Edhe përkundër shumë fatkeqësive, shqiptarët akoma nuk kanë një mendim strategjik të unifikuar. Shqiptarët akoma merren me vetveten dhe akoma i janë nënshtruar mentalitetit të bajraktarizmit.
Shkëlzen HALIMI, Shkup
Tashmë në horizont duket konfigurimi i një rendi të ri botëror, i cili, me shembujt e treguar, fatkeqësisht ka tendenca të mosrespektimit të normave ndërkombëtare. Thjesht, duket se do të vlejë vetëm parimi i fuqisë për të dominuar aty ku në plan të parë del interesi ekonomik dhe pastaj ai gjeostrategjik, kurse ideologjitë e deritanishme duket se do të jenë vetëm pjesë e një retorike boshe. Po kështu, duket se edhe teoritë rreth përplasjeve të qytetërimeve (Samuel Huntington) do të marrin kuptim tjetër dhe do të kemi përplasje të interesave që, mbi të gjitha, do të jenë ekonomike. Këtë e dëshmojnë qartë lufta e Rusisë ndaj Ukrainës dhe blic-intervenimi prej disa orëve i SHBA-ve në Venezuelë. Synimet e më të fuqishmëve të globit pothuaj janë në fillimet e asaj që është planifikuar (Grenlanda, Tajvani, Kuba etj). Jo pak me peshë janë edhe raportet ftohtë-ngrohtë midis SHBA-së dhe NATO-së dhe SHBA-së – BE-së, të cilat raporte, nëse nuk vendosen në baza të shëndosha, mund të lëkunden deri në përmasa fatale.
Bota po ndryshon
Rendi ndërkombëtar liberal duket se po përjeton një proces të transformimit, i cili proces, megjithatë, për shkak të strategjive dhe interesave të të fortit, është me shumë të panjohura, sepse gjithçka përgatitet larg opinionit.
Ngjarjet e fundit, përfshi edhe luftën në Ukrainë, por edhe paralajmërimet për zhvillime të reja në konfigurimin e ekuilibrave, tregojnë se bota gjithnjë e më shumë po ndryshon, me tendencë për konflikte serioze, të cilën gjë më së miri e ilustron fakti i prodhimit jashtëzakonisht të shtuar në industrinë e armatimit.
Po qe se analizohet rrjedha e ngjarjeve (pse jo edhe historike), do të arrijmë te përfundimi se agresioni rus në Ukrainë ishte i planifikuar gjatë kohë. Njëherit, ky agresion ishte një test për NATO-n dhe Bashkimin Europian, i cili në rastin konkret u tregua inert. Pos kësaj, intervenimi rus ka edhe impakt ekonomik, sepse Kremlini synon të marrë hapësirat ku është zemra e zhvillimit industrial, dhe jo vetëm, e Ukrainës.
Ndërkaq, me hyrjen e Donald Trampit në Shtëpinë e Bardhë, SHBA-ja e tregoi anën tjetër të medaljes – varësinë ekonomike për gjunjëzimin e të gjithë atyre që i kundërshtojnë projektet amerikane. Kjo edhe njëherë riafirmoi rolin e SHBA-së që ka mbi sigurinë jo vetëm të Europës, por edhe më gjerë.
Fuqitë e mëdha gjithmonë kanë synim dobësimin e kundërshtarit të tyre. Rusia, e cila mbështetje kryesore të ekzistencës ekonomike i ka burimet energjetike natyrore, as që e kishte paramenduar se lufta me Ukrainën do të zgjasë me vite, por kishte shpresuar në një intervenim me rezultat të shpejtë, prandaj dhe sanksionet ndaj saj, sidomos me ndërprerjen e furnizimit me naftë dhe gaz, bënë që në arenën ndërkombëtare të ndjehet një krizë e dukshme për shkak të varësisë nga këto burime ruse.
Sot të gjithë vlerësojnë se është e pritshme që zgjidhja e kësaj mungese të vijë pas intervenimit të shpejtë të SHBA-së në Venezuelë, e cila konsiderohet si një vend prej ku shpërndahet droga, por edhe një vend i pasur me naftë, të cilat burime, përfshi edhe industrinë e naftës, tash e tutje do t’i kontrollojë Uashingtoni. Me këtë është e pritshme që të ndjehet një stabilizim i prodhimit të naftës në tregun botëror.
Në zhvillimet më të reja globale, për shkak të rrethanave të shumta që imponojnë ndryshime radikale, SHBA-ja ka zgjedhur të operojë përmes instrumenteve ekonomike (përfshi edhe tarifat kushtëzuese) të kombinuar me një diplomaci, ku mungon gjuha diplomatike.
Ndërkaq, nga ana tjetër, Rusia dhe Kina e shohin rendin e ri botëror si një mundësi për krijimin e aleancave të reja ekonomike dhe ushtarake (Rusia, Kina, India, Irani, Brazili etj.), me synim për ta anashkaluar ndikimin amerikan në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Lufta në Ukrainë dhe imponimi i ndikimit amerikan në Venezuelën është hapi i parë në procesin e ristrukturimin gjeopolitik. Futja në këtë vorbull do të ketë edhe pasoja të dhimbshme, sepse do të ashpërsohet tejmase konkurrenca midis fuqive të mëdha, të cilat do të bëjnë çmos për ta shtuar ndikimin në lëmin e energjisë dhe ekonomisë, si dy shtylla kryesore, por edhe për të pasur kontroll në pikat kyçe gjeo-strategjike, si pengesa kryesore për kundërshtarët.
