Në vitet e para të shekullit XX, në disa qarqe intelektuale dhe klerikale u shfaq një rrymë politike që e shihte si zgjidhje për çështjen kombëtare konvertimin e myslimanëve në katolikë dhe të ortodoksëve në uniatë ose protestantë. Këto ide i mbështetën disa figura të njohura, mes tyre Faik Konica dhe, me rezerva në fillimet e tij, edhe Fan Noli. Megjithatë, duke qenë se myslimanët përbënin shumicën dhe ishin më rezistentë ndaj projekteve të tilla, mendimi mbizotërues ishte se procesi duhej të përqendrohej tek ortodoksët.
Xhaꬵer SADIKU, Tiranë
Fan Noli, në historinë shqiptare, mbetet një nga figurat më përfaqësuese dhe më të rëndësishme, pasi arriti të bashkonte kulturën me politikën, idealizmin me veprimin praktik. I përfshirë që në rini në ngjarje me jehonë kombëtare, ai u shqua si intelektual, klerik dhe politikan me ndikim të gjerë. Noli u shfaq në jetën politike dhe kulturore shqiptare në një kohë kur rilindasit e mëdhenj – si Naimi e Samiu – sapo kishin dalë nga skena historike. Boshllëkun e lënë prej tyre e mbushën figura të reja, ndër të cilat spikatën Fan Noli, Faik Konica dhe Mit’hat Frashëri, që u bënë zëra përcaktues të mendimit kombëtar në çerekun e parë të shekullit XX.
Ajo periudhë rezultoi vendimtare për shqiptarët, e mbushur me ngjarje që sot përbëjnë shtylla të historisë kombëtare. Në këtë përpjekje kolektive të elitës politike dhe kulturore, Fan Noli zuri një vend të pazëvendësueshëm. Profili i tij si intelektual, klerik dhe politikan, i shpalosur përmes tri fushave kryesore të veprimtarisë së tij, e bën atë një figurë aktuale edhe për kohën tonë.
Kur Noli u shfaq në jetën kulturore të shqiptarëve, Fuqitë e Mëdha dhe shtetet fqinjë kishin intensifikuar përpjekjet për copëtimin e Perandorisë Osmane. Strategjia e tyre mbështetej mbi nxitjen e përçarjes fetare, që synonte të dobësonte rezistencën e shqiptarëve dhe të minonte unitetin e tyre kombëtar. Rreziku nuk ishte vetëm politik, por edhe shoqëror, sepse cenonte vetë ndërgjegjësimin e një populli që po formësonte identitetin e tij shtetëror.
Në këtë klimë politike dhe ideologjike, shtypi shqiptar – veçanërisht revistat Albania, Kombi dhe Lirija – u shndërruan në hapësira ku elita kulturore artikulonte shqetësimet, projektet dhe strategjitë për mbrojtjen e interesave kombëtare. Pikërisht në faqet e tyre, që nga viti 1906, filloi të dëgjohej edhe zëri i Fan Nolit.
Debatet mbi konvertimet fetare
Në vitet e para të shekullit XX, në disa qarqe intelektuale dhe klerikale u shfaq një rrymë politike që e shihte si zgjidhje për çështjen kombëtare konvertimin e myslimanëve në katolikë dhe të ortodoksëve në uniatë ose protestantë. Këto ide i mbështetën disa figura të njohura, mes tyre Faik Konica dhe, me rezerva në fillimet e tij, edhe Fan Noli. Megjithatë, duke qenë se myslimanët përbënin shumicën dhe ishin më rezistentë ndaj projekteve të tilla, mendimi mbizotërues ishte se procesi duhej të përqendrohej tek ortodoksët.
Presioni mbi ortodoksët u shtua, duke prodhuar dy rryma kryesore mendimi. Njëra kërkonte bashkimin me Kishën Katolike (të ashtuquajturit “unitë”), duke ruajtur ritin ortodoks, por duke hyrë nën autoritetin e Romës. Faik Konica, për shembull, mendonte se nëse Austria do të kishte nën mbrojtje, krahas katolikëve shqiptarë, edhe rreth treqind mijë unitë të Toskërisë, përparimi i kombit shqiptar do të ishte i siguruar. Rryma tjetër e shihte protestantizmin si një alternativë më të favorshme. Kristo A. Dako, i frymëzuar nga kjo ide, përqafoi protestantizmin dhe ndoqi studime teologjike e filozofike në Universitetin e Oberlinit, në SHBA.
