loader image
February 27, 2026

Ramaduro

Megjithëse akuzat e opozitës për shndërrimin e qeverisjes në regjim mund të kenë një interpretim solid, kësaj prognoze për rrëzimin e “Ramaduros” nga pushteti i mungon vetëm një element i rëndësishëm, por i domosdoshëm. Përmes funksionarëve të lartë ose nga përfaqësuesit e tyre diplomatik në vend, ende nuk janë artikuluar akuza të ngjashme si ato ndaj vendit të Amerikës Latine. Nuk mund të ndodhë kështu përderisa vendet tona janë në ombrellën e një aleance të përbashkët dhe ka një bashkëpunim formal mes institucioneve që merren me luftën ndaj trafikut të narkotikëve.

Elton HATIBI, Tiranë

Ditën e tretë të këtij viti të ri, bota u zgjua me lajmin se SHBA-ja e kishte sulmuar Venezuelën. Lajmi tjetër i rëndësishëm, që pasoi pak orë më pas, ishte ai i “arrestimit” nga forcat amerikane të liderit të vendit, Nikolas Maduro. Prej muajsh, retorika, aspak diplomatike e presidentit Donald Trump, kishte paralajmëruar zhvillime në zonën e Karaibeve, me një synim të drejtpërdrejtë – për ta shtuar trysninë ndaj regjimit në Venezuelë. Praktikisht ndodhi ajo që i druhej një pjesë e mirë e opinionit ndërkombëtar – ndërhyrja ushtarake jolegjitime e një shteti të fuqishëm ndaj një vendi sovran. Nga shtatori i vitit të kaluar, një seri sulmesh ushtarake nga SHBA-ja kanë shkaktuar me dhjetëra të vdekur në ujërat ndërkombëtare, në një fushatë që pretendohet se ndërmerret ndaj parandalimit të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, synimi kryesor i të cilit është territori amerikan. Shtimi i pranisë ushtarake të SHBA-së në rajon efektivisht ka realizuar një bllokadë detare të plotë ndaj Venezuelës, ndërsa cisternat e hidrokarbureve që përpiqen të çajnë këtë perde ushtarake, sekuestrohen nga amerikanët.

Në Shqipëri ky lajm u prit me entuziazëm nga opozitarët e pushtetit të Edi Ramës, i cili ndodhet në pushtet prej 13 vjetësh. Duke bërë një aberacion fonetik, mbiemrit “Maduro” të ish-liderit venezuelian i është shtuar rrokja “ra” me të cilin fillon mbiemri i Ramës, dhe kështu është krijuar një epitet politik, që mundohet të asociojë realitetin politik të Venezuelës me atë të Shqipërisë. Për të qenë edhe më konkret, kërkohet që të barazohet sjellja diktatoriale e Maduros me sjelljen autokratike të Ramës dhe e gjitha kjo sepse Maduro prej kohësh ishte në trysninë e amerikane. Kështu dhe retorika opozitare në Shqipëri aludon se e njëjta trysni ushtrohet dhe ndaj liderit politik të vendit. Sipas ligjërimit opozitar, pika e përbashkët që pranëvendos Maduron me Ramën, është shndërrimi i regjimeve respektive në infrastruktura të narkotrafikut. Prej kohësh, opozita zyrtare e ka pagëzuar qeverisjen e vendit si narkoshtet. Është e vërtetë që gjatë qeverisjes së socialistëve në Shqipëri është shtuar dukshëm trafikimi i lëndëve narkotike, e cila për publikun dëshmohet si realitet nga sasitë e sekuestruara nga agjencitë ligjzbatuese dhe gjithashtu edhe komentatorë të ndryshëm aludojnë me një logjikë të ftohtë për një skemë të pastrimit të parave të trafikut, kryesisht në sektorin e ndërtimit, i cili vitet e fundit ka lulëzuar fuqishëm.

Në studio televizive njëri nga këta komentator u paraqit me një helikopter të vogël, që luajnë fëmijët, si një ironi ndaj fjalëve të përhapura lart e poshtë se edhe kryeministri Rama do ta kishte të njëjtin fat si të Maduros në Venezuelë, pra i kapur nga forcat “Delta” dhe i transportuar me helikopter drejt SHBA. Pasi ndodhën ngjarjet e Venezuelës, në skenografinë e protestës së opozitës, çdo të hënë pranë ndërtesës së kryeministrisë, u vu re zëvendësimi i imazhit të kryeministrit në një maskotë, si një i burgosur me rroba ngjyrë portokalli, me atë të veshjes së Maduros kur u kap, që bëri xhiron e botës në internet me tutat e çelura sportive Nike dhe kufjet e mëdha në kokë. Sipas kundërshtarëve të kryeministrit Rama, një tjetër aferë që e vendos atë në një përplasje potenciale me amerikanët është “çështja McGonigal”, historia e një ish-agjenti të korruptuar të FBI-së, që u përzie edhe me çështje të politikës dhe biznesit në Shqipëri. Përderisa është dënuar për këto akuza, dhe të tjera në SHBA, dhe ka pasur disa takime private me kryeministrin shqiptar, atmosfera e krijuar pas kapjes së Maduros nga amerikanët, e parë në këtë kontekst kontroversial, furnizon zërat “amerikanë” për një rrëzim të Edi Ramës.

