loader image
September 28, 2025

Ahmet Zogu: Shqiptari paradigmatik

Thuhet se në një rast, Mbreti Faruk i kishte thënë Zogut se së shpejti vetëm pesë mbretër do mbeten në botë: katër mbretërit e lojës me letra dhe Mbreti i Anglisë. Përveç faktit se ishte qejfli i lojërave me letra, Faruku duket se kishte një vizion të qartë për rendin politik të pas-Luftës së Dytë Botërore.

Besnik SINANI, Tiranë

Në vazhdën e përpjekjeve e përfytyrimeve për të rifituar mbretërinë e tij të humbur, Zogu flirtoi shkurtimisht me nocione panislamike të solidaritetit, por që, si shumë përpjekje të tjera të tij, mbeti një tentativë e parealizuar, reflektim, ndoshta, i natyrës së vetë monarkisë së tij ose edhe shtetformimit shqiptar.

Flirtimi nënkupton indiciet në fjalë ose veprime që synojnë të përçojnë një lloj interesi romantik, por që shpesh mund të jetë thjesht lojcak, pa synime të mirëfillta impenjuese. Zogu ishte i njohur në qarqet europiane si “mbret mysliman”, por pa dedikim bazik fetar. Në përpjekjet e tij oksidentalizuese, në fakt, ai ishte tejet i ngjashëm me shumë prej parive myslimane të kohës, të huajëzuar nga origjinat e tyre fetare. Kur ai zbriti në Kajro e më pas në Aleksandri, në oborrin e Mbretit Faruk ose mes pashallarëve egjiptianë, ai ishte mirëfilli në ambientin e vet.

Pallati mbretëror egjiptian në fakt ishte kthyer në një ven-takim për familje të tjera aristokrate të Europës së pasluftës. Teksa në Londër anësitë prohelene të Ministrisë së Jashtme kishin bërë që Zogun mos e begeniste kush, në Kajro, siç shkruan Jason Hunter Tomes, ai merrte pjesë në funksione dhe evente së bashku me familje të mirënjohura të monarkive europiane: Romanov-ët, Hohenzollern-ët, apo Koburg-ët. Zogu do të mësonte se komshiu i tij në Aleksandri, Kont Pollenzo, ishte në fakt ish Mbreti Viktor Emanuel i Italisë, i cili kish patur – ironikisht – edhe titullin “Mbret i Shqipërisë”. Pra, në një rrugë të vetme të Aleksandrisë gjendeshin dy mbretër të Shqipërisë, të dy pa fron e të dy në arrati.

Pikërisht në këtë moment, Zogu vendos të përpiqet të kandisë sauditët ose jordanezët që të shpëtojnë vëllezërit e tyre myslimanë të Shqipërisë nga mallkimi komunist, duke u përpjekur shpesh të përfitonte nga padija e bashkëbiseduesve për Shqipërinë, duke evokuar terma dhe etos panislamik. Në Egjipt, pretendonte Zogu, mund të krijoheshin kampe trajnimi e përgatitjeje për shqiptarët që do t’i çlironin vëllezërit myslimanë nga dhuna komuniste.

Në atë kohë shumica e vendeve me shumicë popullsie myslimane ishin në fakt ende nën sundim kolonial ose protektorate koloniale, si dhe vetë Egjipti. Krerë arabë e dëgjuan me kuriozitet, por Zogu shpejt kuptoi që asnjë përfitim real nuk do të vinte nga këto ndërmarrje. Edhe vetë Mbreti Faruk nuk dukej të ishte fort entuziast që Egjipti të ishte vend trajnimi për projekte të tilla. Thuhet se, në një rast, Mbreti Faruk i kish thënë Zogut se së shpejti vetëm pesë mbretër do mbeten në botë: katër mbretërit e lojës me letra dhe Mbreti i Anglisë. Përveç faktit se ishte qejfli i lojërave me letra, Faruku duket se kishte një vizion të qartë për rendin politik të pas-Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1952, pinjolli i fundit i dinastisë së Mehmet Ali Pashës do rrëzohej nga një grup ushtarakësh nacionalistë, ndërsa në vitin 1965 do vdiste në arrati në një spital të Romës. Rrëzimi i Farukut do të sillte edhe fundin e qëndrimit të Zogut në Egjipt. Më vonë, gjatë krizës së Kanalit të Suezit në vitin 1956, Zogu do të vinte njohuritë e tij rreth Egjiptit në shërbim të shërbimeve angleze MI6, të cilat nuk e kishin begenisur as gjatë Luftës, e as pas saj.

Fill pas flirtimit panislamist, Zogu do të përpiqej të siguronte mbështetjen e anglezëve ose amerikanëve duke evokuar jo më solidaritetin islamik, por duke folur për rrezikun komunist në terma gjeopolitikë. Anglezët do të vendosnin në një nga këto raste të mbështesnin ballistët, duke qenë se ata kishin më shumë mbështetje në jug, nga edhe mendohej të përpiqeshin për rrëzimin e komunistëve. Mbreti deklaronte se vetëm ai mund të ishte kreu i çlirimit nga komunizmi, se ai ishte mbreti i Shqiptarëve, por ballistët i kishin bërë qëndrimet e tyre të qarta dhe i kishin ndërtuar edhe një varr teksa ai ishte ende gjallë.

