Publiku shqiptar nuk është më ai i 30 viteve më parë, por ka ndryshuar. Ai nuk shikon më si shpresë për të ardhmen një person që, edhe nëse fiton, mund të mos e përfundojë mandatin për shkaqe natyrore. Edhe nëse publiku nuk e mendon moshën e Berishës, atë ua kujtojnë kundërshtarët e tij.
Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë
Më 14 maj 2023, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet vendore, për kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë, të cilat nisën, për meritë strategjike të pozitës, në mënyrën e gabuar.
Në zgjedhjet vendore qytetarët zgjedhin drejtuesit e tyre lokalë, të cilët drejtojnë punët e bashkive për katër vitet në vijim. Në këto zgjedhje supozohej që kandidatët e bashkive të jenë protagonistët e garës, por në realitet ndodhi e kundërta. Protagonistë të garës u bënë kryetarët e partive, koalicioneve dhe Sali Berisha. Kjo qasje i shkonte më shumë për shtat partisë në pushtet. Partia Socialiste (PS) e mban qeverinë prej dhjetë vjetësh dhe kontrollon gjithashtu gjithë pushtetin lokal; më 2019 opozita nuk hyri në zgjedhje dhe PS i mori të gjitha bashkitë me një garë pa rivalitet. Duke kontrolluar gjithë pushtetin, PS-ja hynte në zgjedhje me barrën të mbronte dështimet, konsumin që të bën pushteti dhe mungesën e besueshmërisë në premtimet e reja. Pas dhjetë vjetësh në qeveri dhe me kontroll total të bashkive, kandidatët e PS-së do ta kishin të vështirë, qoftë për faktin që njerëzit ndiheshin të lodhur dhe do të votonin kundër me synimin për të ndryshuar diçka. Nga ana strategjike, PS-ja punoi me zgjuarsi – e shmangu debatin nga çështjet lokale dhe kështu kandidatët e saj iu shmangën ekspozimit në dritë të pafavorshme. PS-së i erdhi në ndihmë dhe opozita, e cila po përpëlitet prej dy vitesh në dilemën e ringritjes dhe vetëshkatërrimit.
Partia më e madhe në opozitë, Partia Demokratike (PD), hyri në këto zgjedhje e përçarë. Rastin e saj e kemi trajtuar dhe në shkrime të mëparshme, por këtu, sa për kujtesë, po bëjmë një përmbledhje telegrafike. Më 2021, SHBA e shpalli Sali Berishën, ish-kryetarin e PD-së, person non grata dhe i kërkoi kryetarit të atëhershëm të PD-së, Lulzim Basha, largimin e Berishës nga PD. Basha e ndoqi këshillën amerikane, e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, por Berisha nisi një lëvizje brenda PD-së për ta marrë drejtimin e saj, duke përçarë partinë. Pavarësisht faktit që Berisha pretendon se është kryetar i PD-së dhe shumë media nën ndikimin e tij e prezantojnë si kryetar të PD-së, juridikisht ai nuk është kryetar i saj. Ai nuk arriti ta merrte drejtimin e PD-së, por, si ngushëllim, ia doli të zaptojë selinë e saj në Tiranë dhe vazhdon të qëndrojë aty në mënyrë të paligjshme.
Kështu PD-ja hyri në zgjedhje e ndarë më tresh: proamerikanët, antiamerikanët dhe neutralët (pjesa që nuk shkoi në zgjedhje e demotivuar nga konflikti i brendshëm).
Pjesa proamerikane e PD-së ose PD-ja zyrtare ishte shumë e dobët, e demotivuar, e paorganizuar, nën sulmet e përditshme të ish-kryetarit të saj dhe ajo mori pjesë në zgjedhje për kryetar në një numër të kufizuar bashkish (14 gjithsej). Berisha dhe ndjekësit e tij, një entitet pa autoritet juridik, iu bashkuan koalicionit “Bashkë Fitojmë”, duke pretenduar që ishin pjesë e koalicionit, por realisht nuk ishin të tillë. Për të qenë anëtar i një koalicioni nevojitet regjistrim juridik pranë gjykatës si subjekt politik, gjë që ata nuk e kishin, por u bashkuan me koalicion si pjesë informale e partisë “Poli i Lirisë”, e drejtuar nga ish presidenti Ilir Meta. Nga rezultati i zgjedhjeve u pa që PD-ja kishte pasur një pjesë të tretë, atë që refuzoi ta përkrahte njërën nga palët në konfliktin e brendshëm dhe nuk doli fare në zgjedhje.
