Ashtu si monumenti i Enverit që ra e u nda në dy copa të mëdha e në disa më të vogla, edhe partia e Enverit u rrëzua. Nga thyerjet e saj lindën partitë e tjera. Nuk mund të ndodhte ndryshe, partitë e reja do të lindnin prej shtresës së mesme e asaj të arsimuar, e pikërisht atë shtresë e kishte mbrujtur vetë regjimi. Të vetmit intelektualë, që nuk ishin të mbrujtur nga regjimi, ishin të sapodalët nga burgu politik si dhe ata të mërgatës.
Arbër ZAIMI, Tiranë
Tetë dhjetori i vitit 1990-të qe ditë e shtunë. Në Qytetin Studenti, lagjen e Tiranës ku ndodhen konviktet studentore, për disa ditë me radhë kishte ndërprerje të energjisë elektrike. Në Europën Lindore kishin nisur të binin regjimet komuniste. Kriza ekonomike globale e viteve ‘80-të ishte ndier më rëndë në Lindje, e shumëfish më tepër në Shqipërinë e izoluar ekonomikisht si nga Lindja, ashtu edhe nga Perëndimi. Dëshpërimi ishte përhapur gjerësisht në popull, por një grusht studentësh gjeti kurajon ta transformojë dëshpërimin në energji, në mllef, dhe nisën protestat studentore.
Protestat studentore të dhjetorit nuk ishin akti i parë i dramës së rënies së regjimit totalitar. Akti i parë mbase u krye prej mijëra shqiptarëve të të gjitha moshave, profesioneve, krahinave e gjinive, të cilët nja pesë muaj më parë, në 2 korrik 1990, u vërsulën drejt ambasadave të huaja që hapën dyert e pranuan në oborret e tyre ata ikanakë të dëshpëruar. Të ikurit vunë kokën në rrezik, sepse regjimi në vitet e fundit kishte shpeshtuar goditjen e atyre që kapërcenin kufirin në arrati, e vetë ikjen prej vendit e kishte klasifikuar si krim politik. Për regjimin, që pretendonte se po ndërtonte një botë më të mirë se ekzistuesja, ishte rrënuese dëshira masive e njerëzve për ta braktisur këtë projekt, këtë anije vetmitare, qoftë edhe duke u hedhur në dallgët e një deti të panjohur.
Në rastin e ambasadave, qeveria e mbrame e sistemit totalitar komunikoi se dyndja drejt ambasadave për të dalë jashtë vendit nuk ishte përfaqësuesja më e mirë e popullit. Ata, vërtet, ishin mijëra – tre mijë vetëm në ambasadën gjermane – por populli përbëhej nga miliona. Të ikurit ishin vetëm llumi – u tha, ishin të burgosur, njerëz të paintegruar në shoqëri, papunëtorë, halabakë, rrugaçë. Pra, sipas qeverisë, po largoheshin lumpenët, ata që s’kishin as vetëdije, as arsim e as zanat. Të tillë ka kudo, bjerrakohës që marrin flakë si kashta. Më mirë që ikën – thoshin, kinse të lehtësuar propagandistët e regjimit.
Por, më 8 dhjetor, me nisjen e një numri të vogël (maksimumi rreth një mijë studentë) prej Qytetit Studenti drejt sheshit të Tiranës, situata paraqitej më e vështirë. Shtrohej çështja se si do të justifikonte kësaj radhe vetveten regjimi, faqe botës së huaj, por edhe te qytetarët e Shqipërisë, e sidomos te anëtarët e Partisë-Shtet. Nuk mund të nënvleftësoheshin dot studentët e Universitetit “Enver Hoxha”, sepse ata do të duhej të ishin më të mirarsimuarit dhe më të vetëdijësuarit politikisht. Dihej se jo çdokush mund ta merrte të drejtën për t’u arsimuar në atë sistem. Sistemi përzgjedhës këqyrte mirë prejardhjen familjare, e jo vetëm familjen e ngushtë, por edhe rrethin e gjerë. Studentët e Tiranës, pra, vinin nga “familje të mira”, nuk qenë prej të përndjekurve e as prej të margjinalizuarve të sistemit. Veç kësaj, ata kishin studiuar me rezultate të kënaqshme lëndët e indoktrinimit politik, të cilave u jepej po aq rëndësi (mos më tepër) sa edhe lëndëve të formimit të përgjithshëm e atyre profesionale. Si, pra, mund të dilte prej kësaj situate regjimi?
