Nëse mund ta paraqesim me gjuhën e shifrave, pa dyshim se më shumë se 20 për qind të shkrimeve e zënë materialet me natyrë kulturore, të cilat shihen si pjesë e pandarë e rrjedhave politike dhe shoqërore në vend. Përmes shkrimeve mbi rolin dhe rëndësinë e gjuhës shqipe, por edhe të letërsisë, të dokeve e zakoneve shqiptare, revista vetvetiu ka kontribuuar në formësimin e idesë thelbësore se pa një bazë të fortë kulturore nuk mund të ketë as qëndrueshmëri politike.
Jolanda LILA, Tiranë
Në rrugëtimin e saj 15-vjeçar, revista “Shenja” ka shenjuar një profil të mëvetësishëm në hapësirën mediatike shqiptare, duke qëndruar koherente në qëndrime, në vijën editoriale dhe në trajtimit e ngjarjeve të aktualitetit. Nëse do të rrekemi për të gjetur një tipar përbashkues për të gjitha shkrimet e botuara përgjatë këtij rrugëtimi të revistës, pa dyshim se në pikëpamje të përmbajtjes është mbizotëruese fryma kombëtarë, ndërsa në pikëpamje të formës së pasqyrimit publicistik është qasja analitike e kritike, e cila përcillet me një kolorit gjuhësor të pasur, përtej shtampave e shablloneve gjuhësore të gatshme, të cilat i gjejmë rëndom në diskursin publicistik të dekadave të fundit.
Revista “Shenja” ka meritën e padiskutueshme edhe për vëmendjen e madhe që i ka dedikuar prej numrit të parë e deri më sot spektrit të kulturës. Në një kohë kur kultura shihet si “vrima e fundit e kavallit” në media, si nga pikëpamja e hapësirës së përfaqësimit, po ashtu edhe nga ana e cilësisë së raportimit, kjo revistë ka sjellë një model referencial në këtë drejtim. Duke afruar pranë vetes emrat më të rëndësishëm të kulturës shqiptare, revista ka shërbyer si busull orientimi edhe për mendimin kritik, letrar e artistik. Në çdo numër të saj janë paraqitur ngjarje, vepra dhe refleksione të ndryshme mbi zhvillimet kulturore anë e mbanë Shqipërisë. Përmes vështrimeve, analizave dhe eseve, revista ka nxitur një reflektim mbi trashëgiminë shpirtërore shqiptare, duke e vendosur atë në bashkëbisedim edhe me zhvillimet bashkëkohore në rajon e më gjerë.
Nëse mund ta paraqesim me gjuhën e shifrave, pa dyshim se më shumë se 20 për qind të shkrimeve e zënë materialet me natyrë kulturore, të cilat shihen si pjesë e pandarë e rrjedhave politike dhe shoqërore në vend. Përmes shkrimeve mbi rolin dhe rëndësinë e gjuhës shqipe, por edhe të letërsisë, të dokeve e zakoneve shqiptare, revista vetvetiu ka kontribuuar në formësimin e idesë thelbësore se, pa një bazë të fortë kulturore nuk mund të ketë as qëndrueshmëri politike. Kultura është nyja ndërlidhëse e të gjitha hallkave të zinxhirit të jetës shoqërore. Duke mos e parë të izoluar aspektin kulturor nga ai politik e më gjerë, revista ka ndikuar në përhapjen divulgative të vlerave kombëtare dhe të mendimit shqiptar.
Në një mjedis mediatik që shpesh priret drejt promovimit të ‘boshit’ dhe ‘hiçit” dhe ku hapësira publike është tejmbushur nga antivlerat, revista “Shenja” ka zgjedhur të bëhet një fortesë e vlerave kombëtare. Me interes të veçantë, në këtë drejtim, janë edhe botimet nga numri në numër i profileve njerëzore e profesionale mbi personalitete të ndryshme të kulturës, shkencës e artit në Shqipëri, të cilat përbëjnë një bazë të rëndësishme enciklopedike, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, kontribuojnë për promovimin e modeleve pozitive të shoqërisë.
Duke pasur thellësinë e trajtimit dhe gjuhën e qashtër në artikulim e mendim, shkrimet e rubrikës së kulturës në këtë revistë mbeten aktuale në çdo kohë dhe lexohen me endje në çdo moment, duke u bërë kështu një zë i fuqishëm që vijon të jehojë mbi kakofoninë dhe interferencat e mediokritetit të lajmeve të shpejta e të cekëta që mbushin përditshmërinë tonë.



