loader image
October 13, 2025

Qeveria e Nolit dhe problemi kombëtar

Noli ishte kthyer në Shqipëri me idetë demokratike amerikane me shpresë për çrrënjosjen e rendit të vjetër të korruptuar dhe të prapambetur. Në përgjithësi, ai konsiderohej si njeri me parime dhe patriot, por politikisht ishte disi jashtë loje, i paaftë të punonte siç duhej në strukturën e çuditshme politike të Shqipërisë. Ai kishte qenë larg vendit për një kohë të gjatë dhe, realisht, nuk e kuptonte mentalitetin e popullit. Noli, gjithashtu, ishte më tepër njeri i mendimit sesa i veprimit. Inkuadrimi i tij i parë në politikën shqiptare krijoi përshtypje të mirë. Si përfaqësues i Shqipërisë në debatet e Lidhjes së Kombeve mbi mundësinë e aderimit të saj në të si dhe në mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar jashtë Shqipërisë, Noli u paraqit mjaft mirë.                             

Shkruan: Lush CULAJ, Prishtinë

Në Shqipëri kishte bërë hapat e parë pluralizmi politik dhe kishte divergjenca mendimesh rreth qeverisjes së shtetit shqiptar. Kontradikta mendimesh mbi qeverisjen e vendit lindën edhe mes Ahmet Zogut dhe Fan Nolit dhe pasuesve të tyre që nga koha kur këta ishin ministra në qeverinë e Pandeli Evangjelit. Legata e Francës në Shqipëri, në raportin dërguar qeverisë së vet, theksonte: “Ne dyshojmë në Ahmet Beun të ketë mundësuar ngritjen e Nolit në këtë dinjitet të rëndësishëm me qëllim që të pajtohet me vullnetet e mira të një kundërshtari të mërzitshëm”. Kontradiktat nuk ishin vetëm ndërmjet dy personaliteteve rivale për pushtet, por fillimisht ishin konflikte mbi baza themelore ideologjike për qeverisjen e shtetit. Zogu, me pasuesit e tij, pretendonin një qeveri të fuqishme qendrore dhe një udhëheqje dinamike që do të ishte domosdoshmëri për vendosjen e rendit në Shqipëri. Pikësynim i tij ishte ndryshimi evolutiv i mendimeve dhe qëndrimeve të shqiptarëve për t’u integruar në hap me kohë moderne.

Noli dhe pasuesit e tij, për dallim nga ky vizion politik, ishin ithtarë të ndryshimeve të shpejta dhe të thella ekonomike dhe shoqërore, por arka e shtetit ishte e zbrazët. Në zgjedhjet e lira, të dhjetorit 1923 për Asamblenë Kushtetuese, partia e Zogut fitoi shumicën e votave në parlament, gjë që natyrisht shkaktoi pakënaqësi te opozita e kryesuar nga Noli. Pas zgjedhjeve, situata në Shqipëri u rëndua pas atentatit të dështuar mbi Ahmet Zogun para parlamentit dhe atentatit të suksesshëm mbi Avni Rrustemin, gjë që bëri që vendi të përfshihej nga trazira të reja, të cilat çuan në një qeveri të re në qershor të vitit 1924, të drejtuar nga Fan Noli.

Gjatë gjashtë muajve që pasuan, Shqipëria u sundua nga një koalicion shumëngjyrësh, që ishte formuar për rrëzimin e Zogut. Mungesa e traditës shtetërore, nga njëra anë, dhe tradita fisnore, nga ana tjetër, u krijuan mundësi të gjithë kundërshtarëve të Zogut që të bashkoheshin për përmbysjen e shpejtë të qeverisë. Për shkak të diversitetit të ideve politike, uniteti rreth një programi konstruktiv ishte vërtetë i parealizueshëm. Noli dhe kabineti i tij e filluan punën në kushte të pafavorshme ndërkombëtare. Noli ishte kthyer në Shqipëri me idetë demokratike amerikane me shpresë për çrrënjosjen e rendit të vjetër të korruptuar dhe të prapambetur. Në përgjithësi, ai konsiderohej si njeri me parime dhe patriot, por politikisht ishte disi jashtë loje, i paaftë të punonte siç duhej në strukturën e çuditshme politike të Shqipërisë. Ai kishte qenë larg vendit për një kohë të gjatë dhe, realisht, nuk e kuptonte mentalitetin e popullit. Noli, gjithashtu, ishte më tepër njeri i mendimit sesa i veprimit. Inkuadrimi i tij i parë në politikën shqiptare krijoi përshtypje të mirë. Si përfaqësues i Shqipërisë në debatet e Lidhjes së Kombeve mbi mundësinë e aderimit të saj në të si dhe në mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar jashtë Shqipërisë, Noli u paraqit mjaft mirë. Por, roli i tij si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhafer Ypit ishte më i zbehtë, posaçërisht pasi dha dorëheqjen nga Roma. Besnik ndaj parimeve të veta, posa hyri në Tiranë dhe krijoi qeverinë e re, Noli shpalli një program ambicioz, i cili synonte krijimin e një shteti modern të stilit perëndimor. Entuziazmi i popullit kishte arritur kulmin me shpresën që qeveria e re do të bënte mrekullira për ta nxjerrë Shqipërinë nga varfëria kronike.

Me programin e Nolit do të krenohej çdo demokrat perëndimor, por kryeministrit të ri i mungonin dy elemente themelore pa të cilat askush nuk do të mund t’i jetësonte këto reforma: përkrahja financiare dhe mbështetja e brendshme. Duke e konsideruar si qeveri jolegjitime, Lidhja e Kombeve e refuzoi kërkesën e Nolit për ndihmë, kërkesë e cila ishte refuzuar edhe gjatë qeverisjes së Zogut.

Gjithashtu, qeveria e re e Nolit nuk u pranua ndërkombëtarisht. Qeveria jugosllave e refuzoi njohjen e saj për shkak të përkrahjes që kishte Noli nga irredentistët e Kosovës dhe meqë dyshohej se Noli ishte në shërbim të italianëve. Nga ana tjetër, jugosllavët kishin një letër të fuqishme në dorë – Ahmet Zogun, të vendosur në hotelin “Bristol” të Beogradit. Franca nuk e njihte qeverinë e re shqiptare, sepse në linjë të përgjithshme Parisi e përkrahte Beogradin në lidhje me Shqipërinë. Gabim katastrofik i Qeverisë së Nolit, pasi nuk gjeti mbështetje ndërkombëtare, ishte pranimi i propozimit të bërë në janarin e vitit 1923 nga Bashkimi Sovjetik, të cilin qeveria e Zogut nuk e kishte përkrahur për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe BRSS-së. Noli u tregua naiv kur mendoi se Bashkimi Sovjetik, duke qenë gjeografikisht larg Shqipërisë, nuk do ta dëmtonte Shqipërinë. Gabimi ishte fatal, aq më tepër kur dihej se shtetet europiane e kundërshtonin kategorikisht njohjen e bolshevizmit rus.

Nga frika e përkrahjes së nacionalistëve kosovarë, qeveria e Nolit dhe ngjarjet në Shqipëri u përshkruan nga shtypi jugosllav si sinjal për orientim proitalian. Ky përshkrim bazohej edhe në ndihmesën dhe kontributin e Komitetit të Kosovës për ardhjen në pushtet të kësaj qeverie, si dhe për kthimin në Tiranë të Hasan Prishtinës dhe të Bajram Currit. Megjithatë, nolizmi përfaqësonte një sistem pikëpamjesh dhe praktikash politike e kulturore që e arsyetojnë paraqitjen si rrymë politike më vete dhe si qasje jonacionaliste në mendimin politik shqiptar. Kjo rrymë politike, në përgjigjet ndaj dy segmenteve kryesore të politikës shqiptare, çështjes se a duhet në vazhdimësi të bëhen përpjekje për bashkimin kombëtar, duke mos abstrahuar as luftën e armatosur, dhe çështjes se a mundet Shqipëria të zhvillohet ekonomikisht e të ndërtojë sistem të qëndrueshëm politik brenda kufijve politikë, është i kundërt me nacionalizmin shqiptar. Politika dhe mendimi kulturor nolist, pjesa më e madhe e praktikave dhe ideve të tij politike nuk mund të kuptohen, shpjegohen dhe nuk përcaktohen nga parimi politik i nacionalizmit, përparimi i përputhjes së kufijve të njësive politike me kufijtë e njësisë së kombit si parim epror ndaj të gjitha parimeve të tjera. Megjithatë, Komiteti i Kosovës, pas ardhjes në pushtet të qeverisë së Nolit, kishte liri më të madhe të veprimit.

