Konfuzioni, dilemat ose çarjet ideologjike, në mes të osmanizmit dhe nacionalizmit, paqes përmes kurorave dhe qendrave hegjemone apo të bashkëpunimeve bilaterale ndërshtetërore, si model i ri në agim, që përjetonte ai e që shpërfaqeshin përmes veprimeve të tija politike, Plakun e Urtë do ta vendosë në kritika të ashpra deri në dyshime për vlerat e tija morale.
Rizvan SULEJMANI, Shkup
Studiuesi i historisë së Ballkanit dhe i ngritjes së identitetit kombëtar në këtë regjion, me theks të atij shqiptar, Ihsan Burak Birecikli, në artikullin e tij shkencor, që në përkthim të lirë është “Ismail Kemal Bey nga Vlora në Parlamentin Otoman, incidenti i shuplakës”, në hyrje të punimit, pasi tërheq vërejtjen se procesi i formimit të kombit dhe pavarësisë sigurisht se nuk mund të reduktohet në një “shuplakë” të vetme, por duhet marrë parasysh edhe faktet sociologjike, si dhe ngjarjet historike, shkruan: “Ndonjëherë, një shuplakë në fytyrë mund të shkaktojë një fatkeqësi të madhe për një vend në të ardhmen. Një shuplakë e dhënë në publik mbart një çmim të lartë dhe nuk falet lehtë…, incidenti i shuplakës përshpejtoi zhvillimet politike.” (Birecikli, në artikullin, 18, f. 139 – 163).
Këtë konstatim autori duket se do ta ketë nxjerrë nga kujtimet e Eqrem bej Vlorës, që shkruan,
“Unionisti Dervish Ragib, …. e goditi dy herë në fytyrë plakun Ismail Kemal…. , Ismail Kemali u ngrit ngadalë dhe tha: “Do t’i paguani shtrenjtë këto shuplaka”, …. (Ekrem Bey, 2006: 262).
Vlerësimin se vërtet një shuplakë mund të shkaktojë fatkeqësi dhe mund të paguhet shtrenjtë studiuesi e mbështetë në faktin se Perandoria Osmane u zhbë, se ajo mundi t’i përshpejtojë zhvillimet politike, ngase Shqipëria u bë e pavarur. Që të mund ta kuptojmë si u gjend në këtë situatë ky plak i urtë dhe si e shpagoi aq shtrenjtë këtë shuplakë, do të bëjmë përpjekje të japim një kronologji të shkurtër se kush ishte Ismail Qemali, si u edukua e frymëzua, cilat ishin rrethanat historike e politike dhe si lidhet incidenti me ngjarjet 31 marsit të vitit 1908 që e bëri kthesën e madhe historike.
Për çdo shqiptar tanimë është e njohur nga historia se Ismail Qemali është Plaku i Urtë që me 28 nëntor të vitit 1912 e ngriti flamurin dhe e shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Si i arsimuar në Paris për shkenca juridike dhe ekonomike, ai do të jetë llogaritur si një nga më të arsimuarit në administratën turke të asaj kohe, që do t’i ketë mundësuar të bëjë një karrierë të konsiderueshme në atë administratë. Megjithatë, një qasje jashtë mitikes dhe pa lavdinë historike, mund ta nxjerrë në pah anën tjetër të medaljes së kësaj figure historike. Urtësia dhe mençuria e tij nuk vinin gjithaq nga një shpirt i qetë dhe pa kokëçarje. Përkundrazi, ai do të ketë vuajtur përçarje në karakter dhe thyerje dramatike morale e intelektuale, të imponuara nga rrethanat historike e politike, që do t’i ketë marrë sa nga edukimi familjar, aq nga ai formal, si dhe nga ambienti civilizues ku jetoi e veproi, që si çmim pati incidentin famëkeq që ndikoi në kthesën historike.
