loader image
October 14, 2025

(Ar)Miqësia e Nolit me Enver Hoxhën

Kapitull më vete në veprimtarinë e Nolit është edhe raporti me politikën, në të cilin rrafsh pati momente që atë e bënë kontrovers.

Shkëlzen HALIMI, Shkup

Fan Noli pa dyshim se është një nga figurat më komplekse të historisë shqiptare të shekullit 20. Ishte themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse, përkthyes brilant, studiues, shkrimtar dhe politikan. Kuptohet, në vitet e mbrapshta të historisë shqiptare, edhe ai, si shumë personalitete të kulturës dhe politikës shqiptare, pa pasur një vizion të qartë, për pak çaste, për shkak të bindjeve jo edhe aq të sistemuara, siç do të tregojë historia, fatkeqësisht do të jetë në anën e gabuar. Pavarësisht të gjitha ngritjeve e rënieve, Noli, megjithatë, mbetet një shqiptar, i cili, me të gjitha mjetet që kishte në disponim, u angazhua për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe lirinë e munguar për shumë kohë. Në veçanti, kontributi i tij më i ndjeshëm do të jetë në kulturën shqiptare, duke na sjellë atëbotë në shqip Shkekspirin, Servantesin, Ibzenin, Kahjamin. Po kështu janë të njohura introduktet e tij brilante dhe veprat muzikore.

Kapitull më vete në veprimtarinë e tij është edhe raporti me politikën, në të cilin rrafsh pati momente që atë e bënë kontrovers, siç ishte edhe afrimi me Rusinë, i cili afrim, në bazë të dokumenteve diplomatike të kohës, dukshëm i shqetësoi kancelaritë perëndimore.

Sidomos interesante do të jetë raporti i Nolit me regjimin komunist në Shqipëri. Është i çuditshëm angazhimi i tij, edhe përkundër mospasjes përkrahje nga pala amerikane, për anëtarësimin e Shqipërisë komuniste në OKB dhe qëndrimi i tij pro regjimit të Enver Hoxhës, i cili regjim, siç do të tregojnë dokumentet e arkivuara, do t’i hapë dosje dhe për një kohë do të këtë “trajtim” special. Duke e marrë parasysh pikërisht qëndrimin e tij ndaj regjimit komunist, përkatësisht letërkëmbimit me Enver Hoxhen, atëherë është vështirë të caktohet një vijë midis miqësisë dhe armiqësisë në raportin Noli – regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe e kundërta.

Letra e Enver Hoxhës

Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, atëherë Gjeneral Kolonel Enver Hoxha, do t’i shkruajë një letër Fan Nolit dhe do t’i propozojë që të kandidohet në listën e deputetëve të Partisë Komuniste (Beqir Meta – Hasan Bello: Vatra dhe shqiptarët në Amerikë – dokumente historike, botoi Instituti i Historisë – Prishtinë). Në këtë letër, të vitit 1945, Hoxha shkruan:

“I nderuar Imzot Noli!

Mesazhi i përzemërt që më dërguat më preku shumë dhe ju faleminderit. Për mua, për shokët e mi të luftës dhe për gjithë popullin shqiptar fjalët e juaja shprehnin ndjenjat e larta patriotike dhe pasqyronin shpirtin e vërtetë demokrat të të gjithë vëllezërve t’onë të dashur të Amerikës dhe tuajat Hirësi, që keni qenë kurdoherë shpirti dhe mburja e tyre. Në vuajtjet e popullit t’onë, në zjarrin e rreptë për çlirim, ku hodhëm pa rezerva gjithë forcat t’ona për kauzën e shenjtë të atdheut dhe të njerëzimit, ne mbanim të pashuar në zemër dashurinë dhe kujtimin për ju, o vëllezërit t’anë të Amerikës, që në ç’do moment keni luftuar për atdheun t’onë të shenjtë dhe të përbashkët, Shqipërinë, për lirin dhe indipendencën e së cilës ranë me mijëra djelm të popullit. Shqipërija për të cilën, i nderuar imzot Noli, keni shkrirë gjithë energjitë e juaja, sot është e lirë, sot në qiellin e saj valon flamuri i indipendencës dhe i demokracis.

