Sigurisht që askush nuk e ka shkopin magjik kur bëhet fjalë për zgjidhjen e plotë të çështjes së arsimit tonë, sepse arsim ideal nuk ka, por për një arsim efektiv duhet rritur besimin te kuadrot e rinj shqiptarë, si dhe duhet kultivuar diskurs më pozitiv dhe mentalitet të mirëfilltë demokratik qytetar.
Mixhait POLLOZHANI, Strugë
Të shkruash për arsimin në plan kombëtar sot dhe në veçanti për arsimin shqip në Republikën e Maqedonisë së Veriut, bëhesh objekt trajtimi i një debati shumë kontrovers në shoqërinë (mbarë)shqiptare. Duke qenë një ndër segmentet shumë të rëndësishme shoqërore, arsimi ynë përbën një ndër temat më të ndjeshme, që për çudi është kthyer në një parodi e vërtetë urbane! Të gjithë flasin për të, thurin anekdota dhe barsoleta të ndryshme në llogari të tij, e kritikojnë me të drejtë dhe pa të drejtë, e nënvlerësojnë dhe e përçmojnë deri në atë masë, saqë nuk e meriton! Sigurisht, që arsimi ynë nuk është ashtu siç duhet edhe siç e kërkon koha, por ama nuk mund të thuhet se gjithçka në të është e zezë, sepse çdo njeri pak më i kujdesshëm mund të gjejë më shumë se një gjë të mirë tek ai.
Është e vërtetë se në opinionin tonë publik aktualisht dominon bindja se arsimi ka degraduar dhe nuk është falënderuese që të mbash një qëndrim më pozitiv ndaj tij, sepse mund të keqkuptohesh, pasi që i madh është numri i atyre që nuk do të pajtohen, ndërkohë që më kritikët mund të gjejnë njëqind e një kundërargumente për ta dëshmuar mendimin e tyre. Por, sidoqoftë, qasjen diç më optimiste ndaj arsimit kombëtar nuk e zgjodha për t’i mohuar mangësitë, as për t’i amnistuar përgjegjësitë, e aq më pak për të shfajësuar veten time, nga shkaku se jam drejtpërdrejt i lidhur me arsimin, për çka nuk pretendoj se i përkas grupit të modelit më të mirë të një mësimdhënësi universitar. Këtë, pra, e bëj për të përligjur anën e mirë të arsimit dhe të atyre që e kultivojnë atë.
Zhvillimi asimetrik i arsimit shqip
Për t’u furnizuar me informacione të nevojshme për këtë artikull, sigurisht, që shfletova libra të ndryshëm, por edhe hulumtova mjaft nëpër faqe të internetit, për të mësuar diçka më tepër për të kaluarën dhe sidomos për të tashmen e arsimit tonë. Por, para se të merrem me gjendjen aktuale të arsimit shqip, njëherë do t’i kthehem shkurtimisht të kaluarës së tij, i cili duket qartë se është zhvilluar pothuajse në raport asimetrik me arsimin e popujve tjerë në rajon.
Ka disa faktorë të cilët e dëshmojnë këtë dhe njëri ndër ato është konteksti historik që nuk mund të thuhet se ka qenë i favorshëm për arsimin shqip. Dhe duke e kërkuar brenda kontekstit historik fatin e arsimit shqip, me të drejtë mund të thuhet se ai sikur përhumbet nëpër labirintet e qytetërimeve të ndryshme gjatë epokave të kaluara.
Dihet që ilirët, arbërit dhe shqiptarët historikisht kanë folur gjuhën e tyre, por ata deri vonë nuk e kishin shkrimin e vet, andaj edhe arsimi i tyre ka qenë i varur nga ideologjitë, pushtetet dhe shkollat e huaja. Këtë fat e ka përjetuar edhe Shkolla e Apollonisë në Iliri, në të cilën ka mësuar shkathtësitë ushtarake, perandori romak, Oktavian Augusti, e cila njëherë ka qenë nën ndikimin greko-helen dhe pastaj edhe nën atë romak.
