Në ka mbetur më diçka e shenjtë për Gen Z., ajo vijon të mbetet familja dhe, përkundër zhurmës së mediave sociale, të dhënat studimore tregojnë se familja vijon të luajë një rol domethënës në identitetin fetar të kësaj gjenerate. Teksa qendrat urbane shpikin rrjete, nën sharmin e një nostalgjie të ëmbël, të rinjtë tregojnë se ende e kujtojnë dorën e gjyshit që hap sofrën e Bajramit apo Pashkës, simbole të cilat nuk vijnë si doktrinë, por si kujtesë, sepse aroma e bakllavasë, thirrja “Krishti u ngjall!” ose ftesa për iftar, janë të gjitha detaje që i bëjnë të ndihen pjesë e diçkaje më të madhe se vetja.
Irena MYZEQARI, Tiranë
Kur gjyshërit tanë shqiptonin fjalën “besim”, ata i referoheshin strehëzës së sigurt ku rrokeshin rrënjët, ritmi i së dielës, dritat e qirinjve ose ezani i mëngjesit. Për prindërit tanë besimi u bë kurban i një sistemi, i cili e ktheu rrugën për tek Zoti, në një labirinth, ku fundi dhe fillimi nuk ekzistonin. Ndërsa për fëmijët tanë ose, në zhargonin e tyre, Gen Z., streha është shndërruar në rrjet, ngrohtësia rituale në notifikim dhe mistikja në algoritëm.
Moderniteti i këtij fillimshekulli u ka dhënë të rinjve lirinë e pakushtëzuar për të besuar, por edhe për ta mohuar Zotin, duke i zhveshur kështu nga mjedisi ku besimi rritej natyrshëm, kontraditë e cila ka krijuar kushtet ideale të një krizë shpirtërore, rënkimet e së cilës mund t’i zhbëjë veç drita blu e ekranit të telefonit në mes të natës.
Nisur nga këto dinamika, ky shkrim është një përpjekje për të ndërtuar një analizë mbi krizën shpirtërore të Gjeneratës Z., duke shkrirë së bashku konceptet kryesore të realitetit të sotëm me të dhënat numerike, të huazuara nga një projekt më i madh shkencor, i cili synon të kuptojë më mirë se si ndërtohet ligjërimi mbi religjionin tek të rinjtë në Shqipëri.
Nga “Ateizmi zyrtar” te boshllëku shpirtëror
Vetëm tridhjetë e pesë vite më parë, Shqipëria përjetonte groteskun e diktaturës, që i mbylli dyert e tempujve dhe i zëvendësoi lutjet me ritualet e motivacionit politik. Sot, liria fetare është e garantuar me kushtetutë, por shifrat e marra nga një kampion kërkimor prej 150 të rinjsh, të moshës 18-25 tregojnë se 60 për qind e të rinjve nuk janë rritur në familje besimtare, ndërsa 50 për qind vetë përkufizohen si “spiritualë, por jofetarë”.[1] Duket sikur e kaluara ateiste ka mbjellë një mosbesim ndaj institucioneve, por jo domosdoshmërisht ndaj shpirtit, i cili metaforikisht është pjesë e publikes dhe privates së Gen Z., por endet në një trajtë amorfe, i humbur në pamundësinë e realitetit për të përkthyer germat e tij, në përditshmërinë moderne të kësaj gjenerate të inteligjencës artificiale.
Gen Z. nuk është më e dënuar të heshtë, por nga ana tjetër nuk është as e gatshme t’i përgjigjet muezinit në thirrjen për shpëtim, e as të këndojë koriologjitë tradicionale. Të pyetur se sa respektonin apo ndiqnin ritet fetare, rreth 40 për qind e kampionit pohonin se kjo ndodhte vetëm ditëve të shënuara ose festive të secilit religjion. Megjithatë, ata besonin në Zot, nuk ishin fetarë por shpirtërorë. Ndryshe, ata/ato zgjedhin, copëzojnë, përziejnë temjan, tespihe e flakë qirinjsh, për të mbushur veten me shpirtin amorf, por pa e takuar Zotin, kuptimin sublim të së Cilit e kërkojnë qorrazi, pa prekur omnipotencën e Tij.