Populli i jonë heroik që dha prova të shkëlqyera në këtë luftë, me besim të madh në forcat e tija, i është përveshur punës për të ndërtuar një të ardhme të lulëzuar, dhe në përpjekjet t’ona për t’i mbritur këtij qëllimi do ta kemi për nder dhe për mburje që Hirësija e Juaj, të jetë në gjirin e ngrohtë të popullit të tij, për t’i dhënë ndihmën e tij të çmueshme dhe për të kurorëzuar përpjekjet e vlefshme në atdheun ku triumfuan idealet e tij.

Mua ma do zemra që në zgjedhjet e afërme për Asamblenë Konstituente emëri juaj të figurojë tok me t’onët dhe populli shqiptar, lirisht dhe demokratikisht, të sanksionojë përpjekjet dhe veprat tona të përbashkëta.

Ashtu si kemi qenë kurdoherë, të bashkuar me shpirt e me zemër në luftën t’onë, ashtu të jemi edhe tash e për gjithmonë për të mirën e popullit t’onë të dashur, dhe për mbrojtjen e paqes së njerëzimit”.

Letra e Fan Nolit

Më 3 nëntor të vitit 1945, nga Bostoni, Fan Noli do t’i përgjigjet Enver Hoxhës, duke i paraqitur arsyet se përse nuk mund të kandidonte për deputet, por njëkohësisht duke i premtuar mbështetje regjimit komunist.

“Me knaqsi të madhe mora nga Ju përshëndetjen tuaj bujare dhe të nxehtë dhe revistën prej mikut t’im të mirë dhe shokut tuej Sejfullah Malëshovës. Do të dishrojsha shumë me kanë tani bashkë me Ju, por me qenë se tashti udhtimet janë të kufizueme, tue i marrë parasysh pengesat, nuk më asht e mundun. Ndoshta do të ju vizitoj mbas Pashkve, atëherë prap do të mundem me i pa miqtë e mij të vjetër.

Ka shumë arsyena që nuk mundem me kandidue në Shqipni, për ç’farë do pozite. Ju gzoni ndihmën t’ime të plotë, unë për këtë Ju siguroj, dhe mund të shërbej në fushën tuaj elektorale me emnin t’im, tue kërkue votat për partinë tuej.

Njikohsisht Ju lutem të më drejtohi shka do të mujsha me ba në këtë pikpamje. Juve dhe shokve tuej ju dishroj sukses të cilin e meritoni në zgjedhjet për konstituantë.

Episkopi, Fan Noli, Zoti qoftë me Ju!”

Tuk Jakova akuzon Nolin

Një vit më vonë, pra në vitin 1946, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojë në delegacion shqiptar, i kryesuar nga kolonel Tuk Jakova, i cili në gazetën “Dielli, çuditërisht, do ta akuzojë Fan Nolin. Pikërisht kjo akuzë do të bëhet shkak që Noli, përmes një telegrami (shkruar më 30 shtator), do t’i drejtohet Enver Hoxhës, atëherë kryeministër i Shqipërisë:

“Zoti Kryeministër,

Koloneli Tuk Jakova, në lamtumirën që botoj në “Dielli”, 18 shtator, të mbyllur këtu brenda, më hapi luftën me disa akuza dhe insinuata të shëmtuara. Nuk munt t’i përgjigjem botërisht tani për tani, se nuk dua ta embarasonj guvernën në këtë kohë kritike as tërthorazi, duke goditur delegatin e saj. Do të flas pasi të shkonjë kriza. Sa për tani, nuk më mbetet veçse t’ju qahem juve që na dërguat këtë kërcu të pagdhendur.

Për të nisur, koloneli nuk di shqip, as gegërisht dhe as toskërisht. Në çdo dialekt që i flisnja ai nuk më merrte vesh nga shkaku që është një budalla pa kulturë. Kurrë në jetën time nuk jam dëshpëruar aq sa kur e pashë këtë njeri si përfaqësonjës të Shqipërisë së Re. Me gjithë këtë, posa arriti në New York, i blatova ndihmën time, dijen time, dhe eksperiencën time pa kondita, pa rezerva, dhe pa pritur çpërblim, as ndonjë memuriet. Po ai më shikonte shtrembër, me mosbesimin instiktiv të barbarit kundrejt njeriut të mësuar. Flas vetëm për kolonelin, se kolonelët e tjerë ishin aq të dominuar prej tij saqë ai nuk i përfillte fare. Në pjekjen e parë biseduam mbi konferencat që do të bënim në kolonitë shqiptare. Më doli shpirti gjer sa shtruam një program, të cilën pastaj koloneli e ndronte dhe e nakatoste, duke dëgjuar mendjet e atyre që u kishte besim, të çiliminjve që i njihte si vëllezër nga mentaliteti. Konferencat vanë mjaft mirë sa kohë ishte këtu Behar Shtylla, por kur ky shkoj në Paris, pushuan menjëherë. Dihej që koloneli nuk i shijonte aspak.

Pas konferencave u hodhmë në veprimin diplomatik. E këshillova kolonelin të kërkonte menjëherë një pjekje me Sekretarin e Përgjithshëm, z. Trygve Lie. Ia gatita udhën me anën profesorit Laugier, një zyrtari të lartë të UNO-s, i cili është ndihmës sekretar për punët shoqërore dhe ekonomike. Po koloneli e shikonte me dyshim çdo çap që i këshillonja. Kujtonte se unë i vinja ndonjë grackë. Mezi pranoj dhe e bëri kabull të shikonte profesorin. Ky i priti mirë delegatët dhe ua rregulloj pjekjen me Trygve Lie-në. Bashkëfjalimi u zvarris pak minuta me dy dragomanë. Koloneli fliste shqip. Behari ia kthente frëngjisht, edhe një dragoman i Sekretariatit ja kthente Trugve Lie-së inglisht, meqenëqë që ky nuk dinte as frëngjisht as shqip. Nga ky muhabet me dy terxhumanë, koloneli hoqi konkluzionin grotesk që hyrja e Shqipërisë në UNO ishte punë e mbaruar. Telegrafoj në Tiranë dhe e vuri guvernën në gjumë me lajmin e një triumfi imagjinar. Unë isha në pragun e derës së tij, gati që t’i shërbenja si dragoman, po nuk më thirri, se nuk më kishte besim. Bëri vetëm një përjashtim, kur më mori si përkthenjës në pjekjen me delegatin amerikan. Për çudi, nuk i kishte besim as Alqit, dhe i vazhdoj bashkëfjalimet me anë të dy dragomanëve edhe në disa raste të tjera. Lajmin që koloneli e kishte vënë guvernën në gjumë me fjalët e bukura të Trygve Lie-së e mësova disa javë pas ngjarjes, se koloneli nuk m’i tregonte sekretet diplomatike. I çfaqa dyshimin që fjalët e ëmbla diplomatike nuk duhen marrë si sonete, po ai bënte veshin e shurdhër. Që në pjekjen e parë e këshillova të shkonte në Washington dhe të hynte në kontakt me Departamentin e Shtetit edhe me Kryqin e Kuq Amerikan. Nuk më dëgjoj. I la këto vizita për ditët e fundme të gushtit, dy muaj më vonë.

