Përmasat e njeriut të madh të Shqipërisë, Ismail Bej Vlora, meritojnë vëmendje në çdo kohë, si shtetar e politikan i rangut të lartë në Perandorinë Osmane dhe kreu i qeverisë së parë në Shqipërinë e pavarur, duke vepruar me durim e kurajë në një klimë tepër të vështirë para dhe pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, 1913.
Nuredin NAZARKO, Korçë
Historia është jeta që ka ngrirë dhe e vetmja mënyrë për ta bërë të gjallojë sërish është endja nëpër fijet e saj. Leximi, përsiatja, analiza dhe sinteza janë bashkëshoqërueset e pandara të kujtdo që lexon e reflekton mbi këtë jetë që gjallon mes rreshtash. Secili në botë ka fatin e vet dhe secili është krijuar për një kohë të caktuar. Ata që vijnë më pas kanë për detyrë të hulumtojnë e të nxjerrin mesazhet e nevojshme nga e kaluara në përputhje me rrethanat ku jetojnë e gjenden.
Në gjerdanin e njerëzve të mëdhenj që shqiptarët kanë përgjatë historisë së tyre nuk mungojnë figurat e një rëndësie jo vetëm kombëtare, por edhe më gjerë. Paçka se historiografia komuniste ka lënë në harresë emra të mëdhenj të historisë, disa duke i lënë në hije, disa duke i paraqitur sipas kallpeve ideologjikë të kohës, disa duke i ndaluar të përmenden, e disa duke i shpallur tradhtarë e të padëshirueshëm për rreshtat e historisë së ideologjizuar, në ditët e sotme kur kemi mundësira të reja, është detyrë që të shkundim pluhurin e harresës dhe indiferencës duke i risjellë në vëmendjen e shqiptarëve përmes burimeve dhe referencave të reja, që nuk censurohen nga makineria ideologjike e historisë së politizuar.
Përmasat e njeriut të madh të Shqipërisë, Ismail Bej Vlora, meritojnë vëmendje në çdo kohë, si shtetar e politikan i rangut të lartë në Perandorinë Osmane dhe kreu i qeverisë së parë në Shqipërinë e pavarur, duke vepruar me durim e kurajë në një klimë tepër të vështirë para dhe pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913). Në rreshtat që pasojnë kemi sjellë në vëmendje episode nga jeta e tij në shërbim të Perandorisë Osmane dhe Shqipërisë, mesazhet e të cilave janë tepër aktuale edhe sot e kësaj dite. Mosleximi si duhet i historisë sjell pasoja të padëshirueshme për njerëzit dhe vendin. Duhet të dimë të përfitojmë nga përvoja e këtyre njerëzve që, për kohën që shërbyen nën Perandorinë Osmane, ishin aktorë politikë në arenën europiane dhe kur u shkëputën prej saj në vend që të zgjidhnin të qëndronin jashtë ngjarjeve e të gëzonin pushtet e privilegje, zgjodhën rrugën e vështirë, atë të lënies mënjanë të egos dhe krenarisë njerëzore, duke u vënë në shërbim të një kauze që edhe pse shenjat në qiellin e diplomacisë europiane nuk dilnin shpresëdhënëse, nuk hoqën dorë nga shpresa se duhej shpëtuar e ndërtuar Shqipëria.
Me Ismail Bej Vlorën përmes kujtimeve
Kur u ktheva në Rusçuk, prita sa të shkrihej Danubi dhe, me anijen e parë që u nis për në Danubin e Poshtëm, shkova në Tulça, kryeqendra e Danubit të Poshtëm (ose Dobruxhës), ku mbërrita në mars 1870. Në prill vajta në Galac, selia e Komisionit Evropian për Danubin, dhe mora kryesimin e këtij komisioni si delegate turk, duke pasur si bashkëpunëtorë kolonelin (më pas gjeneral) John Stokes, për Britaninë e Madhe; baronin D’Avril, për Francën: baronin de Radowitc, për Gjermaninë; baronin Offenberg, për Rusinë, një përfaqësues për Austrinë; dhe z. Berio për Italinë. (Vlora, Ismail Bej. Kujtime. Tiranë: Toena, 2009, 74).