Beu jetoi në kohën kur shembej një botëkuptim për politikën, shtetin, paqen dhe rendin ndërkombëtar, për t’u ngritur një i ri, të cilin edhe mund ta kuptonte, por vështirë ta pranonte. Revolucionit Francez shpërfaqi një koncept të ri për lirinë, që e dallon nga çlirimi, si parakusht për shtetin kombëtar, që në kontinentin e vjetër e përhapi me luftë Napoloni. Ai jetoi në kohën kur paqja që u vendos nga fuqitë e mëdha europiane — Austro-Hungaria, Rusia, Prusia, Britania e Madhe më vonë edhe Franca — mbi një sistem të njohur si Koncerti i Europës (1815), që synonte ruajtjen e ekuilibrit të forcave për të parandaluar që një shtet i vetëm ta dominonte kontinentin, po rrënohej. Me Kongresin e Vjenës (1814–1815) u rivendosën kufijtë e Europës dhe u rikthyen dinastitë tradicionale, por ideja për lirinë dhe shtetin kombëtar në kontinent mbeti dhe u ngulit në mendjen e masave të gjëra. Koncepti i fuqive të balancuara pësoi goditjen përmes revolucioneve të 1848-tës, që kulmuan me unifikimin e Italisë dhe Gjermanisë, të cilat në prapavijë kishin ndryshimet ideologjike që sollën nacionalizmin dhe liberalizmin, për të prodhuar kombin dhe shtetin kombëtar. Kjo tronditje prodhoi krizë të thellë politike, ekonomike dhe shoqërore në Perandorinë Osmane, që u shpërfaq përmes rritjes së nacionalizmit në Ballkan dhe në provincat tjera. Elitat e reja osmane krijuan bindjen se shpëtimi ishte në modernizim të shtetit dhe kufizim të pushtetit absolut të sulltanit përmes reformave, të njohura si Tanzimat (1839/1876). Prandaj, gjatë sundimit të Sulltan Abdylhamitit II, për herë të parë, u hartua Kushtetuta e Monarkisë në Perandorinë Osmane (1876), por shpejt pas shpërthimit të Luftës Ruso-Turke (1877/1878) ajo do të suspendohet. Pse është kjo me rëndësi?
Rrëmuja që u krijua pas suspendimit të kushtetutës mori me vete shumë viktima, përfshi bartësin e reformave, Mitat Pashën, me të cilin Ismail Qemali bashkëpunoi, gjë që bëri ky i fundit të largohet nga Stambolli, fillimisht në Itali më pas në Francë e Britani. Kjo do t’i mundësojë kontakt me vlerat e reja në ngritje në Perëndim, nga edhe do të fillojnë oscilimet dhe manovrimet politike si në bindje, ashtu edhe në veprime. Pati disa përpjekje për pajtim përmes ndërmjetësve në oborrin osman, duke e dërguar si nëpunës i nivelit të mesëm në Shkodër dhe më pas në Bejrut, por kur nuk e mori besimin e sulltanit andej, në vitin 1890 u largua për të mos u kthyer. Për këtë periudhë beu thotë se “Sulltani më priti me fjalë të buta, por me sy të ftohtë; m’u duk se çdo gjest ishte një provë për të parë nëse do të isha shërbëtor i bindur apo mendimtar i lirë.” (Memoirs, London: 1926, f. 4).
Situata në Perandori vazhdoi të ishte e paqëndrueshme, ashtu në korrik 1908 nisi një revoltë e njohur si Revolucioni Xhonturk, pas së cilës qëndronte Komitetit për Bashkim dhe Përparim (KBP), që e detyroi sulltanin ta rikthente kushtetutën. Momenti nga Plaku u vlerësua si shans për realizimin e ideve të tija reformiste për të drejtën e kombeve, përfshi të drejtën për kombin shqiptar. Pranaj u afrua përsëri me politikën osmane, tanimë si deputet i zonës.
Por, ndodhi diçka që njihet si “Revolucioni i Marsit” (31 mars 1909 sipas kalendarit të vjetër osman — 13 prill 1909 sipas atij gregorian), që e tronditi politikën dhe solli fundin e historisë së Perandorisë Osmane. “Revolucioni” ishte rebelim kundër Komitetit për Bashkim dhe Përparim, që kishte rikthyer kushtetutën më 1908, por që për liberalët, si puna e Ismail Qemalit, kishte harruar premtimet, andaj grupet konservatore e klerikale e konsideronin këtë pushtet si rrezik për rendin islamik dhe autoritetin e sulltanit. Në këtë kohë turbullirash ai, si duket, u ballafaqua sa me dilema morale, aq edhe të orientimit strategjik, në rrugën e realizimit të idealit. Në rrethana me plot të panjohura u pa të ishte gjendur në pallatin Jëlldëz (Yıldız) për “t’u këshilluar me Sulltanin”, që u bë shkak që në prill 1909 KBP-ja ta akuzojë për simpati ose edhe si përkrahës të forcave reaksionare. Pasi kryengritja u shtyp, filloi faza e konsolidimit të pushtetit të KBP-së (1909-1911) përmes centralizimit, shtypjes së opozitës, kontrollit mbi administratën dhe lirinë e shprehjes. Këtë situatë Ismail Qemali e kritikonte dhe e cilësonte si diktaturë të oficerëve dhe gufatje të lirisë, gjë që bëri që pa të drejtë të akuzohet për reaksionar, edhe pse ai angazhohej për ide liberale, ndërsa kjo ishte shkak për t’u larguar në Greqi e më pas në Francë.
