Në një intervistë për “New York Times”, më 1928, pyetjes së gazetarit “Si mundet një vend kaq i varfër si Shqipëria të përballojë peshën ekonomike të një familjeje mbretërore?”, Mbreti Zog iu përgjigj duke thënë se “Financiarisht një Mbret nuk i kushton më shumë vendit sesa një President. Të dyve u duhen pallatet e tyre. Të dyve u duhet garda për t’u mbrojtur nga armiqtë. Kur isha President, më duhej ta përshtasja atë rol për kontekstin e vendit, mirëpo edhe njerëzit më të varfër në Shqipëri e kanë fort të qartë perceptimin mbi fisnikërinë mbretërore dhe tani që jam Mbret i Shqiptarëve nuk kam nevojë ta përshtas rolin tim për qytetarët e vendit”.
Lulzim HOXHA, Tiranë
Ngjarjet që pasuan shpalljen e pavarësisë përfaqësojnë ndër momentet më kaotike të historisë së shtetit shqiptar. Pas sulmeve në trojet shqiptare nga bandat e armatosura serbe, greke, malazeze dhe bullgare përgjatë luftërave ballkanike dhe humbjes së një pjese të madhe të territorit pas përcaktimit të kufijve në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, Lufta e Parë Botërore e gjeti Shqipërinë të copëtuar nga gjashtë shtete të ndryshme, ku secili kontrollonte një pjesë të territorit të shtetit të ri shqiptar. Në vitin 1918 vendi vijonte të ishte në mungesë të një shteti sovran për të mbrojtur kufijtë, teksa Franca, Greqia, Jugosllavia dhe Italia vazhdonin të kontrollonin pjesë të territorit të vendit. Në këtë klimë të tensionuar, çështja më emergjente që paraqitej ishte procesi i shtetformimit dhe themelimi i strukturave policore dhe ushtarake që do të garantonin rendin dhe sigurinë nga inkursionet e shteteve fqinje, por edhe forcat rebele brenda kufirit. Këtu duhet thënë se Shqipëria e fillimviteve 1920-të, pavarësisht se pas Kongresit të Lushnjes pati sukses në organizimin e disa kryengritjeve kundër pushtuesve dhe largimin e tyre nga vendi, mbetej një shtet krejtësisht i përçarë, ku rivalitetet midis krerëve vendorë, ndërhyrjet e fuqive të huaja dhe mungesa e institucioneve të qëndrueshme e bënte të vështirë për çdo autoritet qendror që të kishte legjitimitetin e duhur në shoqëri. Struktura e shoqërisë qe pak a shumë e ngjashme me periudhën e fundit të Perandorisë Osmane, ku prijësit lokalë të malësive dhe bejlerët e mëdhenj të jugut zotëronin pjesën dërrmuese të pushtetit në mungesë të zhvillimit të çfarëdolloj industrie ose ekonomie shtetërore. Për më tepër, nga viti 1918-të e deri më 1924, si rrjedhojë e grushteve të shtetit, kryengritjeve ose presioneve nga krerët vendorë dhe grupet e armatosura që qarkullonin lirisht në një pjesë të konsiderueshme të vendit, janë rrëzuar njëra pas tjetrës njëmbëdhjetë qeveri, çka tregon për një problem të skajshëm në konsolidimin e një sistemi të qëndrueshëm politik. Në këtë kontekst fluid politik e shoqëror, figura e Ahmet Zogut shfaqet fillimisht si një aktor politik lokal, i formuar në një ndërthurje midis traditës së rrjeteve fisnore të veriut dhe përvojave të kontaktit me kulturat moderne europiane dhe osmane. Por, brenda më pak se një dekade, ai do të transformohej nga një politikan i ri dhe prijës vendor i Matit në një figurë qendrore të shtetit shqiptar, duke e udhëhequr vendin nga një sistem republikan drejt një monarkie të centralizuar. Ky transformim nuk mund të kuptohet thjesht në termat e ambicies personale, por duhet parë si produkt i një konfigurimi të veçantë të marrëdhënieve të pushtetit, strukturave të patronazhit, trajtave tradicionale të autoritetit krahinor dhe kulturës politike shqiptare të kohës, ku liderët karizmatikë, shpeshherë të