Aty nga fundi i shekullit XVI dhe fillimi i shekullit XVII vërehet një intensifikim i veprimtarisë arsimore dhe edukative nëpër shkollat fetare (katolike, ortodokse dhe islame), në të cilat krahas me gjuhët e tjera ngadalë nisi të përdorej edhe gjuha shqipe si gjuhë më shumë si nevojë e propagandës fetare për masat e gjëra popullore. Ndërkaq, shkolla e parë legale kombëtare shqipe, e njohur edhe si Mësonjëtorja e Korçës, është themeluar në Korçë më 7 mars të vitit 1887, kurse, një vit më vonë u hap edhe shkolla e parë shqipe e Prizrenit, që është institucioni i parë arsimor me karakter kombëtar dhe laik në Kosovë.
Në shekullin XX dolën lëvizje të reja dhe shkolla të reja, që ofronin ide më efektive për edukimin dhe arsimin. Me fillimin e zbatimit të reformave në shkollë arsimi u bë i përgjithshëm, unik, modern dhe i arritshëm për të gjithë, por ndeshi edhe në vështirësi të ndryshme. Dhe, kur këtyre vështirësive ua shton qasjet jo gjithmonë parimore të politikave zyrtare, atëherë është e kuptueshme gjendja aktuale e arsimit shqip në Maqedoninë e Veriut.
PISA si paralajmërim ogurmirë!
Gjatë kërkimit hasa në informacione të shumta me domethënie historike dhe statistikore, artikuj hiperbolizues ose edhe me vlerësime apriori kritike kushtuar arsimit shqip në Maqedoninë e Veriut. Por, fare pak hasa në artikuj analitikë nga këndvështrimi objektiv shkencor, që do të bënin një pasqyrim të gjendjes faktike në arsimin tonë. Por, pa dashur për ta minimizuar rëndësinë e atyre kontributeve shkencore, shtjellimin e temës mbi arsimin tonë do ta vazhdoj me interpretimin e diskursit të përditshmërisë sonë që po merr trajtën e një fushate përplot (dis)kualifikime dhe shumë të përsëritura viteve të fundit në shoqërinë shqiptare. Mbase në shikim të parë ky diskurs nuk duket edhe gjithaq ndikues, por në esencë ai e përbën thelbin e perspektivave të arsimit tonë, sepse nga niveli kulturor i shtresave të përgjithshme të shoqërisë varen fatet e një populli.
Nuk janë pak në numër ata të cilat flasin se dikur shkollimi (arsimi) ishte më i mirë, më cilësor, se atëherë kishte vlera dhe se sistemi i arsimit funksiononte më mirë, se kuadrot e atëhershme ishin më të përgatitura, si dhe shumë e shumë cilësime të ngjashme. Dhe, kur i dëgjon që këtë e thonë ish politikanët dhe sidomos ish-mësimdhënësit, të cilët mendojnë se me heqjen nga përdorimi i shkumësit, gjenerata e nxënësve dhe të studentëve të tanishëm dalin shumë më të dobët, ky del me të vërtetë një krahasim anakronik në këtë kohë të sajber shoqërisë.
Mbase këtë duhet kuptuar si rezonim të njerëzve me strukturë mentale të prirë nga ndjenja nostalgjike, të cilët për ta justifikuar vetveten dhe të kaluarën e tyre e mohojnë edhe kontributin e vet. Por, nëse është kështu, atëherë, domosdo që mendja të shkon te thënia e një njeriu të madh, siç ka qenë ish presidenti i SHBA-së, Abraham Linkoln, i cili thotë “Filozofia e shkollimit të një brezi do të jetë filozofia e qeverisjes të një brezi tjetër”. Sipas kësaj thënie, nëse gjendjen aktuale të përgjithshme në vend dhe të arsimit tonë në veçanti e gjykojmë mbi bazën e (pa)aftësisë së kuadrove të sotshëm, atëherë i bie që kjo situatë e këtillë të jetë rezultat i nivelit profesional të kuadrove të dikurshëm. Ose, thënë ndryshe, ne sot po e korrim atë që e mbollën të tjerët dikur!