Konfuzioni, dilemat ose çarjet ideologjike, në mes të osmanizmit dhe nacionalizmit, paqes përmes kurorave dhe qendrave hegjemone apo të bashkëpunimeve bilaterale ndërshtetërore, si model i ri në agim, që përjetonte ai e që shpërfaqeshin përmes veprimeve të tija politike, Plakun e Urtë do ta vendosë në kritika të ashpra deri në dyshime për vlerat e tija morale. Studiuesi Birecikli, në esenë e tij, duke u referuar në më tepër burime, që ne do t’i japim në vazhdim, e paraqet figurën e Ismail Qemalit në disa role: herë si organizator të kësaj kryengritjeje, e herë si ndërmjetësues që kryengritja të mos jetë kundër kushtetutës dhe sulltanit, por kundër KBP-së, por edhe si bashkëpunëtor të britanikëve të involvuar thellë në këto raste. Për këtë rol ai citon autorë që thonë se rebelët t’i kenë ofruar disa poste, si ministër i Punëve të Jashtme dhe të Brendshme, por edhe si kryetar parlamenti. Megjithëse, ofertat do t’i ketë refuzuar dhe pas shtypjes së kryengritjes për të do të lëshohet një fletarrest nga gjyqi ushtarak, gjë që e detyron përsëri të largohet me një anije britanike në Greqi, e pastaj në Vlorë dhe Itali. Në një moment, sipas autorit, u kap, pasi u sekuestrua një anije me armë drejtuar kryengritësve shqiptarë, por më vonë u lirua. Bashkëkohësit e tij, përkrahësit, e përshkruajnë si liberal, por jo edhe kundërshtar të Perandorisë. Por, për Vezirin e Madh, Mahmut Shevket Pasha, përderisa Esat Toptani është i pamoralshëm, tradhtar dhe separatist, Ismail Kemal Beu, ishte vazhdimisht kundër shtetit (osman). “Ai është i angazhuar në tradhti…, i cili merrte 10 mijë dhrahmi në muaj nga Qeveria Greke nëpërmjet ambasadorit në Stamboll, Maurokardato, që punoi për britanikët në incidentin e 31 marsit.” (Sevinç, 2011: 14-15). Përfaqësuesi i Ambasadës së Austrisë, Braun, pas një takimi me të, shkruan se “me përjashtim të atyre në Vlorë, Ismail Kemali shihej nga populli i tij si tradhtar, spiun dhe si i blerë nga sulltani, pasi kishte tradhtuar kauzën kombëtare.” (Sönmez, 2007:133). Për këtë rol “kontrovers” u urdhërua nga gjykata që t’i merrej imuniteti i deputetit, në mënyrë që të mund të gjykohej në Gjykatën Ushtarake, me pretendimin se e mbështeti grusht shtetin e 31 marsit dhe nxiti rebelim në disa provinca. Por, raporti parlamentar nxori se Ismail Qemali nuk ishte fajtor për incidentin, ngase vetëm deshi të përfitojë nga ky incident për partinë e tij liberale. (Gazel, 2004: 323).
Ai u lirua nga akuzat e pretenduara, por dyshimi, mosbesimi dhe, veçanërisht, urrejtja vazhdoi. Tërbimi i përfaqësuesve të KBP-së ndaj Ismail Qemalit eksplodoi gjatë debatit për një incident tjetër të vitit 1911, i njohur si “Incidenti i Tokatit”, kur në një provincë të Anadollit në qytetin Tokat ndodhi një revoltë nga reaksionarët që kërkonin drejtësi islame, por që u shtyp shpejt.