Ashtu si çdo gjë tjetër, ashtu si vetë mbretëria apo shtetformimi shqiptar, edhe këto përpjekje mbetën përherë në tentativë. Zogu i Parë mbeti përherë vetëm i parë, pa trashëgimi monarkiste, se edhe vetë nuk vinte prej një monarkie. Modernizimi i shtetit që tentoi mbeti përherë në tentativë. Siç do vinte në dukje edhe Bernd Fischer, mbretëria e tij do të mbijetonte për sa kohë ai do arrinte të menaxhonte ekuilibrin midis ambicieve jugosllave dhe italiane, andaj në momentin kur kjo balancë u prish në favor të italianëve, Zogu e humbi mbretërinë e tij.

Në një farë mënyre, ky do ishte fati pasues i Shqipërisë, të ekzistonte mes ambicieve të Titos dhe Stalinit, të Traktatit të Varshavës dhe NATO-s ose, më vonë, mes interesave të Athinës dhe Romës ose Ankarasë dhe Berlinit, mes Aleks Soros dhe Jared Kushner. Fenomeni i Zogut, për rrjedhojë, është paradigmatik në historinë shqiptare, një akt asnjëherë i realizuar, përherë i arrestuar në gjysmë të rrugës, duke u përpjekur të gjejë një hapësirë ku, qoftë përkohësisht, të mbijetojë mes më të mëdhenjve, të perfomojë identitete të shumëllojshme. Një oksidentalist meskin, për rrjedhojë, nuk kishte pse të mos flirtonte edhe me panislamizmin, në vetvete kjo një përrallë euforike pa dhëmbë, vetëm që të kthehej të nesërmen duke flirtuar përsëri me Foreign Office të Anglisë ose kushdo të dukej në momentet përherë të shkurtra e të pamjaftueshme të historisë se mund të ofronte një zgjidhje sa të përkohshme dhe urgjente.

*          *          *

Diku në vitin 2014, kur jetoja në Xhedah të Arabisë Saudite, falë ambasadorit shqiptar të asaj kohe, z. Admirim Banaj, u njoftova me familjen e Shefqet Gavoçit. I ati, Hoxhë Sulejman Gavoçi, kishte themeluar Xhaminë e Arnautëve në Damask, një nga instituucionet më të rëndësishme të shqiptarëve të Sirisë. I vëllai, Vehbi Gavoçi, do të bëhej një figurë e rëndësishme e dijeve fetare islame në shek. 20-të. Vetë Shefqeti, edhe pse i kishte kryer studimet e larta fetare në Universitetin e Ezherit, nuk kishte vazhduar karrierë fetare. Një burrë i gjatë e në atë kohë tek të ‘80-tat, Shefqeti i gëzohej mundësisë së rrallë për të folur shqip.

Shefqeti kishte qenë pjesë e një rrjeti zogistësh që supozohej të plotësonin funksionet shtetërore në një kthim të mundshëm të Mbretit. Por, diku në vitet ’70-ta, Shefqeti mëson se një delegacion shqiptar në një panair produktesh bujqësore kishte mbetur në kufi diku në Liban. Nëpërmjet rrjetit të shqiptarëve në administratat e vendeve të ndryshme arabe Shefqeti siguroi lirimin e kargos dhe, me ketë rast, kontaktohet dhe falënderohet nga ambasada shqiptare në Kajro, e cila edhe në kërkim të vendosjes së lidhjeve me diasporën shqiptare e fton në Shqipëri. I biri i një prej figurave më të rëndësishme fetare të shqiptarëve të diasporës, që urrente luftën antifetare të komunizmit të Enver Hoxhës, pjesë e një rrjeti zogistësh që supozohej të shërbente në administratën e ardhshme postkomuniste, ai shkon në Shqipëri dhe merr takim me Enver Hoxhën. Ai i kërkoi atij një bursë për mjekësi për një prej djemve të tij, i cili në fakt studioi e punoi në Shqipëri përpara se të emigronte në Suedi.

A hoqe dorë, e pyeta, nga impenjimet me rrjetin Zogist pas takimit me Hoxhën? Edhe pse dukej se Shefqeti kishte patur pak shpresë tek një kthim i mundshëm i Zogut, ai mbeti gjer në fund zogist. Njëkohësisht, ai nuk shihte asnjë paradoks me përpjekjen për të mbajtur lidhjet me vendin e tij, qoftë nëpërmjet të njëjtit diktator që uronte të rrëzonte. Një zogist gjer në fund, ai ishte – guxoj të propozoj – shqiptari i mirëfilltë, i cili arrinte të harmonizonte prezencën e vet mes paradokseve në dukje të pamundura për literalistët pa vizion ndër ne. Ndoshta kjo ishte çfarë edhe më shumë sesa impenjimet e tij politike, herë-herë prekëse në mjerimin e tyre si shumë histori të ngjashme diasporash që jetojnë në fabula fantazish rikthimi, e bënin Shefqetin mirëfilli zogist: ithtar të një mbreti jetëshkurtër, asnjëherë të realizuar, oksidentalist i pamundur e orientalist i trazuar, mbreti i parë dhe i fundit – si dhe i vetmi – i shqiptarëve.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X