Ismail Qemali ishte mes përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha si kryetar i Komisionit Europian për Danubin. Një shembull për t’u patur parasysh se, edhe pse vinte prej një vendi të vogël, në sajë edhe të lidhjeve të vazhdueshme historike të familjes së Vlorajve me Perandorinë Osmane, ai ishte përfaqësues i një shteti të madh. Si i tillë, në arenën e Fuqive të Mëdha pati mundësinë të njohë dhe prekë nga afër diplomacinë e oborreve europiane, duke shpresuar gjithmonë që veçanërisht Britania e Madhe do të ishte në anën e shpëtimit të Perandorisë Osmane dhe dhënien e të drejtave Shqipërisë po ashtu, shpresa që nuk u realizuan.
Unë gjithashtu kisha përfituar nga qëndrimi im në kryeqytet për të marrë miratimin për disa projekte të mia të reformës administrative në rajon. Kryesori ndër to ishte organizimi i shkollave publike në Dobruxhë, ku asgjë nuk ishte bërë deri atëherë, pavarësisht nga shpallja e ligjit për arsimin publik rreth tre vjet më parë…Unë isha shumë i kënaqur që m’i kishin miratuar të gjitha këto projekte. Mirëpo Aali Pasha, kur po më uronte për rezultatet e arritura, më tha disa fjalë me ton tepër sarkastik, që më mërzitën shumë atëherë. “Çfarë do të bëhet me gjithë këta njerëz, kur të kenë mbaruar shkollën, në kushtet ku gjendet vendi sot?” më pyeti. “A mos do përfundojnë të gjithë avoketë dhe të papunë si në Greqi?” Kjo vërejtje, e cila në të vërtetë qe fort e drejtë, ishte një goditje e ashpër për mua, i ri në moshë siç isha dhe plot entuziazëm për lirinë dhe mbrothësinë e njerëzve. Por, për të mos dalë sikur isha kundër mendimit të të vetmit burrë që qe, si me thënë, personifikimi i Perandorisë, unë përfshiva në program mësime praktike të dobishme për punët bujqësore, çka e kënaqi Vezirin e Madh. Megjithatë, unë e lashë atë me mendimin se kisha në krye si drejtues një despot e një njeri me pikëpamje të prapambetura. Koha dhe përvoja më kanë bërë të çmoj mendjemprehtësinë dhe vizionin e gjerë të këtij burri shteti turk, i cili, pavarësisht nga disa të meta, e ndihmoi vërtet vendin në udhën shkallë-shkallë drejt përparimit. (Vlora, Ismail Bej: 81-83)
Rinia është gjithmonë guximtare, ëndërronjëse dhe beson se pikëpamjet e saj janë më të drejta dhe se bota patjetër duhet të shkojë udhës së pikëpamjeve të tyre që të ndriçohet e lulëzohet. Rinia shpesh paragjykon dhe nuk pranon urtësinë e përvojës së më të vjetërve, por kur rinia shkon dhe jeta të ka gdhendur me daltë e çekiç, e kupton vlerën e atyre këshillave që dikur të dukeshin të pavenda. Nën ndikimin e ideve iluministe të kohës, arsimi shikohej si ura e pashmangshme drejt zhvillimit e përparimit, por masiviteti do të sillte një mbiprodhim të arsimuarish që nuk i përgjigjeshin realitetit të zhvillimit. Duke u arsimuar masivisht, shprishet rendi natyral, sepse edhe atij që nuk priret drejt shkollimit i mbushet mendja se vlen shumëçka vetëm sepse ka një diplomë. Në të tjera rrethana duhet të kishim një zanatçi që do të gjente hapësirë punësimi në sektorë ekonomikë që kanë tepër nevojë për profesionistë të fushave të ndryshme, ndërsa duke i mbushur mendjen se vetëm duke u shndërruar në punonjës jakëbardhë gjen zgjidhjen ideale për jetën, ia presim hovin potencialit natyral që mbart individi. Arsimi duhet t’i shërbejë shoshitjes dhe nxitjes së prirjeve natyrale të njeriut dhe jo ta mbajë peng të ideve se njeriu vlen vetëm po të kalojë të gjitha hallkat e arsimit. Edhe sot e kësaj ditë kjo përmbysje e rendit natyral, krijuar prej arsimit masiv, ka sjellë mjaft probleme me punësimin e të arsimuarve, ndërkohë që nevojitet më shumë prakticitet sesa rrahje e ujit në hava.
