loader image
June 26, 2025

Çdo e mirë, vjen me ndonjë bisht prapa!

Njeriu e ka vështirë ta ndjekë dinamikën e ndryshimeve që solli revolucioni industrial dhe tekniko-teknologjik në kohën tonë. Sikundër për gjithë botën, edhe për shqiptarët disa arritje rrezikojnë disa vlera, siç është gjuha e gjetur nën kthetrat e tendencave të gabuara. 

Daut DAUTI, Shkup

Në ritmin e revolucionit tekniko-teknologjik

Është një film i shkëlqyeshëm i mjeshtrit të madh, më të madhit të kinematografisë pa zë, Çarli Çaplinit, që e ka titullin “Kohë moderne”, xhiruar diku para 90 vjetësh. Tamam kohë e mjaftueshme për një gjeni që ta kapë ritmin e kohës moderne që në thelbin e vet e kishte industrializimin, që kishte marrë hov pas makinës së avullit, trenave me qymyr dhe sidomos pas shpikjes së energjisë elektrike nga Tomas Edisoni dhe Nikolla Teslla dhe paraqitjes së veturave të para me naftë e, pak kohë më vonë, edhe të aeroplanëve, të cilët madje u futën edhe në industrinë luftarake që në Luftën e Parë Botërore. Këtu është edhe zbulimi i fotografive lëvizëse (filmit) për të krijuar një epokë të re, e cila shoqërinë njerëzore nga hapat e breshkës do ta shpie në një dinamikë të paimagjinueshme më parë.

Të gjitha këto arritje të reja i ke të përjetësuara me humorin e personazhit naiv të endacakut që ec me bastun në filmat e Çaplinit. Te filmi “Kohë moderne” ka dy skena antologjike: në njërën, Sharlo punon në një fabrikë ku procesi i prodhimit është automatizuar dhe detyra e tij është që në shiritin prodhues të shtrëngojë vidat, por në një moment nuk mund ta ndjekë dinamikën lëvizëse dhe shiriti e fut brenda në dhëmbëzat e makinerisë. Në skenën tjetër, fabrikanti e provon te Sharlo mënyrën e robotizuar të të ushqyerit, ku prapë njeriu nuk mund ta ndjekë makinën…

Një metaforë e fortë se si njeriu e ka vështirë ta ndjekë ritmin e ndryshimeve që i ka sjellë me zbulimet e veta.

Do të ishte mision i pamundur për të përshkruar se si e ka ndryshuar shoqërinë njerëzore revolucioni tekniko teknologjik, si në aspektin e zhvillimit ekonomik e shtresimeve të reja sociale, e gjer te thyerja e normave tradicionale te vendet dhe popujt.

Shqiptarët e vonuar dhe të rizgjuar…

Ne, si shqiptarë, nuk mund të lavdërohemi për ndonjë pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në dinamikën e re të etapave të para të këtij revolucioni, e as për ndonjë kontribut. Të dalë nga një shoqëri perandorake, e cila vetë e kishte humbur hapin e zhvillimit me Perëndimin, që në fundin e vet disadekadësh të agonisë ose ndoshta të një shekulli të tërë i ishte drejtuar Perëndimit që të “eksportojë” teknologji, mjete teknike, hekurudha, madje dhe armatim ushtarak që nuk ishte në gjendje të prodhojë vetë, edhe shumë kohë do të përpëlitemi në sistemet e vjetra. Vonimi do të jetë si mallkim i përgjithshëm, për shkak se edhe në proceset historike (të destinuara nga raportet e padrejta ndërkombëtare) do të jemi të vonuar dhe të paplotë në sendërtimin e synimeve kombëtare, ndaj sikundër që do të vijë me vonesë shteti, do të vijë me vonesë edhe gjithçka tjetër nga përfitimet e kohës moderne. Ajo pjesë e popullit që pati fat të jetojë në shtet, do të kalojë nëpër skenat rrëqethëse që i përshkruan Migjeni në skicat e veta, ku toka, edhe ashtu e pamjaftueshme, nuk do të mund të sigurojë as ushqim, ndërsa për industrializim as që mund të pritej në një shtet në fillet e veta, kurse pjesa tjetër nën shtete tjera, e stisur nga regjimet e padrejta, ku prapë mbijetesa do të varet nga modelet e vjetra, do të mbetet ende nën kthetrat edhe të vetërregullimit me Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Për paradoks, hapat më të mëdhenj në rrugën e emancipimit do të paraqiten në sistemin e padrejtë, që i joshi shumë popuj të botës – komunizmi. Fati dhe fatkeqësia që edhe lufta e drejtë antifashiste pati vulën e ideologjisë, që i kishte verbuar masat, e që në thelb ishte devijuese, antidemokratike, diktatoriale dhe sterile në mekanizmat zhvillimorë, që në një vend të pazhvilluar industrialisht, në mungesë konkurrence, nuk kishte si ta çonte përpara zhvillimin. Mirëpo, paradoksi i asaj ideologjie ishte se në vete kishte aspekte iluminizmi, që e vinte theksin mbi arsimimin dhe edukimin, si dhe në emancipimin e femrës, që më parë nuk mund të imagjinohej në kuadër të familjes tradicionale, aty ku femra e kishte pozitën e nënshtruar.

