loader image
April 30, 2026

Dimensioni gjeopolitik i analizave të Abdi Baletës në revistën “Shenja”

Personalisht më duket sa e çuditshme po aq edhe e guximshme, që në një kohë kur mediat elektronike dhe rrjetet sociale prodhojnë një ritëm të shpejtë informacioni dhe reagimesh të menjëhershme, të botosh një revistë mujore. Por, pikërisht këtu qëndron edhe sekreti i suksesit të kësaj reviste. Ajo përfaqëson një hapësirë më të qetë dhe më të menduar të debatit publik. Kjo u jep mundësinë personaliteteve, siç ishte në rastin konkret Baleta, që të zhvillonin argumente më të thelluara dhe të trajtonin tema në një perspektivë më të gjerë historike dhe analitike.

Hasan BELLO, Tiranë

Në epokën e rrjeteve sociale, dezinformacionit dhe kaosit informativ, revista “Shenja” ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe shpesh i ka tejkaluar kufijtë e gazetarisë së zakonshme. Në mesin e qindra analizave dhe shkrimeve nga autorë të njohur nga fusha të ndryshme, spikasin edhe ato të diplomatit, intelektualit dhe veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare Abdi Baleta, i cili ka pak kohë që është ndarë nga jeta.

Me këtë rast e ndjej si detyrim moral që të shpreh mirënjohjen dhe falënderimet për drejtuesit e “Shenjës”, të cilët një pjesë të konsiderueshme të këtyre analizave diplomatike i kanë përmbledhur edhe një si libër më vete.

Artikujt e Abdi Baletës kanë qenë fryt i një përvoje të gjatë në fushën e diplomacisë aktive, i takimeve me personalitete të rëndësishëm brenda dhe jashtë vendit, i kontakteve me përfaqësues të kancelarive që kanë vendosur për fatet e shumë popujve, por edhe i mijërave librave dhe artikujve në anglisht, frëngjisht, italisht dhe rusisht, të cilët ky personalitet i lexonte me kërshëri deri në momentet e fundit. Për këtë arsye analizat e tij, të botuara në faqet e kësaj reviste, janë jo vetëm bartëse informacioni, por edhe laboratorë të ideve, ku janë formuluar vizione për identitetin, politikën dhe orientimin strategjik të kombit shqiptar. Kjo ka ndikuar, për mendimin tim, që “Shenja” të shndërrohej në një nga platformat më serioze të reflektimit intelektual në hapësirën shqiptare.

Personalisht më duket sa e çuditshme po aq edhe e guximshme, që në një kohë kur mediat elektronike dhe rrjetet sociale prodhojnë një ritëm të shpejtë informacioni dhe reagimesh të menjëhershme, të botosh një revistë mujore. Por, pikërisht këtu qëndron edhe sekreti i suksesit të kësaj reviste. Ajo përfaqëson një hapësirë më të qetë dhe më të menduar të debatit publik. Kjo u jep mundësinë personaliteteve, siç ishte në rastin konkret Baleta, që të zhvillonin argumente më të thelluara dhe të trajtonin tema në një perspektivë më të gjerë historike dhe analitike. Nuk duhet harruar se analiza të tilla ishin, siç e kemi theksuar, produkt i ndërthurjes së përvojës së gjatë me vëzhgimet e politikës ndërkombëtare. Kësaj i bashkëngjitej leximi i literaturës më të fundit nga autorë të njohur amerikanë, francezë, britanikë etj., të cilët në mënyrë të befasishme gjendeshin në shtëpi/studio të Baletës. Nuk kishte çështje për të cilën ai diskutonte dhe që nuk e ilustronte me pikëpamjet e analistëve dhe politologëve më të njohur. Kjo vihet re pothuajse në të gjitha shkrimet që ai ka botuar në revistën “Shenja”, e cila e ka meritën kryesore që, duke krijuar një kulturë diskutimi, reflektimi dhe argumenti racional kishin përparësi ndaj reagimeve emocionale dhe polemikave të çastit.

Një nga arsyet që Baleta shkruante për këtë revistë ishte konteksti në të cilin ajo vepronte. Ai ishte i vetëdijshëm se kombi shqiptar në Ballkan jetonte në disa shtete, duke u përballur me realitete të ndryshme politike, kulturore dhe institucionale. Nuk ishin të rralla rastet kur ai ndjente dhimbje për mungesën e kohezionit social, politik dhe diplomatik, që elementi dhe faktori politik shqiptar kishte për çështje të ndryshme. Në një situatë të tillë, ekzistenca e kësaj reviste shihej si një urë komunikimi ndërmjet shqiptarëve. Ai e konsideronte “Shenjën” edhe si një medium për zhvillimin e një diskursi të përbashkët intelektual. Nuk mund të them se Baleta ishte dakord me të gjitha këndvështrimet që lidheshin me çështje të ndryshme politike, diplomatike ose të karakterit historik, por është meritë e “Shenjës” që, përmes artikujve dhe eseve të botuara në faqet e saj, ka kontribuar në ndërtimin e një hapësire ku debatohen çështje që prekin jo vetëm një komunitet lokal, por të gjithë botën shqiptare.

Në këtë kuadër, analizat e Baletës të cilat përfshijnë çështje të politikës ndërkombëtare, të gjeopolitikës etj., kanë luajtur një rol të rëndësishëm për të interpretuar zhvillimet politike dhe strategjike; për të kuptuar proceset e integrimit rajonal, intrigat e diplomacisë ballkanike ose përpjekjet e saj që çështja shqiptare të komplikohej akoma më keq, në vend që të gjente zgjidhje. Në analizat e tij diplomatike kuptohen dinamikat politike të fuqive, të cilat nuk është e lehtë për t`i lexuar. Ai nuk kufizohej vetëm në komentimin e ngjarjeve të ditës, por përpiqej t`i shihte zhvillimet globale në një perspektivë më të gjerë historike dhe strategjike.

Në analizat e botuara në faqet e kësaj reviste, bosht kryesor ishte raporti i kombit shqiptar me fuqitë dhe shtetet ballkanike. Karakteristikë e këtyre shkrimeve ishte përpjekja e Baletës për t’i lidhur zhvillimet aktuale me përvojën historike. Kjo e fundit, sipas tij, nuk ishte vetëm një kronikë që i përkiste të shkuarës, por një formulë për t’i kuptuar zhvillimet bashkëkohore. Konfliktet dhe rivalitetet e sotme, sipas Baletës, shpeshherë ishin vijim i logjikave të vjetra gjeopolitike, që kishin formësuar marrëdhëniet ndërkombëtare për dekada dhe shekuj.

Nëpërmjet këtyre analizave të botuara në revistën “Shenja”, Baleta ka dhënë një kontribut të madh duke ua shpjeguar shqiptarëve rreziqet që u kanoseshin përpara skenarëve të ndryshëm. Ai i ka orientuar ata se si duhej të vepronin në një mjedis ku rajoni dhe krejt bota po bëhet gjithnjë e më e pasigurt.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X