shoqëruar nga çetat e tyre të armatosura, ishin të aftë të shfrytëzonin rrjetet krahinore, kombëtare dhe rajonale për të kapërcyer rivalët e tyre të shumtë. Parë nga kjo perspektivë, përmes figurës së Ahmet Zogut duhet kuptuar jo vetëm roli i tij si individ ose si ministër i Brendshëm, Kryeministër, President apo Mbret, por mbi të gjitha sistemi shoqëror që e krijoi dhe e mbështeti, i bazuar mbi elementet e një shoqërie tradicionale, si lidhjet fisnore, patronazhi politik, kodi i nderit etj. Sipas këtij kuptimi, Ahmet Zogu si politikan shpërfaq tensionin midis traditës dhe modernitetit, prijësit vendor dhe liderit shtetëror, si dhe sprovat për instalimin e shtetit modern në një shoqëri ku ndërhyrjet nga shteti janë parë prej kohësh si një formë uzurpimi e lirive dhe kërkesave për autonomi të komunitetit. Në këtë kuadër, karriera politike e Zogut dhe shndërrimi i Shqipërisë në monarki nuk mund të trajtohen si një episod i izoluar, por si pjesë e tranzicionit të gjatë nga strukturat e vjetra të shoqërisë osmane drejt shtetformimit modern.
Autoriteti qendror përballë atij lokal
Autorët që e kanë trajtuar konceptin e shtetformimit kanë evidentuar se, në fazat e veta fillestare, raporti ndërmjet shtetit modern dhe shoqërisë është një ndërveprim që nuk funksionon përmes konsensusit, por nëpërmjet negocimeve të vazhdueshme, madje shpeshherë përmes konfliktit. Zgjerimi i pushtetit shtetëror u bë i mundur “jo vetëm në sajë të reduktimit të pushtetit lokal të disa grupeve të shoqërisë tradicionale, por edhe rishpërndarjes së pushtetit duke ofruar pozicione shtetërore disa grupeve të shoqërisë në këmbim të mbështetjes për administratën shtetërore” (cit. te Karen Barkey, “Bandits and Bureaucrats: The Ottoman Route to State Centralization”, New York, 1994, f.6). Shtetet nuk mund të arrijnë ta zgjerojnë pushtetin e tyre në të gjithë territorin e vendit pa hasur në kundërshti nga ana e autoriteteve të vjetra tradicionale. Në përpjekjet për konsolidimin e autoritetit qendror, si në rastin e Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, ashtu edhe në traditën politike të shteteve perëndimore, kryesisht gjatë shekujve të shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë, për prijësit lokalë ishte e papranueshme ndërhyrja e administratës shtetërore në zonat e tyre të influencës. Prirja centralizuese e aparatit shtetëror modern paraqitej si kërcënim për interesat e krerëve lokalë. Veçanërisht në rastin e Shqipërisë së viteve 1920-30-të, ku pas më shumë se katër shekuj nën shtetin osman, ideja e kontrollit shtetëror paraqitej veçanërisht problematike për shkak se në të shkuarën shteti shfaqej vetëm kur mblidhte taksat, rekrutonte ushtarët ose kur ndërmerrte fushata për çarmatosjen e popullsisë. Për konsolidimin e institucioneve shtetërore, qeverisë qendrore i duhej ta ndërtonte nga e para administratën lokale edhe në zonat më të thella të vendit, një administratë që të ishte besnike ndaj qeverisë në Tiranë dhe e pavarur nga rrjetet fisnore ose autoriteti tradicional i prijësve lokalë, çka nënkuptonte që roli i kësaj administrate si përfaqësuese e shtetit do të ishte në njëfarë mënyre e huaj për traditat dhe kulturën e grupeve lokale. Për më tepër, në perceptimin e prijësve lokalë, ndoshta me njëfarë të drejte, Zogolli nuk përfaqësonte një figurë shtetërore, por vetëm sa po përdorte mekanizmat shtetërorë për zgjerimin e pushtetit të tij personal. Në kohën kur ishte ministër i Brendshëm, sikurse shkruan Bernd Fischer, ai u dha grada ushtarake anëtarëve të çetës së tij private, teksa