Ashtu si Naim Frashëri e De Rada, që kurrë nuk u panë e nuk u takuan, por që bashkërisht e dizajnuan Rilindjen Kombëtare, autorët e Shenjës mbase kurrë nuk janë parë e nuk janë takuar fizikisht, por në këtë tryezë mendimi kanë debatuar dhe diskutuar për tema të ndryshme, duke e përballur mendimin e tyre me mendimin e të tjerëve, që shpesh mund të ishte edhe krejt i kundërt.
Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup
Baladat e rinjohjes janë një cikël këngësh në traditën tonë folklorike, ku heroi i këngës – ngjashëm si Odiseu – pas shumë vitesh arrin të rinjihet me njerëzit e tij dhe rëndom është një shenjë e cila, shprehur me fjalorin e sotëm teknologjik, është paswordi me të cilin ai kthehet dhe pranohet në familjen ose në komunitetin e tij.
Kur na duhet të shkruajmë për këtë jubile të 180-të të revistës “Shenja”, që e shënon edhe 15-vjetorin e jetës së kësaj reviste, natyrshëm na vjen ndër mend ideja e rinjohjes me shumë njerëz që mbase kurrë në jetë nuk do t’i kishim njohur, madje shumë prej tyre as që i kemi takuar ndonjëherë fizikisht, por që përmes kësaj Shenje, duke e zbuluar kodin e njëjtë të komunikimit, jemi rinjohur dhe ndonëse kemi jetuar në botë të ndara fizike, gjeografike, politike e kulturore, ne e kemi rigjetur njëri-tjetrin dhe kemi konstatuar se gjithnjë kishim qenë “të njëjtë”.
Në vitin 2011, kur e filluam këtë projekt, ëndrrat ishin të mëdha pikërisht duke i pasur ndër mend projektet e këtilla, si revistat e Sami Frashërit, Branko Merxhanit, Faik Konicës, Mehmet Akif Pejanit e Jashar Erebarës, e duke qenë të bindur se – përtej zhurmës së mediave ditore – janë revistat ato ku gatuhet mendimi, ku diskutohet me argumente dhe ku kullohen idetë. Dhe, ndonëse ishte një ëndërr që edhe Shenja të bëhej e tillë, e vërteta është se as ne – themeluesit e saj – nuk besonim se ky projekt do të ishte kaq jetëgjatë.
E derisa po flasim për sfidat që ia kishim vënë vetes me Shenjën, po i përmendim vetëm disa nga ato, sa për ta përdëftuar relacionin e sotëm me to.
Ideja e parë ishte ajo që e cekëm më sipër – për të ndërtuar një projekt medial që do të përpiqet të jetë një forum gjithëkombëtar rreth çështjeve të caktuara shoqërore, më shumë politike, por jo vetëm. Shenja e fillimit ishte një revistë ku përfshiheshin rubrika nga më të ndryshmet, madje deri te sporti kombëtar, por – me kalimin e viteve – Shenja “u poq”, duke “u gdhendur” penat e autorëve të saj dhe duke u ngritur dhe avancuar cilësia e saj. Kështu, duke u shtuar faqet e opinioneve që sillnin mendim, reduktoheshin faqet që sillnin informacion, aq sa viteve të fundit ajo u bë arenë debati të njëmendtë intelektual, ku gjithë numri i ri fokusohej vetëm në një temë, në një ngjarje ose në një personalitet, duke i evituar edhe fotografitë dhe ilustrimet, në mënyrë që produkti të ishte një përpunim i detajuar, i shumanshëm dhe i thellë i temës përkatëse. Në këtë mënyrë ajo nga një magazinë publicistike u shndërrua në një referencë shkencore që u shërben(te) studiuesve dhe hulumtuesve të ndryshëm për t’i argumentuar edhe qëndrimet e tyre akademike. Çdokush që i merr në dorë vetëm 15-20 numrat e fundit të saj, nuk e ka vështirë ta konstatojë këtë.
Për të qenë krejt të sinqertë, Shenja lindi nga entuziazmi, por në të vërtetë as ne nuk e dinim se ajo do të ishte strumbullari mbi të cilin ne do ta ndërtonim edhe projektin tonë politik, që tashmë nuk është ekzagjerim kur themi se mund të jetë ndër subjektet e pakta shqiptare që ka sjellë profilim të qartë ideologjik e politik në mjedisin tonë. Këto 20 mijë e më shumë faqe tekst (që mund të ishin së paku dyzet libra 500 faqesh ose 180 libra me nga 200 faqe), të cilat i kemi lexuar duke i gëlltitur dhe përbrendësuar, kanë qenë ushqimi ideor ose busulla mbi të cilën kemi lëvizur edhe në veprimtarinë politike. Andaj shpesh ia themi vetes se nëse asgjë më shumë, Shenja edhe vetëm për këtë i ka vlejtur si projekt mendimor. Ndërtimi i një organizate politike mbi atë që ishte Shenja në fushën mediale e intelektuale, përveç rëndësisë dhe peshës në këtë aspekt, ka sjellë me vete edhe situata paradoksale, kur ajo një kohë u përjashtua nga institucionet që i drejtonte partia në pushtet, me idenë se ajo paraqiste rrezik, ndërsa për ne ishte asocim me shembujt kur pushtete të ndryshme në të kaluarën mendonin se duke e ndaluar fjalën e lirë, do ta përmbysnin edhe vetë idenë. Megjithatë, ashtu si në plot ekzemplarë të tjerë në pushtete të tjera, edhe Shenja vazhdoi dhe fryma e saj rezultoi e sukseshme. Nëse ky ka qenë rreziku i pretenduar, edhe kanë pasur të drejtë.