Prandaj, vënia dorë mbi hapësirat ku gjinden metalet e çmuara dhe të rralla, të cilat i japin hov zhvillimit të teknologjisë më të re, asaj të informacionit që integron elektronikën, telekomunikacionin, informatikën, internetin dhe mediumet, është edhe një tregues se rendi i ri botëror mund të pasohet nga një periudhë e paqëndrueshme dhe me rrezik të madh për tërë globin, aq më tepër për shkak të faktit se në retorikën e çdoditshme të qendrave të vendosjes, përmendja e armëve bërthamore është bërë një çështje normale.
Shqiptarët
Pa dyshim se zhvillimet e reja gjeostrategjike globale imponojnë edhe dilemën: po shqiptarët, çfarë mund të presin? Apo, ku do të jenë ata në këtë konfigurim të ri të rendit botëror?
Është thënë se në politikën ndërkombëtare, kombet e vogla shpesh trajtohen si hapësira ndikimi dhe jo si aktorë me vullnet të pavarur. Mbase historia e shqiptarëve qartë e dëshmon këtë. Në këtë epokë të konfigurimit të rendit të ri botëror, shqiptarët sërish rrezikojnë të mbeten objekt i marrëveshjeve sesa subjekt i vendimmarrjes. Duket se edhe riformatimi i rendit ndërkombëtar, Ballkanin Perëndimor do ta trajtojë si një rajon me rëndësi të veçantë strategjike. Në këtë kontekst, shqiptarët, të shpërndarë në disa shtete të rajonit, do të gjenden sërish në një kryqëzim interesash globale, rajonale dhe lokale.
Edhe përkundër shumë fatkeqësive, shqiptarët akoma nuk kanë një mendim strategjik të unifikuar. Shqiptarët akoma merren me vetveten dhe akoma i janë nënshtruar mentalitetit të bajraktarizmit. Historia, nëse duam ta lexojmë në mënyrë objektive, na tregon se në të kaluarën, në momentet e zhvillimeve të mëdha botërore, shpesh të tjerët kanë vendosur për fatin e shqiptarëve, sepse në këto procese ata janë treguar të papërgatitur, pa ndjenjë shtetësie dhe të përçarë në forma të ndryshme. Nëse nuk kemi mësuar asgjë nga kjo histori, atëherë është reale dhe e pritshme që historia (pjesa më tragjike) sërish të na përsëritet. Pra, tash për tash, mungon një zë i përbashkët.
Është momenti i duhur që shqiptarët, në të gjitha hapësirat e Ballkanit, të jenë të unifikuar, të kenë një strategji të qartë dhe në këtë konfigurim të rendit të ri botëror, bashkë me aleatët e tyre historikë, të kërkojnë zgjidhje praktike dhe pragmatike, që do të ndikonte në stabilizimin e Ballkanit, e cila vazhdon të mbetet një fuçi e rrezikshme baroti.
Faktori politik shqiptar duhet të tregojë se është i aftë për të marrë vendime të qarta që janë në përputhje jo vetëm me interesin e tyre, por edhe të aleatëve që kanë investuar shumë, sidomos në Shqipëri e Kosovë. Pra, nëse shqiptarët nuk do të dinë ta artikulojnë siç duhet interesin e tyre, atëherë rrezikojnë që prapë, si shumë herë në të kaluarën, të trajtohen për interesat e të tjerëve. Nëse shqiptarët nuk arrijnë të imponohen si faktor i rëndësishëm në qetësimin e Ballkanit të trazuar nga imponimet dhe politikat aspak humane sllavo-ortodokse, atëherë rreziku nga humbja e hapit dhe nënshtrimi mund të çojë deri te fragmentarizimi akoma më i thellë i shqiptarëve dhe minimizimi maksimal i peshës së tyre.
Zhvillimet e reja gjeostrategjike duhet shqyrtuar me kujdes, natyrisht duke treguar unitet dhe maturi, gjithnjë duke i analizuar çështjet më thelbësore, sepse vërtet ofrojnë një mundësi historike për të rënë kufijtë midis shqiptarëve, të cilat jo një herë u treguar se janë kontradiktorë dhe herë-herë absurde.
Në vend të përfundimit
Lufta e titanëve për resurse energjie një ditë do të përfundojë. Por, do të hapet porta e një lufte tjetër. Popullata botërore po shtohet në mënyrë marramendëse, ndërsa burimet e ujit do të jenë gjithnjë e më të pakta. Ndaj, është e pritshme që pikërisht uji të bëhet shkak për zhvillime tjera. Atëherë rendi botëror do ta humbë kuptimin, sepse etja do të imponoje ligje të tjera me domethënie ekzistence.
Albert Anjshtajnë me një rast do të thotë: “Nuk e di se me çfarë lloj armësh do të luftohet në Luftën e Tretë Botërore, por di që në të Katërtën do të luftohet me gurë dhe me shkopinj”.