Qeveria e Beogradit frikësohej nga koordinimi i veprimeve ndërmjet Komitetit të Kosovës me lëvizjen çlirimtare në Kosovë, gjë që e rrezikonte militarizmin jugosllav. Për këtë qeveri sidomos ishte shqetësues bashkëpunimi eventual i Komitetit të Kosovës me Komitetin Maqedonas, nga aktiviteti i madh i tyre, bashkë me propagandën e Zija Dibrës në Shkodër kundër Jugosllavisë, i cili sipas përfaqësuesve jugosllavë mbante lidhjet ndërmjet Komitetit të Kosovës dhe të Komitetit Maqedonas. Edhe Italisë i pengonte konsolidimi i shtetit jugosllav, duke e shikuar si rivale, prandaj përpiqej që t’i shkaktojë trazira nga brenda dhe për këtë ta përdorte edhe udhëheqjen e aktivitetin e Komitetit Maqedonas. Megjithatë, VMRO-në, qeverinë e Nolit dhe Komitetin e Kosovës, Beogradi i paraqet si agjentura të Internacionales së Tretë dhe të Moskës. Ninçiqi dhe diplomacia jugosllave në Europë lansonin lajme se me të hollat e Rusisë qeveria e Nolit dhe Komiteti i Kosovës po përgatisin kryengritje në Kosovë. Pavarësisht se dihej që çështja e Kosovës nuk ishte një problem që lindi me ardhjen në pushtet të qeverisë së Nolit, por ishte problem i mëhershëm, megjithatë orientimet prosovjetike, pro Internacionales së Tretë dhe pro federatës komuniste ballkanike e dëmtuan rëndë qeverinë e Nolit dhe, përgjithësisht, çështjen kombëtarenë arenën ndërkombëtare, përkatësisht në Europën antikomuniste. Natyrisht, Beogradi në këtë aspekt dinte ta lozte lojën mirë me Fuqitë e Mëdha në favor të vetes dhe në dëm të qeverisë së Nolit. Shqiptarët, megjithatë, duhej të ishin të vetëdijshëm që nuk do të realizonin asnjë ndihmë nga Bashkimi Sovjetik, pavarësisht nga ideologjia socialiste, e sidomos në raport më vëllezërit e tyre serbë, për lëvizjen e çështjes së Kosovës. Në këto rrethana, qeveria e Nolit u gjend në pozitë delikate. Nga njëra anë, e drejta e ligjshme e saj për t’u interesuar për fatin e bashkëkombasve të vet e obligonte të protestonte kundër barbarive serbe në Kosovë, kurse nga ana tjetër kujdesi që marrëdhëniet e tensionuara në mes të dy shteteve të mos arrinin gjer në shkallë që do ta dëmtonte rëndë shtetin e pakonsoliduar, e shtyn qeverinë shqiptare që të ndërmerrte hapa të matur, jopublikë, në trajtimin e problemit të Kosovë në veçanti dhe atë kombëtar në përgjithësi.

Qeveria e Nolit u përpoq me çdo kusht ta bindë qeverinë jugosllave se nuk do të lejonte që politika e saj të ndikohej nga persona jashtë qeverisë kushdo qofshin ata. Noli është shprehur hapur kundër lëvizjeve për bashkimin e territoreve dhe pjesëve të kombit që mbetën jashtë kufijve të njësisë politike në një shtet të përbashkët shqiptar, duke e quajtur atë një luks për shtetet e mëdha, kurse për shtetet e vogla lufta është një prishje.