Një moment tjetër që e kemi synuar e që mendojmë se Shenja tashmë e ka realizuar është se, përmes kësaj reviste, u krijua një forum gjithëkombëtar, një bashkim i mendjeve shqiptare, duke i tejkaluar kufijtë. Ashtu si Naim Frashëri e De Rada, që kurrë nuk u panë e nuk u takuan, por që bashkërisht e dizajnuan Rilindjen Kombëtare, autorët e Shenjës mbase kurrë nuk janë parë e nuk janë takuar fizikisht, por në këtë tryezë mendimi kanë debatuar dhe diskutuar për tema të ndryshme, duke e përballur mendimin e tyre me mendimin e të tjerëve, që shpesh mund të ishte edhe krejt i kundërt. E mira e kësaj ka qenë që secili autor, kur e ka marrë revistën në dorë, ka mundur ta shohë veten se ku qëndron mendimi i tij në raport me mendimet e autorëve të tjerë dhe kjo sigurisht ka qenë shtytje për numrat e ardhshëm, për ta kapur standardin e vendosur. Ky prag i cilësisë vërtet i ka hendikepuar shumë autorë, por në të njëjtën kohë edhe i ka edukuar shumë të tjerë, që të kihet parasysh se nuk është krejt njësoj që shkrimi i dikujt të botohet pranë emrave që sot janë në majën e mendimit filozofik e politik ose edhe që janë penat më të gdhendura artistike shqiptare.
Një dimension tjetër, që ka qenë po aq me rëndësi për neve, e që po ashtu është përmbushur me sukses, ka qenë që Shkupin – si periferi shqiptare – ta kthejmë në një epiqendër intelektuale shqiptare. Për shkak të rrethanave në të cilat na ka vendosur historia e gjeografia, por edhe për shkak të mungesës së institucioneve e projekteve serioze intelektuale, Shkupi, për vite të tëra, jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, por edhe brenda vetë shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, kishte vijuar të shihet si një provincë në kuptimin kombëtar, andaj ka qenë sfidë më vete që – një shekull pas kryeqendrës së Vilajetit të Kosovës – Shkupin ta kthejmë përsëri në kryeqendër të mendimit intelektual shqiptar. Gjithë kjo është bërë me synimin se nëse qytetet janë në gjendje të prodhojnë qytetërime, Shkupi dhe vetëm pak qytete të tjera shqiptare e kanë këtë mundësi. Prandaj neve na duhej t’i rilidhim hallkat e munguara, që pas gazetës “Shkupi” (29 gusht 1911 – 3 tetor 1912) të Jashar Erebarës, ta bëjmë Shkupin botues të një reviste siç u bë Shenja në këto 15 vite. Dhe, shpresojmë se edhe kësaj ia kemi dalë me sukses.
E derisa flasim për Shkupin, këtu është i pandashëm edhe synimi që një projekt intelektual si kjo revistë të dilte nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët në jo pak raste, me ose pa të drejtë, janë “orientalizuar” dhe paragjykuar për deficit zhvillimi kulturor e intelektual, që përveçse ka qenë pasojë e mungesës së infrastrukturës arsimore e kulturore, ka qenë edhe për arsye të rrethanave shoqërore e politike në të cilat kanë jetuar shqiptarët e këtij areali kombëtar. Dhe, Shenja ia ka dalë ta dëshmojë se edhe aty ku mendohet se toka është më pak pjellore, “punëtori i mirë” (siç do të thoshte Naim Frashëri) mund të sjellë rendimente të mira.
Si themelues e drejtues, disa herë si autorë, e më vonë – për arsye objektive (për shkak të rolit shoqëror) – vetëm si lexues të rregullt e të faqepërfaqshëm të Shenjës, sot – kur ky projekt e ka kaluar gjysmën e shkallëve të rrethit – mund të na bëjë krenarë dhe të jemi të lumtur se ia vlen njeriu të ketë në jetë ëndrra të këtilla dhe ambicie të larta, sepse vetëm ashtu kuptimësohet jeta jonë si qenie humane me dhunti intelektuale.
Po e mbyllim këtë shkrim duke e shpjeguar edhe vetë idenë e emrit të revistës. Shenja është njësia themelore në shkencat e komunikimit, në gjuhësi e në semiotikë, ajo është gjurmë, por është edhe element orientimi. Andaj, nëse kjo revistë është bërë shenjë e komunikimit të ri shqiptar, nëse ajo ka qenë shenja me të cilën kemi komunikuar shqiptarisht mes vete, nëse ajo ka lënë një gjurmë (shenja) dhe ka trasuar një shteg orientimi, ndërsa këtë e pohojnë shumica e atyre që kanë pasur mundësi “ta këndojnë” Shenjën, mund të themi se ky ka qenë një projekt i suksesshëm.
Editorialin e parë të Shenjës e kemi shkruar bashkë me Afrim Gashin, si bashkëthemelues të kësaj reviste. Sot ai është kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kjo detyrë detyrimisht i ka vënë edhe shenja të tjera, por ky shkrim – i shkruar në veten e parë shumës – në një mënyrë e bën atë bashkautor të këtij editorial lamtumirës në projektin 15-vjeçar “Revista Shenja”.