Ne nuk e dimë se ç’është diskutuar asokohe në shtabet emergjente të qeverisë e të partisë. Udhëheqësit jetuan edhe dy a tre dekada më shumë, dhanë edhe intervista, por intervistuesit kanë qëlluar kryesisht sensacionalistë e njohës të përciptë të dinamikave të pushtetit e të ndërlidhjeve të tyre me politikën. Kanë qëlluar më shumë kronikanë sesa historianë, koleksionues faktesh më shumë sesa hulumtues kritikë ndaj realiteteve të shfaqura e të pashfaqura. Andaj, nuk e dimë dhe aq mirë se ç’dinamika pati prapaskena e pushtetit. Por, dimë prej vetë studentëve se udhëheqja e lartë dërgoi menjëherë drejtuesit politikë të takohen me studentët. Krahas tyre, e dërgoi edhe policinë e organe të tjera të rendit. Në mesnatë, Ramiz Alia vetë i pyeti studentët për kërkesat e tyre, por përgjigjet ishin të paqarta. Dikush kërkonte ushqim, dikush rilidhjen e rrymës, dikush kërkonte të lejohej muzika e letërsia e huaj. Shoku Ramiz, si duket, e ka kuptuar që studentët jo se nuk dinin ç’të kërkonin, por nuk prisnin që dikush t’i pyeste për kërkesat. Prandaj, përgjigjet tingëllonin si të shfokusuara, si joserioze. Si është e mundur të kërkosh bukë dhe muzikë në kohën kur në gjithë lindjen europiane po rrëzohen regjimet? Sipas dëshmitarëve pjesëmarrës në protestë, Ramiz Alia kërkoi që protestuesit të përgatiten më mirë, me kërkesa konkrete, dhe të bëjnë një takim tjetër brenda 2-3 ditësh. Takimi ndodhi në 11 dhjetor dhe aty u premtua edhe nisja e një tranzicioni të shkurtër e paqësor drejt pluralizmit politik. Do të regjistroheshin edhe parti të tjera, do të kishte zgjedhje të lira. Kjo ishte kërkesa të cilën tashmë udhëheqja ishte përgatitur të zbatonte. Kërkesat për mirëqenie, për bukë, drita e modernizim, nuk ngjanin serioze, sepse Ramizi me ekonominë buzë falimentit nuk ishte në gjendje t’i plotësonte. Por, as regjimi pasardhës, demokracia pluraliste, nuk ishte në gjendje t’i plotësonte ato kërkesa. Edhe 35 vite më vonë ato mbeten të paplotësuara për shtresa të gjera shoqërore e krahina të ndryshme. Të rinjtë e sotëm, kur e kthejnë kokën pas e shohin dy aktet e rënies së regjimit totalitar, zgjedhin si model për të ndjekur atë të atyre që ikën nga ambasadat, e jo atë të studentëve të cilëve kërkesën ua plotësoi regjimi. Të rinjtë e sotëm, përgjithësisht, ikin, nuk dalin të protestojnë, aty ku prej protestave priten kërkesa formale, të cilave u jepen përgjigje formale.
Rënia e regjimit e pati edhe një akt të tretë: në shkurt të vitit 1991, qytetarë të Tiranës por edhe nga vendet e tjera, bashkë me plot të rinj e studentë, vërshuan në shesh dhe errëzuan monumentin vigan të Enver Hoxhës, të cilin e ndanë në disa pjesë dhe e tërhoqën sa mundën zvarrë nëpër rrugë.
Çka ndodhi më pas ne e dimë, jetojmë në të. Por, lypet analizë më e thellë për ta kuptuar çka ndodhi në atë kohë. A pati Lëvizje të Dhjetorit apo është ky një epizëm i mëvonshëm? A pati një thyerje të vërtetë në rendin e pushtetit apo ai vazhdoi evoluimin gradual andej nga po frynte era e re, duke mbajtur nën kontroll rrjedhën e situatës?
