Në periudhën e tranzicionit, lidershipi politik, bashkë me eshallonet e veta, ka prodhuar një filozofi të re, atë të “skllavit”. Një mori qytetarësh, për shkaqe të ndryshme, kryesisht sociale-ekonomike, kanë zgjedhur t’i nënshtrohet diktatit dhe kursit të partive që me metoda të ndryshme e kanë afirmuar këtë kulturë të re: vetëskllavërimin. Një arsye është edhe hakmarrja në forma të ndryshme, zakonisht me largime ose ndërrim të vendit të punës, kërcënime, komplote e linçime. Aq kanë fuqi, aq veprojnë.
Ali PAJAZITI, Shkup
Titulli i mësipërm është paksa provokues. Ka kuptimin e plotë dhe ekzakt vetëm kur nuk lexohet pa tirenë e termit të parë. Nëse hiqet ajo vizë, merr kuptim tjetër, që në fakt titulli nuk e shënjon. Theksi vihet te çmonizimi, hapja, liberalizimi i elitave, te çkomunistizimi i tyre. Pra, s’ka të bëjë fare me djallëzimin, demonizimin. Ky shkrim është një trajtesë elitologjike e lidershipit politik shqiptar në RMV nga këndi i sociologjisë politike.
Termi elitë (elite) nënkupton më të mirën e një grupi; grup ose klasë e zgjedhur; grupim cilësisht më i lartë, më i pajisur dhe më i merituar i shoqërisë; grup që thuhet se ka nivel të lartë kulturor, se zotëron njohuri dhe stërhollime më të shquara në sfera të ndryshme si politika, ekonomia, filozofia, arti, letërsia etj. dhe për këtë arsye meriton të udhëheqë; grup i vogël, i trajtuar që nga Platoni, që shoqërisht njihet si superior dhe që ka ndikim dhe kontroll në disa ose në të gjithë sektorët e shoqërisë. Autorët e mëhershëm e kanë trajtuar elitën si elitë qeverisëse ose oligarki, pushteti i së cilës është i përgjithshëm dhe ndikon shumicën e aspekteve të shoqërisë. Sociologë si Pareto (8148-1923) dhe Gaetano Mosca (1848-1941) e kanë trajtuar elitën si të pashmangshme për çdo sistem politik. Paretoja, i cili nisej nga teza për pabarazinë mes njerëzve, thotë se elitat përbëhen prej pjesëtarëve më të suksesshëm të shoqërisë dhe se shoqëritë përbëhen prej elitës minoritare dhe turmave mazhoritare. Më tej, ai elitën e ndan në sunduese e josunduese dhe shton se duhet të kalojnë disa breza që elita ta humbë pushtetin e vet. Wright Mills-i, në një studim të tij për elitën në Shtetet e Bashkuara, që e ka pagëzuar si Elita pushtetare (The Power Elite, 1956), i shënon ngjashmëritë e së kaluarës, qëndrimeve, vlerave dhe aftësive pushtetare të tre elitave që qeverisnin këtë vend: elita ushtarake, ajo ekonomike dhe e treta, politike. Jeremy Paxman-i, në veprën e tij Miq në pozita të larta: Kush e qeveris Britaninë? (Friend in High Places: Who Runs Britain, 1990), argumenton se tradicionalisht në Britani institucionet madhore udhëhiqen nga njerëz që kanë kaluar nëpër shkolla të njëjta (si Oxbridge=Oksfordi e Kembrixhi), që flasin me të njëjtin theks dhe që kanë vlera të përbashkëta. Nocioni i elitës pushtetare ose i oligarkisë bie ndesh me atë marksist për klasën qeverisëse. Ndërsa teoricienët e elitës thonë se elita duhet të rekrutojë njerëz prej jashtë, me qëllim që të mund të ndikohet prej jashtë, prej joelitës, dhe ta ruajë konsensusin tek joelita, e cila e legjitimon të drejtën e elitës për të qeverisur, marksistët pohojnë se ruhet dhe shtohet polarizimi ose ndarja mes klasës sunduese dhe asaj të nënshtruar. (F.A.I.O., 2004: 263; Watson, 2001: 101-102; Tonovski, 2000: 184-187)
Nga elitat monolite te ato divergjente
“Demokracia nuk mund të arrihet pa ndërthurjen e faktorëve të mëposhtëm: një shoqëri civile autonome, një shtet i pakapur dhe elita sunduese të gatshme për të zbatuar reforma demokratike.” (Petrović, 2022) Në periudhën 1945-1990, pra në kohën e monizmit, gjegjësisht komunizmit, në ish-Jugosllavi, in strictu sensu në Maqedoni, ka pasur një sundim të partisë së vetme, asaj komuniste; atëbotë vendimet nuk janë bazuar në debate dhe kompromise, por në ideologjinë dhe ndjekjen e urdhrave të një grupi të vogël drejtuesish. Në kohën e pas-Titos, ndodhi degradimi i partisë dhe, në fund, i shtetit, u mbyll kapitulli i njëmendësisë, u shfaqën më shumë parti politike, pra nisi epoka e pluralizmit, gjegjësisht e tranzicionit drejt shoqërisë kapitaliste.