Është një tregim apo novelë e Kadaresë, që e kam lexuar që në rini, që ka një situatë të sajuar: në një fshat kooperativist, banorët çohen e ankohen te organet e pushtetit që në fshatin e tyre të mos ndërtohej një hotel që ishte planifikuar! Arsyeja e kësaj ankese është se ata ndihen të ofenduar për këtë, pasi për çdo mysafir dera e shqiptarëve ka qenë dhe mbetet e hapur dhe s’ka nevojë për t’u vendosur në hotel!

Sado që është sajesë tepër inventive artistike, autori i njohur e ka detektuar momentin e ndryshimit të kohës së re, kur dalëngadalë janë prekur edhe kodet zakonore për të cilat janë njohur shqiptarët. Jo nga ndërtimi i një hoteli në këtë situatë imagjinare, por sepse shoqëria e re, me bazë të fortë ideologjike, krijoi kode të reja përtej atyre të Kanunit, që e zvetënon bujarinë tradicionale.

Një nga ato çështje të trajtuara nga ky kanun është edhe hakmarrja dhe situatat që i parasheh ai. Por, regjimi komunist, në vrazhdësinë e veprimit të mekanizmave të represionit, në mënyrë të panatyrshme (më vonë e kemi shpjegimin pse), në Shqipëri e zhduku hakmarrjen, madje duke ulur në përmasa maksimale çdo lloj të krimeve. Ai sistem, duke dashur të sjellë norma të supozuara për një shoqëri të drejtë, cenoi edhe shumë liri, që në shoqëritë moderne ishin të garantuara: lirinë fetare, lirinë e mendimit…

Kështu, u zhdukën normat e vetërregullimit sipas Kanunit, por dhe u zhdukën edhe normat fetare, pas ndalimit të fesë në vitin 1967, të cilat në çdo religjion janë bazë e një etike e morali shoqëror që në vetëdije ka edhe frikën nga ndëshkimi i Zotit, për t’u zëvendësuar me një sintezë ideologjike pa frikë nga Zoti, por me frikë nga pushteti.

Por, çka ndodhi me rënien e komunizmit e që ka lidhje pikërisht me dy aspektet e sipërpërmendura? Së pari, u dëshmua se ndalimi i dhunshëm i kodeve nuk arriti t’i fshijë tërësisht nga memoria “mekanizmat” e veprimit, ndaj me të kaluar në demokraci liberale, u rikthyen në mënyrë të vrazhdë hasmëritë e dikurshme midis familjeve ose individëve!

Në anën tjetër, boshllëku i krijuar vetëdijësor nga ndalimi i religjionit krijoi një njeri që bie lehtë pre e fenomeneve devijuese shoqërore dhe të rishfaqjes së atij lloji të krimeve që nuk përmban as kod kanuni, as të librave të shenjtë: shfaqen vrasjet me pagesë (tritol…), vrasjet mizore të paimagjinueshme për trurin e shëndoshë (djemtë vrasin babain pse nuk u jep para për bixhoz, vrasin djaloshin për një biletë furgoni, vret gruan shtatzënë, vrasin turistët për një grusht lekësh, vret veten pasi ka vrarë dikë…)… Doemos duhen hulumtime shkencore përse këto, por një përfundim logjik i mundshëm është pikërisht boshllëku vetëdijësor i njeriut të socializmit, i edukuar pa frikën e Zotit.

Gjuha në rrezik!

