Edhe mundet, por do të ishte e pafalshme sepse njeriut i është kohë e mjaftueshme për të jetuar, për të menduar, për të shpëtuar vetveten përmes dijes. Nuk i bën derman asgjë përveç përpjekjeve për të pastruar zemrën dhe shpirtin nga ngacmimet e së keqes dhe e gjithë kjo përpjekje mund të bëhet vetëm nëse mban vulën e dijes dhe jo të trashëgimisë gjenetike.