Precedentët e arrestimeve të tilla nuk është se kanë munguar. Në momentet historike post-sovjetike, kur në Europën Lindore, dhe kudo gjetkë, po ndryshonin regjimet politike dhe sistemi i tyre ekonomik, në kontinentin amerikan u konsumua një përplasje e drejtpërdrejtë mes superfuqisë së vetme globale dhe një shteti të vogël. Pas disa tentativave për të bindur presidentin e vendit që të hiqte dorë nga pushteti, të cilat rezultuan të pasuksesshme, SHBA-ja e pushtoi Panamanë dhe e arrestoi presidentin Noriega. Presidenti i rrëzuar u dënua dhe u burgos në SHBA për akuza të trafikut të drogës dhe të pastrimit të parave, ndërsa në vende të tjera ish-komuniste, sipas rëndësisë gjeostrategjike dhe përmasës së ndikimit politik, SHBA-ja dhe aleatët e saj europianë stimuluan dhe mbështetën në shkallë të ndryshme ndryshimet politike. Në hemisferën perëndimore, por edhe në Lindjen e Mesme, këto ndryshime ndodhin edhe sipas mënyrës që u konsumua në Panama dhe, tashmë, në Venezuelë.

Megjithëse akuzat e opozitës për shndërrimin e qeverisjes në regjim mund të kenë një interpretim solid, kësaj prognoze për rrëzimin e “Ramaduros” nga pushteti i mungon vetëm një element i rëndësishëm, por i domosdoshëm. Përmes funksionarëve të lartë ose nga përfaqësuesit e tyre diplomatikë në vend, ende nuk janë artikuluar akuza të ngjashme si ato ndaj vendit të Amerikës Latine. Nuk mund të ndodhë kështu përderisa vendet tona janë në ombrellën e një aleance të përbashkët dhe ka një bashkëpunim formal mes institucioneve që merren me luftën ndaj trafikut të narkotikëve. Megjithëse, me ardhjen e Trampit në pushtet, edhe retorika agresive ndaj aleatëve ka hyrë në fjalorin diplomatik të amerikanëve. Por, në rastin e një aleati kaq të vogël sa Shqipëria, është e vështirë të meritojmë një vëmendje, qoftë negative, nga presidenti amerikan, ngjashëm siç ai u drejtohet liderëve kundërshtarë të Venezuelës dhe Iranit. Maksimumi kur mund ta përmendë Trampi Shqipërinë, është ai i kontekstit të luftës që paskërkish ndodhur mes nesh dhe Azerbajxhanit (Aber-bajxhan) dhe që presidenti amerikan e paskërka ndaluar.

Një vështirësi e madhe në këto akuza të opozitës ndaj qeverisjes së Ramës vjen dhe nga izolimi i liderit të opozitës, sidomos shkëputja e kontakteve me amerikanët dhe britanikët ose konsiderimi ligjërisht si person i papëlqyeshëm nga qeveritë e dy vendeve. Kjo situatë duket se e ka penalizuar ndjeshëm opozitën, sepse përveçse izolimit ndaj qeverive partnere me ndikim shumë të madh, ky penalitet perceptohet si i pakalueshëm në opinionin publik, i cili shikon një opozitë të dobët ndaj qeverisë dhe demotivohet për ta mbështetur atë. Megjithëse opozita me retorikën e saj është munduar që ta zvogëlojë rëndësinë e këtij ngërçi në marrëdhëniet me aleatët, nga ana tjetër është munduar që të dëshmojë në publik element të përmirësimit të këtyre marrëdhënieve, kryesisht me SHBA-në. Në fillim, kur dhe u përcaktua si i papëlqyeshëm nga amerikanët, lideri i opozitës dhe shumica e mbështetësve të tij akuzuan filantropin e majtë amerikan Soros se qëndronte pas këtij akti të rëndë diplomatik. Duke qenë se administrata amerikane ishte në pushtetin e demokratëve, u aludua se ndikimi i Sorosit kishte qenë vendimtar për të penalizuar opozitën shqiptare. Pas ardhjes në pushtet para një viti të republikanëve me presidentin Tramp, opozita përhapi idenë që kjo masë, që e dëmtonte jo veç liderin e saj, së shpejti do të ndryshonte. Në prag të zgjedhjeve të 2025-tës, një strategjist zgjedhjesh amerikan, i afërt me republikanët, u pajtua të ndihmonte opozitën që të fitonte zgjedhjet. Një funksionar i lartë i opozitës deklaroi në një studio televizive, përmes shprehjes amerikane “a new sheriff in town”, se epokës së paqartësisë dhe çrregullit, me praninë e strategjistit elektoral amerikan, do t’i vinte fundi. Por, zgjedhjet u fituan nga kryeministri edhe më thellë se herën e kaluar, me gjithë akuzat e shumta të opozitës për vjedhje, manipulime dhe intimidime, para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve.