Bëma e parë e Mahmud Nedim Pashës ishte të hiqte qafe të gjithë ata ministra e guvernatorë, që kishin bashkëpunuar me Aali Pashën, si dhe të gjithë ata funksionarë të tjerë, që kishin qenë të përkushtuar në shërbim të shtetit. Ai i uli në rang ose i syrgjynosi pa kurrfarë argumenti ose ndofarë hetimi. Emëroi dhe riemëroi njerëz të tjerë në detyra të ndryshme në mënyrën më të gabuar e pa lidhje me punën. Ai që kishte qenë Guvernator i Përgjithshëm në periudhën e Aali Pashës, pa kurrfarë arsyeje konkrete, emërohej guvernator i thjeshtë. Po ashtu, njerëzit sapo emëroheshin guvernatorë, pa filluar nga detyra, transferoheshin gjetiu. (Vlora, Ismail Bej: 103)
Vlera e qeverisjes varet nga personaliteti dhe vizioni i qeveritarit. A ka për qëllim t’i shërbejë zhvillimit dhe forcimit të vendit apo ka për qëllim të mbledhë rreth vetes aparatçikë që përmes temenarave përpiqen të përfitojnë sa munden nga pozita që fati u pati shkruar të kenë? Kushdo që ka për qëllim pushtetin vetjak, është e sigurt që rreth vetes nuk ka për të patur të zotët, të mirët, ata që e duan vendin dhe zhvillimin e tij. Me pushtetin që i jep të qënit në institucion, për të mërzitur dhe larguar nga punët drejtuese të padëshiruarit, nuk i trajton sipas meritave dhe aftësisë, ndërsa të preferuarit emërohen sipas afërsisë personale. Kjo mënyrë të qeverisuri në mos pështjelloftë shtetin, e nis rrugës së rrënimit nëse nuk ndalet në kohë. Ngritja ose ulja në detyrë e njerëzve që i shërbejnë me dashamirësi e drejtësi shtetit, nuk mund të bëhet sipas tekave dhe humorit të qeveritarit. Pushteti është përgjegjësi dhe jo instrument tekash individuale e plotësim interesash meskinë.