Nolizmi, si rrymë e qartë e panballkanizmit shqiptar, dhe qeveria e tij zbatuan me rigorozitet vendimet ndërkombëtare për mbrojtjen dhe garantimin e të gjitha lirive e të drejtave të minoriteteve. Siç u deklaroi Noli korrespondentëve grekë në Gjenevë, qeveria e tij bazohej në respektimin reciprok të lirive dhe të drejtave të pakicave kombëtare. “Të drejtat e minoriteve tej e këtej, duhet të shërbejnë jo si pengesë, por si një lidhje dhe urë marrëveshjeje midis nesh” – deklaron ai. “Ne kemi bërë detyrën tonë dhe ju deklaroj se do të vazhdojmë edhe në të ardhmen po atë rrugë. Arka e shtetit tonë mban shkolla greke, bashkëqytetarët tonë grekofonë gëzojnë po ato të drejta me ato të qytetarëve shqiptarë, dhe për ta janë të hapura rrugët e posteve më të larta të shtetit shqiptar. Në qoftë se një qëndrim të tillë do ta mbajë edhe shteti grek kundrejt shqiptarëve që rrojnë në Greqi do të zhduket çdo shkak ftohtësie”, përfundon Noli.

Edhe periudha e qeverisjes së Nolit si dhe qeverisjeve të tjera në pjesët e kombit të mbetura jashtë kufijve politikë të Shqipërisë i trajton si minoritete dhe probleme të brendshme të Jugosllavisë dhe Greqisë. Lidhur me çështjen çame Noli do të theksojë: “Ne nuk duam të ndërhyjmë në punët e brendshme të Greqisë se çështja është e brendshme greke, por do të ishte mirë të rregullohet miqësisht që të mos bëhet shkak rreziqesh për marrëdhëniet e të dy vendeve.” Për ta fituar luftën kundër zogizmit, grupimi politik i Nolit disa herë hyri në bashkëpunim me nacionalizmin shqiptar. Nacionalizmi shqiptar, i udhëhequr nga Hasan Prishtina, veproi me forcë për përmbysjen e qeverisë zogiste nga dyshimi se ajo përfaqësonte një rrymë politike proserbe, ndërsa grupimi politik i Nolit e luftoi Zogun për t’u hapur rrugë reformave politike e sociale. Aktivitetin për përmbysjen e qeverisë zogiste e filloi nacionalizmi. Gjithsesi se ai ishte edhe forca vendimtare e udhëhequr nga Bajram Curri, që ndikoi në përmbysjen e Zogut. Megjithatë, pushtetin e mori Noli. Bazuar në sloganin politik sipas të cilit gjatë të qenit në opozitë deklarohet ndryshe, kurse pas marrjes së pushtetit të veprohet ndryshe, kuptohet për shkak të rrethanave imponuese, Noli u detyrua të merrte masa kundër nacionalizmit shqiptar. Ai nuk e ofroi shtyllën kryesore dhe njeriun më të ditur të nacionalizmit shqiptar, Hasan Prishtinën, dhe e shkarkoi nga çdo funksion Bajram, Currin që, siç mund të thuhet, e solli në pushtet Fan Nolin.

Pavarësisht që Noli përpiqej ta bindë qeverinë e Beogradit se do të marrë masa që ta ndalonte veprimtarinë e “kosoviotëve”, serbët asnjëherë nuk u besuan premtimeve dhe politikës së tij. Vetëm katër ditë pas formimit të qeverisë së Nolit, gazeta “Politika” shkruante: “Si nacionalist, Noli ka orientim dhe simpati për Komitetin e Kosovës”, ndërsa gazeta “Novosti” më 10.VII.1924 shkruante për qeverinë e Nolit: “Në fjalë miqësi, në vepra thikë pas shpine”.

Vërtet urtësia e qeverisë shqiptare në marrëdhëniet me qeverinë jugosllave lidhur me çështjen e Kosovës nuk do të thoshte që parimisht qeveria shqiptare nuk e kishte ndjenjën e solidaritetit vëllazëror me popullsinë shqiptare në Jugosllavi. Ajo përpiqej që të gjente rast që t’u tërhiqej vërejtja qeveritarëve jugosllavë. Sa u përkiste kosovarëve, Fan Noli i ftoi anëtarët e Komitetit të Kosovës dhe i informoi që qeveria ka marrë masa që ata të qëndrojnë mirë, sepse “një shtet i vogël si i yni, i dobët dhe i varfër nuk mund t’i lejojë vetes një konflikt”. Noli gjithashtu ia tërheq vërejtjen qeverisë jugosllave, duke deklaruar: “Nëse dëshironi që të jenë raportet e mira në mes dy shteteve tona, atëherë edhe ju silluni mirë me shqiptarët në Jugosllavi”.