Familja ose tempulli në miniature
Në ka mbetur më diçka e shenjtë për Gen Z., ajo vijon të mbetet familja dhe, përkundër zhurmës së mediave sociale, të dhënat studimore tregojnë se familja vijon të luajë një rol domethënës në identitetin fetar të kësaj gjenerate. Teksa qendrat urbane shpikin rrjete, nën sharmin e një nostalgjie të ëmbël, të rinjtë tregojnë se ende e kujtojnë dorën e gjyshit që hap sofrën e Bajramit apo Pashkës, simbole të cilat nuk vijnë si doktrinë, por si kujtesë, sepse aroma e bakllavasë, thirrja “Krishti u ngjall!” ose ftesa për iftar, janë të gjitha detaje që i bëjnë të ndihen pjesë e diçkaje më të madhe se vetja.
Mirëpo, nostalgjia është ndjenjë dhe jo realitet. Kur tradita nuk përkthehet më në praktikë të gjallë, ajo rrezikon të kthehet në dekor sentimental. Ndaj, njëlloj siç e përshkruan edhe Zigmund Bauman-i, fluiditeti e shndërron gjithçka në përvojë kalimtare, nga marrëdhëniet deri te ritet. Dhe, kështu, familja mbetet portë, e cila shpesh të çon në korridore bosh, qoshet e të cilave mbartin kujtime dhe trauma, ëndrra dhe fakte, kuptimi i të cilave vjen i largët, ndërsa pranimi bëhet një kryq që nuk e ngrenë dot.
Rrjetet ose minaret pa ezan
Ironikisht, aty ku pritej revolucioni shpirtëror dgjital, gjetëm heshtje. 100 për qind e të rinjve të anketuar nuk ndjekin profile fetare në rrjetet sociale; 70 për qind nuk duan të ndërveprojnë fare më asnjë lloj përmbajtje fetare dhe të pyetur nëse rrjetet kishin ndikim në besimin e tyre, ata e mohonin këtë gjë në mënyrë kategorike. Mesa duket, TikTok-u vallëzon, por nuk predikon dhe algoritmi është i mirë për të shitur frymëzim “self-care”, por jo ritual lutjeje. Disa mund të shikojnë video të kardinalit Tagle apo sheikut Omar Suleiman (edhe të ekuivalentëve të tyre në Shqipëri), por, prapëseprapë, pëlqimet mbeten në sipërfaqe. Sepse fjala “subscribe” nuk do të thotë automatikisht besëlidhje dhe se një download në telefon nuk do të të bëjë të lexosh më shumë psalmet ose ajetet e shenjta.
Arsyeja? Tensioni midis intimitetit dhe algoritmit, i cili shpaloset në dy nivele.
Së pari, besimi kërkon kohë të ngadalta, hapësirë për të dëgjuar zërin e brendshëm. Ndërsa rrjetet sociale janë të programuara për t’iu përgjigjur dopaminës që të falë sekonda, ritëm të cilin nuk e vibron dot shpirti. Në një dualitet midis të shenjtës dhe brëndimit personal, të rinjtë shqiptarë e shohin veten të zhveshur në pasqyrë dhe pyesin: “A jam unë projektimi i ndershëm i shpirtit tim apo një avatar i kuruar?”
Së dyti, të kapluar nga ajo që Kierkegardi e quan “ankthi i mundësive pa fund”, ata e kanë të vështirë ta artikulojnë përgjigjen, sepse kur çdo mundësi është e hapur, zgjedhja e njërës peshon si barrë. Ndaj, në polifoninë e zërave, në dhomën ku jehon etika e suksesit modern, bashkë me nevojën për transcendencë, Gen Z. zgjedh të mos zgjedhë e të mbesë “terra incognita” përpara misterit të një komunikimi transpersonal me shkakun pa shkak.