Me t’u kthyer ne Filipopol, me ne erdhi edhe Baringu, me cilësinë e komisionerit anglez, dhe, të shoqëruar prej tij, pak ditë më pas përshkuam viset e tjera të Qarkut të dëmtuar në rajonin e Kalloferit dhe Derbent Klisurës (kryengritja bullgare dhe shtypja e saj)… Ndonëse detyra e tij ishte të vëzhgonte nëse komisioni po punonte si duhet, ai shpesh qe i shtrënguar të merrte pjesë në diskutimet – çka për ne të gjithë ishte krejt e natyrshme. Baringu, duke qenë i pari ndër të huajt, dhe pasi kishte parë me sytë e vet rezultatet e tmerrshme të këtyre masakrave, e pasi kishte hartuar një relacion të mbështetur në mbresat e trtishtuara që kishte marrë me vete, e quante veten të detyruar të mbronte konkluzionet e veta sa herë që nga hetimi dilte se ato duhet të ishin më të buta ose duheshin ndryshuar. U pa se kishte vetëm një dëshirë: të vërtetohej pikëpamja e tij dhe të mbështeteshin rekomandimet e tij. Mirëpo ne, që prapa kësaj e mbi të gjitha shihnim humnerën ku Perandoria po binte nëpërmjet ngjarjeve të tilla të tmerrshme, e quanim detyrë patriotike të zbulonim me çdo kusht shkaqet e kryehershme, në rrënjë; dhe, duke pasur parasysh se qe e pamundur të lihej në hije ajo çka nuk mund të lihej, të përpiqeshim sidoqoftë të zbutnim pasojat. (Vlora, Ismail Bej: 155-156)
Sado i mirë të jetë i huaji, ai kurrë nuk mund ta dojë vendin tënd më shumë se ty. Shtetarët e vërtetë nuk kanë pse t’i varin shpresat tek raportimet e të huajve për vendin e tyre. Nëse e duan vendin me gjithë zemër dhe mendojnë për çuarjen para të tij, do të duhet të mbrojnë dinjitetin e vendit të tyre dhe jo të shkojnë si hija pas të zotit e të pranojnë çdo raportim nga të huajt për vendin e tyre, kur ky raportim nuk është i bazuar në shkaqet reale të situatave apo gjendjeve, por mbi ndjesi të caktuara, sepse ndjesitë përballë fakteve nuk vlejnë. Përballë të huajit nuk ka pse të ketë komplekse inferioriteti, edhe pse mund të jetë përfaqësues i një shteti të madh. Dashuria ndaj vendit e popullit që i përket nuk mund të zhbëhet vetëm që të fitojmë simpatinë e të huajve. Shtetari i mirë nuk rri e bën sehir teksa vendi merr rrokullimën. Ai përpiqet të gjejë rrënjën e së keqes dhe të kurojë me sa të mundet problemet që cenojnë mbarëvajtjen e punëve të popullit.
Gjatë kësaj periudhe jo të shkurtër të qeverisjes sime në Bolu ndjeva gëzim të madh, që kisha mundur të zgjoja te popullsia e vendit një vetëdije për të drejtat e tyre, duke u dëshmuar atyre se autoritetet shtetërore dhe përfaqësuesit e zgjedhur nuk ishin tjetër veçse mjet në shërbim të tyre. Duke qenë se në të gjitha periudhat kisha qenë i hapur për të gjithë ata që donin ndihmën dhe këshillën time, dhe që nuk më ndaheshin pa ua zgjidhur problemin, unë u bëra një lloj mbrojtësi ose babai i të gjithëve. I bija anembanë territorit të juridiksionit tim, edhe në qoshet më të thella madje, sepse doja të njihja gjendjen për vete e të gjeja rrugët për zhdukjen e shpërdorimeve – të cilat, në brendësi të vendit, mjerisht, nuk mungonin. (Vlora, Ismail Bej: 215)
Qeveritari duhet të jetë në shërbim të popullit. Ai nuk është zgjedhur ose vendosur në një detyrë për të shijuar privilegjet që të garanton posti, por për të realizuar në mënyrën më të mirë kujdesin ndaj të drejtave të nënshtetasve. Qeveritari i mirë njeh hallet dhe shqetësimet e njerëzve, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me ta dhe jo vetëm kur ia diktojnë rrethanat. Ai jeton e punon që të ndalë padrejtësitë dhe jeta e njerëzve të mund të bëhet më e begatë.
Sirisë i takonte të ishte vendi më i begatë e më i lulëzuar në lindje, si falë tokës pjellore dhe kushteve të mira për transportin dhe eksportin e prodhimeve, ashtu edhe falë zgjuarsisë dhe zellit për punë të banorëve të saj. Mirëpo, mjerisht, moskokëçarja e papërligjshme e autoriteteve, si dhe acarimi i popullsisë nga mungesa e sigurisë dhe nga taksat e padrejta, bënin që ky vend të ishte jashtëzakonisht i prapambetur. (Vlora, Ismail Bej: 238)
Një shtet mund të ketë pasuri natyrore të shumta, pasuri nëntokësore të shumta, klimë të begatë, njerëz të mirë e punëtorë, por nëse bie në duar të qeveritarëve jo të zotë, të paaftë dhe më qëllimin për të zhvatur nga financat publike në favor të xhepave të tyre, atëherë vlera e potencialeve që ka ai vend shkon drejt zerimit. Kapitali më me vlerë që ka një vend është qeveritari i drejtë. Kush është i drejtë, do të jetë edhe i mirë e dobiprurës për vendin dhe popullin. Në të kundërtët, ai shtet dhe ai popull do të njohin vetëm probleme, shqetësime e vuajtje.
Ligji për koncesionet u jepte carte blanche ministrave për të dhënë koncesione pa u verifikuar nga parlamenti. Tarafe të ndryshme të bashkuar nga krerët më me influencë të Partisë së Bashkimit interesoheshin, disa për koncesionet që u duheshin dhënë francezëve, disa amerikanëve e disa të tjerëve, por çështja kryesore mbetej ajo e hekurudhës së Bagdadit. Meqë isha kundër parimit të garancisë sipas kilometrazhit, unë doemos do të dilja kundër marrëveshjes me të cilën qeveria merrte përsipër një herë e përgjithmonë të paguante një garanci aq të rëndë për vijën hekurudhore, që do të ndërtohej nëpër ultësirën deri në Bagdad, në një kohë kur ajo kishte plotësisht të drejtë të mos e pranonte këtë garanci dhe të bënte të ndërtohej me shpenzime më të pakta. Fushata ime kundër këtij projekti ishte me karakter logjik, ekonomik e patriotik, mirëpo të gjithë anëtarët e Kabinetit, duke filluar me Vezirin e Madh, dhe të gjithë përfaqësuesit e Komitetit në parlament u bënë grusht e të vendosur kundër mosmiratimit prej meje. (Vlora, Ismail Bej: 393-394)
Investimet e huaja janë të domosdoshme për zhvillimin ekonomik të një shteti. Thithja e këtyre investimeve duhet parë gjithmonë në prizmin e interesit të përgjithshëm të popullit. Arka e shtetit nuk është arka private e pushtetarëve. Të ardhurat nga taksat që njerëzit i nxjerrin më shumë mundim dhe ia dorëzojnë shtetit për mbarëvajtjen e punëve, nuk mund të luhen në tavolinën e interesave meskinë, ku secili nxiton të përfitojë copën më të madhe të tortës meqë i erdhi rasti në dorë. Fakti që paratë paguhen nga taksapaguesit dhe jo nga xhepi personal nuk duhet të ushqejë babëzinë e qeveritarëve, që është porta e fatkeqësive të një populli. Kushdo që punon drejt, nuk e ka të lehtë në një mjedis të babëziturish. Detyra duhet kryer me përgjegjshmëri e ndershmëri për t’i shërbyer popullit dhe rezultatet e punës le t’i vlerësojë koha.