Kundërshtime erdhën sidomos nga shtypi shqiptar. Gazeta Kombi, e drejtuar nga Sotir Peci në Boston, ishte mjaft e rezervuar ndaj idesë së kthimit të ortodoksëve në protestantë. Sipas Pecit, një lëvizje e tillë do të dobësonte kombësinë shqiptare, pasi shumica e toskëve ortodoksë do të largoheshin nga idealet kombëtare.[1] Kritikat erdhën edhe nga vetë populli, i cili shprehej me thjeshtësi: pse duhet të ndërrojë njeriu fenë që të quhet shqiptar, kur shqiptar është që sot?!
Idetë për konvertim i mbështesnin disa nacionalistë, të cilët besonin se hyrja nën mbrojtjen e Kishës Katolike dhe Romës ishte rruga më e sigurt për t’u shpëtuar presioneve të jashtme.
Por, kritikët i konsideronin këto mendime si utopike, pasi nuk merrnin parasysh kompleksitetin e identitetit fetar e kombëtar. Sipas tyre, nacionalizmi shqiptar duhej të ishte më i thellë, duke u ndërtuar mbi gjuhën, kulturën dhe ndërgjegjen kombëtare, jo mbi ndërrimin formal të fesë.
Shprehja e qartë e këtij vizioni gjendet në gazetën Shqipëria, e botuar në Sofje, e cila në numrat 1 dhe 2 të vitit 1907 botoi artikullin e Nikolla Lakos me titull Shqipëria e sotme dhe nevojat e saj. Autori i kritikonte ata që e përzienin fenë me kombin dhe që, me veprimtarinë e tyre, nxisnin përçarje midis të krishterëve dhe myslimanëve. Ai pohonte se dallimet fetare nuk mund të ishin kriter për përcaktimin e kombësisë, duke theksuar se gjuha ishte elementi themelor i identitetit kombëtar: “Besa është si një rob e njeriut, po gjuha është njeriu vetë”. Sipas Lakos, fakti që tri të katërtat e shqiptarëve ishin myslimanë nuk i bënte ata më pak shqiptarë; përkundrazi, ai i konsideronte shpesh më të zjarrtë në ndjenjat kombëtare se të krishterët.[2] Për këtë arsye, fuqia e shqiptarëve do të bëhej e plotë vetëm kur myslimanët dhe të krishterët të qëndronin të bashkuar, të lidhur me dashuri e mirëbesim reciprok.
Vizioni i Fan Nolit për klerin kombëtar
Fan Noli, i përfshirë fillimisht në këto diskutime, shpejt ndryshoi qëndrim. Ai nuk e shihte pengesën kryesore të shqiptarëve tek feja, por tek krerët fetarë, të cilët i konsideronte faktorë përçarës. Sipas tij, klerikët kishin ndarë shqiptarët jo vetëm në tri besime të ndryshme, por edhe në tri orientime politike, duke e përdorur autoritetin e tyre për interesa të ngushta.
Një pikë kthese ishte zgjedhja e tij nga shqiptarët e Amerikës si prift, me shugurim nga kryepeshkopi rus i Nju Jorkut – një ngjarje me rëndësi për diasporën shqiptare. Me këtë rast, Faik Konica i kërkoi një mesazh për kombin. Përgjigjja e Nolit sintetizonte filozofinë e tij të re: “Fetë nuk janë të liga siç janë, por siç ua mësojnë shqiptarëve. Na duheshin dhe na duhen priftërinj e peshkopë, ashtu si edhe hoxhallarë e myftinj, shqiptarë të vërtetë.”
Në predikimet dhe shkrimet e tij, Noli theksonte se nuk ishte e nevojshme të ndryshoheshin strukturat themelore të besimeve fetare, as të kërkohej ndërrimi i tyre, por duhej të formoheshin klerikë me ndërgjegje kombëtare dhe vetëdije shoqërore. “Të mos ndryshojmë gjë prej gjëje – shkruante ai – vetëm të krejmë krerë fetarë me ndërgjegje dhe vetëdije. Kjo është më e mira udhë për të sjellë bashkimin, sepse një program i ndryshimeve të reja në fetë do të sillte prishjen tonë të përgjithshme.”
