“Shenja” ka luajtur një rol më të gjerë se ai i një reviste klasike. Ajo ka dhënë kontribut në formësimin e një diskursi që nxit bashkëpunimin ekonomik, politik dhe shoqëror ndër shqiptarë. Në një hapësirë me mbi 7 milionë banorë, ky lloj mendimi e vendos qytetarin në qendër të interesit strategjik dhe të sigurisë kombëtare, sidomos në dekadën e fundit, kur bota po ballafaqohet me pasiguri ekonomike, shoqërore e politike.
Lulzim BEQIRI, Prishtinë
Në kohën kur informacioni qarkullon me shpejtësi dhe shpesh harrohet po aq shpejt, mbajtja gjallë e një reviste serioze për një periudhë kaq të gjatë kohore përbën një sfidë të vërtetë. Në këto rrethana, 15-vjetori i revistës “Shenja” nuk është thjesht një moment përkujtimor, por një rast për të reflektuar mbi rolin dhe ndikimin e saj në hapësirën e mendimit shqiptar.
Gjatë kësaj periudhe, “Shenja” ka arritur të ndërtojë një identitet të qartë në këtë drejtim, duke ruajtur një ritëm të qëndrueshëm botimi me 180 numra dhe një fond që tejkalon 18,000 faqe. Këto shifra nuk janë vetëm tregues sasiorë, por dëshmi e një pune të vazhdueshme që ka synuar të krijojë një arkiv të qëndrueshëm të ideve dhe analizave në fushën ekonomike, politike dhe shoqërore në hapësirat ku jetojnë e veprojnë shqiptarët, por edhe më gjerë.
Një nga aspektet më të rëndësishme që bie në sy është shtrirja gjeografike dhe intelektuale. Me prezencë në mbi 100 qytete dhe me lexues në të gjitha hapësirat shqiptare, përfshirë diasporën, revista ka arritur të krijojë një platformë të përbashkët komunikimi për një komunitet prej mbi 7 milionë shqiptarësh. Në këtë kuptim, revista nuk është vetëm një medium informimi, por edhe një hapësirë ku ndërtohet dhe artikulohet mendimi kolektiv, ku analizohet e diskutohet për çështjet shqiptare, për ekonominë dhe politikën, si dhe për historinë e trashëgiminë kulturore.
Si lexues i saj ndër vite, por edhe si autor i disa temave ekonomike të publikuara në këtë revistë, e kam parë nga afër mënyrën se si “Shenja” ka ndërtuar një vijimësi mendimi. Çdo numër nuk qëndron i izoluar, por lidhet me numrat pararendës, duke krijuar një dialog të vazhdueshëm mbi çështje kyçe të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Trajtimi i temave, si ekonomia e Kosovës, struktura ekonomike e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, nevoja për bashkim ekonomik të vendeve tona e deri te një treg i përbashkët shqiptar, dëshmon për një qasje të qëndrueshme dhe strategjike.
Në mënyrë të veçantë, revista ka theksuar vazhdimisht sfidat që lidhen me varësinë nga importi në trojet shqiptare, ku shumica e produkteve të konsumit mbeten të importuara. Në këtë kontekst, promovimi i bashkëpunimit ekonomik ndërshqiptar nuk paraqitet si një ide por si domosdoshmëri konkrete zhvillimore. Nuk është rastësi që vitet e fundit janë vërejtur rritje të shkëmbimeve tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, çka reflekton edhe një ndryshim gradual në orientimin ekonomik rajonal, ku rolin meritor ka edhe “Shenja” si udhërrëfyese e bashkimit ekonomik të shqiptarëve përmes temave ekonomike që i ka trajtuar në vazhdimësi që nga themelimi i saj.
Nga kjo pikëpamje, “Shenja” ka luajtur një rol më të gjerë se ai i një reviste klasike. Ajo ka dhënë kontribut në formësimin e një diskursi që nxit bashkëpunimin ekonomik, politik dhe shoqëror ndër shqiptarë. Në një hapësirë me mbi 7 milionë banorë, ky lloj mendimi e vendos qytetarin në qendër të interesit strategjik dhe të sigurisë kombëtare, sidomos në dekadën e fundit, kur bota po ballafaqohet me pasiguri ekonomike, shoqërore e politike.
Nëse analizohen në tërësi elementet kryesore, si qëndrueshmëria 15-vjeçare, 180 numra, mbi 18,000 faqe dhe një shtrirje e gjerë gjeografike, del qartë se “Shenja” ka arritur të konsolidohet si një referencë e rëndësishme në fushën e mendimit shqiptar. Ajo nuk është vetëm një dëshmi e qëndrueshmërisë në kohë, por edhe një investim afatgjatë në ndërtimin e kulturës së debatit dhe reflektimit në hapësirën e trojeve shqiptare.
“Shenja” mbetet unike në temat që i trajton, me një rrjet autorësh të vlerësuar në jetën akademike dhe publike shqiptare, me autorë ndërkombëtarë të dëshmuar si intelektualë dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Prandaj, “Shenja” ka arritur të afirmohet si një zë me peshë në tregun mediatik.
Në fund, vlera e saj qëndron në një parim të thjeshtë, por thelbësor, fjala, kur trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi, shndërrohet në kapital. Dhe aty ku fjala bëhet kapital, mendimi kthehet në forcë zhvillimi.