Kriza si katarsis
Kriza shpirtërore nuk është statistikë, por është puls civilizues. Shoqëria që rritet me mirëqenie materiale, por pa busull ekzistenciale, rrezikon ta humbasë qëllimin kolektiv. Në mungesë të epistemës ose ndryshe kornizës kritike të dijes, ontologjia, e zhveshur nga kuptimet e tjera, e redukton jetën në performancë konsumeriste.
E vërteta është se reflektimi i sotshëm nuk duhet të vijë si thirrje nostalgjike në ortodoksinë e së djeshmes, mëkatet dhe virtytet e së cilës ne nuk i njohim. Ne sot kemi nevojë për hapësirë ku dilemat e mëdha etiko-morale, si vuajtja, e mira, e drejta, të diskutohen pa censurë ose turp akademik ose, akoma më keq, të mvishen me cinizmin e kulturës pop. Në botën ku një guru apo influencer kërkon të konkurroje profecinë, a to-do list, mbetet zgjidhja si e vetmja rrugëdalje për ta parë krizën si mundësi pastrimi dhe jo si përmbytje alla-Nuh, që na çon në një tjetër qytetërim. Ndaj sot, ne duhet:
- T’i kthehemi heshtjes,
Sepse, si akt reflektimi, ajo është e vetmja mundësi për t’iu rikthyer kohës që ndalet, një lloj itikafi, i cili para se të na shpjerë tek Zoti, të na rrekë me veten. Kishat dhe xhamitë kanë mbetur shtëpitë e Zotit, por jo të robit.
- Të tregojmë histori,
Sepse identiteti ynë rrënjoset në përralla dhe legjenda. Le të shërbejë inteligjenca artificiale si platformë e ndërtimit edhe besimit si përvojë konkrete, jo veç dogmatike.
- Të kultivojmë “etikën e kujdesit” për tjetrin,
Sepse, në një botë ku “self-care” mund të kthehet në narcisizëm, feja apo edhe humanizmi laik, na rikthen vështrimin tek tjetri. Solidariteti ushqehet nga sensi i së shenjtës së ndërsjellë.
- Të rikthejmë filozofinë në diskursin publik,
Sepse morali është akoma ndjellës dhe se kur Niçja shpalli “vdekjen e Zotit”, ai e hapi epokën e pyetjes: “Ç’do të bëjmë me boshtet e kuptimit?” Sot, klishetë kibernetike nuk mjaftojnë, sepse statistikja është gjithmonë indiferente ndaj vibracionit etik.
Moderniteti na ka lënë trashëgim një univers me shumë dritare dhe pak mure. Gen Z. nuk e vesh më besimin si veladon, por e ndërton, copëza-copëza, të cilat kur i sheh nga larg, të japin idenë e një kuadroje të vizatuar keq, estetikisht të varfër, me shumë gjasa shenjë e një zbrazëtie që ka nisur dhe ka udhëtuar gjatë ndër breza, për t’i lënë ata tërësisht cullak para verdiktit të shijes së njerëzimit.
A janë ata në krizë? Po, në kuptimin e vjetër grek, ata janë para vendimit, të cilin duhet ta marrin mes zhurmës së botës dhe heshtjes së brendshme. Ndaj roli jonë, si prindër ose edukatorë është ai i përkujtuesit, jo i gjykuesit; nuk është detyra jonë të paragjykojmë zbrazëtinë e tyre, por njëlloj si në fillesat e krijimit t’i kujtojmë Fjalën, si e vetmja rrugë për të gjetur Frymën. E ndofta pastaj me farën e hedhur t’i mësojmë lutjen, e cila lind tek forca e shpirtit për të rrekur veten e përtejme.
[1] Të gjitha të dhënat numerikë të cituara në këtë shkrim janë pjesë e një studimi më të madh mbi ndërtimet ligjerimorë të besimit tek Gen Z.