Gjatë një seance parlamentare që e trajtonte këtë incident, në fillim të vitit 1911, Ismail Qemali kritikoi hapur Komitetin për Bashkim dhe Përparim për abuzim me pushtetin dhe centralizim të tepruar, shtypje të lirive politike dhe provinciale, manipulim të zgjedhjeve, si dhe dështim në administrimin e drejtë të provincave, përfshirë edhe shqiptarët. Fjalimi i tij provokoi reagime të ashpra nga deputetët e KPB-së dhe, sipas Birecikli-t, njëri prej tyre – në disa burime përmendet si Hüseyin Cahit Bey, ndërsa në të tjera një deputet i “Komitetit të Selanikut” – gjatë seancës e goditi Ismail Qemalin me shuplakë (Birecikli, në artikullin,, nr. 36, 2020 f. 139 – 163). Për këtë rast autori, duke u bazuar në burime të ndryshme, jep më tepër rrëfime dhe mënyrën se si ndodhi incidenti, të cilin nuk do të ndalemi ta analizojmë, por vetëm do të konstatojmë se ngjarja u bë simbol i poshtërimit politik të opozitës. Rasti do të jetë moment i kthesës së madhe. Një ndjenjë revolte, poshtërimi dhe hidhërimi do të jetë shkak që Ismail Qemali t’i pastrojë dilemat. Ai duket se, përfundimisht, bindet se rendi i vjetër botëror ka mbaruar, bashkë me të edhe osmanizmi dhe Perandoria e ndërtuar mbi këto vlera, dhe se nuk ka vend më për të dhe shqiptarët në këtë mburojë. Plaku fillon një rrugëtim të ri, shumë më tepër nga nevoja sesa nga bindja, për ta ngritur shtetin dhe kombin shqiptar, në pajtim me rregullat që tanimë nuk vinin nga Lindja por nga Perëndimi. Pasi iluzioni për osmanizmin dhe Perandorinë si e vetmja mburojë ku shqiptarët mund të kërkojnë strehim kishte mbaruar, ai vihet në kërkim të një strofulle të re, duke trokitur në dyert e kancelarive perëndimore. Ai u largua përfundimisht nga Perandoria Osmane dhe u drejtua drejt Romës, Parisit e, më vonë, edhe Londrës.
Sa ishte i dhimbshëm ky kalim nga një sistem në tjetrin, të braktisësh një vlerë për të përkapur një tjetër, mund të shihet nga vetë fjalët e beut, kur ai u përjashtua nga administrata pas përplasjeve: “Të largohesha nga shërbimi i shtetit, për mua qe si të më këputej një pjesë e shpirtit; isha rritur me idenë se nderi i një beu matet me besnikërinë ndaj ligjit e shërbimit.” (Kujtime, 1967, f. 184).
Historiani Kristo Frashëri bën një lidhje shumë të bukur mes të edukimit të tij për rendin botërorë në ikje: “Ismail Qemali, edhe pse u përshtat me idetë liberale perëndimore, nuk e çliroi kurrë veten nga ndjenja e ‘bejlerit të rënë’ që kërkon t’i japë rend e ligj një bote të përmbysur.” (Frashëri, 2008, f. 206).
Me gjithë këto dhimbje shpirtërore, dilema, përballje, mirënjohje e nënçmime, ai do të mbetet legjenda, historia e pavarësisë dhe e krijimit të qeverisë së parë kombëtare. Ismail Qemali u bë kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë së pavarur, por me të nuk mbaruan as sfidat as përplasje e problemet. Menjëherë pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), ai humbi mbështetjen ndërkombëtare dhe u përball me kundërshtime të brendshme, gjë që bëri që në janar të vitit 1914-të të japë dorëheqje dhe të largohej nga Shqipëria. Kristo Frashëri e përshkruan këtë si “fundin e parë politik të një njeriu që ia dha kombit lirinë, por nuk arriti t’ia jepte rendin”.
“Ai u gjend i vetmuar mes një kombi të lirë, por pa shtet; ishte ndërtuesi i shtëpisë që nuk mundi të banonte vetë brenda saj.” (Frashëri, 2008, f. 340).
Në letrat e tij të fundit, Ismail Qemali shprehet me tone të thella zhgënjimi: “Kombi im nuk më kuptoi, miqtë më harruan, armiqtë më mundën jo me armë, por me mashtrime.”
(Letër e Ismail Qemalit, janar 1919, botuar te Dokumente për historinë e Shqipërisë, vol. II, 198, f. 122).