Nuk është as pjellë shkrimtari me fantazi futurizmi, e as ndonjë profeci e ndonjë personi me “ndjenjën e gjashtë”, por kujtim real nga fëmijëria kur ishin radiot dhe televizionet në ekspansion, e pak telefona të përhapur, sepse telefonat ishin privilegj i rrallë edhe në qytet. Por, profecia ishte kjo që e flisnin njerëzit: kanë thënë se do vijë koha që ti do të flasësh me dikë në telefon në Amerikë, kur ti do ta shohësh atë e ai ty! Pikërisht kjo është koha që po e jetojmë, e që gjeneratat e vjetra dhe ne bashkë me to e kemi dëgjuar si parashikim. Telefoni më kaherë e e ka apsolvuar çështjen e fotografisë, me modifikimet përmes teknikave moderne përmes internetit (whatsap, mesenger, viber,…), ku dhe kostoja e dikurshme e impulseve telefonike, është bërë shpërfillëse.

Interneti, sikundër që edhe fazat tjera të mëhershme të revolucionit tekniko-teknologjik, e ka ndryshuar komunikimin tonë për të mirë në çdo pikëpamje. Tash po ndërlidhet edhe inteligjenca artificiale, që do të jetë një ndihmesë dhe lehtësim më çdo fushë të jetës. (Nëse jemi vonuar në shumë shpikje revolucionare, kësaj radhe kemi edhe ne kontributin tonë përmes Mira Muratit dhe shumë të tjerëve në këtë dhe fusha tjera, por jo si kolektivitet, por përmes individëve të talentuar e të ngritur në universitete e shkolla botërore…)

Por, asnjë e mirë nuk vjen pa ndonjë të keqe. Ndaj dhe desha pikërisht të ndalem pak edhe në ndikimin indirekt internetit në disa tendenca negative që cenojnë gjuhën shqipe. Cila është kjo tendencë?

Që në vitet 90-të, në gazeta dhe mediat elektronike në Shqipëri u shfaqën dy tendenca në kundërshtim me rregullat gjuhësore: nisi shkrimi i emrave të huaj në alfabetin e tyre (anglisht, italisht, gjermanisht…) dhe, e dyta, emrat e huaj nisën të mos shquhen dhe të lakohen në rasat e lakimit. Shpesh e kam trajtuar në gazeta dhe në rrjetet sociale, para së gjithash përmes Facebook-ut, diku-diku kam hasur edhe në ndonjë kundërshtim të flashkët ose përkrahje entuziaste, por, për fat të keq, pa ndonjë ndikim, sepse sikur nuk ka kush që mund ta ndalë këtë “modë”.

Demokracia e ardhur me shumë shpresë për të gjitha fushat, paradoksalisht krijoi një makth për gjuhën shqipe, sepse gjuha doli nga përkujdesi institucional (me këtë nuk dua të arsyetoj aspektet ideologjike të sistemit të kaluar) dhe iu la në mëshirë çdo shkruesi të mirë e të keq. Ky trend është bërë tashmë dukuri masovike dhe stacionet televizive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë bërë viktimë e kopjimit të kësaj praktike të gabuar që është nisur më herët në mediat e Shqipërisë. Ja disa shembuj, nga mali i shembujve të shënuar: “Tash ta dëgjojmë deklaratën e Tuntev!” “Kërcënimi i Vuçiç se do t’i braktisë bisedimet.” ose “Angela Merkel u takua me Makron.” ( tingëllon si makro!). Është zor të gjesh në këtë kohë televizion ose komentues i cili i shquan ose i lakon emrat e garuesve në ngjarje sportive, tepër rrallë! “Skuadra e Petkoviq” (në vend se “Skuadra e Petkoviqit”, “së bashku me Neimar” (në vend se “së bashku me Neimarin”), “topi për Seferoviq” (në vend se “topi për Seferoviqin”, “topi për Jan Somer” (në vend se “…për Jan Somerin”), “topi për Zuber” (në vend se “për Zuberin”), “me golin e Kolarov” (në vend se “me golin e Kolarovit”), “topi për Lustig”, (në vend se “…për Lustigun”), “ka luajtur për ekipin e Daevu” (në vend se “…për ekipin e Daevusë”), “edhe një tjetër mundësi për Berg” (në vend se “edhe një tjetër mundësi për Bergun”), “faul ndaj Rakitiq” (në vend se “faul ndaj Rakitiqit) etj.