përdorte vazhdimisht praktikat e kooptimit, duke përfshirë në strukturat e xhandarmërisë rivalët e tij lokalë ose “pagesën e ryshfetit në këmbim të paqes, ku çdo muaj zbrisnin në kryeqytet grupe burrash të armatosur për të mbledhur pagesat e tyre, ndërsa këto pagesa figuronin në buxhetin e shtetit si shpenzime për ruajtjen e rendit” (Bernd J Fischer & Oliver Jens Schmitt, “A Concise History of Albania”, Londër, 2022, f.176). Në këtë kuptim, Shqipëria e viteve 1920-1930-të ishte shumë larg së qeni një shtet veberian në kuptimin klasik të termit, ku dominon monopoli i dhunës legjitime, administrata burokratike shtetërore dhe ku autoriteti politik mbështetet mbi ligj e rregulla të shkruara. Sipas qasjes së Barkey-t, shtetet që trashëgojnë një strukturë politike të fragmentuar dhe të varur nga marrëdhënie patronazhi dhe rrjete klientelizmi me autoritetet lokale përballen me një dilemë strategjike: nëse do të vijojnë të qeverisin nëpërmjet negociatave dhe kompromisit me elitën lokale apo do të kalojnë në një politikë të centralizimit përmes kontrollit të drejtpërdrejtë dhe reduktimit të autonomisë lokale. Në rastin e strategjisë politike të Ahmet Zogut, kemi të bëjmë me kalimin gradual nga qeverisja përmes kompromisit, e cila zgjat deri në Revolucionin e Qershorit, për t’u shndërruar pas rikthimit të tij në dhjetor 1924, e sidomos pas 1928-tës, në një sistemi të mirëfilltë autoritar. Deri në vitin 1924 pothuajse të gjitha tentativat e pushtetit qendror për zgjerimin e autoritetit kishin hasur qëndresën e prijësve të krahinave. Kështu, për shembull, përpjekjet e qeverisë së Tiranës në vitin 1922 për ta çarmatosur Dibrën dhe Shqipërinë e Mesme sollën si reagim shpërthimin e kryengritjeve, pak a shumë siç kishte ndodhur në vitin 1911 gjatë nismave të shtetit osman për çarmatosjen e popullsisë lokale. Mirëpo, më 8 mars të vitit 1922 gjendja nisi të bëhet tejmase kritike, pasi çetat e armatosura dibrane me Isuf Elezin në krye kishin shkuar deri në Tiranë dhe rrezikonin përmbysjen e qeverisë me një forcë prej rreth 400 burrash të armatosur (cit. Sejfi Vllamasi te “Ballafaqime Politike në Shqipëri”, Tiranë, f.277). Sikur të mos mjaftonte kjo, vetëm dy ditë pas hyrjes së Elezit në Tiranë, qeveria sulmohet sërish nga forcat e armatosura të Hamit Toptanit. Pas vrasjes së Esat Pashë Toptanit, familja bejlere e Toptanasve nuk gëzonin më të njëjtin prestigj politik, teksa Hamit Toptani e shihte rritjen e pushtetit të Ahmet Zogut si ministër i Brendshëm si një kërcënim për pushtetin e tij dhe të bejlerëve të mëdhenj të Shqipërisë së Mesme. Ndërkaq vetëm një vit më parë, ushtria e shtetit shqiptar qe përfshirë në një operacion për shtypjen e një tjetër kryengritjeje, kësaj here në Mirditë, ku kapedani i Gjon Markajve, për shkak të mungesës së mbështetjes nga qeveria shqiptare, kishte marrë garanci nga qarqet drejtuese të Beogradit për shpalljen e autonomisë nga Shqipëria dhe themelimin e një republike katolike (Sejfi Vllamasi, “Ballafaqime Politike”, Tiranë, f.245). I përballur me revolta të shumta dhe pakënaqësi nga ana e prijësve lokalë të malësive dhe bejlerëve të mëdhenj, kundërshtimet ndaj Zogut u ashpërsuan, derisa në shkurt të vitit 1924, kur ai kishte marrë postin e kryeministrit pas rrëzimit të qeverisë jetëshkurtër të Hasan Prishtinës, goditet rëndë nga një atentat pranë ambienteve të parlamentit në Tiranë. Deri në këtë kohë, në listën e gjatë të kundërshtarëve të Zogollit ishin shtuar dhe kryengritësit e Kosovës, me në krye ish-ministrin e Luftës, Bajram Curri, i cili qe përfshirë në kryengritjen e Isuf Elezit të vitit 1922. Për shkak të vështirësive që po haste në ndërtimin e rendit dhe stabilitetit në Shqipëri, Zogu kishte nisur të bashkëpunonte me shtetin jugosllav, me ndihmën e të cilit synonte ta përmirësonte sigurinë në zonat kufitare, që në jo pak raste ishin kthyer në burim kryengritjesh. Aleanca me jugosllavët në dëm të aktivistëve për pavarësinë e Kosovës, si dhe “dënimin në mungesë të Azem Bejtes (Galicës) në vitin 1923” (Noel Malcolm, “Kosova: Një Histori e Shkurtër”, Prishtinë, 2024) është parë gjerësisht si një ndër aktet e tij më të rënda antikombëtare, mirëpo në qasjen qeverisëse pragmatike të Ahmet Zogu, prioriteti kryesor ishte konsolidimi i shtetit, çka nënkuptonte reduktimin e autoritetit të të gjithë rivalëve politikë që mund të ktheheshin në risk për destabilitet. Në një intervistë të vitit 1926 për Daily Telegraph ai shprehej se “Kosova është plagë e hapur për kombin shqiptar dhe një ditë duhet të gjejë drejtësinë e saj”, mirëpo që kjo të realizohej Shqipëria duhet të kthehej në një “shtet modern të konsoliduar sipas modelit oksidental” (cit. te Jason Hunter Tomes, “King Zog of Albania: Europe’s Self-made Muslim King”, New York, 2004). Megjithatë, pas rikthimit të tij në pushtet, në dhjetor 1924, me ndihmën e milicisë jugosllave, përpjekjet për konsolidimin e institucioneve shtetërore kërkonin një aleat me kapacitete më të mëdha ekonomike sesa shteti fqinj ballkanik. Për pasojë, zgjerimi i pushtetit të tij personal në krye të shtetit do të përkonte me rritjen e ndikimit të Italisë, e cila do të siguronte investimet e duhura për një ekonomi thellësisht të prapambetur si Shqipëria e fundviteve 1920-të.
Nga republika në monarki: transformim politik dhe simbolik
Pas rikthimit të tij, kësaj here në rolin e Presidentit të Republikës, Zogu vijoi me eliminimin e kundërshtarëve politikë që e kishin mbështetur Revolucionin e Qershorit, kurse për ata që kishin qëndruar asnjanës e zbatoi praktikën e ryshfetit në këmbim të besnikërisë. Ndonëse problematikat në vend ishin të shumta, presidenti i ri arriti të bëjë disa përparime në aspektin e rendit publik. Duke filluar nga viti 1925, numri i vrasjeve për gjakmarrje u pakësua së tepërmi, kjo për faktin se një numër i madh njerëzish u detyruan t’i dorëzonin armët. Qeveria arriti të bindte shqiptarin mesatar se “me përjashtim të rasteve kur ai mund të kishte lidhje të forta politike, çdo vrasje do të konsiderohej si krim. Kusaria u pakësua në atë shkallë saqë tani karvane të tëra mund të kalonin nëpër rrugë të largëta pa iu trembur sulmeve nga bandat e armatosura” (Bernd J Fischer, “Mbreti Zog dhe Përpjekja për Stabilitet në Shqipëri”, Tiranë, 2004, f. 117). Shteti u përpoq të mblidhte taksat dhe të rekrutonte njerëz, madje edhe në veri të vendit, ku vetëm pak vite më parë një gjë e tillë qe pothuaj e pamundur. Gjithashtu, administrata u angazhua edhe në shtrimin e rrugëve, pavarësisht se me ritme tepër të ngadalta. Synimi ishte lidhja e krahinave kufitare me zonat fushore, në mënyrë që të sigurohej komunikimi mes zonave malore dhe botës jashtë tyre. Natyrisht, rrugët jo vetëm e lehtësuan tregtinë, por njëherësh ia mundësuan qeverisë ta shtrinte më tej dhe në mënyrë më të drejtpërdrejtë kontrollin në këto zona. Në një artikull për shtypin amerikan, ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri shprehej se “Kusaria nuk është më sporti i preferuar i shqiptarëve. Në kohët e vjetra, kriminelët e dënuar me vdekje kishin një zakon të çuditshëm për ‘t’u ringjallur’ brenda pak ditëve. Me një shumë të vogël të hollash mund ta zgjidhnin telashin me drejtësinë. Por, në ditët tona, kusarët që dënohen me varje, qëndrojnë të varur për disa ditë rresht. Kësisoj karriera e kusarisë ka nisur të bëhet disi e pashëndetshme.” Në kuadër të reformave për modernizimin e vendit, qeveria e Zogut në vitin 1928 miratoi një kod të ri civil, që parashikonte ligjërimin e martesës civile dhe të divorcit. Me këtë veprim, Presidenti shpresonte t’i jepte fund praktikës së vjetër të vrasjes së grave që kryenin tradhti bashkëshortore (Fischer, Po aty, f.116). Njëkohësisht, Kodi i ri, ku përfshihej martesa civile, i jepte fund pengesës së bashkimit të elementëve myslimane, katolike dhe ortodokse, gjë që do të ndihmonte çështjen e unitetit kombëtar. Procesi i reformave vijoi me themelimin e statuteve të reja të komuniteteve fetare në Shqipëri, ku shteti filloi të marrë një rol qendror në garantimin e pluralizmit fetar. Mirëpo, nga ana tjetër, këto reforma janë kryer të shoqëruara nga një rritje e pushtetit personal të Presidentit të Republikës. Kushtetuta e vitit 1925 do ta kthente Shqipërinë në një republikë presidenciale, duke ndjekur modelin amerikan, vetëm se në Shqipëri presidenti do të kishte një mandat shtatëvjeçar dhe, përpos faktit se presidenti tashmë e kryente funksionin e kreut të qeverisë dhe të shtetit, ai kishte nën kontroll administratën, ishte i vetmi që e zotëronte të drejtën të propozonte ndryshime kushtetuese, e gëzonte të drejtën e vetos për çdo ligj që kalonte në parlament, madje edhe mund ta shpërndante parlamentin kur e konsideronte të dobishme. Pavarësisht se politikisht qe fuqizuar shumë më tepër se në periudhën kur ishte kryeministër dhe pjesa më e madhe e rivalëve të tij politik qenë larguar nga Shqipëria, gjithsesi përpjekjet e pafundme për vrasjen e tij, grushtet e shtetit dhe kryengritjet vazhdonin. Vetëm në vitin 1925 janë bërë tre tentativa për atentate. Një vit më vonë arrestohet Qemal bej Vrioni, një nga bejlerët e mëdhenj të Beratit, nën akuzën se po përgatiste një kryengritje kundër qeverisë. Të gjitha këto mobilizime kundër qeverisë dhe trazirave të vazhdueshme në vend qenë kthyer në një kosto të madhe të kapitalit njerëzor dhe financiar për shtetin. Kryengritjet e shumta ndaj qeverisë, qysh nga vitet 1918-1920, e shtonin gjithnjë e më tepër kërkesën për armë, municione dhe rritjen e personelit në strukturat e xhandarmërisë. Të gjitha këto shpenzime, por edhe nevojat emergjente në zgjerimin e infrastrukturës rrugore, ose investimet në ekonomi, e shtuan varësinë e qeverisë së Zogut ndaj shtetit italian. Sikurse shkruan historiani Misha Glenny, “krijimi i një shteti modern në Shqipëri doli punë e shtrenjtë, sidomos sepse presidenti caktoi mbi 50 për qind të të ardhurave të pakta të vendit për policinë dhe ushtrinë. Përpos këtyre, kishte edhe shpenzime të tjera për shpërblimin e besnikërisë së njerëzve që e rrethonin, që Zogu i kish fituar thuajse krejtësisht me ryshfete” (Misha Glenny, “Histori e Ballkanit 1804-1999”, Tiranë, 2007, f. 420). Pas kryengritjes së radhës kundër qeverisë, më 1926, presidenti tashmë qe i detyruar t’i kërkonte ndihmë shtetit italian dhe në nëntor 1926 nënshkruan Paktin e Parë të Tiranës, i ndjekur një vit më vonë nga Pakti i Dytë i Tiranës. Të dyja këto pakte ia hiqnin qeverisë në Tiranë të drejtat për një politikë të jashtme të pavarur. Mirëpo, në këmbim të kësaj, Zogu përfitonte nga mbështetja e Italisë në “çdo situatë turbullire, që ndërmerret dhe drejtohet kundër statuskuosë politike, juridike dhe territoriale të Shqipërisë”.
Në vitin 1928, Zogu ndërmori hapin e madh të shpalljes së monarkisë, duke u kurorëzuar si “Mbret i Shqiptarëve” (Mbret Zog I). Ky akt nuk ishte thjesht një ndryshim formal kushtetues, por një strategji për ta forcuar legjitimitetin personal dhe për të integruar elemente të simbolikës tradicionale me format moderne të shtetformimit. Në diskursin politik të kohës, monarkia paraqitej si një garanci e stabilitetit dhe e unitetit kombëtar, veçanërisht në një vend socialisht dhe politikisht të fragmentuar si Shqipëria. Por, nga një perspektivë antropologjike, ky transformim mbartte gjithashtu dimensionin e “ritualit të kalimit” (ascension) – ku Zogu, nga një lider politik me legjitimitet të kufizuar, transformohej në një figurë të shenjtëruar politikisht, duke përdorur ceremonitë, simbolet dhe ikonografinë mbretërore për të krijuar një mit të autoritetit të tij. Njëherësh ai u përpoq ta nxisë përfytyrimin kolektiv si pasardhës i Skënderbeut, duke i mëshuar faktit se të dy kishin prejardhjen nga zona e Matit, të dy kishin arritur të bëheshin sundimtarë të Shqipërisë në një kohë të shkurtër dhe të dy synonin të ndërtonin unitet në një Shqipëri të përçarë. Zogu e kuptonte mirë se autoriteti i tij si President mbështetej mbi një terren të lëkundshëm. Republika e shpallur më 1925 nuk kishte rrënjë të thella në kulturën politike shqiptare, sepse koncepti i republikës si rend institucional modern ishte i huaj për një shoqëri ku marrëdhëniet shoqërore organizoheshin më së shumti rreth fisit, krahinës dhe figurës së një udhëheqësi patrimonial. Për shumë shqiptarë të asaj kohe, autoriteti i ligjit nuk kishte të njëjtën forcë sa autoriteti i një figure që mishëronte pushtetin dhe rendin. Kjo qe arsyeja pse Zogu ndërtoi gradualisht një narrativë të re pushteti. Ai e projektoi veten si garant i stabilitetit, si përfaqësues i unitetit kombëtar dhe mbrojtës i vendit përballë rreziqeve të brendshme e të jashtme. Në këtë mënyrë e përgatiti terrenin për një transformim të statusit të tij në një figurë që nuk përfaqësonte më vetëm një mandat politik, por një rend të ri të pushtetit, ku ai qëndronte përtej frakturave të brendshme shoqërore dhe politike. Kur më 1 shtator 1928 u shpall Mbret i shqiptarëve, akti nuk kishte vetëm funksion juridik: ai kishte për qëllim të themelonte një formë të re të autoritetit, ku pushteti i Zogut merrte karakter të trashëgueshëm dhe të shenjtëruar. Kurora mbretërore nuk ishte thjesht një simbol perëndimor i monarkisë, por në sytë e shoqërisë tradicionale shqiptare ajo përfaqësonte vazhdimësinë e figurës së prijësit, të atij që qëndron mbi palët dhe i jep kuptim unitetit dhe traditave kombëtare. Kalimi nga President në Mbret mund të shihet edhe si një përpjekje për të pajtuar dy logjika të ndryshme të pushtetit: atë moderne, të bazuar mbi ligjin, dhe atë tradicionale, të mbështetur mbi figurën e udhëheqësit karizmatik. Në një shoqëri ku kontrata sociale e shkruar nuk kishte të njëjtën peshë sa betimet e besës, autoriteti i Zogut si Mbret ishte një mënyrë për ta përforcuar pushtetin përmes gjuhës që përbënte më shumë kuptim për komunitetin. Por, as ky transformim nuk ishte i lirë nga tensionet. Për një pjesë të elitës intelektuale dhe politike, kthimi te monarkia shihej si një hap pas në raport me idealet republikane të 1924-tës. Mirëpo, për shumicën e popullsisë rurale, monarkia ishte më e afërt me botën e tyre simbolike sesa një republikë që nuk gjeti dot terrenin e duhur ku të zhvillohej. Kësisoj, legjitimiteti i Zogut si Mbret qe i dyfishtë: pavarësisht se mbështetej nga instrumentet moderne të shtetit, nga ana tjetër mëtonte t’i bënte apel logjikës tradicionale të prijësit. Në këtë prizëm, kalimi i Zogut nga President në Mbret nuk ishte veç ambicie personale për pushtet, por një akt që përfaqësonte tensionin mes dy modeleve të ndryshme të rendit politik. Ky akt përfaqësonte përpjekjen për të ndërtuar një urë kalimi mes një shoqërie tradicionale dhe shtetit modern, ku pushteti personal i një individi shndërrohej në simbol të rendit kolektiv.
Krahasimi me zhvillimet në vende të tjera të rajonit dhe më gjerë tregon se ky ishte një model i zakonshëm për liderët e kohës që kërkonin ta forconin kontrollin në shtete të brishta. Në rastin e Shqipërisë, ky proces u përforcua nga nevoja për të projektuar jashtë vendit imazhin e një shteti të stabilizuar, të aftë për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare dhe për të ruajtur integritetin territorial. Në një intervistë për “New York Times”, më 1928, pyetjes së gazetarit “Si mundet një vend kaq i varfër si Shqipëria të përballojë peshën ekonomike të një familjeje mbretërore?”, Mbreti Zog iu përgjigj duke thënë se “Financiarisht një Mbret nuk i kushton më shumë vendit sesa një President. Të dyve u duhen pallatet e tyre. Të dyve u duhet garda për t’u mbrojtur nga armiqtë. Kur isha President, më duhej ta përshtasja atë rol për kontekstin e vendit, mirëpo edhe njerëzit më të varfër në Shqipëri e kanë fort të qartë perceptimin mbi fisnikërinë mbretërore dhe tani që jam Mbret i Shqiptarëve nuk kam nevojë ta përshtas rolin tim për qytetarët e vendit”. (Jason Hunter Tomes, “King Zog of Albania: Europe’s Self-Made Muslim King”, New York, 2003, f. 2). Nëse e shohim si vijimësi, karriera politike e Ahmet Zogut tregon një pragmatizëm të jashtëzakonshëm në përshtatjen me rrethanat e kohës. Ai nisi si prijës lokal i Matit, duke ndërtuar pushtetin mbi besnikërinë fisnore dhe marrëdhëniet tradicionale, por gradualisht e zgjeroi autoritetin nëpërmjet posteve të rëndësishme shtetërore – si ministër i Brendshëm dhe Kryeministër – ku u përpoq të kontrollonte institucionet e brishta të shtetit të ri. Me shpalljen e tij si President, Zogu u përpoq të adoptonte një formë moderne qeverisjeje, por kur pa se modeli republikan nuk arrinte të funksiononte siç duhej në një shoqëri tradicionale, ai përdori kurorën mbretërore si formën më të përshtatshme për të legjitimuar pushtetin dhe për të krijuar një figurë të qëndrueshme uniteti.
Si përfundim, ndërtimi i shtetit modern në Shqipëri gjatë periudhës së Ahmet Zogut, pavarësisht disa përparimeve të limituara në modernizimin e vendit, shtimit të numrit të shkollave, rritjes së sipërfaqes së tokave bujqësore, ose përmirësimit të të drejtave të grave në një shoqëri thellësisht konservatore, nuk arriti të kalojë në një shtet të konsoliduar me institucione të qëndrueshme. Sfidat e fragmentimit shoqëror, mungesa e resurseve, varësia nga Italia, autoritarizmi i monarkut dhe destabiliteti i brendshëm krijuan një realitet ku shteti mbeti një strukturë hibride në fazën e ndërmjetme mes traditës dhe modernitetit. Përpjekjet e Zogut nuk arritën të krijojnë institucione të qëndrueshme dhe të pavarura, duke e lënë Shqipërinë në prag të Luftës së Dytë Botërore me një shtet të brishtë e të varur dhe me një prirje të theksuar drejt regjimeve autoritare.