Kur mori pyetjet nga Komisioni i anëtarësis, koloneli më bëri favorin të më pranonjë si dragoman, dhe kështu e ndihmova në formulimin e përgjigjeve dhe të memorandave, të cilat më kanë mbajtur pa gjumë disa net. Ditën koloneli m’i ndreqte, duke insistuar jo vetëm në esencën, por edhe në retorikën e kulluar. Kur ardhi çështja e traktateve, këshillova të pyeste guvernën përpara se të përgjigjej me argumentin e vjetëruar të vendimeve të Përmetit të cilave u kishte shkuar koha, pasi u shkrua projekt-teksti i Traktatit të paqes me Italinë prej Këshillës së Ministrisë së Jashtme në Paris. Koloneli refuzoj t’ju pyeste, se pretendonte që jua dinte mejtimin. U çudita, kur mësoj më vonë që e kishit rikonsideruar çështjen dhe i kishit pranuar traktatet multilaterale pa kondita. Në funt të gushtit koloneli shkoj në Washington dhe, kur u kthye në New York, më siguroj se rilidhja e marrëdhënjeve midis Kryqit të Kuq Amerikan dhe Kryqit të Kuq Shqiptar ishte punë e mbaruar. Siç u muar vesh pastaj, koloneli u bë prapë viktima e naivitetit edhe e padijes së gjuhës. Puna jo vetëm nuk ishte ndrequr, po ishte prishur fare. Tani Kryqi i Kuq Amerikan, sipas ligjës, i lidhi ndihmat e mbledhura këtu dhe nuk i la të shkojnë në Shqipëri.

Sa për çështjen e bashkimit, ju lutem të këndoni një komunikatë që botoj “Vatra” në “Dielli” më datën 25 shtator, të mbyllur këtu brenda. Nga kjo do të mermi vesh që “Vatra” ka bërë një proponim për tretjen e plotë të dy organizatave dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje nga “Shqipëria e Lirë”. Këtë gjë e di fare mirë koloneli, po nuk e përmendi në lamtumirën e tij. Veç kësaj, ky proponim i “Vatrës” është akoma i hapur dhe negociatat nuk janë prerë. Përse ahere koloneli i deklaroj “Vatrës” dhe mua pa pritur përfundimin e bisedimeve? Më në funt, roli i nërmjetarit¹ është t’i pajtonjë të dy anët, jo ta përkrahë njërën anë dhe t’i deklaronjë luftë anës tjatër, siç bëri koloneli. Tani vinj në konkluzionin: Nga budallallëqet e kolonelit nuk do ta ndryshoj qëndrimin tim në teori përpara Shqipërisë dhe guvernës së saj. Po në praktikë puna ndryshon. Në doni bashkëpunimin tim, duhet të dërgoni një njeri i cili të më ketë besim dhe i cili të dijë të paktën shqip, që të merremi vesh. Sa për të huajt, duhet të dijë të paktën inglisht, meqenëse këtej nuk shkon shumë frëngjishtja. Nga ana tjetër, nuk duhet të më impononi zevzekë të këtushëm si bashkëpunëtorë të cilët ju nuk munt t’i njihni.

Dy fjalë për marrëdhëniet me Amerikën, të cilat janë kyçi i problemeve tuaja këtu. U lodha duke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në parim pa kondita, se fundi i fundit kjo tani është vetëm një çështje pa rëndësi praktike. Pasi të lidhni marrëdhënie diplomatike me Amerikën, ahere çështja e Kryqit të Kuq Amerikan do të zgjidhet vetvetiu me pak durim, dhe vetëm ahere do të hapet udha për të nisur një çështje serioze. Një fjalë për të mbaruar. Koloneli, kur ma hapi luftën, ndofta kishte harruar që ishte delegat i Shqipërisë. Po mileti kujtonjë që ai flet në emrin e guvernës. Tani, në qoftë se nuk jini në një mendje me kolonelin duhet ta këshilloni t’i marrë prapë akuzat që më ka bërë. Në mos i marrtë prapë, do të jem i shtrënguar të konkludonj që guverna e aprovon luftën që më deklaroj koloneli. Ashtu e do logjika për fat të keq. Dhe ahere bashkëpunimi ynë merr funt në praktikë. Kam shpresë që episodi i kolonelit është vetëm makthi i një nate të keqe dhe që kurrë nuk kini patur qëllim t’u bini me shkelm miqve tuaj.

Me të fala vëllazërore, mbetem, I juaji me besë, Peshkop F. S Noli.”