Elitat mund të tipologjizohen si politike, ekonomike, akademike. Në aspektin kohor, elitat politike të RMV-së ndahen në: e para në vitet 1985-1990 dhe tjetra, 2005 e këndej. E para “rekrutohej ekskluzivisht nga dega maqedonase e Lidhjes Komuniste Jugosllave ose, të paktën, nga qarqet e afërta me partinë. Rekrutimi i tyre kushtëzohej nga një sërë faktorësh, ku më i rëndësishmi ishte përshtatja me konceptet e të dy udhëheqjeve: rajonale (Shkup) dhe federale (Beograd). Elita politike e 2005-tës e këndej ka dalë nga një kontekst krejt i ndryshëm. Roli i tyre nuk është më pak historik, sepse ata janë brezi që pritet ta arrijë në fund idealin e konsolidimit demokratik dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe NATO. (CRPM, 2012)
Elitat e Maqedonisë së Veriut ose, më saktë, ato etnike-maqedonase, preferuan ruajtjen e status-quo-së së politikës jugosllave, pra një Jugosllavi të decentralizuar dhe komuniste. Nga ana tjetër, elitat shqiptare, në formim e sipër, të këtij vendi ishin të hutuara nga kriza e përgjithshme: Shqipëria – skajshmërisht e dobët në të gjitha aspektet, Kosova – e okupuar dhe në shënjestër të regjimit serb dhe vrazhdësia e elitës maqedonase që, kryesisht, i bënte hapat sipas diktatit të Beogradit dhe shfaqte një albanofobi dhe etnocentrizëm të shprehur edhe te kushtetuta e vitit 1991. Nga PPD-ja, që përfshinte funksionarë e shkollarë komunistë+krahun patriotik, te PDP-ja primodrialiste-konservatore e “intelektualëve kombëtarë” (Kulla) dhe PDSH-ja, në fillim e stigmatizuar e më pas e fuqizuar dhe shoqëruar me shumë ngritje-rënie si pasojë e lidershipit urtar para të cilit qëndronte militantizmi agresiv i promovuar për herë të parë në politikëbërjen shqiptare në këtë vend.
Sipas një hulumtimi me një kampion përfaqësimi shtresor me 1094 të anketuar, ndër përfaqësuesit e elitës 1985-1990 kishin më shumë pikë liberale sesa përfaqësuesit e elitës 2005-2010. Pikët më të larta konservatore të brezit të ri të elitës janë kryesisht rezultat i qëndrimeve të theksuara konservatore të përfaqësuesve të elitës bashkëkohore politike dhe akademike/kulturore, ndërkohë që elita e re ekonomike paraqet qëndrime të konsiderueshme liberale. Sa i përket barazisë gjinore, elita 2005-2010 ka shprehur qëndrime më negative lidhur me karrierën e nënave, ndërhyrjen e qeverisë për arritje të barazisë gjinore, pagën e njëjtë për të dy gjinitë dhe të drejtën për të shërbyer në ushtri.