Ashtu si monumenti i Enverit që ra e u nda në dy copa të mëdha e në disa më të vogla, edhe partia e Enverit u rrëzua. Nga thyerjet e saj lindën partitë e tjera. Nuk mund të ndodhte ndryshe, partitë e reja do të lindnin prej shtresës së mesme e asaj të arsimuar, e pikërisht atë shtresë e kishte mbrujtur vetë regjimi. Të vetmit intelektualë, që nuk ishin të mbrujtur nga regjimi, ishin të sapodalët nga burgu politik si dhe ata të mërgatës. Pati syresh që edhe provuan të krijojnë ndonjë vektor të ri politik, por duke ardhur prej rrethanave ku lidhjet shoqërore i kishin patur të ndërprera për vite me radhë, ata nuk arritën të krijojnë masën kritike për ndonjë projekt partiak mbijetues. Në vetvete kjo nuk përbën ndonjë arsye për të qenë dyshues ndaj sinqeritetit të partive të reja që u krijuan prej shtresave të favorizuara nga ish-regjimi. E përgjithshmja historike është e tillë – ata që deri dje mendonin se nuk kishte asnjë alternativë tjetër, përveç asaj që ekziston, dalëngadalë binden se ka të tilla, e kur krijohet masa kritike dhe momenti i duhur, të bindurit e djeshëm bëhen të pabindurit e sotëm. Churchilli tallej me italianët dhe thoshte se brenda natës një popull tërësisht fashist na u bë tërësisht antifashist, por kësisoj mund të thuhet për shumë vende, në mos për çdo vend. A nuk ishin francezët tërësisht mbështetës të mbretërisë së shenjtë e absolutiste të Luigjëve? Ishin, përderisa nuk morën rrugët drejt Bastijës, të shtyrë nga mjerimi ekonomik dhe nga rënia e fuqisë legjitimuese të shtetit. A nuk ishin rusët besimtarë të thellë në kishë e në Car, para se t’i rrënonin kishat e ta thernin Carin? A nuk ishin amerikanët liberalë e internacionalistë të thekur para se të bëheshin izolacionistë e ultrakonservatorë? S’ka nevojë të qeshë Churchilli, e as ne s’ka nevojë të dyshojmë, me ish-komunistët e bijtë e tyre, që u vunë në krye të partive të reja shqiptare, me misionin e shprehur për ta udhëhequr vendin drejt tranzicionit ekonomik e politik, kah tregu i lirë e demokracia.
Nuk ishte i fortë establishmenti totalitar, është e dobët alternativa e tij
Konspiracionistë të llojllojshëm shtrojnë çështjen se a e kompromenton potencialin demokratik fakti se elita e parë post-komuniste ishte një nënbashkësi e elitës së sistemit të shkuar. Me këtë nuk pajtohem. Njeriu është qenie që di ta ndryshojë vetveten, mjafton të jetë serioz. Po të mos ishte kështu, nuk do të kishte histori. Madje, besimi i përhapur se njeriu mund të martohet vetëm një herë politikisht ose, edhe më keq, se do të martohet politikisht atje ku ia cakton i ati dhe e ëma, është shenjë e vazhdimit të mendësisë totalitare. Njeriu, në fakt, është i lirë të ndërrojë bindje e përkatësi politike – me kushtin që ndryshimi të jetë serioz. Divorci të jetë divorc e martesa e re, martesë. Por, ajo çka i ushqen konspiracionistët me argument, është joserioziteti i politikanëve të rinj. Ata nuk u thelluan në filozofi e ekonomi politike, nuk themeluan grupe e rryma të mendimit teorik apo praktik mbi sfidat dhe potencialet e sistemit të ri që po ndërtohej. Të dalë prej martesës së vjetër, ata u lëshuan në flirte të shkurtra e promiskuozitet, nga lulja në lule. Kësisoj në jetën e tyre raporti i vetëm serioz mbeti ai me martesën e parë e të thellë, që nuk u zëvendësua dot kurrë nga sipërfaqësia e flirteve të reja.