Noli sulmon Ballin Kombëtar

Se miqësia e Nolit me regjimin komunist të Ever Hoxhës kishte vazhduar edhe vite më vonë pasi ishte instaluar në Shqipëri, tregon edhe një deklaratë e tij e 15 dhjetorit të vitit 1949, përmes së cilës deklaratë e sulmonte Ballin Kombëtar të Mit’had Frashërit dhe bënte thirrje për ta mbështetur regjimin komunist të Hoxhës.

“Tani në fund kanë ardhur në Amerikë dhe Ballistët dhe kanë nisur të zhvillojnë një aktivitet të fortë në disa qytete, dhe veçanërisht në New York edhe në Detroit. Qëllimi i tyre është ta rrëzojnë guvernën demokratike të Shqipërisë dhe ta marrin përsëri fuqinë ata në dorë.

Shqiptarët e Amerikës duhet të marrin masa kundër këtyre provokatorëve reaksionare për arsyet pasuese:

E para, Ballistët janë o Bejlerë, o vegla të Bejlerëve, të cilët e kanë shtypur edhe robëruar popullin nja katër qind vjet me radhë në periudhën e dominancës turke.

E dyta, Ballistët, në bashkëpunim me italianët dhe gjermanët, e kanë djegur, e kanë shkretuar, dhe e kanë mbytur Shqipërinë në gjak në periudhën e luftës së fundme.

E treta, Ballistët, si në kohën e shkuar ashtu edhe në të pritmen, janë gati të lidhen me armikun që ta copëtojnë Shqipërinë dhe ta skllavërojnë popullin për interesat e klasës së vet.

Nga të sipërmet, merret vesh lehtë që shqiptarët e Amerikës nuk kanë asnjë punë me aventurierët Ballistë. Përkundër, e kanë për detyrë ta kundërshtojnë lëvizjen e tyre, e cila ka për qëllim copëtimin e Shqipërisë dhe robërimin e popullit prej feudalëve, fashistëve dhe nazistëve. Nga ana tjetër, e kanë për detyrë ta përkrahin guvernën demokratike të Shqipërisë, e cila është garantia më e sigurtë e indipendencës kombëtare, e tërësisë tokësore dhe e lirisë popullore. Të gjithë shqiptarët e Amerikës duhet të jenë të bashkuar në këtë qëndrim patriotik në krizën e sotme.”

Interesimi për ta kthyer Nolin në Shqipëri

Por, Ministria shqiptare e Punëve të Brendshme, në vazhdimësi, do të përcjellë çdo lëvizje të Nolit dhe përmes njerëzve të saj do të jetë në kontakt me të. Po kjo ministri kishte shprehur interesim që vitet e fundit të jetës Noli t’i kalojë në Shqipëri. Në qershor të vitit 1958, drejtori i zbulimit politik, gjeneral majori Zoi Themeli, do të bëjë një relacion, në të cilën jep disa informacione interesante, por dhe shpreh disa pikëpamje se si ai mund të shkëputet nga “Vatra”, e cila ishte kundër regjimit komunist shqiptar. Ja çfarë kishte shkruar gjeneral majori:

“1. Para disa ditësh, shoku jonë ka takuar në New York me Fan Nolin, i cili gjatë bisedimeve i ka sugjeruar atij që Kisha Autoqefale e Shqipërisë, në bashkëpunim me qeverinë, të dërgojnë në Amerikë një peshkop dhe dy priftërinj për zëvendësimin e tij, me qenë se ai është shumë plak dhe mbas vdekjes së tij ka rrezik që kishat shqiptare në Amerikë të drejtohen nga Marko Lipa, i cili është njeriu i grekëve dhe do futë influencën e tyre tek të krishterët shqiptarë. Nga ana e shokut tonë i është premtuar se këtë çështje do t’ia referojë organeve kompetente në Shqipëri.

  1. Në bisedimet që ka bërë Dr. Nasse, thotë se organizata “Shqipëria e Lirë” është e interesuar dhe po bën përpjekje për largimin e Nolit si kryetar Nderi i “Vatrës”, me qëllim që të përfaqësojë të gjithë emigracionin ekonomik shqiptar, pa marrë parasysh se në cilën organizatë aderojnë.