Siç vërehet nga rezultatet e ilustrimit të mëposhtëm, në aspekt të patriotizmit (krenarisë me atdheun) elita e vjetër është më e fiksuar se e reja; ajo është edhe më diskriminuese dhe më skeptike ndaj pakicave.
| Elita 1985-1990 (përfshi ata që i ruajtën postet e tyre të larta më pas) | Elita 2005-2010 | |
| Të kesh lindur në një vend të caktuar nënkupton të jesh krenar për të. | 3.88 | 3.12 |
| Grupi ynë etnik është më lart krahasuar me grupet e tjera. | 1.47 | 1.52 |
| Përfaqësimi i pakicave në institucionet publike nuk është çështje e rëndësishme. | 2.82 | 2.52 |
| Disa grupe etnike nuk do të integrohen kurrë në shoqërinë tonë. | 2.53 | 2.22 |
Burimi: CRPM, 2012.
Marrë në përgjithësi, elita ekonomike është më e hapur, kurse ajo politike dhe akademike/kulturore më e mbyllur. “Të kesh lindur në një vend nënkupton krenarinë”: elita ekonomike 3.33, elita politike 3.6, akademike 3.46. Është shumë interesante se edhe elita e re politike pranon se “komunistët ishin më të arsimuar se elita e sotme” (4 vs 4.75). Elita e re akademike është e mendimit se “komunistët kishin më shumë integritet personal sesa elita e sotme.” (e vjetra 1.67, e reja 1.75).
Paradigma e re: “vetëskllavërimi” para liderit dhe partisë
Në Maqedoninë e sotme politika është bërë shumë më partizane sesa më parë. Udhëheqësit partiakë kanë grumbulluar pushtet të madh dhe, ndër të tjera, përcaktojnë listat zgjedhore të partive, fate njerëzish, vende pune, rrjedha të ngritje-rënies së bizneseve. Sipas argumentimit të elitës së vjetër, pavarësisht ekzistencës së një sistemi demokratik dhe regjimi shumëpartiak, qytetarëve u mbetet të zgjedhin vetëm “shërbëtorët e partisë” – një formë zgjedhjeje ku cilësitë individuale anashkalohen. Në dallim nga figurat e forta të viteve 1980-të, “shërbëtorët bashkëkohorë të partisë”, sipas tyre, veprojnë dhe flasin vetëm në përputhje me vendimet e udhëheqjes, duke shtypur mendimet dhe qëndrimet personale, çka në fund pengon debatin demokratik. (CRPM, 2012)
Në periudhën e tranzicionit, lidershipi politik, bashkë me eshallonet e veta, ka prodhuar një filozofi të re, atë të “skllavit”. Një mori qytetarësh, për shkaqe të ndryshme, kryesisht sociale-ekonomike, kanë zgjedhur t’i nënshtrohet diktatit dhe kursit të partive që me metoda të ndryshme e kanë afirmuar këtë kulturë të re: vetëskllavërimin. Një arsye është edhe hakmarrja në forma të ndryshme, zakonisht me largime ose ndërrim të vendit të punës, kërcënime, komplote e linçime. Aq kanë fuqi, aq veprojnë. S’kanë mundësi për internim, burgosje si dikur, por kanë metodologji tjetër për t’i penalizuar të padëgjueshmit ose ata që mendojnë ndryshe.
Komunizmi i ka detyruar me forcë, kurse sot shumë njerëz me mend në kokë, që është më e keqja edhe intelektualë, shkollarë, e preferojnë vetëskllavërimin karshi dinjitetit personal që duhet ta ruajë çdo frymor human. E keqja në kub është pranimi i kësaj mënyre të artikulimit dhe jetesës nga popullata rinore, që duhet të jetë bartëse e proceseve. Forumet rinore janë shndërruar në “fabrika” të mendjeve të robëruara (Milosz). Një fenomen empirik gjatë periudhës së sundimit të BDI-së është sekuestrimi i indekseve të studentëve për të mos marrë pjesë në protesta të organizuara për kauzën e vet dhe, më gjerë, për kauza shoqërore. Kjo tregon se partia e ka marrë pozitën e sovranit mbi të riun si subjekt aktiv.
Sipas një hulumtimi të realizuar para disa viteve nga CRPM, është konstatuar se rreth 60% e të intervistuarve në sondazhin e opinionit publik kanë pohuar se njerëzit kishin më shumë liri personale gjatë komunizmit. (f. 160)
Dy karizma tipike shqiptare të RMV-së: Xhaferi – Ahmeti
Karizma nënkupton aftësinë e një individi për të tërhequr, ndikuar dhe frymëzuar të tjerët përmes personalitetit, bindjes dhe komunikimit të tij. Është një dhunti e veçantë (e perceptuar si e jashtëzakonshme, heroike ose e shenjtë), për shkak të së cilës një person pranohet dhe ndiqet nga të tjerët. Sipas Max Weber-it, karizma është një formë e legjitimitetit të autoritetit, që buron nga cilësitë e jashtëzakonshme personale të një individi. Karakteristikat kryesore të karizmës sipas Weber-it: nuk bazohet në ligje apo traditë, por në besimin e ndjekësve; lidhet me udhëheqës të jashtëzakonshëm (profetë, revolucionarë, liderë politikë); është emocionale dhe personale, jo institucionale; zakonisht shfaqet në kohë krize ose ndryshimi të madh shoqëror; është e paqëndrueshme; me kalimin e kohës, karizma priret të racionalizohet ose të institucionalizohet (procesi i “rutinizimit të karizmës”).
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, në periudhën 1990-2025, kanë prodhuar dy figura që mund të thuhet se janë karizmatikë, që lidhen me sintagmën “kulti i personalitetit”: Arbën Xhaferin dhe Ali Ahmetin. I pari ishte një filozof, mendimtar dhe politikan me frymë djathtiste, me pikëpamje liberale dhe konservatore. Konservatorizmi i tij ishte sekular: fenë e shihte si elemement joprimar të identitetit, madje islamin e shihte si tetivë akiliane të shqiptarëve. Ai, në shkrimet e veta, ka folur për rrezikun islamist (Bexheti, 2019) dhe neootomanizmin. Disa e vendosin në mesin e islamofobëve si Kadare, Plasari e shokët. Arbën Xhaferi, i mbiquajtur “Aristoteli i Tetovës”, ka qenë një shkollar i dalluar që kishte lexuar filozofinë perëndimore dhe, përtej, që kishte njohuri në shkencat politike dhe që ofronte reçetë për të ardhmen e Maqedonisë konsensuale, binacionale. Ai, si student i Beogradit, kishte dije edhe për kulturën dhe frymën kolektive serbe dhe sllave në përgjithësi, andaj elaborimet lidhur me politikën ballkanike i kishte me bazë të fortë. Instrumentariumi dhe narrativa e tij e politikëbërjes ishin të veçanta, kishin nuanca të kapitalit të lartë kulturor. Për fat të keq, pas ikjes së tij, u shfaq një krater i madh edhe në partinë e tij edhe në skenën politike shqiptare dhe më gjerë. Ndodhi fenomeni i banalizimit të politikanizmit. Profili, thellësia dhe karizma e tij do të kërkohen edhe një kohë të gjatë në trojet shqiptare. Është ndoshta politikani i vetëm për të cilin me pietet flet edhe tjetri ynë në RMV, blloku etnik maqedonas, intelektualët e mirëfilltë të këtij entiteti.
