Shkruan: Ismail SINANI
Ka qenë 1 shtatori i vitit 1928, në një ditë e një muaj sikurse ky që jemi tani, pra 97 vjet më parë, kur Ahmet Zogu i dha fund republikës dhe e krijoi monarkinë shqiptare.
Siç dihet, pas largimit të Ismail Qemalit, babait të pavarësisë, shteti shqiptar u përball me një krizë të thellë të konsolidimit të pushtetit, qoftë politik, qoftë edhe të ushtrimit të sovranitetit në gjithë territorin.
Në këtë rrugëtim shtetëror, u paraqit figura e Ahmet Zogut, fillimisht si një politikan ‘i rëndomtë’ sikurse gjithë të tjerët që vinin nga shkolla të ndryshme europiane dhe të Bosforit, e më pas po i njëjti personalitet përnjëherë na shfaqet me ambicie të mëdha, fillimisht si ministër i Brendshëm, pastaj si kryeministër, më pas si president si dhe, në fund, si Mbret i Shqipërisë apo shqiptarëve.
Revista “Shenja”, përmes këtij numri, përpiqet të hedhë dritë edhe më shumë për këtë periudhë duke parashtruar tezat se si ndodhi që një djalë i ri sikurse Ahmeti Zogu “të përbirohet” aq shpejt deri në majat e shtetit; kush luajti rolin më të madh në këtë rrugëtim të tij; a ishte vendim i mirë apo i keq për shtetin shqiptar shndërrimi në monarki; a kishte mundësi që Shqipëria të mbetej republikë dhe kështu ta parandalonte komunizmin si një hije e zezë që e kaploi në Luftën e Dytë Botërore dhe po qëndron ende si “re e pazbrazur” mbi kokat e shqiptarëve? Apo, edhe në rrafshin gjithëshqiptar, si do të mund të shihej roli i Ahmet Zogut në prizmin kombëtar, përfshi këtu edhe të atyre që ngelën nën Serbi, po pse jo edhe nën Greqi; raporti i tij me serbët a ishte formal apo kishte edhe diçka tjetër; a ishte Zogu njeri që kujdesej për vëllezërit shqiptarë edhe jashtë kufijve; si ishte raporti i tij me rilindësit, duke qenë se një pjesë e madhe e tyre nuk parapëlqenin fort të qëndronin në “Shqipërinë e mosvarme”? A ishte Ahmet Zogu ashtu siç e kishte titullin “Mbret i Shqiptarëve” apo mbeti vetëm “Mbret i Shqipërisë”?
Në frymën e analizës së personalitetit të tij kemi ofruar edhe analiza për raportin e tij me shekullarizmin, gjegjësisht tentimin e tij për ta “reformuar kombin” përmes “kodeve juridike” ngjashëm siç pati vepruar në atë kohë edhe Ataturku. Gjithsesi, duke e parashtruar tezën kryesore: Sa ishte “ky operacion” i suksesshëm?
E kur jemi te Ataturku, kemi dhënë shpjegime dhe kemi ofruar detaje pse u acaruan raportet me Turqinë? A ndodhi ky acarim për shkak të shpalljes së shtetit shqiptar monarki, ndërkohë që shteti turk vazhdoi të mbetet me sistem republikan apo kishte ndonjë mosdurim tjetër mes këtyre dy personaliteteve?
Një pjesë e rëndësishme e historisë së familjes mbretërore është arratisja, periudha pas arratisjes dhe kthimit në Shqipëri. A ishte arratisja tradhti apo detyrim; si ishte jeta e kësaj familjeje gjatë atyre viteve në egzil; pse familja mbretërore nuk po arrin ta kthejë autoritetin e vet, qoftë edhe simbolik në Shqipërinë e sotme por edhe gjithandej ku janë shqiptarët?
Në këtë kontekst është analizuar edhe kontributi i tij edhe për arsimin shqip, për kulturën shqiptare, sponsorizimin e të rinjve shqiptarë për t’u arsimuar jashtë vendit dhe, veçmas, diplomacia që e krijoi ai për ta afirmuar dhe mbrojtur kombin dhe shtetin shqiptar.
Por, krahas gjithë kësaj, askush nuk mund ta mohojë “hijen” e paradokseve që e përthekojnë këtë personalitet. Nuk ka historian “normal”, pasi që ata të indoktrinuarit nuk bien në këtë kategori, që nuk e pranon faktin se ishte pikërisht Zogu që krijoi një shtet modern dhe funksional duke e mbrojtur kështu nga tributë që vrisnin e prisnin këdo në emër të një lirie të përçudnuar. Duke e vendosur “dorën e hekurt”, ndoshta si zgjidhja e vetme e asaj kohe, ai arriti të krijojë së pari ushtri, e më pas edhe polici dhe administratë. Nuk mund të mohohet fakti se po në “kohën e tij” kjo Shqipëri që e njohim edhe sot, filloi të “merret seriozisht” në gjithë globin. Pra, shtetit shqiptar i krijoji “personalitet”.
Paralelisht nuk mund të mohohet fakti se e gjithë kjo u bë përmes “bashkëpunimeve” me “armiqtë e kombit’”, siç i cilësonte pastaj regjimi komunist enverist, pa dhënë asnjëherë detaje dhe shpjegime se pse ishin të detyrueshme “ato bashkëpunime”.
Këtu askush nuk mëton të bëje justifikime për vrasjet dhe atentatet e kohës së tij, por kjo njëkohësisht nuk e parandalon asnjë mendje të shëndoshë të bëjë analizë historike në kontekst kohor, gjeopolitik.
E kjo pastaj i vendosë njerëzit në dilemë se a ishte Zogu “produkt i domosdoshëm” apo “intrigant incidental”, që diti ta shfrytëzojë momentin për t’u katapultuar në maje të shtetit?!
A e modernizoi shtetin apo përmes grimit dhe kompleksit personal të inferioritetit, e ndoshta mosdijes intelektuale, modernizmin, mes tjerash, e kuptoi vetëm përmes laicizmit të dhunshëm.
Gjitha këto domosdo njeriun e fusin në dilemën më të madhe: a ndërtoi Ahmet Zogu “shtet afatgjatë” apo “monarki për vete”? Nëse do të kishte qenë e para, atëherë pse shteti, pas okupimit fashist dhe largimit të tyre, ra në duart e një klike të çmendurish komunistë? Nëse ka qenë e dyta, a i bie kjo se shqiptarët kanë qenë vetëmse vegla në syrin e një njeriu me ambicie të sëmura?
Dilema vazhdon…, por faktet nuk mund t’i mohojmë. Në ato 11 vjet monarki, deri në vitin 1939, Shqipëria e kohës ka qenë shtet… aq sa ia kanë lejuar kapacitetet.
(Editoriali i revistës “Shenja”)