Njerëzit e “Lirisë”, këtë e bëjnë me qëllim se largimi i Fan Nolit nga “Vatra” do të dobësojë influencën e Qerim Panaritit, i cili qëndron në pozita armiqësore kundra vendit tonë.

Një gjë të tillë organizata “Shqipëri e Lirë” e ka kërkuar zyrtarisht, mirëpo organizata e “Vatrës” nuk e ka pranuar.

Në qoftë se Noli do të pranonte një gjë të tillë, kjo do të bënte të mundur, jo vetëm largimin e Qerim Panaritit nga “Vatra”, pasi siç dihet ai gëzon përkrahjen e Fan Nolit, por do të hidhte themelet e një bashkimi midis organizatës “Shqipëri e Lirë” dhe “Vatrës”, të cilat sot janë të ndara dhe, deri diku, luftojnë njëra tjetrën.

Në të dhënat e ndryshme, rezulton se Fan Noli, si plak që është, kontaktet me Shqiptarët i ka të kufizuara, nuk merr pjesë në manifestimet që bëhen dhe, deri diku, hiqet që s’merr pjesë edhe në jetën politike, por me gjithë këtë autoriteti i tij në koloni është mjaft i madh.

Dr. Nasse thotë se Fan Noli, me fushatat që ka hapur në shqiptarët e kolonisë, ka mbledhur shuma të mëdha dollarësh.

Vetëm me fushatën e fundit për blerjen e shtëpisë së tij, u mblodhën 18.000 dollarë, nga të cilat për blerjen e shtëpisë harxhoj vetëm 5.000, ndërsa të tjerat i ka mbajtur për vete.

Duke marrë parasysh gjendjen dhe pleqërinë e Fan Nolit. influencën që ai ka në koloninë tonë jashtë, vetë interesimi që ka bërë duke kërkuar të dërgohen peshkop dhe priftërinj nga vendi ynë në Amerikë dhe, me qëllim që ta shkëputim nga organizata “Vatra” e ta çfrytëzojmë për interesin tonë, mendojmë:

  1. a) Do jetë mirë që ai të thirret në mënyrë zyrtare nga ana e Lidhjes së Shkrimtarëve të vendit tonë ose ndonji institucion tjetër e të vizitojë Shqipërinë.
  2. b) Në rast se nuk do të bindet në këtë mënyrë, të ngarkohet një nga shokët tonë të bisedojë personalisht me atë dhe, duke i folur nga ana patriotike, ta bindë të vijë në Atdhe për të kaluar ditët e pleqërisë.
  3. c) Në çdo formë që të vijë në Shqipëri, do të jetë mirë që të bindet të qëndrojë këtu përgjithnjë.

Simbas mendimit tonë, në rast se do të arrijmë që Noli të qëndrojë në vendin tonë, ne do kemi përfitime politike.”

 

 

Largimi i Nolit nga Shqipëria

Fan Noli, i shoqëruar nga një personel prej mbi 70 vetash, përfshi ministrat e qeverisë së tij, me anije, nga Vlora mbërriti në Brindizi. Mes atyre që ikën me peshkop Nolin, dhe që u përhapën nëpër kryeqytetet e Europës, ishin sekretari i tij personal, Sejfulla Malëshova, Lazar Fundo dhe Tajar Zavalani; këta të tre nga Brindizi shkuan në Moskë; Mustafa Kruja shkoi në Romë, dhe Ali Bej Këlcyra u vendos në Paris. Më 30 dhjetor 1924, Fan Noli shkoi në Romë dhe në takime me zyrtarë të qeverisë italiane dhe gazetarë shprehu çudi dhe keqardhje që Italia nuk e kishte mbështetur atë kundër Zogut dhe jugosllavëve. Ish kryeministri Noli deklaroi se do të kthehej në Amerikë dhe kurrë nuk do të merrej më me politikë. Nga Roma, Noli shkoi në Vjenë, pastaj në Amerikë, por në Shqipëri asnjëherë nuk u kthye më.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X