Kryeministri Rama e shfrytëzoi përçarjen e PD-së në favor të tij. Ai e identifikoi si kryetar të opozitës Sali Berishën, që juridikisht nuk ishte, dhe Ilir Metën, që drejton një parti të vogël, dhe i vendosi në qendër të fushatës së tij, duke i konsideruar të shkuarën e politikës shqiptare. PS-ja i fitoi zgjedhjet e përgjithshme më 2013 kundër Berishës kryeministër, duke e projektuar atë si të moshuar, si e vjetra që duhej zëvendësuar nga e reja, e përfaqësuar nga Rama. Berisha nuk i ka bërë ndonjë nder vetes me rikthimin në politikë me pretendime protagonizmi. Ai e ka marrë pushtetin dhe e ka humbur disa herë.
Publiku shqiptar nuk është më ai i 30 viteve më parë, por ka ndryshuar. Ai nuk shikon më si shpresë për të ardhmen një person që, edhe nëse fiton, mund të mos e përfundojë mandatin për shkaqe natyrore. Edhe nëse publiku nuk e mendon moshën e Berishës, atë ua kujtojnë kundërshtarët e tij. Le më pastaj që Berisha përdor një retorikë negative, si në vitet e para të demokracisë, kur mjaftonte retorika antikomuniste për të mbledhur vota përballë PS-së. Gjërat kanë ndryshuar. Elektorati, edhe nëse nuk di shumë, e di të paktën se nuk mund të pretendosh të kesh një të ardhme të ndryshme nga ajo që ke ose që ke pasur kur zgjedh në drejtim të njëjtët njerëz, të cilët, në të shkuarën, i ke larguar nga pushtetit, pikërisht sepse përfaqësonin të shkuarën.
Rezultatet e zgjedhjeve vendore ishin katastrofike për opozitën. PS-ja i fitoi 53 bashki, koalicioni “Bashkë Fitojmë” 7 (Berisha-Meta), një bashki e fitoi një parti e vogël, me bazë minoritin grek, Mega, ndërsa PD-ja asnjë.
Elektorati i refuzoi protagonistët e ndryshimit të pretenduar, Berisha dhe Meta, të cilët para fushate mburreshin se ishin të vetmit që mund të fitonin përballë PS-së dhe se ishin futur në garë vetëm për fitore, e cila, sipas tyre, ishte e sigurt.
PD u fut në zgjedhje e demoralizuar, me përfaqësim të pjesshëm, nuk arriti as të vendoste kandidatë në të gjitha bashkitë, për shkak të luftës së brendshme dhe presionit të klanit Berisha, të shpallur e të pashpallur, brenda saj. PD-ja është pa kryetar që prej një viti e ca dhe grupi i njerëzve në drejtimin e saj para dhe gjatë fushatës, përfshi kryetarin e komanduar, Enkelejd Alibeaj, dukej se ishte herë i paqartë, herë i pavendosur, shpesh jo i unifikuar. Ata kanë meritën që qëndruan, që bënë ndarjen e qartë nga klani Berisha, i cili është identifikuar tashmë si entitet jashtë PD-së. Detyra e tyre ishte ndalimi i shpërbërjes së PD-së, ndonëse ngritja e saj do të jetë detyrë e të tjerëve.
Tashmë PS-ja zotëron çdo lloj pushteti. Thuajse njëlloj si para vitit 1991, kur ishte në pushtet që prej 1944, por me emër tjetër. Ai regjim e mori pushtetin me dhunë, e mbajti me dhunë dhe e lëshoi atë nga presioni, më shumë i jashtëm.
Nëse opozita shkon e përçarë në zgjedhjet e përgjithshme për Kuvend pas dy vjetësh, atëherë shumë parti, përfshi PD-në, do të fshihen nga harta politike ose do të kthehen në parti të parëndësishme për shkak të numrit të ulët të deputetëve që do të marrin. Veç kësaj, PD-ja, partia që pretendon se e rrëzoi komunizmin, do të jetë bashkëfajtore në rikthimin e totalitarizmit të natyrës fashiste ose kineze (gërshetim i pushtetit të një partie me ekonominë e tregut).
Ndërsa Sali Berisha dhe Ilir Meta duhet ta konsiderojnë të mbyllur karrierën e tyre politike dhe të largohen nga skena me një fije dinjitet, nëse kanë ndopak respekt për veten dhe për të tjerët. Ata mund të vazhdojnë të rrinë, por do të kthehen në figura periferike dhe duke pasur parasysh që dikur kanë qenë dominues në postet më të larta të shtetit, nuk besoj se do t’u mungojë vëmendja e autorëve të barsoletave.