Heronj si Adem Jashari japin shpresë. Beteja e tij dhe e familjes së tij të japin shpresë se ia vlen të ngrihesh ndaj kujtdo force, sado e madhe të duket ajo, kur ti ke të drejtën për të mbrojtur tokën tënde, atdheun tënd. Historia e Adem Jasharit të fton të dalësh nga zona jote e vogël e sigurisë dhe të tregosh kurajë për të luftuar. Historia e Adem Jasharit është thirrja e fortë që të krijosh rrjete të forta njerëzish që e kuptojnë se të mos dorëzohesh edhe kur e di rrezikun është shumë më e rëndësishme dhe e fortë se sa të strukesh nën dhunë.
Agim BAÇI, Tiranë
Historia dihet, por.. vlen edhe të ritregohet. Madje, vlen të ritregohet se si në nëntor 1997 shtypi zyrtar i Beogradit nisi të propagandonte me të madhe se në Kosovë kishin hyrë dhe vepronin grupe “terroristësh” nga shumë shtete të Europës. Pa dyshim, në mes të kësaj propagande ishte edhe shtimi i lajmeve se shumë luftëtarë vinin nga vendet islamike, duke tentuar të përhapnin trillime, njëlloj siç provoi në Bosnjë, se pas luftëtarëve në Kosovë nuk fshihej pavarësia e Kosovës, por një luftë që do e cenonte identitetin kulturor europian.
Më 28 nëntor të vitit 1997, nga dokumentet e botuara në gazetat e kohës rezulton se, me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci në fshatin Llaushë, tre luftëtarë – Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj – nën drejtimin e Adem Jasharit, dalin publikisht me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me armë automatike. Ata e shpalosin qëllimin e luftës çlirimtare, si alternativë të vetme për ta shporrur nga Kosova pushtuesin serb. Brohoritjet e mijëra pjesëmarrësve në varrim për UÇK-në konfirmonin se shoqëria kosovare donte një lëvizje tjetër nga ajo “më paqësorja” që kish ndodhur deri në atë kohë.
Në fund të janarit 1998, në Prekaz kishte pasur luftime mes familjes Jashari, në njërën anë, dhe forcave serbe, në anën tjetër. Thuhet se rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Jasharajve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.
Duke parë se kjo lëvizje po përhapej, në orët e hershme të mëngjesit të 5 marsit 1998, ushtria serbe dhe forcat paraushtarake serbe e sulmojnë familjen Jashari. Lagjja ishte e rrethuar me 100 policë serbë. Sulmi zgjati 3 ditë dhe 2 net. Pas 52 orësh luftimesh, forcat serbe hynë në shtëpi.
Nga 56 anëtarë të ekzekutuar të familjes, vetëm vajza e vogël e familjes, Besarta Jashari, në atë kohë vetëm 11 vjeçe, arriti të shpëtojë, duke qenë dëshmitarja më e fortë e asaj çfarë ndodhi më 5 deri më 7 mars 1998.
Ademi Jashari është pranuar unanimisht si kryekomandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Vrasja e tij dhe familjarëve të tij shënjoi atë zgjim të madh, jo vetëm në Kosovë, por në mbarë globin, ku shumë mërgimtarë u kthyen, duke treguar se atdheu kishte ruajtur peshën e fortë brenda tyre dhe shumë vite pas mërgimit. Në vitin 2008, nga Kryeministri i Kosovës, atij iu ndaj urdhri “Hero i Kosovës”.
Por, duhet që Adem Jashari të njihet veç në Kosovë apo vetëm mes kosovarëve?
Historitë mund ta vdesin ose mund të mos kenë shumë fuqi nëse mbeten në vend, pa marrë forma të ndryshme komunikimi. E sidomos dhimbja, nëse nuk arrin të ngrihet në pasqyrim artistik, në fushëkujtesën e duhur të kinemasë e teatrit, atëherë mund të mos arrijë të jetë prezente. Në këtë këndvështrim, pavarësisht se libra e filma i janë kushtuar gjenocidit dhe dhunës serbe, ajo që mbeti në vendnumëro ishte pasqyrimi i fortë i krimit përmes muzeumeve në kancelaritë më të rëndësishme botërore, atje ku politika vendos për shumëçka, e mbi të gjitha për ato vende që kanë nevojën e forcave ndërkombëtare për ta fituar vetveten përballë botës.
Në këtë aspekt, do të ishte ndoshta më e rëndësishme që klasa politike të gjente një konsensus popullor dhe të zgjidhte me një konsensus historitë më të forta dhe t’i publikonte këto skena kudo që mund të vendosej fati i Kosovës. Do të mjaftonte një thirrje ndaj diasporës dhe muzeume me foto dhe dokumentime të gjenocidit serb mbi Kosovë, do të qëndronin hapur në Bruksel, Strasburg, Romë, Paris, Nju Jork, Berlin, Madrid, Londër, Pragë, e shumë kryeqytete të rëndësishme. Madje, nëse do i kërkohej Tiranës zyrtare një konsensus, do të ishte pikërisht bashkërendimi në hapat që do ta bashkonin diplomacinë e Tiranës dhe Prishtinës në mbajtjen gjallë të gjithçkaje që u ndërtua nga ligësia serbe mbi jetët e shqiptarëve.
