Albert Einstein-i mendonte se një krizë mund të ishte bekim për çdo njeri dhe komb, sepse pas përfundimit të tyre mund të ketë zhvillim më të madh. “Kreativiteti lind nga ankthi, ashtu siç dita lind nga nata e errët. Gjatë krizave lind nevoja për të krijuar, për të zbuluar dhe për të ndërtuar strategji të madhe. Kush e mbizotëron krizën e mbizotëron veten pa qenë i ‘mbizotëruar’”, tha ai.
Salajdin SALIHU, Tetovë
Brezi im e përjeton ndryshimin e dytë planetar. Pas rënies së Murit të Berlinit, që shënoi fundin e Luftës së Ftohtë dhe të sistemit monist, tash po e përjeton fundin e një rendi botëror. Ndryshimi i parë solli liri dhe shpresë, kurse i dyti ngjall pasiguri dhe dilema.
Historia dëshmon se kur lëkunden pllakat gjeopolitike, janë fuqitë e mëdha që e vizatojnë hartën e re të botës, kurse shtetet e vogla detyrohen të përshtaten me realitetin e ri.
Hapja e Kutisë së Pandorës
Kutia e Pandorës është hapur. Miti thotë se, pas hapjes së saj, të gjitha ligësitë u shpërndanë nëpër botë, kurse brenda kutisë mbeti vetëm shpresa. Por, ekspertët e zhvillimeve ndërkombëtare nuk e shohin të ardhmen me shumë optimizëm.
Prej se rendi ekzistues botëror pushoi së funksionuari pas ndërhyrjes ruse në Ukrainë, bota po shkon drejt ndarjes në zona ndikimi. Duke qenë më e ndarë, ajo do të jetë edhe më e paparashikueshme.
Ekspertët thonë se interesat e fuqive të mëdha do t’i mbizotërojnë ligjet ndërkombëtare, pavarësisht nga pasojat; do të ketë më pak stabilitet global; më shumë konflikte rajonale e destabilizime shtetesh; më shumë shfaqje autoritare; luftë më të ashpër tregtare, ekonomike e teknologjike, por jo ndonjë luftë botërore në kuptimin klasik. Parashikohet edhe dobësimi i institucioneve ndërkombëtare, si OKB-ja dhe OBSH-ja.
SHBA-ja, si fuqia kryesore planetare, do të ketë rivalitet më të theksuar me Kinën si fuqi ekonomike, teknologjike e ushtarake në rritje. Rusia, përkundër tentimeve për t’u imponuar si fuqi botërore, do të jetë vetëm fuqi rajonale, falë kapaciteteve ushtarake dhe energjetike. Bashkimi Europian do të përqendrohet te forcimi i kapaciteteve të sigurisë. Pas luftës në Ukrainë, liderët europianë më nuk besojnë se në Europë do të mbizotërojë paqja e përjetshme. Ata flasin për krijimin e një këshilli të sigurisë europiane dhe të një ushtrie të përbashkët, por jo si zëvendësim i NATO-s.
Fundi i një rrëfimi të bukur
Ndryshe nga disa vite më parë, kur askush nuk e imagjinonte mundësinë e një tensioni SHBA-BE, pra brenda vetë shteteve të NATO-s, sot kemi ngjarje të paparashikueshme.
Forumi Ekonomik në Davos nxori në pah shumë dallime ndërmjet aleatëve. Presidenti amerikan Donald Trump tha se BE-ja nuk shkonte në drejtimin e duhur; se Amerika shënonte sukses ekonomik; se Grenlanda ishte ende në tavolinë. Paraprakisht, ai disa herë ka kritikuar qasjen europiane. Kërkoi nga europianët shpenzime më të mëdha për NATO-n. I kërcënoi eksportet europiane me tarifa të reja. I sfidoi edhe vlerat europiane mbi demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, foli në Forumin Ekonomik “për fundin e një rrëfimi të bukur dhe fillimin e një realiteti të ashpër”. Ai paralajmëroi se tashmë kemi hyrë në epokën kur fuqitë e mëdha nuk i nënshtrohet asnjë kufizimi dhe se rendi i bazuar në rregulla po zhduket. Sipas tij, Kanadaja synon një rend të ri që mishëron respektin për të drejtat e njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm, solidaritetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve. Nuk harroi ta citonte Tukididin: “Të fortët bëjnë çfarë të munden, kurse të dobëtit vuajnë atë që duhet vuajtur”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, e kritikoi politikën amerikane që “ushtron presion mbi aleatët europianë”, përfshirë rastin me Grenlandën, dhe kërkoi të punohej për stabilitet dhe jo të jetojmë në botë pa rregulla ku shuhet e drejta ndërkombëtare.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, paralajmëroi se rendi i vjetër po shpërbëhet me shpejtësi të tmerrshme dhe se bota hyn në epokën e politikës së fuqive të mëdha, që është kërcënim serioz për sigurinë globale. Ai e përshëndeti njoftimin e Trump-it për arritjen e “kornizës për një marrëveshje të ardhshme” për Grenlandën. Ndërkaq shefi i diplomacisë gjermane, Johann Wadephul, tha se “nuk ka asnjë dyshim se Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë pas NATO-s dhe mbrojtjes së Europës”.
Europa Juglindore dhe panorama e re gjeopolitike
Shtetet e Europës Juglindore, pa ndonjë peshë dhe rol në vendimmarrjet globale, duhet të veprojnë me urtësi, teksa krijohet panorama e re gjeopolitike.
Në kohën e tronditjeve të mëdha, kush rreshtohet gabimisht, rrezikon shumë. Fitues janë ata që veprojnë me mençuri dhe dinë të pozicionohen në rrethanat e reja.
Ballkani, edhe pse është në zonën e ndikimit perëndimor, do të jetë i ekspozuar ndaj ndikimeve të tjera, veçanërisht ndaj Rusisë dhe Kinës.
Në panoramën e re gjeopolitike, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi do të mbeten të orientuara drejt BE-së, kurse siguria e tyre do të garantohet nga NATO- ja. Në Serbi do të vazhdojë të ndihet ndikimi i Rusisë, por edhe Kina është e interesuar ta shtrijë sa më shumë ndikimin ekonomik.
Sfidat kryesore të shteteve të Europës Juglindore në të ardhmen do të jenë integrimi në BE, demokracitë e brishta dhe migracioni i vazhdueshëm.
Shpresat pas krizës
Kriza globale do të vazhdojë gjatë kohë dhe do të shoqërohet me shumë trauma. Albert Einstein-i mendonte se një krizë mund të ishte bekim për çdo njeri dhe komb, sepse, pas përfundimit të tyre, mund të ketë zhvillim më të madh.
“Kreativiteti lind nga ankthi, ashtu siç dita lind nga nata e errët. Gjatë krizave lind nevoja për të krijuar, për të zbuluar dhe për të ndërtuar strategji të madhe. Kush e mbizotëron krizën e mbizotëron veten pa qenë i ‘mbizotëruar’”, tha ai.
Në këtë periudhë të pasigurt, politikanët shqiptarë duhet të tregojnë kujdes të madh në veprimet e tyre, për sa kohë kemi zhvillime të paparashikueshme dhe ajo që vlen sot, nuk vlen nesër. Historia ka dëshmuar se shqiptarët kanë paguar çmime të rënda për shkak të renditjeve të gabuara gjeopolitike. Ruajtja e aleancës me BE-në dhe SHBA-në mbetet domosdoshmëri dhe duhet të mbrohet me çdo kusht. Gjithashtu duhet edhe politikë më e koordinuar gjithëkombëtare.