Në bazë të cilave rregulla të gjuhës shqipe emrat e huaj përjashtohen nga shquarsia ose lakimi në rasa? Po t’i pyesësh dikë këndej në Maqedoni të Veriut ose dhe Kosovë, përgjigja “e logjikshme” do të ishte: “kështu bëjnë në Shqipëri”! Por, “kështu bëjnë në Shqipëri” nuk është rregull gjuhësore, por një praktikë e mbrapshtë që kushedi si ka nisur pas rënies së komunizmit (sepse këso shkeljesh më parë nuk ka pasur). Më kujtohet një emision i Arian Çanit (Zonë e lirë, TV Klan), ku intelektuali i njohur, Edmond Tupja, u përpoq të shpjegojë se edhe emrat e huaj iu nënshtrohen rregullave të gjuhës shqipe, por fjalët e tij sigurisht i ka marrë era sapo ka përfunduar emisioni. Edhe gjuhëtarë të tjerë nga Tirana kohë pas kohe e kanë ngritur zërin, por kjo assesi nuk ka ndikuar që t’i ndalet hovi kësaj dhe disa praktikave të tjera që përhapen si sëmundje ngjitëse!

Gjuhëtarët duhet të jenë këmbëngulës në shpjegimin se motivi për t’i ruajtur emrat e huaj në origjinal, njëherë për t’i shkruar në alfabetin e tyre, e pastaj dhe për mos t’i lakuar, nuk përkon me natyrën dhe rregullat e gjuhës shqipe.

Për ironi, para disa vitesh, duke e përcjellë këtë “trend”, kisha parashikuar se së shpejti edhe emrat shqiptarë nuk do të shquhen ose lakohen nëpër rasa dhe, për fat të keq, gjithnjë e më tepër në gazeta, portale e, sidomos, në televizione, ka hyrë edhe kjo çoroditje (këtë term e parapëlqej, sepse nuk di si ta quaj ndryshe). Ja disa “margaritarë” nga moderatori i njohur Alban Dudushi, i cili në një emision (19 prill 2017) paralajmëroi mysafirët e tij kështu: “…Dhe ftoj Adelina Berisha” (në vend se “ftoj Adelina Berishën) (1) dhe “ftoj në studio Shkëlqim Xika dhe Enver Hoxha…” (2), (në vend se ”ftoj Shkëlqim Xikën dhe Enver Hoxhën”). Ose, “intervistë me Robert Berisha”!!! Nga një portal kosovar veçova këtë fjali: “Bedri Islami: Vrasja e Luan Haradinaj ndodhi nga pakujdesia e grupit ndërsa rasti i Zahir Pajaziti ishte më i ndërlikuar”! Ja dhe shembuj tjerë nëpër portale ose telopët e televizioneve se deri ku shkon trendi që ka filluar me emrat e huaj dhe tash si pandemi i ka kapluar edhe emrat e shqiptarëve: Moderatorja e shout televiziv Big Brother Albania (2022/23) në Top Chanell shprehet: “Aty brenda mbetën: Enxhëll, Donald dhe Ilir”, sikur bëhet fjalë për anglezë! (ndonëse të përkujtoj se një rregull i tillë i gjuhës shqipe as për emra anglezë nuk ekziston!) …Është lapsus, apo vazhdim i inercisë që në emisionin “Opinion” në TV Klan, Blendi Fevziu një nga edicionet e veta e titullon kështu: RRËFIMI I RRALLË I PREÇ ZOGAJ?!!! E ka ngrënë gabimisht shkronjën “t” apo mendon se duhet ta ruajë të pacenuar mbiemrin e Preçit vetëm Zogaj edhe kur imperativi gjuhësor e kërkon të shkruhet “i Preç Zogajt”?! Si në gojë të ujkut kërcejmë në drejtshkrimet e gjuhëve tjera, në rastin konkret të maqedonishtes: РЕТКА ИСПОВЕД НА ПРЕЧ ЗОГАЈ!!! Ka edhe më, kur shkruesit harrojnë se janë emra shqiptarë: “Sherri midis Ariolës dhe Ejnxhëll”, “Dua të flas me Daks dhe Ejnxhell”, “Dagsin e shoh shumë të dhënë pas Ejnxhëll”, “Intervistë me dr. Halil Krasniqi”, “Përpjekje për atentat ndaj Xhovalin Shkurti”, “Yuri Kim takon Ilirian Celibashi” (nuk dihet kush kë takon!), “…për shkarkimin e Abazoviç”, “Postimi i plotë i Shkurte Fejza”, “SARANDË, NDERIME PËR VEPRËN E NESTOR MUKO” (Nestor Muko është shqiptar!). “Fotografia në sytë e Ilir Çumani”.