Pse kombi nuk e kuptoi, miqtë e harruan dhe armiqtë e mundën? Miqtë që pretendonte se i kishte tek fuqitë e mëdha – Italia dhe Austro-Hungaria – e shihnin Ismail Qemalin si politikisht të paqëndrueshëm: herë afrues me Greqinë, herë me Turqinë, herë me Italinë. Diplomatët austro-hungarezë e konsideronin “shumë të vjetër në mentalitet” dhe “tepër osman” për të drejtuar një shtet modern shqiptar. Ambasadori britanik në Stamboll, Sir Gerard Lowther, shkruante: “Ai është një njeri me zgjuarsi dhe përvojë të madhe, por vështirë se është njeriu që mund të themelojë një komb”( British Foreign Office Report, 1913).
Kundërshtarët e brendshëm – Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Mit’hat Frashëri – e akuzonin se përfaqësonte një elitë osmane konservatore, të lidhur me interesat feudale. Për ta, beu nuk përfaqësonte “kombin modern shqiptar”, por një brez të vjetër osmanësh me tituj bejlerësh që kërkonin të ruanin privilegjet e tyre. Në shtypin e kohës mund të gjenden sarkazma për orientimin e tij filohelen: “Qemali, burrë i vjetër i Portës, me gra greke e miqësi të Fanarit, s’e ka për zemër as Vlorën e as Shkodrën.”— (Liri e Shqipërisë, Sofje, nr. 12, 1913) Shpesh akuzohej se kishte krijuar një “shtet në letër”, ndërkohë që pushteti real ishte në duart e fiseve lokale dhe të huajve që kontrollonin kufijtë. Vetë Ahmet Zogu më vonë e quajti periudhën e Vlorës “një eksperiment të ndershëm, por të paqëndrueshëm”.
Ismail Qemali vdiq më 24 janar 1919 në qytetin Perugia të Italisë, në rrethana ende të paqarta plotësisht. Trupi i tij u soll në Shqipëri vetëm më 1932, pas përpjekjeve të qeverisë shqiptare, dhe u varros me ceremoni shtetërore në Vlorë, nën nderimet e “Atit të Pavarësisë”.
Përskaj asaj se në historinë shqiptare do të radhitet një pjesë e ndritur e saj, mbetet pyetja: a kishin të drejtë kundërshtarët dhe armiqtë e tij në këto vlerësime? Në shumë raste duket se po. Ai veshi kostume perëndimore dhe u martua me greken Fanarite, karakteristikë e intelektualëve të moderuar të Stambollit, por nuk e hoqi fesin, simbolin e osmanizmit dhe të Perandorisë. Mbetet të hamendësojmë a mos ndoshta me këtë gjest donte të përçonte porosinë se “dukja ime nuk është bindja ime” apo se “sjelljet dhe dukjen mund t’i ndërrojë me veshje perëndimore, por i bindjet që kam në kokë nuk i ndërroj dot”?
Cila mund të jetë porosia për kontekstin e kohës, për brezat e tashëm dhe ata të ardhshëm që na i la heroi, legjenda, Plaku i Urtë, të cilit i jemi mirënjohës për kontributin e tij kombëtar dhe shpalljes së pavarësisë? Pse ai duhej të paraqitet në shumë role, herë proosman e herë nacionalist, herë liberal e herë pro sulltanit. I dyshimtë në Perandori, i dyshimtë ndër shqiptari, i padashiruar në Lindje e i papëlqyer në Perëndim, që në fund në skenën historike të paraqitet në rolin kyç dhe vendimtar për fatin e shqiptarëve dhe të shtetit shqiptar, për çka edhe do të mbahet mend? Si duhet kuptuar “shuplakën”, fjalë që për respekt ndaj tij e vendosi në thonjëza, si simbolikë, por, mbi të gjitha, thellësisht domethënëse? Në fund, çka është e përbashkëta me aktualitetin tonë?
Porosia më bazike që më bie ndërmend është se një popull si i yni, që gjeografia dhe historia ia ka caktuar qendrën në lojërat e mëdha të nderimit të filozofisë politike e gjeopolitike, kur shemben sisteme dhe ndërtohen të reja, në zhargonin e futbollit i lejohet të luaj “libero” – të jesh i lirë ta ndërrosh vendin, pra pozicionet, sepse me rëndësi është që loja të fitohet. Po deri kur të lejohet kjo lojë? Derisa nuk ngrihen mjegullat, derisa të pastrohet rruga. Atëherë, sado që një nostalgji, një bindje dhe një sistem vlere që e ke mishëruar të tërheq mbrapa, duhet të ndërrosh kahe dhe të ecësh para. Të ecësh drejt erërave dhe jo kundër tyre dhe më së paku të mundohesh të luftosh me ta. Kur forcat tërheqëse të së vjetrës janë aq të fuqishme, që nuk të lejojnë shkëputjen, të mjafton një “shuplakë” për këndellje. Kjo e ka çmimin e vet. Do të duhet të jetosh me dilemën “t’i tradhtoj bindjet e mia për llogari të interesit kombëtar apo t’i ruajë bindjet e mia me çmimin që ta rrezikoj popullin tim?”.