Krahas përpjekjeve qeveritare në mjaft krahina dhe qytete të Shqipërisë, populli i indinjuar protestonte kundër mizorive serbe në Kosovë, që synonin zhdukjen e popullsisë shqiptare në trojet e veta autoktone dhe kërkonte nga Lidhja e Kombeve mbrojtjen e jetës dhe të drejtave kombëtare të vëllezërve të vet.

Mirëpo, krahas përpjekjes së qeverisë së Nolit që të mbante marrëdhënie të mira me ëeverinë jugosllave, kjo e fundit nuk i përgjigjej me të njëjtën masë. Përkundrazi, për t’i mbuluar masakrat mbi popullsinë shqiptare në Kosovë dhe veprimtarinë subverzive ndaj shtetit shqiptar bënte akuza e shpifje kundër qeverisë së Nolit. Nuk ishte rastësi që paria dibrane, në krye me Elez Isufin, më 18 dhjetor 1924 protestoi energjikisht kundër shpifjeve të qeverisë serbe, të cilat nuk përkonin me realitetin, por bëheshin me qëllime të caktuara për ta diskredituar qeverinë shqiptare dhe për t’i mbuluar veprimet dinake të saj.

Në gusht të vitit 1924 qeveria e Nolit e udhëzoi përfaqësuesin e vet në Gjenevë për të protestuar para Lidhjes së Kombeve “në formë jozyrtare” kundër masakrave jugosllave ndaj popullatës shqiptare në Kosovë. Për t’i shmangur akuzat jugosllave, qeveria e Nolit urdhëroi që këtë protestë ta bënin Hasan Prishtina, Bedri Pejani dhe Bajram Curri, të cilët shkuan në Gjenevë si përfaqësues të Komitetit të Bashkuar të Shqiptarëve Irredentë. Më 26 shtator “ata ia dorëzuan Lidhjes së Kombeve peticionin ku e informonin opinionin botëror mbi gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Jugosllavi me fakte rrëqethëse të barbarive shtazarake serbomëdha”.

Kjo protestë shkaktoi nervozizëm në qarqet jugosllave, prandaj ajo u dërgoi notat, në rrugë zyrtare, Fuqive të Mëdha, përmes të cilave e akuzonte qeverinë e Nolit për “përpjekjet për t’i bashkuar kaçakët dhe për ta destabilizuar Kosovën.”

Megjithatë, procesi i asimilimit dhe i shkombëtarizimit të popullsisë shqiptare në Kosovë ndeshi në një qëndresë të fuqishme në format nga më të ndryshmet.

Qeveria e Nolit nuk mund të rrinte mënjanë përballë një çështjeje të tillë, sa kombëtare, aq edhe humane. Duke qenë të pafuqishëm si shtet për të ndërmarrë hapa radikalë për përkrahjen e vëllezërve kosovarë, Fan Noli, që përfaqësonte një rrymë politike jonacionaliste në mendimin politik shqiptar, gjatë qeverisjes së tij pretendoi ta ndihmojë në dy forma:

1) Duke shpresuar në parullën “Ballkani i ballkanasve” dhe në parimet panballkanike, Noli iu përmbajt kësaj ideje të të menduarit. Duke e konsideruar armikun kryesor të popujve imperializmin, ai iu përmbajt mendimit se konflikti politik në sistemin politik botëror nuk qëndron ndërmjet interesave dhe shteteve nacionale, por ndërmjet llojeve të politikave; ndërmjet politikës imperialiste të borgjezisë perëndimore dhe politikës së klasës punëtore e katundare, gjë që koha e tregoi se një mendim i tillë ishte vetëm iluzion.

2) Duke u përpjekur që përmes Lidhjes së Kombeve dhe instancave ndërkombëtare t’i mbrojë të drejtat e popullit shqiptar jashtë Shqipërisë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X