Redaktorët dhe gazetarët duhet të na sqarojnë se përse ruajtja e origjinalitetit të emrave të huaj (tash edhe të atyre shqiptarë!!!) është më me rëndësi se respektimi i rregullave drejtshkrimore të gjuhës sonë???!!! Vallë, për shkak të kërkimeve në internet? Përse në gjuhën serbokroate, e cila përdor alfabetin latin, emrat e huaj shquhen dhe lakohen pa problem, transkriptohen dhe transliterohen pa frikë se si do të duket Xho Bajdeni, Sholci, Xhonsoni, Putini, Makroni…?

Çka të bëjë një spiker televiziv të cilit i shkon teksti para lajmeve për ta lexuar dhe ka një varg emrash të shkruar në alfabetin gjerman, anglez, armen, ukrainas, holandez apo danez? Si do t’i lexojë ato nëse të gjithë janë shkruar në origjinal? Kjo pyetje vetëm sa e bën më të pakuptimtë këtë tendencë destruktive, për deformimin e së cilës mund të thuhet se ka përmasa karrikaturale!

Në media ka dhe shumë anomali të tjera, të cilat janë anakronike, duke pasur parasysh se ne prej Kongresit të Drejtshkrimit në Tiranë (1972), kemi detyrim moral, intelektual e institucional që ta përdorim gjuhën e njësuar. Por, në gjuhën e medias dhe, besoj, edhe atë institucionale, pa kurrfarë përgjegjësie dominojnë trajta dialektore jugore. Kemi një shkujdesje totale në përdorimin e shqipes standarde, duke mos çarë kokën fare për të dhe duke e trajtuar dialektin e Shqipërisë së Jugut si të ishte standardi vetë! E kam fjalën për trajtat e gabuara të emrave që fjalori i gjuhës shqipe i ka ndryshe, si “vënd” në vend se “vend”, “kuvënd” në vend se “kuvend”, “mënd” në vend se “mend”, “qënka” në vend se “qenka”, “të qënurit” në vend se “të qenit”, “shëmbull” në vend se “shembull”…. dhe shumë shembuj të tjerë të ngjashëm, ku shkronja E zëvendësohet me Ë-në. Këtë problem me më shumë shembuj e ilustron edhe gazetari veteran nga Shkupi, Rexhep Zllatku, një nga ata entuziastë për standardin e shqipes, i cili në një shkrim në gazetën “Koha” regjistron: “…dhëmb, dhëmbje, gjëmb, shëmb, shëmbull, trëmb, zëmër, zëmëroj, zëmërim, i përzëmërt, brënda, i brëndshëm, cënoj, çmënd, i çmëndur, gjëndje, vënd, kuvënd, vëndës, zëvëndës, qëndër, kam qënë, duke qënë se, gjërë, gjërësi, i vëmëndshëm, mëndje, i mënçur (pa hë, hëni de, hëni edhe pak, le të bëhemi më papistë e më katolikë se papa e le t’ia ngjeshim toskërishtes edhe ato që nuk i ka e të themi: mëndim, mëndoj…), ndënjur, shënjë, i shënjtë, i vrënjtur e sa të duash shembuj të tjerë… Pra, një problem i lindur nga një moskokëçarje e normave të gjuhës standarde nga folës që mendojnë se dialekti tosk është vetë standardi (!).

Ka qenë qesharake dhe ironike njëkohësisht kur në një emision televiziv pikërisht në Shqipëri ishin ftuar disa gjuhëtarë dhe po i tregonin gabimet që bëhen në media, ndërsa drejtuesja e emisionit u ndal në një moment dhe tha me gjithë sinqeritetin: po ne po bëkim shumë gabime! Kjo do të thotë se duke na u mësuar syri e veshi nga trajtat e gabuara, gjeneratat e reja krijojnë një bazë tërësisht akulturore të përdorimit të gjuhës amtare, ku trajtat e gabuara u bëhen shprehi dhe i kuptojnë si të jenë pjesë e gjuhës standarde!

Një përkujdesje institucionale, e imponuar e dhe nga akademitë e Tiranës dhe Prishtinë ose  institutet gjuhësore të të gjitha qendrave universitare shqiptare në Ballkan, do ta pengonin një erozion të mëtutjeshëm. Normalisht, në këtë temë mund të shtohet edhe çështja e debateve rreth vetë standardit, flijimit të gegërishtes dhe shumëçka tjetër rreth kësaj, por kjo është një temë tjetër, e cila kërkon shumë më tepër elaborim dhe kompetencë nga fusha e linguistikës.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X