Në favor të këtij diskursi me tone irracionale u vunë edhe interpretimet e rezultateve të testimeve PISA. Si një nga testimet ndërkombëtare më kredibile dhe më të besueshme, PISA i mat njohuritë e zbatueshme që i nevojiten nxënësit për të vazhduar arsimimin dhe për t’u përgatitur në jetën personale dhe profesionale. Me një diferencë minimale, rezultatet për vitin 2022 të këtij testi për Maqedoninë e Veriut e patën ruajtur deri diku nivelin e vitit 2018. Kështu, nga gjithsej 81 vende që kanë qenë pjesë e testimit, Maqedonia e Veriut e zë vendin e 61-të në matematikë, vendin e 71 në shkrim-lexim dhe vendin e 68-të në shkencat natyrore. Por, mjaftuan këto shifra për t’u ngritur alarmi dhe për të filluar një fushatë kundër politikave të arsimit, ku më e zëshme për këtë ishte opozita politike, por edhe qarqe të ndryshme intelektuale dhe një pjesë e shoqërisë civile në vend. Ndonëse ato edhe mund të kenë të drejtë që gjendjen ta shikojnë si alarmante, por nuk e marrin parasysh faktin se e mira e këtij testimi qëndron te vlerësimi real i dijes së nxënëseve dhe se përbën një lajm ogurmirë përballë atyre testeve të kurdisura ose edhe notave të fryra, që fëmijët apo nipërit tanë për vite me radhë i marrin nëpër shkolla tona. Dhe, shumë nga kritikuesit pastaj (gjithmonë duke i përjashtuar të merituarit) mburren me pesëshet ose me dhjetat e fëmijëve të tyre dhe mbi këto rezultate e kërkojnë edhe shpërblimin e merituar në shoqëri.
Kuadrot shqiptarë të mirë për tregjet e huaja!
Ndonëse këto rezultate nuk janë gjithaq të kënaqshëm, megjithatë ato janë më të mira se rezultatet e regjistruara sipas indekseve ndërkombëtare në lidhje me të arriturat në fushat e tjera të vendit. Por, pa dyshim që ka edhe argumente të tjera që flasin se nuk është gjithçka e dështuar në arsimin tonë, edhe përkundër faktit se duke qenë një popull për një kohë të gjatë pa të drejtë shkollimi në gjuhën amtare dhe duke u përballur jo një herë edhe me mbylljen e institucioneve arsimore, sot megjithatë flasim për sisteme të arsimimit, kuadro shqiptare etj. Ndërkohë, që po këto kuadro, të cilët i kanë marrë përgjegjësitë drejtuese dhe profesionale në vend, ndonëse aq të kontestuar, ato sot i gjejmë edhe përtej kufijve të shtetit. Dhe, ky vallë nuk është një argument i fuqishëm që flet se nuk duhet mohuar gjithçka që prodhon sot sistemi i arsimit? Për të qenë më të drejtpërdrejtë, duhet kujtuar se sot shumë nxënës që e kryejnë shkollën e mesme në vend ua mësyejnë dyerve të universiteteve të ndryshme dhe prestigjioze nëpër botë. Gjatë studimeve nëpër ato universitete, jo vetëm që pajisen me dije dhe me diploma për kompetenca profesionale të fushave të ndryshme, por njëkohësisht po dëshmohen edhe si studentë të dalluar, duke u bërë kështu mjaft të kërkuar edhe në tregun e punës të vendeve gjegjës.