Ku jemi sot? A jemi në kohën para “shuplakës” apo veç marrim shuplaka e ne nuk këndellemi? Kur e shtroj këtë pyetje, kam parasysh se, po sikur atëherë, kemi shembjen e një sistemi të vlerave, tani liberal-demokrate, që i kemi mishëruar dhe i pranojmë si vlera universale dhe mbi këto vlera e kemi mbrojtur rendin ndërkombëtar me rregulla që rrënohen. Përkundër bindjes sonë, një sistem i ri në ngritje po ndodh, por ka shumë mjegulla, saqë ne nuk po i shohim. Nuk vëmë re se parcialja, civilizuesja, kulturoja dhe e trashëguara do të ndikojnë në politikat shtetërore, si e kundërta e asaj paraprake. Dhe, mbi këto vlera ngrihet rendi ndërkombëtar multipolar, që nuk ka për qëllim t’i emancipojë popujt me liri, demokraci e ekonomi tregu, por i lidh shtetet përmes teknologjisë, ushtrisë, energjisë dhe resurseve strategjike. Kur e shoh Edi Ramën të shkojë në Stamboll, Ankara e në Emirate, por në të njëjtën kohë edhe në Tel Aviv, por pastaj të gjunjëzohet para Melonit, të shkojë në darkë te Micotakisi e Makroni, por edhe ta quajë vëlla Aleksandër Sorosin, për ta blerë miqësinë amerikane, nuk shoh vetëm një figurë të zymtë të “Ismail Qemalit” para “shuplakës”. Në këtë rast kam parasysh se Edi Rama, në zgjedhjet e fundit, u zotua për identitet europian përpara atij kombëtar, bile se deri në vitin 2028/30 do të bëhet “europian”. Nisur nga mësimi i historik, më duhet ta parashtroj dilemën nëse Rama nuk ka marrë mësim nga pasqyra e kthyer prapë e iluzionit të beut për osmanizmin para shqiptarizmit, që do ta ketë pasur ndërmend kur shkoi në pallatin Jëlldëz (Yıldız) për “t’u këshilluar me Sulltanin”, një shkak që solli incidentin. Rama shkoi në Londër, në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit, si instrument i përafrimit me Bashkimin Europian, për të promovuar identitetin europian, por Starmeri, në prani të krerëve europianë, ia kujtoi se “Rajoni është përshkruar si udhëkryqi i Europës (vini re, jo Europë – komenti im)…. – një kazan ku vihet në provë siguria e kontinentit tonë”, për të shtuar: “Ballkani Perëndimor ka qenë prej kohësh një rrugë… për bandat kriminale të kontrabandistëve…., ne të gjithë vuajmë pasojat e veprimeve të tyre”. Bile, ai i përmendi gomonet shqiptare që trafikojnë emigrantë në vendin e tij dhe Krasniqin e Kosovës që falsifikon pasaporte. (time.mk 23.10.2025)
Në kërkesën tonë për anëtarësim në BE, na u ofruan kampe refugjatësh, burgje për të burgosurit në Perëndim, fjalë të mira për vullnetin për anëtarësim, por jo edhe anëtarësim. Në prapavijë testohen ide të tipit “anëtarësim pa të drejtë vetoje”. Kur Rama e pranon këtë pozicion nënçmues, ndërsa kryeministri i Malit të Zi i mban leksion se çka do të thotë një pozitë e tillë, ai bën gjeste të një fëmije pa edukatë. Ideja për Forcë të Përbashkët Ekspeditare të Ballkanit, që vjen nga Britania, nuk është tjetër, pos ta pranosh rolin e bond-it, e kështjellave nordike, si një bujk i lirë që jeton përreth kështjellës, i gatshëm të sakrifikohet gjithmonë për mbretin, në rast sulmohet…
A janë këto “shuplaka” apo..? Besoj se nuk kemi ngrënë ende “shuplaka”, ngase nëse është e kundërta, pra nëse i kemi ngrënë e ne nuk jemi kthjellur, ajo është tragjedi, andaj një alarm i rrejshëm na bën dobi. Le të jetë një alarm i rrejshëm…