Në totalitarizëm politika u organizua në një parti, të centralizuar e të militarizuar, e cila fillimisht shërbeu si mjet për ta marrë pushtetin e, mandej, si mjet për të mos e lëshuar atë. Por, siç e tregon pakënaqësia e rritur e popujve që jetuan në ato vende e në ato kohë, këto parti kaq efikase në raport me mbajtjen e pushtetit, nuk ishin mjete gjithaq të mira për t’i organizuar shoqëritë. Ato ishin kryekëput të lidhura me pushtetin e liderit dhe kultin e individit, e nuk zhvilluan dot demokraci të brendshme e as marrëdhënie demokratike me partitë e tjera brenda ose jashtë vendit, pavarësisht se formalisht e pretendonin këtë.
Pasardhësit e totalitarizmit, etërit e periudhës post-totalitare, nuk mbërritën dot ende të krijojnë ndonjë model tjetër organizimi. Partitë e tyre, edhe sot, në dekadën e dytë të shek. XXI, janë të organizuara ngjashëm – parti lideriste, që pushtetin e kanë mjet e synim të vetëm. Këto parti post-totalitare nuk mund të quhen ende demokratike, jo pse nuk tolerohet atje mendimi ndryshe, por se janë alergjike ndaj të menduarit, e sidomos të menduarit kritik. Duke qenë pushteti shqetësimi i tyre i vetëm, aty vazhdimisht formësohen klika e grupacione që organizojnë transaksione votash, vendesh pune dhe ndikimi. Këto klika mund të kenë edhe interesa kontradiktore me njëra-tjetrën, por kontradikta e tyre ka të bëjë me copën e pushtetit që e duan për vete e nuk duan ta kontrollojë klika tjetër, e jo për ndonjë arsye mendimi programor a politik. Si të tilla, ato nuk janë fraksione të mendimit e praktikës organizative që përbëjnë demokracinë e brendshme partiake atje ku ka të tillë, por më shumë aleanca fluide karrieristësh, të cilët përgjithësisht janë servilë ndaj njëshit të partisë, edhe pse brenda vetvetes ushqejnë shpresa e motive për ta rrëzuar herëdokur atë njësh, e për t’ia zënë vendin. Të tilla klika sot po përvijohen qartazi në krizën e shpërfaqjes së korrupsionit që ka kapluar PS-në në Shqipëri. Herë flitet për “grupin e Erionit”, herë për “grupin e Belës” e për të tjera grupe me natyrë rajonale e jo vetëm. Të tilla ka dhe në PD, siç u bë e qartë edhe gjatë çarjeve e ndarjeve që ndodhën e ende po ndodhin në partinë e madhe të qendrës së djathtë në Shqipëri.
Si mundemi të bëjmë demokraci nëse aktorët politikë, pra partitë, nuk janë demokratike? Ata që nuk e respektojnë demokracinë brenda partive të tyre, si do ta respektojnë në shtet? Është e rëndësishme të kuptohet funksioni real i partive politike në pluralizëm: ato janë vendi ku individi mëson të bëjë politikë, por edhe dëshmohet për politikën që bën, para se të marrë funksione me përgjegjësi publike. Por, te partitë totalitare nuk mund të ndodhë kështu – individi aty mund të mësojë vetëm se si negociohet pushteti mes të fortëve të politikës, biznesit, medias, fesë, krimit e ambasadave. Këto negociata, në një masë, janë të pashmangshme, por nëse ato janë gjithë politika, na krijohet një problem i madh: populli e ideali mbeten jashtë politikës.
Këtë problem partitë post-totalitare me mentalitet totalitar përpiqen ta zgjidhin përmes makiazhit: ato vazhdimisht marrin fytyra të reja nga jashtë politikës dhe i vendosin në poste të larta, deri edhe parlamentare e ministrore. Shpesh për ta thuhet se janë “ekspertë të rinj” ose “figura të shquara”, por gjithnjë e më tepër po afrohen edhe figura të showbizz-it. Me këtë ndërrim të vazhdueshëm të fytyrave partitë përpiqen të duken më “inkluzive”, por në fakt thjesht e shndërrojnë politikën në vitrinë. Deputetët e ministrat “e importuar” prej sferës jopolitike rrallë arrijnë ta kuptojnë, e lëre më ta kryejnë funksionin politik. Kjo praktikë e çuditshme, në fakt, ka pasur si pasojë uljen e rëndësisë dhe të peshës së deputetit e të ministrit. Këta zyrtarë të lartë shtetërorë sot duken si servilë të rëndomtë, që i vë e i heq njëshi në mënyrë arbitrare, pa peshë politike të vetën. Kjo gjë e dëmton edhe më shumë prospektin demokratik, e jehon edhe më fort te praktikat e kohëve totalitare.
Çfarë duhet bërë?
Sot shoqëria e Shqipërisë gjendet përballë një sfide edhe më të madhe organizative. Për 35 viteve tranzicion, në vend se të arrinim tek Europa e tek demokracia, kemi krijuar një shtet dhe një ekonomi të infiltruar prej kriminalitetit, një politikë që funksionon si menaxhere e korrupsionit. Interesi publik, mirëqenia dhe e përbashkëta, siguria kombëtare e të tilla koncepte, po të përmenden në qarqe miqësore të frekuentuara nga politikanë, rrezikojnë të të bëjnë të dukesh naiv. Cinizmi mbretëron në ato qarqe, si dhe bindja se gjithçka është transaksionale dhe e matshme me para. Të bindur se projekti ndërkombëtar për reformimin e drejtësisë në Shqipëri funksionon me po të njëjtën logjikë, elita e atij vendi është përpjekur të përfitojë favorizim edhe nga zyrtarë amerikanë e europianë. Logjika totalitare vetëm këtë formë njeh, monedhën dyfaqëshe të tiranisë dhe të servilizmit. Enver Hoxha e lëavdëronte e monumentalizonte Stalinin. Para tij, Ali Pasha dërgonte në Stamboll diamantë të mëdhenj, që ende ekspozohen në muzeun e sulltanëve. Ndërkaq pasardhësit e tyre sot përpiqen të çojnë dhuratë atje ku duhet ishullin e Sazanit, e çkado tjetër që mund të kërkohet.
Po të kishte pasur vërtet një Lëvizje të Dhjetorit, po të kishte pasur një apo disa shkolla të mendimit e të praktikës që të lindnin prej saj, do të kishim mundësi të ringrinim një kritikë e një shpresë të re, nga hiri i idealeve të djegura. Por, nuk e kemi, sepse nuk pati një Lëvizje të Dhjetorit e kurrfarë lëvizje tjetër.
Sot sfida më e madhe është se si të lindë në Shqipëri jo një, por disa lëvizje demokratike dhe masive – organizata që prodhojnë qëndrime e vullnete, e që e mban në mbikëqyrje shtetin dhe pushtetin. Shenjë se ka të tilla do të jetë kur të mos mbizotërohet më debati publik nga “ad hominemi” dhe nga zbulimi i biografisë së keqe të kundërshtarit, as për statistika të thata prej ekspertësh apolitikë – por kur të debatohet haptazi e pa drojë për qëndrime e perspektiva politike që hyjnë në garë e dialektikë me njëra-tjetrën jo për ta mposhtur kundërshtarin, por për të çuar përpara anijen e përbashkët.
Dështimi më i madh i shek. XX ka qenë shkrirja e partisë me shtetin ose krijimi i partive-shtet, që gradualisht dominohen prej klikave dhe shkëputen prej masave, e kjo nuk do të duhej të ripërsëritej pa pra edhe në shekullin e ri. Dialektika politike moderne duhet të përfshijë doemos tre terma: lëvizje masive, organizatë demokratike dhe shtet të hapur. Nuk bën të mbeten vetëm dy prej termave, masat dhe shteti – siç po synojnë populistët modernë kudo nëpër botë – e as vetëm një (partia shtet).
Është gjithaq me rëndësi të kuptohet se prej një Lëvizjeje politike spontane a të organizuar priten gjithmonë dy aspekte, ai kundërkulturor dhe ai revolucionar. Sa për aspektin revolucionar, u bë e qartë se nuk do të lejohej e as nuk u luftua fort për të në dhjetorin e 1990-tës, kur u vendos kontakti zyrtar mes protestuesve dhe udhëheqësisë, e cila premtoi hapje të mbikëqyrur, si një lumë i cili lejohet të dalë nga digat vetëm për aq sa është ndërtuar tashmë shtrati i ri, bashkë me argjinaturat, që të parandalohet çdo vërshim e çdo befasi tjetër.
Në aspektin kundërkulturor, shembulli më i trajtuar në teori është ai i lëvizjeve studentore të 1968 në perëndimin europian e Amerikë. Atje studentët u ngritën në një revoltë kundërkulturore, kundër shtetit autoritar që ishte disi shtypës i disa lirive individuale, hera-herës haptazi autoritar dhe kulturalisht konservator. Pati greva minatorësh e punëtorësh që kërkonin të drejta e mirëqenie. Megjithatë, udhëheqja bëri disa lëshime në drejtim të reformave, e këto revolta nuk u bënë revolucion. Në këtë sens, edhe Lëvizja e Dhjetorit në Shqipëri përbën një paralele. Ajo ishte një kundërkulturë, që kërkonte hapje për art, muzikë, liri seksuale e personale, shprehje të lirë e kështu me radhë. Kërkonte individualizëm pa lidhje me masat. Një këngë e Ritfolk thoshte “Merrmë o fllad, e si një gjethe dërgomë ti larg … në çdo qytet ku unë do ndaloj një i panjohur dua të jem, një kalimtar pa lidhje me turmën, dua qetësi çdo lidhje më tremb”. Shumëkush që i përket atij brezi mund të gjejë një farë vetëidentifikimi me këtë frymë individualizmi libertin e liberal.
Problemi është se ’68-ta e vonuar e Shqipërisë, njësoj si ajo e para në Europë e në Amerikë, krijoi një panoramë që, me dobësimin e shtetit, nuk forcoi shoqërinë, por is hapi udhën neoliberalizmit. Studentët e dhjetorit dhe gjeneratat e mëpasme, të ndikuara prej tyre, u shfaqën si njëfarë rebelimi rinor, kundër tiranisë së bezdisshme, burokracisë së vjetëruar, partive, nomenklaturave, institucioneve të cilat e pengojnë shpërthimin e kreativitetit që gjenerata e re do të mund të sillte në botë, përmes mundësive që i ofron tregu. Po të lexohen kështu dhjetoristët (duke kërkuar ndjesë për përgjithësimin), kuptohet pse u krijua një frymë ku mbetën të pavlera partitë, politika, sindikatat, etj. Këto edhe sot shihen në Shqipëri si institucione të dala boje dhe arkaike, që vetëm e pengojnë lulëzimin spontan të studentit ose rioshit rebel, të djalit ose vajzës që nuk “ka lidhje me turmën” e që nëse ia del, ia del i vetëm, pa përgjegjësi për askënd e pa lidhje me askënd.
Pikërisht një pikëpamje e tillë i krijon kushtet kur shoqëria vendoset kundër shtetit, kushtet më të përshtatshme për zhvillimin e një kulture antishtetërore, e cila e hap udhën për të gjitha interesat private, sidomos për ato të korporatave të mëdha ndërkombëtare, po edhe të krimit të organizuar, që mezi e presin momentin kur largohen barrierat shtetërore e organizative të shoqërisë.
Sigurisht, dhjetoristët individualë më së paku mund të fajësohen si fajtorë direktë për infiltrimin dhe vërshimin e shoqërisë shqiptare nga monopolet, oligopolet dhe krimi i organizuar. Por, po të kishte qenë Lëvizja e tyre më radikale, më e strukturuar, më këmbëngulëse, më e thelluar në mendim e praktikë, sot me siguri do të kishim një realitet më serioz.










