loader image
February 2, 2025

Demaçi, kjo figurë me nâm

Shkruan: Ismail SINANI

Ballkani shquhet për dy lloje historish, atë të ndërtuar mbi mite dhe atë që ka si prerogativ kryesor faktet. Të parët janë të vetëkënaqurit duke krijuar paradigma hiperbolizuese për veten, në këtë rast kombin. Të dytët janë ata që e duan të vërtetën, ashtu siç është, pa mëlmesa që japin shije të rrejshme.

Për fat të keq, nga ky “ves mitizues” nuk ka ngelur imun asnjë komb në këtë gadishull. Ndonëse, duhet thënë, në secilin komb ka pasur dhe ka “koka të ndritura” që e duan të vërtetën – e dhimbshme.

Duke qenë pjesë e këtij mozaiku e duke mos dashur të ngelemi prapa të tjerëve, nuk është se edhe ne shqiptarët kemi ngecur në “rrafshin mitologjik”. Ne emër të kauzave kombëtare, shpesh kemi dalë edhe qesharakë para shkencëtarëve të vërtetë, që kanë ardhur në trevat tona në këto dy dekadat e fundit, madje edhe na e kanë shkruar historinë e vërtetë të ngjarjeve dhe figurave, për të cilat “zyrtarisht” na ishte thënë shumëçka, por thuajse asgjë nga ajo që ishte dashur të na thuhet. Ndaj, brezi ynë, ndryshe nga paraardhësit tanë, disi ia kemi borxh vetes që t’i themi gjërat me emra të vërtetë pa aluzione dhe iluzione.

Revista “Shenja”, sikurse shumë herë më parë, lexuesit të vet ia sjellë portretin e profilit të Adem Demaçit, të njërit nga figurat kyçe të historisë moderne të kombit tonë. Pa mite dhe thurje lavdesh, jemi përpjekur që – në bashkëpunim me shumë autorë – ta sjellim në altarin e historisë edhe përmes këtyre 100 faqeve një personalitet që do t’ia kishin lakmi shumë kombe. Jo se nuk është shkruar deri më sot për të, e as që pretendojmë se kemi bërë ndonjë vepër të madhe. Ndaj, që këtu të themi se ne e ndërmorëm këtë nismë “për t’i dalë hakut” njeriut që në moshën 22 vjeçe e bëri hapin e parë drejt sakrificës, e cila si një re e zezë për fatin e tij personal e si një yll ndriçues për brezat e ardhshëm, e errësoi jetën e tij, por e zbardhi jetën tonë për plot tri dekada. Sakrifica e tij ishte shembull dhe prelud për ata që e deshën me çdo çmim lirinë e Kosovës nga Serbia.

Nga kjo perspektivë, regjimi titisto-rankoviqian ndoshta e ka kuptuar se çfarë gabimi ka bërë kur është përpjekur ta heshtë një zë të paheshtur. Sepse, siç e mbajnë mend brezat më të vjetër, e siç do të kishte qenë mirë ta lexonin e kujtonin brezat e rinjë dhe të ardhshëm, ishte figura e Demaçit ajo që shërbeu si udhërrëfyese për ata që fillimisht demonstruan paqësisht, e më pas u përgatitën edhe në forma të ndryshme për çlirimin e atdheut. Kjo figurë markante, zaten, nuk kishte se si të shuhej kur ai fliste përmes veprave të tij, të cilat ndonëse të ndaluara, arrinin në duart e atyre që ishin vullnetmirë e vullnetplotë për të ecur në ballë të proceseve.

Prandaj, revista “Shenja” është përpjekur të ofrojë një pasqyrë faktografike të jetës së tij, duke përfshirë këtu shumë detaje rreth përkushtimit të tij ndaj çështjes kombëtare.

Shpesh, ne – si shqiptarë – kemi ditur që shumë figura t’i ngremë lart, por kur më pas jemi përpjekur të bëjmë një analizë më të thellë për veprimtarinë e tyre, kemi hasur në shumë zbrazëtira. Ndaj, emrat e tyre përpos se nëpër rapsodi e në kujtesë kolektive popullore, nuk kanë zënë vend të çmueshëm. Te Demaçi situata është krejt ndryshe. Opusi i tij intelektual e letrar është për t’ia pasur zili nga çdokush që i del zot penës.

Autorët e revistës kanë rrokur shumë detaje nga jeta e tij nëpër burgje. Madje, nëse lexohen ca ese edhe me një dozë më të lartë përshpirtshmërie, te secili njeri normal nuk do të mungojnë edhe lotët e pikëllimit dhe zemërimit përballë vuajtjes që e ka përjetuar ai nëpër burgjet jugosllave e serbe.

Bota mbarë shpesh ka dëshirë të flasë për Mandelën, ndërsa ne shqiptarët disi sikur kemi dëshirë ta harrojmë se “Demaçi ynë” është i madh po aq sa “Mandela i tyre”, në mos më shumë.

E keqja në këtë mes është kur përpiqemi të bëjmë vlerësime kuturu për të, me emocione e patetizëm se “Demaçi ishte shumë arrogant e kokëfortë”, ndërkohë harrojmë se nëse nuk mundemi “t’i mbathim këpucët e tij” për 28 vjet burg, prej të cilave mbi pesë të kaluara në dhoma të vetmisë, të paktën të kemi mirëkuptim për “arrogancën” e tij të herëpashershme dhe gabimet politike që ka mundur t’i bëje në jetën pas daljes nga burgu.

Adem Demaçi sot nuk është në mesin tonë. Ai rron atje ku jetohet përjetësia. Ai sot nuk është këtu, por vepra e tij po. Këtu para nesh gjendet edhe përshkrimi i jetës së tij. Është vepra e tij monumentale, e cila mund të na shërbejë për të mos i bërë gabimet e së kaluarës. Veprimtaria e tij mund të na i qartësojë dilemat që na shfaqen shpesh për disa personalitete të kohës sonë, nëse janë tradhtarë, patriotë apo nëse janë mish-mash. Kokëfortësia e tij dhe termat e pazgjedhur, të cilësuar si të tillë nga bashkëkohësit e tij, sidomos në raport me ndërkombëtarët, duhet parë nëse kanë qenë me vend apo kanë qenë emocione të furishme. Sot, koha po na dëshmon se distanca emocionale për zgjidhjen e çështjeve kombëtare është më e mirë se përafrimi emocional me vlerat e imponuara nga jashtë. Jeta e tij, sikurse jeta e secilit njeri të izoluar, mund të ketë pasur shumë amplituda në diagramin e tij intelektual dhe politik, por faktet tregojnë se ai nuk ka qenë dogmatik për t’i besuar një ideologjie me terma absolutë. Me një fjalë, siç është përdëftuar disa herë, ai ka ditur të ndryshojë qëndrim kur është përballur me faktet, por kurrë para presioneve, qofshin kur ato kanë qenë edhe nga superfuqitë e kohës.

Demaçi, nga kjo perspektivë, duket kështu. Pas 50 e 100 vjetësh me siguri do të ketë një qasje më ndryshe rreth jetës së tij apo edhe detaje që ne sot nuk i dimë. Revista “Shenja” e vendosi një gur. Brezave, pas pesë dekadave ose një shekulli, u takon hisja e tyre e punës… kuptohet nëse do të ketë prej atyre që do të duan të flasin për çështje shqiptarësh e për shqiptari.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X