Sipas tij, priftërinj, peshkopë, hoxhallarë dhe myftinj të ndriçuar mund të luanin një rol të pazëvendësueshëm për mbarëvajtjen e çështjes kombëtare, nëse do të predikonin një fe të interpretuar me frymë të hapur e me thellësi shpirtërore. Në këtë mënyrë, ata do të kontribuonin në ruajtjen e harmonisë fetare dhe në përhapjen e ndriçimit kulturor ndër shqiptarë.
Ky vizion i dha veprimtarisë së Nolit një dimension të ri politik e shoqëror. Bashkimi i shqiptarëve, sipas tij, nuk mund të arrihej përmes ndryshimit të fesë, por përmes ndërgjegjësimit kombëtar të klerit dhe popullit. Në përfundim të një procesi të ngjashëm arriti edhe Faik Konica, por vetëm pas masakrave kundër shqiptarëve myslimanë, të cilat e bindën se konvertimi nuk mund të ishte rruga e shpëtimit kombëtar.
Veprimtaria e Fan Nolit si kombinimi i kulturës me dashurinë për atdhenë
Me shpërthimin e luftërave ballkanike kundër Perandorisë Osmane (1912–1913), ushtritë e shteteve aleate ushtruan dhunë të gjerë mbi popullsinë myslimane në trojet shqiptare. Sipas burimeve të kohës, rreth një e pesta e shqiptarëve myslimanë u masakrua, duke shkaktuar një traumë të madhe kombëtare, sociale dhe fetare.
Të tronditur nga këto ngjarje dhe nga heshtja e Fuqive të Mëdha, Fan Noli, në cilësinë e klerikut ortodoks, së bashku me priftin Naum V. Çere, ia drejtuan Sinodit të Shenjtë një memorandum të guximshëm moral dhe diplomatik. Ata theksuan se shqiptarët nuk ushqenin urrejtje racore ndaj fqinjëve, por krimet e ushtrive të tyre i kishin detyruar të kenë më shumë besim tek gjysmëhëna turke sesa tek kryqi i shteteve aleate.[3] Ky dokument tregonte vizionin e Nolit: besimi nuk duhet të përdoret për përçarje, por për ruajtjen e integritetit kombëtar dhe të drejtësisë.
Në mars 1913, Noli mori pjesë në Kongresin e Triestes, ku artikuloi vizionin e tij për Shqipërinë. Në fjalën e tij ditën e parë të punimeve, ai evokoi trimërinë e shqiptarëve dhe luftën që po zhvillohej në Janinë dhe Shkodër:
“Nuk mund të presim që lufta të vendoset nga konferenca; duhet kapur shpata sa ka akoma kohë, e të fitojmë ose të vdesim.”[4]
Në ditën e tretë, Noli u përqendrua tek kufijtë e Shqipërisë, duke kërkuar përfshirjen e katër vilajeteve historike: Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës. Ai theksoi se shqiptarët nuk kërkonin toka të të tjerëve, por të gjitha tokat shqiptare, për të krijuar një vend të bashkuar dhe paqësor në Ballkan. Shtypi europian e pasqyroi fjalimin e tij si një nga më të qartët dhe të fuqishmit për çështjen shqiptare, duke i dhënë autoritet ndërkombëtar vizionit të tij.
Në maj 1921, qeveria shqiptare e dërgoi Nolin në Gjenevë si përfaqësues pranë Këshillit të Lidhjes së Kombeve, për të zgjidhur marrëdhëniet e ndërlikuara me Greqinë dhe Jugosllavinë. Bashkë me Hil Mosin, ai u bë një zë i denjë për Shqipërinë[5]. Oratoria e tij e fuqishme dhe argumentet e qarta fituan respektin e autoriteteve të Lidhjes së Kombeve dhe delegatëve të tjerë.
Në fjalën e tij, Noli theksoi se Europa ishte e lodhur nga grindjet ballkanike dhe se Shqipëria dëshironte të ishte një faktor stabiliteti dhe paqeje: “Ne nuk kërkojmë përplasje, por dëshirojmë të kontribuojmë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan.” Shtypi ndërkombëtar dhe ai shqiptar e pasqyroi këtë qëndrim si një kombinim të diplomacisë së mençur dhe guximit moral.