Është frustruese për një opozitë të qëndrojë kaq gjatë larg pushtetit. Dita-ditës, pushteti akumulon më shumë pushtet dhe duket sikur është i pamposhtshëm. Duke thirrur në ndihmë metaforën e “Ramaduros”, në fakt opozita nuk është se po tërheq vëmendjen e amerikanëve. Kjo propagandë u drejtohet qytetarëve të pakënaqur ndaj qeverisë, si një alibi për mosrrëzimin e qeverisë në disa palë zgjedhje. Duke qenë se në Venezuelë manipulohen zgjedhjet në favor të pushtetit, edhe në Shqipërinë, që nuk ndryshon qeverisje, duhet të jetë i njëjti problem. Në fakt, aferat korruptive në radhët e shumicës qeverisëse e kanë dobësuar atë në sytë e opinionit publik. Askush në vend nuk mund ta mohojë se kjo qeverisje ka një problem me korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin. Opinionet ndahen për shkallën e përhapjes dhe emrat e përfshirë në këto afera. Megjithatë, opozita nuk e ka forcën dhe besueshmërinë e duhur për ta bërë detyrën publike për të cilën ka rrëmbyer flamujtë. Gjithashtu, ekziston dhe një ngërç i pashpjegueshëm për opozitën, që pesha gjithnjë e më e madhe e pabesueshmërisë vjen gjithnjë e duke iu rritur. Derisa, në një anë, kur të akuzuar janë eksponentët e qeverisë, përshëndet punën e organeve ligjzbatuese, në anën tjetër i akuzon ato si të ndikuara nga krimi i organizuar dhe qeveria, kur eksponentë të opozitës akuzohen për afera të ngjashme korruptive.

Ndërsa konsumohet me intensitet kjo përplasje politike, gjithsesi jashtë rregullave formale të politikës, opinioni publik u nënshtrohet çdo natë temave të nxehta të politikës, që gjithnjë e më tepër i largohen racionalitetit dhe e orientojnë debatin në këto shenja dhe falle. Sakaq, një lloj tjetër komentatorësh kanë filluar ta zgjerojnë praninë e tyre në opinion publik. Diku duke shpërpjesëtuar argumentet e teorive të konspiracionit, e diku tjetër duke shpjeguar me anë të “shqipes hyjnore” fenomene dhe enigma të pazgjidhura, dyert e televizioneve dhe podkasteve shumëfishojnë ofertën informative për audiencën. Duke u nisur nga popullariteti i forcave amerikane “Delta”, që përveç Maduros, e sa e sa të tjerëve, kanë arritur të eliminojnë dhe Bin Ladenin, i jepet kësaj fjale kuptimi etimologjik përmes shqipes. “Dijetari” mëton se kjo fjalë është e përbërë nga dy të tilla, folja “dal”, në rastin kur lumi Nil del në Mesdhe, dhe pasthirrmës  “ta”, kur dikush e bën për të dëshmuar praninë dhe kërkuar vëmendjen. Pra, befasia e kërkuar në rastet e një operacioni sekret, thjesht, “del”, “ta”, dhe Maduro brenda! Përderisa u përfol se operacioni në Venezuelë ishte për të shpërqendruar vëmendjen nga “çështja Epstein”, dikush që, siç duket i ka kushtuar vëmendje këtij rasti, dhe implikimeve të tij publike, i dha një shpjegim gati-gati shterues, duke implikuar pashmangshëm fjalën shqipe “epsh”. Sigurisht, një tjetër, me siguri të plotë, aludoi që Epstein është gjallë, duke pasuruar ciklin e pathyeshëm të pretendimit për pavdekësi të celebriteteve të një rangu të tillë. Ndërsa aktivisti dhe politikani Sazan Guri, me bindje të plotë, deklaroi se Edi Rama është afgan katolik! Kur u pyet se ku e mbështeste mendimin, argumenti i tij ishin “poturet” që vesh Rama shpesh! “E thërret gjaku” – shtoi ai më pas, për të përforcuar argumentin e potureve. Afërmendsh, kjo atmosferë mediatike u hap rrugë dhe pretendimeve politike të një personazhi si Pëllumb Pilinçi, që me flamuj, dhe sidomos automjete të tipit amerikan, mësyn vazhdimisht drejt pushtetit.

Në kohën kur amerikanët po pushtonin Panamanë dhe arrestonin presidentin Noriega, liderët që sot qëndrojnë përballë njëri-tjetrit në politikën shqiptare, sapo po krijonin profilin e tyre publik. Sot, kur ky skenar, me të njëjta akuza, u ekzekutua përsëri nga amerikanët në Venezuelë, këta liderët tanë duket se janë sërish të palëkundur në pozitat e tyre publike. Ngjan si paradoks që, në 35 vjet e më shumë histori, ndërsa bota ka parë zhvillime të shumta në të gjitha pikëpamjet dhe fushat e jetës, në Shqipërinë tonë të vogël sa Panamaja, presim me ngulm, dhe shpresojmë që të zbarkojnë amerikanët, për të bërë përmbysjen politike.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X