Ali Ahmeti ka pasur formim dhe veprimtari të hershme në rryma të majta, përfshirë ndikime marksiste-leniniste, veçanërisht në kontekstin e lëvizjeve politike shqiptare të viteve ’80–’90. Megjithatë, profilizimi i tij politik publik njihet më tepër si udhëheqës i lëvizjes kombëtare shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe, më pas, si aktor politik institucional sesa si ideolog i mirëfilltë marksist-leninist në praktikën e mëvonshme politike. Nga viti 2002 Ahmeti ka fituar apoletet e një lideri të transferuar në politikë nga formacioni ushtarak UÇK, së cilës i priu në kryengritjen shqiptare kundër forcave policore-ushtarake dhe që atëherë ka dalë fitimitar në shumë cikle zgjedhore, duke shfrytëzuar bagazhin e luftës, gjegjësisht të “heroit kombëtar” dhe duke eliminuar konkurrentët një nga një. Disa e kanë quajtur atë “legjendë të gjallë”, para të cilit shumë njerëz sot e këtë ditë “gjunjëzohen”, gjegjësisht e konsiderojnë atë lider karizmatik të pakontestueshëm dhe të pakonkurrueshëm. Disa e kritikojnë si recidiv i establishmentit komunist, si një LPK-ist, një prijës që s’përkon me frymën e shqiptarëve të RMV-së, pa segmentin e spiritualitetit. Një qytetar, duke i replikuar liderit të PDSH-së që pretendon se e ka futur në xhami Gruevskin, është shprehur: “Atë po, ama jo edhe Ali Ahmetin”. Partia e Ahmetit, në fakt, më tepër është një parti qendrore me elemente qendër-majtas, e formësuar kryesisht nga konteksti etno-politik, sesa nga një doktrinë ideologjike e pastër. Ajo nuk ka një program strikt social-demokrat në kuptimin klasik, nuk është as parti e djathtë, ndonëse vë theks në çështjet etnike, integrimin dhe barazinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. BDI-ja është parti lideriste dhe catch-all (parti gjithëpërfshirëse). Kohëve të fundit, Ahmeti, karizma e të cilit ka lindur në kohë krize, të ndryshimit të madh shoqëror, folur me terma weberianë, ka nisur të racionalizohet, të rutinizohet ose të zbehet. Shikuar sociologjikisht, misioni i tij duket të ketë përfunduar dhe është koha për kalim të timonit partiak një figure të re, sado që ky fakt mund të shkaktojë turbulenca brenda subjektit politik. Demokracia nuk lë hapësirë për dinosaurët politikë.
Përfundim
“Teoria klasike e elitës e përcakton elitën si një pakicë me pushtet dhe privilegje.” Pyetja e fundit që shtrohet është në këtë ese është: A është çmonizuar homo politicus-i shqiptar në RMV? As entitetet institucionale, e as individi ende nuk janë liberalizuar deri në shkallë të vetëmendimit apo opinionit të lirë. Në proveniencën e qendrës së majtë ende ekziston koncepti i partisë dhe liderit “Mesia”, shpëtimtar nga i cili varet e ardhmja, buka e gojës. Ky shenjtërim absurd helmon brezat. Fajin e kanë prijësit që duan të kontrollojnë gjithçka, përfshirë edhe profilet në rrjetet sociale, ndejat nëpër kafene dhe bisedat në vendin e punës. Pra, edhe 35 vjet pas rënies së komunizmit kemi një komunizëm tjetërfare, të reformuar vetëm pamësisht, ndërsa monist substancialisht e strukturalisht. Te krahu i djathtë ka qarkullim të dukshëm të elitave, paqësisht (“Alternativa”) ose me secesionizëm apo puçe brendapartiake (“Aleanca”), që flet për liri mendimi dhe veprimi, krahasuar me partinë post-konflikt që vazhdon të ruajë ikonën e saj. Ndërkohë, monizmi tipik në këtë ose në atë mënyrë, në RMV mishërohet te “Levica” (E majta), që nuk është parti klasike komuniste, e cila është radikalisht e majtë, antikapitaliste, e cila ka platformë kundër liberal-demokracisë, elitizmit, kundër NATO-s dhe BE-së. Për të jetësuar një shoqëri të shëndoshë, elitat duhet edhe të de-monizohen, të demokratizohen vërtetësisht, edhe të çdjallëzohen, të heqin dorë na makinacionet makiaveliste dhe të veprojnë në favor të së mirës kolektive. Çdo parti që nuk de-monizohet, do të demonizohet, do të deligjitimohet nga vulgu, populli.