Natyrshëm, një hap i tillë nuk ka të bëjë me mbajtjen gjallë të së keqes, por me këmbënguljen se e keqja, kur nuk kujtohet fort, rrezikon të humbasë, të kalojë në një mjegullnajë. Aq më e rëndësishme ka qenë një bashkërendim i tillë, gjersa Kosova të arrijë të anëtarësohet në të gjithë institucionet ndërkombëtare.
Edhe Muzeu i Fëmijëve të Luftës – një muze i rëndësishëm mbi dhunën dhe traumat e të miturve gjatë gjenocidit serb – duhej të mos ishte veç në Kosovë, por mundësisht në zyrat e institucioneve të rëndësishme, që çdo hap për dialogun mes Kosovës e Serbisë të kishte peshën e fortë të asaj masakre që serbët nuk ngurruan ta bënin aq qetësisht në gjithë hapësirën kosovare.
E, pa dyshim, që mbi të gjithë Institucionin e Kujtesës duhej të shndriste Muzeu “Familja Jashari”, përveç kompleksit që është sot në Prekaz. Sepse, nëse ka diçka që mbart gjithë simbolikën e ngritjes së shpirtit të luftës, asgjë nuk ka të krahasuar me atë ngjarje, me atë familje, me atë betejë, ku Zoti deshi të shpëtonte veç 11-vjeçaren Besarta, për të pasur zërin e saj të fortë.
Përse duhet ta rikujtojmë Adem Jasharin?
Heronj si Adem Jashari japin shpresë. Beteja e tij dhe e familjes së tij të japin shpresë se ia vlen të ngrihesh ndaj kujtdo force, sado e madhe të duket ajo, kur ti ke të drejtën për të mbrojtur tokën tënde, atdheun tënd. Historia e Adem Jasharit të fton të dalësh nga zona jote e vogël e sigurisë dhe të tregosh kurajë për të luftuar. Historia e Adem Jasharit është thirrja e fortë që të krijosh rrjete të forta njerëzish që e kuptojnë se të mos dorëzohesh edhe kur e di rrezikun është shumë më e rëndësishme dhe e fortë se sa të strukesh nën dhunë.
Është pikërisht kjo energji, për të cilën ka nevojë Kosova edhe pas shumë vitesh, që e ka fituar Pavarësinë. E nëse Adem Jashari u ngrit kur e dinte se sa e fuqishme ishte makineria vrasëse serbe, atëherë cila është ajo forcë në liri që i ndal njerëzit në kërkim të ngritjes së zërit të së vërtetës?
Sot, Adem Jashari nderohet në Kosovë për gjithçka që mundi të ndërtojë e sakrifikojë. Ai është shumë i nevojshëm sot jo thjesht për betejën që bëri, por për fuqinë e zgjimit. Muzeu i tij i madh ishte kurajo, vetëdija se po luftonte që pasardhësit në çdo qytet të Kosovës të mund ta gëzonin atë që Kosova e kishte humbur dekada më parë, nën një luftë e tradhti të gjithanshme.
Cilën pyetje kemi nevojë ta zgjidhim?
E gjithë klasa politike, dhe sidomos studiuesit e historisë, duhet t’i japin zgjidhje një pyetje që mund të bëjë kushdo: a është sot i plotë vlerësimi institucional dhe historik mbi figurën e Adem Jasharit? Nuk janë të paktë kritikat që kanë qenë në vite me radhë mbi vonesat në dokumentimin e plotë të jetës së Adem Jasharit. Mungesa e një studimi të plotë për familjen Jashari është njëkohësisht edhe një mungesë ndaj historisë së UÇK-së dhe luftës, duke lënë dritëhije mbi atë që duhej të thuhej mbi Adem Jasharin dhe Familjen e tij.
Në vend të konsumit ditor, Adem Jashari ka nevojë për një muze të rëndësishëm të kujtesës, duke e lexuar atë kontribut që ai mundi ta ngrinte me vetëdije, duke nisur udhën e pandalshme të Lirisë së Kosovës.
Adem Jashari dhe gjithë Lufta e UÇK-së janë simbioza që ndoshta duhet të lidhet edhe më fort, dhe pa dyshim që në këtë betejë është pasqyrimi i fortë përmes artit, duke e gjetur rrugën që ai të mbetet në film, pikturë e në çdo formë që udhëton sot lehtësisht në komunikim, pasi ai, mbi të gjitha, mbetet “Një Hero për Shpresën”.