Ndërkohë që një rrëfim më vete përbën kontingjenti i kuadrove nga vendi që sot janë të punësuar nëpër shtetet më të zhvilluara europiane dhe botërore. Një fenomen i tillë, që tani është kthyer në një dukuri, i njohur si “ikja e trurit” apo “rrjedhja e trurit”, mund të ilustrohet me qindra, mbase edhe me mijëra shembuj. Bëhet fjalë për kuadro të profileve të ndryshme të cilët kanë diplomuar nëpër universitetet ekzistuese të vendit. Por, në mungesë të një statistike të saktë në nivel vendi, vetëm po të marrim si shembull numrin e kuadrove që kanë dalë nga Universiteti i Tetovës, do të shohim se shumë mjekë, inxhinierë të informatikës, arkitektë, dizajnues, por edhe të profileve tjera, po e gjejnë vetën nëpër botë. Atëherë përgjigja vjen vetvetiu. Të mos flasim edhe për shumë kuadro të cilët nga vendi punojnë online për kompani të ndryshme nëpër botë, si dhe për shumë të tjerë të cilët për shkak të anomalive të sistemit mbeten të papunësuar. Kuadrot e shkolluara në këtë vend, në këtë sistem arsimor, në këto shkolla dhe universitete, dhe po nga këto mësimdhënës, mund të bëjnë për tregun e jashtëm, kurse dikush i shikon me aq dozë dyshimi aftësitë e tyre profesionale! Pra, ashtu siç nuk duhet t’i cilësojnë kuadrot e reja, as duhet akuzuar brezat e mëparshëm, sepse ato kanë bërë atë që kanë ditur, por ne duhet gjykuar drejt dhe nuk duhet t’i mohojmë dhe as t’i përgjithësojmë gjërat në gjykimet tona. Aq më tepër të mos i nënçmojmë vlerat e gjeneratave të sotme, të cilët janë të detyruar t’u përshtaten rrethanave të reja në të cilat veprojnë.
Zgjidhja te reformat edhe përgjegjësia
Arsyet e ndryshme ekonomike, sociale, teknologjike e të tjera kanë diktuar shumë në zhvillimin e arsimimit gjatë historisë. Me kalimin e kohës, ai ka ndryshuar sepse ndryshonin edhe metodat dhe mënyrat e mësimdhënies, qëndrimet e njerëzve, kushtet materiale, marrëdhëniet shoqërore etj. Duke parë sesi është zhvilluar arsimi gjatë historisë, mund të gjenden gabime dhe të krijohen keqkuptime të shumta që dikur kanë qenë të pranueshme, kurse sot konsiderohen të gabuara, derisa edhe të dëmshme. Prandaj, njerëzit janë vënë vazhdimisht në kërkim të zgjidhjeve më të mira dhe më efektive. Po bëhen reforma, qëllimi i të cilave është rritja e edukimit edhe arsimimit, për të krijuar individë dhe profesionistë sa më të pavarur dhe më cilësorë.
Ndërkohë që, për shkak të ndryshimeve të shpeshta të ekipeve dhe ideologjive, pothuajse asnjë reformë nuk u përfundua me sukses, kështu që në të gjitha segmentet e proceseve arsimore në Maqedoninë e Veriut janë grumbulluar aq shumë probleme, saqë nevojitet puna e një ekipi të madh profesional për ta stabilizuar sistemin e arsimit. Bashkë me stabilizimin e tij duhet të bëhen ndryshime rrënjësore në program, tekste, në sistemin e trajnimit të mësuesve dhe analiza të nevojave të tregut të ri të punës. Vetëm atëherë sistemi duhet të përshtatet me zhvillimet më të fundit në shoqëri dhe me nevojat e të rinjve që arsimohen.
Sigurisht që askush nuk e ka shkopin magjik kur bëhet fjalë për zgjidhjen e plotë të çështjes së arsimit tonë, sepse arsim ideal nuk ka, por pa dyshim që shpresa qëndron edhe te reformat të cilat duhet përshtatur me nevojat e tregut, kurse rruga më efikase për çrrënjosjen e anomalive është mekanizmi i përgjegjësisë. Dhe, për këtë përgjegjësia i bie politikës dhe (pu)shtetit. Por, për të pasur një arsim me të vërtetë efektiv, duhet kultivuar edhe diskurs më pozitiv dhe një mentalitet të mirëfilltë demokratik qytetar, si dhe duhet rritur besimin akoma më shumë te kuadrot e rinj shqiptarë.