Lypset pranuar se AbdylHamidi ndiqte çdo lëvizje të shqiptarëve më vëmendje të madhe, për arsye personale a politike qoftë dhe kurrë nuk la pa i trajtuar me seriozitetin më të madh kërkesat dhe ndjeshmëritë e këtyre shtetasve. (Vlora, Ismail Bej: 410)
Si njeriu që shpesh ishte në audiencë personale me sulltanin AbdylHamid, Ismail Bej Vlora kishte dhe kundërshtitë e mospajtimet e veta me qëndrimet e sulltanit për reformat në qeverisjen e Perandorisë Osmane. Këshillat e Ismail Beut drejtuar sulltanit në përkujtesën e 1897, (Vlora, Ismail Bej:435), tregojnë se edhe pse propaganda e kohës në shtypin europian e paraqiste si sulltanin e kuq, kritikat dhe qëndrimet e kundërta mund t’i shpreheshin hapur sulltanit, jo pa ndonjë rrezik, por edhe të pranuara e vlerësuara nga sulltani. Ky pasazh na tregon qartë se shqiptarët, në periudhën e fundit të Perandorisë Osmane, morën një vëmendje të madhe, por pas rrëzimit të AbdylHamidit acarimi i tyre dhe kryengritjet e armatosura nuk shkonin kundër Perandorisë si shtet, por kundër politikave agresive të turqve të rinj që pasi morën në dorë pushtetin treguan se nuk e dëshironin dhe aq shpëtimin e Perandorisë ose ishin të dehur nga pushteti dhe mendonin se nuk do të rrëzoheshin kurrë, pandehmë që doli krejt e gabuar. Histori me propagandë nuk duhet të ketë.
Me të mbërritur në Londër, po atë mbrëmje, u ndjeva i gëzuar që gjendesha përsëri në atë atmosferë dashamirëse me të cilën kisha qenë mësuar dhe mora energji të reja për luftën time politike për të drejtat e popujve të Lindjes. Dashamirësia e çiltër e shfaqur prej njerëzve dhe shtypit britanik ndaj çështjes sonë kombëtare, si dhe pritja e ngrohtë që m’u bë nga ministrat dhe shtetarët e këtij vendi të madh, më lanë të shpresoja se të drejtat tona të padiskutueshme, të cilat nuk qenë aspak të papajtueshme me interesat politike të Evropës në përgjithësi, ose me ato të fqinjëve në veçanti, do të njiheshin nga Konferenca (Konferenca e Ambasadorëve në Londër, 1913)… Mirëpo dashamirësia e shfaqur për mua në misionin tim mbeti i vetmi ngushëllim për zemrën e thyer të Shqipërisë, kur mora vesh vendimin që kishte marrë Konferenca e Londrës. (Vlora, Ismail Bej: 422-423)
Simpatia për ndonjë fuqi të huaj nuk duhet të na bëjë të besojmë verbërisht në paanësinë dhe drejtësinë e saj. Ismail Bej Vlora kishte shpresuar shumë tek miqtë anglezë të rangjeve të larta në qeverisje, por si gjithmonë në realpolitikë ka vetëm interesa. Aty ku nuk priten fijet e interesave miqësia humbet. Diplomacia nuk njeh njerzillëk. Nëse do ta shtynim pak më tej këtë sjellje të diplomacisë, përcaktim më shterues për shtetin që humbet njerëzillëkun zor se mund të gjejmë tjetërkund, përveçse tek “Kështu foli Zarathustra”. Shteti është përbindëshi më i akullt ndër të gjithë përbindëshat. Në Konferencën e Londrës, por edhe para saj, dominoi pikërisht kjo ftohtësi, e cila u bë shkas për tragjedinë e popullsisë shqiptare dhe jo vetëm në hapësirën ballkanike. (Më gjerë shih, Vdekje dhe dëbim, Justin McCarthy)
Trajtimi i Ismail Bej Vlorës, si njeri me njohje të gjera në diplomacinë e Fuqive të Mëdha, miq të shumtë të rangjeve të larta në kancelaritë europiane, dhe kërkesave të tij për Shqipërinë, si gjë pa ndonjë vlerë, duhet të shërbejë si një mësim i madh për këdo shtetar shqiptar sot, që i duket vetja sikur ka prekur qiellin me dorë kur i shkel këmba në kancelaritë europiane ose tejatlantike. Vlera e burrit të shtetit nuk matet me shkallën e servilizmit dhe nënshtrimit ndaj të huajve, por me qëndrime dinjitoze dhe përpjekje serioze për të mirën e popullit që qeveris.









