loader image
April 7, 2026

“Shenja” – Domethënia e shenjës

Erudicioni i jashtëzakonshëm i redaksisë dhe njohja e thellë e tyre në të gjitha sferat e mendimit shoqëror, si dhe ndjekja e vëmendshme e gjendjeve dhe nevojave të hapësirës shpirtërore e kulturore shqiptare në kuadër të situatës botërore, rajonale dhe lokale, ishin faktori kryesor që mundësoi realizimin e kësaj detyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Kështu, përzgjedhja e temave – ai guri i vërtetë magjik, “guri i urtësisë” – tërhiqte vazhdimisht vëmendjen e publikut lexues.

Ferid MUHIQ, Shkup

Para pesëmbëdhjetë vjetësh, kur në Maqedoni ashtu si edhe në mbarë botën po shuheshin edhe revistat e fundit të kulturës, letërsisë dhe mendimit shoqëror, një grup intelektualësh shqiptarë entuziastë në Shkup, e nisën projektin për botimin e një reviste të re, “Shenja”, të konceptuar me ambicie si një revistë e përmuajshme. Sot, pesëmbëdhjetë vjet më vonë, me daljen e numrit jubilar të 180-të të kësaj reviste, vetë arritjet e redaksisë dhe të gjithë ekipit për të qëndruar kaq gjatë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe rrethana të pafavorshme, janë mbresëlënëse dhe meritojnë përgëzime të sinqerta.

Suksesi i redaksisë është edhe më i madh kur merret parasysh se revista “Shenja” jo vetëm që mbijetoi, por gjatë gjithë kësaj periudhe u promovua si një faktor shumë serioz i jetës kulturore. Fakti që ajo fitoi autoritetin e një arbitri dhe orientuesi, si për temat madhore të historisë së ideve dhe traditës filozofike, ashtu edhe për zhvillimet dhe proceset më aktuale në shoqëri, konceptet ideologjike dhe kontestet politike, u detyrohet dy momenteve thelbësore: konceptit të menduar me mprehtësi dhe të zbatuar me përpikëri të politikës editoriale.

Në fakt, që nga fillimi, motivi kryesor ka qenë afirmimi i qëndrueshëm i mendimit të lirë dhe atij kritik të një koncepti të angazhuar intelektualisht, e jo i ndonjë programi të caktuar partiak. Për këtë qëllim, në vend që të impononte qëndrimet e veta, redaksia u përcaktua për angazhimin e një rrethi jashtëzakonisht të gjerë bashkëpunëtorësh të afirmuar nga të gjitha shkencat shoqërore dhe fushat e mendimit politik. Janë trajtuar temat aktuale jo vetëm në nivel lokal, por edhe çështjet dhe debatet teorike më urgjente e më kontroverse në nivel rajonal e botëror në kontekst dhe nga perspektiva e hapësirës shpirtërore e kulturore, e përcaktuar kryesisht nga areali i gjuhës shqipe si grup synues.

Erudicioni i jashtëzakonshëm i redaksisë dhe njohja e thellë e tyre në të gjitha sferat e mendimit shoqëror, si dhe ndjekja e vëmendshme e gjendjeve dhe nevojave të hapësirës shpirtërore e kulturore shqiptare në kuadër të situatës botërore, rajonale dhe lokale, ishin faktori kryesor që mundësoi realizimin e kësaj detyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Kështu, përzgjedhja e temave – ai guri i vërtetë magjik, “guri i urtësisë” – tërhiqte vazhdimisht vëmendjen e publikut lexues.

Pa këtë, edhe përzgjedhja e autorëve do të përbënte thjesht një krijim formal të hapësirës, krijimin e një oaze të mendimit të lirë pa diktat partiak dhe censurë, por të një hapësire të kufizuar, e të reduktuar në një lloj tabele njoftimesh, pa peshën dhe ndikimin e duhur intelektual.

Momenti i dytë u bë i mundur falë ekzistencës së një vizioni, strategjie dhe të një tërësie konceptuale të përcaktuar qartë si objektiv programor i redaksisë. Në bazë të këtij qëllimi konkret të organizuar programor, revista pati mundësi që t’i qaset përzgjedhjes dhe angazhimit të një spektri më të gjerë njohësish kompetentë të temave të planifikuara dhe fushave përkatëse shkencore, në përputhje me programin e saj. Në këtë kuptim, falë strukturës tematike dhe profilizimit aksiologjik, revista u shndërrua në një paradigmë të një projekti edukativ strategjik afatgjatë, në një burim të besueshëm dhe gjithnjë aktual informacioni, si dhe në një qëndrim të argumentuar fuqishëm mbi baza faktografike.

Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, “Shenja” u shndërrua në një SHENJË të vërtetë dhe aktuale – jo si një shenjë detyruese që duhet ndjekur patjetër, apo edhe që t’i shmangesh pa menduar, por si një tregues drejtimi në rrjetin kaotik të bulevardeve dhe rrugëve të kulturës, politikës dhe ideologjisë, si një udhëzues dhe drejtues i domosdoshëm në labirintet dhe kaosin e ideve dhe ideologjive të jetës bashkëkohore.

Ky rezultat reflektohet në 180 numrat e revistës “Shenja” – pesëmbëdhjetë vjet ekzistence të një orientimi aksiologjik ideor, të qartë dhe konsekuent, frymëzuar pa kompromis nga humanizmi – një SHENJË e harmonizuar me vlerat më të larta të civilizimit dhe idealet humaniste, aktuale, mjaft e përshtatshme dhe e hapur për debate dhe pikëpamje të ndryshme, si tematike, ashtu edhe përmbajtësore, por gjithmonë konceptualisht e qëndrueshme.

Gjatë këtij periudhe, revista, si në kuptimin semantik, ashtu edhe në atë përmbajtësor, u bë një SHENJË e paçmuar dhe e domosdoshme, pikërisht falë asaj që mund ta quajmë një qëndrueshmëri “aseizmike” të konceptit, e cila i mundësoi të kalonte pa plasaritje përmes të gjitha turbullirave të shoqërisë, duke ruajtur frymën kritike dhe frymëzimin fisnik të mendimit të lirë, kompetent dhe relevant, pa rigjiditet dogmatik apo doktrinar.

Redaksisë dhe gjithë ekipit të “Shenjës” ia uroj këtë jubile të rëndësishëm, me mirënjohje për nderin që edhe disa kontribute të mia modeste kanë gjetur vend në faqet e kësaj reviste të shquar!

Përktheu: Idaete SINANI

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X