Kur shtetet ballkanike i shpallën luftë Perandorisë Osmane (1912–1913), shqiptarët u ndodhën në dy alternativa: njëri grup vinte në dukje se duheshin bashkuar me aleancën ballkanike kundër Perandorisë dhe tjetri duhej bashkuar me Perandorinë kundër rrezikut të copëtimit nga ꬵqinjët ballkanikë. Shoqata “Vatra”, me Fan Nolin në krye, u bëri thirrje shqiptarëve të bashkoheshin me ushtrinë e Perandorisë për të mbrojtur tokat e tyre nga copëtimi. Ky qëndrim tregon qartë përkushtimin e Nolit ndaj integritetit territorial të Shqipërisë dhe gatishmërinë për të vepruar për mbrojtjen e popullit dhe tokës shqiptare.
Më vonë, gjatë angazhimit të tij në Partinë Popullore, së bashku me Ahmet Zogun, një pikë e rëndësishme e programit ishte përfshirja e ishullit të Sazanit nën autoritetin e shtetit shqiptar. Këto qëndrime, të mbajtura me dinjitet më shumë se një shekull më parë, mbeten pikë referimi historik që nuk duhen harruar. Vizioni i Nolit për një Shqipëri të bashkuar dhe sovrane përputhej plotësisht me idealin e Rilindjes Kombëtare.
Pas Luftës së Parë Botërore, kur disa politikanë kërkonin masa radikale për një “europianizim” të shqiptarëve myslimanë, Noli kundërshtoi me vendosmëri: vetëm përparimi, arsimi dhe kultura mund të ndryshonin Shqipërinë. Njohja e tij e thellë e karakterit shqiptar u vlerësua edhe nga Ali Këlcyra, i cili kujtoi një bisedë të gjatë me Nolin në Boston më 1963: “Populli shqiptar është populli më liberal i botës, sepse, kur unë isha me dy pëllëmbë mjekër dhe me kryq të madh në qafë, më zgjodhën kryeministër, megjithëse shumica ishte myslimane.”
Ky kujtim pasqyronte vizionin e Nolit: ai besonte në aftësinë e shqiptarëve për të përparuar dhe për t’u bashkuar rreth ideve dhe kulturës, pavarësisht ndarjeve fetare. Ajo ishte një qasje moderne dhe e hapur ndaj shtetit dhe shoqërisë.
Fan Noli bashkoi angazhimin fetar me atdhetarizmin, kulturën me diplomacinë dhe kontribuoi në forcimin e identitetit kombëtar shqiptar në një periudhë të vështirë historike duke mbetur një figurë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij, kanë qarkulluar opinione që e shihnin me pikëpamje “bolshevike”, por kultura, veprimtaria dhe vizioni i tij ishin krejt të pavarura nga ajo ideologji radikale. Sipas Ali Këlcyrës, shumica e besimtarëve të kishës së Nolit në Boston ishin pro Enver Hoxhës, dërgonin ndihma dhe e vizitonin Shqipërinë. Një përpjekje e Nolit për t’u pozicionuar hapur kundër regjimit do ta vinte atë në rrezik, pasi rrezikonte t’i humbte besimtarët.
Si shumë personalitete të shquara të kulturës dhe politikës, Noli ishte produkt i një kohe të trazuar, kur Shqipëria përballej me sfida të jashtëzakonshme dhe kur përplaseshin valë të trazuara politike dhe sociale. Në ato periudha të vështira, ai dhe bashkëkohësit e tij dinin të orientoheshin dhe t’u tregonin shqiptarëve rrugën përmes historisë, duke ofruar vizion për të ardhmen e vendit. Trashëgimia e Nolit shtrihet në tri fusha: politike, kulturore dhe fetare, ku secila veç e veç dhe të trija së bashku bashkohen në shërbim të popullit shqiptar.
[1] “Albania”, viti 1906, nr. 7, f. 144-147.
[2] Gazeta “Shqipëria”, Sofje, nr. 1, 2, viti 1907.
[3] Memorandume, 30 tetor 1912, f. 266-270.
[4] AQSH, fondi 101, viti 1913, dosja 1, f. 14; Il Congresso Albanese a Trieste; Pubblicato nell “Piccolo”, il 3 Marzo 1913.
[5] AQSH, fondi 152, viti 1921, dosja 153, f. 56. Shkresë e kryeministrit Iliaz Vrioni, datë 2 prill 1921, dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme.