loader image
September 28, 2025

Mendimi dhe arti shqiptar nën dritëhijet e një mbreti që deshi veç… pushtet

Mbreti Zog thuhet se nuk ishte i apasionuar pas librave, edhe pse kishte një bibliotekë prej afro 10 mijë titujsh. Studiuesit rrëfejnë se në vitet e mbretërisë ai u bë amator i apasionuar i kinemasë. Filmat me Çarli Çaplinin dhe Shirli Tempëll dihet që kanë qenë pasioni i madh i tij, edhe pse kryepasioni ishte pushteti. Përveç kinemasë, botimeve letrare, shkollave, hapjes së Bibliotekës Kombëtare, sipas studiuesit Ferid Hudhri, ai ka shënuar edhe disa nga ngjarjet dhe veprimtaritë më të rëndësishme të historisë së artit shqiptar.

Agim BAÇI, Tiranë

Thuajse e pamundur që në historinë e Shqipërisë të gjesh një figurë më të vështirë për t’u përkufizuar sesa Mbreti Zog. Nuk ka as fjalë e as paragraf që ta përmbledhë domethënien e tij, pasi, siç ka thënë edhe Faik Konica, “ai është personazh mjaft i denjë për psikologët”.

Ahmet Zogu ka qenë një tip realist, për të cilin si ndjenja, ashtu edhe ana morale e çështjes s’ka patur kuptim. Shoqëria, miqësia dhe intimiteti kishin një farë vlere për të kur këto i shërbenin interesit të tij. Ai vrasjen e pranonte si një mjet jo të keq kur shtrëngohej ta përdorte atë kundër rivalëve të rrezikshëm që pengonin qëllimet e tij…”. Ky përshkrim i Sejfi Vllamasit, mik e më pas kundërshtar, është ndoshta nga me realistët, më të drejtpërdrejtët për Ahmet Zogun, ministër i Brendshëm, Kryeministër, President e, pas 1 shtatorit, 1928 Mbret për 11 vite. Pavarësisht etiketimeve të ndryshme të studiuesve apo në shtypin ndërkombëtar të kohës, ajo që i përbashkon të gjithë jetëshkruesit apo studiuesit e jetës së tij politike, është fakti se nën drejtimin e Ahmet Zogut shënohen me shkronja të mëdha konceptet e shtetformimit shqiptar, ku marrin një rrugëtim të plotë marrëdhëniet e gjithanshme që kishin dhe kanë kuptim me çështjen ku bashkohet shteti dhe kombi. Në librin e tij me kujtime, “Ballafaqime politike”, Sejfi Vllamasi, si ish deputet dhe Ministër i Punëve Botore, rrëfen se vetëm pas ardhjes së Ahmet Zogut në postin e kryeministrit (vetë Vllamasi është propozues i marrjes së këtij posti pas riardhjes në pushtet më 15 dhjetor 1924) nisi të merrte frymë ndryshimi dhe morën jetë marrëveshjet me shtete e biznese të huaja, që më pas edhe shënjuan ndërtimin e institucioneve dhe formalizimin e ekonomisë shqiptare.

Në të njëjtën linjë vlerësimi me Vllamasin ka qenë edhe një nga mendjet më të veçanta shqiptare, Eqerem bej Vlora, i cili në librin me kujtime, duke qenë një njohës i Ahmet Zogut, shprehej ndër të tjera se: “… përveç inteligjencës, ajo që i jepte atij epërsi të padiskutueshme mbi gjithë të tjerët ishte mungesa e çdo ndjesie. Ahmet Zogu as ka dashuruar, as ka urryer kurrë. Veprimi dhe sjellja e tij i nënshtroheshin gjithnjë kontrollit të një mendjeje të ftohtë dhe praktike, udhëhiqeshin gjithnjë dhe vetëm prej interesave të tij…

Kjo ftohtësi, që e ndërthurte atë edhe kulturalisht mes Stambollit dhe Vjenës, e ktheu mbretin Zog në një monark të pazakontë – ai vinte nga një familje pa trashëgimi pushteti dhe pa atë vetëkrenari të disa prej familjeve me aristokrate të kohës, por që themeloi mbretërinë e tij në vitin 1928. Dëshmitarë të asaj kohe, përmes kujtimeve të veta, por më pas edhe studiues të ndryshëm të djeshëm e të sotëm, duket se bashkohen në një pikë të rëndësishme – edhe pse Mbreti Zog donte të njihej për rregullin dhe zhvillimin, ai mbeti më i njohur për mbijetesën përmes intrigave politike. Madje, vetë mbreti Zog ka rrëfyer: “Jeta ime është një histori aventurash”. Dhe, në këtë histori, pa dyshim ajo që nuk u anashkalua kurrë pavarësisht përpjekjeve nën diktaturë, ishte mendimi, arti dhe letërsia që buroi nën atë mbretëri…

A mundej ndryshe dhe cili që roli i tij në media?

Vetë Mbreti Zog, në një përshkrim në një editorial në “The Times” në atë kohë, shfaqej si njeriu me vetëdije se çfarë po bënte për Shqipërinë – një vend pa shtet të mëparshëm, me një trashëgimi vilajetesh, pa institucione, me një bujqësi dhe një trashëgimi të varur nga pushtuesi. Në një situatë të tillë, ajo që shënjohet nga Bernd J. Fisher, Arben Puto, Aurenc Bebja, Erald Kapri, Gjenço Naçi, Kristo Frashëri, Kristo Dako, Blendi Fevziu, Kesiana Lekbello, e shumë të tjerë që janë marrë me studimin e anëve të ndryshme të vetë Mbretit Zog dhe të institucioneve të kohës. Ai vetë ishte i bindur teksa citohet të ketë thënë: “Unë e bëra Shqipërinë”. Dhe, studiuesit e ndryshëm nuk e kundërshtojnë, pavarësisht dritëhijeve. Madje dhe mendje që e kanë kundërshtuar, si Noli, Vllamasi, Eqerem bej Vlora e Konica, në fund të jetës së tyre do pranonin se ai e fitoi betejën e vet për të bërë shtet.

Ai, me sugjerimin e publicistit Nebil Çika, vendosi të ftonte Vangjel Koçën dhe Branko Merxhanin për një ndryshim të fortë të komunikimit dhe botimeve. Të dy i lidhte antikomunizmi, një qëndrim që Zogu e pati bërë të vetin që kur në krye e sollën britanikët që ta përmbyste qeverinë komuniste të Fan Nolit.

Në fakt, në mesin e viteve ’20-të, kur Shqipëria po e kristalizonte qëndrimin e saj shtetar, patriotët shqiptarë e menduan kontributin e tyre përmes shtypit. Gjergj Bubani ka qenë një nga ata emra interesantë, që botonte në organin “Shqipëria e Re”, e cila shtypej jashtë vendit, por nuk mund të mbërrinte në Shqipëri për shkak të frymës shumë kritike ndaj Zogut. Historiani Arben Puto ka sjellë në librin e tij “Shqipëria politike” edhe “nenin e censurës” mbi të cilën mbreti Zog ndëshkonte kundërshtarët. “Ato fletore ose revista që me botimet e tyre mund të cënojnë sigurimin e interesit të brendshëm ose të jashtëm të shtetit dhe janë kundër regjimit, përkohësisht pushohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe kur e lyp nevoja, përgjegjësit burgosen apo i dorëzohen gjyqit”, vëren Puto, duke kujtuar se ky ligj ishte edhe në kohën e Mehdi Frashërit kur u zgjodh kryeministër. Madje nën këtë frymë vetë Mehdi Frashëri deshi t’iu mbyllte gazetarëve ABC-në. Madje ai, vetë, pati nxjerrë dhe një ligj për “fajet politike që duhej të gjykoheshin nga një gjykatore e posaçme politike”…

Faik Konica ka qenë një nga ata personazhe kontroverse që i hidhte benzinë zjarrit me anë të gazetës “Dielli”, një gazetë së cilës iu shtua më vonë edhe “Shqiptari i Amerikës”, që botohej në Korçë nën drejtimin e Loni Kristos, deputet i Korçës. Rival në kritika ishte edhe gazeta “Ora e Maleve”, që drejtohej e botohej nga kleri katolik në Shkodër. Sipas Sejfi Vllamasit, në librin “Ballafaqime politike”, shtypi kundërshtar ndaj Zogut drejtohej nga Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau, Ali Këlcyra, madje edhe nga Mehdi Frashëri, kur ai nuk ishte më në qeveri me mbretin Zog. Ndërkaq, “Bota e re” nuk e fsheh gjuhën e ashpër ndaj Zogut. Në artikullin përkujtimor të 28 Nëntorit 1936, ajo s’e përmend fare dhe mbaron me fjalët “Rroftë Shqipëria”… Në faqet e “Botës së re” shkruanin Migjeni, Nonda Bulka, Dhimitër Shuteriqi, Petro Marko, Misto Treska, Haki Stërmilli, Skënder Luarasi, Qemal Stafa, Aleks Çaçi, Andrea Varfi, Shefqet Musaraj etj…

Arti në kohën e Zogut

Mbreti Zog thuhet se nuk ishte i apasionuar pas librave, edhe pse kishte një bibliotekë prej afro 10 mijë titujsh. Studiuesit rrëfejnë se në vitet e mbretërisë ai u bë amator i apasionuar i kinemasë. Filmat me Çarli Çaplinin dhe Shirli Tempëll dihet që kanë qenë pasioni i madh i tij, edhe pse kryepasioni ishte pushteti. Përveç kinemasë, botimeve letrare, shkollave, hapjes së Bibliotekës Kombëtare, sipas studiuesit Ferid Hudhri, ai ka shënuar edhe disa nga ngjarjet dhe veprimtaritë më të rëndësishme të historisë së artit shqiptar. I pari që kishte hapur një ekspozitë vetjake ishte Vangjush Mio, që në nëntor 1920. Më pas, ishte shoqëria “Rozafa” në Shkodër që organizoi veprimtarinë më të madhe të asaj kohe – ekspozoi për herë të parë midis vizitorëve shkodranë tablotë e piktorëve Kol Idromeno, Ndoc Martini, Simon Rrota, Andrea Kushi, Zef Kolombi dhe të autorëve të tjerë. Ekspozita e parë në qytetin e Tiranës u hap nga Vangjush Mio më 1928, disa vjet pas veprimtarive në Korçë dhe në Shkodër, por me fillimin e viteve të ’30-ta Tirana kryeqytet u bë qendra e veprimtarive kombëtare të artit. Më 10 maj të vitit 1931 dy prej artistëve të rinj të asaj kohe, Odhise Paskali dhe Qenan Mesarea, e themeluan shoqërinë “Miqtë e Artit” me synimin për “zhvillimin e artit në çdo manifestim të tij”.

Një të diel maji të vitit 1931, në lulishten rreth “Kursalit”, në qendër të Tiranës, u mblodhën qindra banorë të kryeqytetit për ceremoninë e hapjes. Mirëpritja e vizitorëve ishte e jashtëzakonshme. “Ekspozita e Artit e mrekulloi publikun e Tiranës me kuptimin e lartë që fshihej nën bukurinë e shkëlqimit të saj”. Në krye të ekspozitës ishin vendosur veprat e dy artistëve që nuk jetonin më: portreti “Doktor Prela” i vitit 1914 nga Ndoc Martini dhe busti “Skënderbeu” i vitit 1917 nga Murad Toptani. Artistët që u evidentuan midis 15 autorëve të kësaj veprimtarie ishin Idromeno, Paskali dhe Mio. Piktori Qenan Mesarea ekspozoi numrin më të madh të punimeve, 34 akuarele!

Ndërkaq, sipas shkresës së Ministrisë së Arsimit, me datë 29 janar 1932, Komiteti Artistik themeloi Shkollën e Vizatimit. Shkolla drejtohej nga Prof. Mario Ridola, i ndihmuar nga Andrea Thanas, profesor gjimnazi. “Interesimi midis të rinjve ishte shumë më i madh nga sa mund të mendohej në atë kohë. U paraqitën 150 kandidatë, djem e vajza. Aty hodhën hapat e parë piktorët dhe skulptorët e ardhshëm që sot përbëjnë brezin e traditës shqiptare, si S. Kaceli, F. Stamo, N. Zajmi, K. Kodheli, Ll. Nikolla, B. Sejdini, Q. Grezda, A. Cangonji, S. Tuçi etj”, shkruan në studimin e tij “Arti në vitet e Mbretërisë” studiuesi Ferid Hudhri. Sipas tij, gjatë viteve ’30-të u ngritën për herë të parë shtatoret prej bronzi në sheshet e qyteteve shqiptare të figurave më të rëndësishme si në emër ashtu edhe në simbolika.

Gjithashtu, nën kujdesin e Mbretit Zog u zhvillua Konkursi Ndërkombëtar për Monumentin e Skënderbeut, një konkurs që zgjati nga qershori deri në nëntor të vitit 1937, duke ftuar në pjesëmarrje artistë nga vende të ndryshme të Europës.

Ndërkohë, në vitin 1937, për herë të parë, dy artiste të reja shqiptare, Androniqi Zengo dhe Pina Mosku, kanë çelur ekspozitat e para në Tiranë, në të njëjtën ditë, më 4 dhjetor të vitit 1937. Ndërsa motra e Androniqit, Sofika Zengo, pikturonte në Korçë, ndërsa skulptorja e parë shqiptare Kristina Koljaka studionte në Akademinë e Arteve të Romës.

Prej artistëve që erdhën gjatë viteve ’20-’30 për të pikturuar portretin e Mbretit, u pasurua më shumë edhe Tirana e fundviteve ’30-të, koleksioni i veprave të tjera me motive shqiptare. Gjatë kohës që pikturonin në familjen mbretërore, autorët e huaj krijuan edhe peizazhe, portrete e tablo me temë nga jeta e përditshme në kryeqytet dhe krahina të tjera të vendit. Edhe pse është bërë pak që të ketë një rikthim të këtyre veprave të artit me sfond Mbretërinë Shqiptare, sërish ato mbeten dera e njohjes për dekada nga të huajt për Shqipërinë.

Mbrëtëria dhe emrat e viteve ’30 në mendimin dhe artin shqiptar

Periudha e shkrimtarëve të viteve ’30 është pa dyshim ajo e emrave që vijojnë të mbeten pjesë e rëndësishme e artit, letërsisë dhe mendimit shqiptar. Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Mehdi Frashëri, Mithat Frashëri, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Krist Maloki, Ismet Toto, Anton Harapi, Zef Valentini, Branko Merxhani, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Nebil Çika, Asdreni, Fan. S. Noli, Faik Konica, Pashko Gjeçi, Arshi Pipa, Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci, Nonda Bulka e shumë autorë të tjerë, që jo pak herë kanë nënshkruar me pseudonime, për shkak të të qenurit në opozitë të fortë me regjimin e Mbretit Zog, bënë histori për Shqipërinë në fushën e letërsisë, publicistikës, përkthimit dhe filozofisë. Ata ishin Rilindja Kombëtare, ku u debatua jo thjesht rryma filozofike dhe letrare, por edhe orientimi kulturor. Në këtë fushë pa dyshim krijimi i shtetit dhe institucioneve i dha udhë edhe ndërtimit të një mendimi dhe kulture që përfaqësonte një rrafsh të ri, ndryshe nga të qenurit thjesht “patriotik” siç kish ndodhur deri në vitin 1912, e në mos edhe deri në dhjetor 1924, kur vendi u përball me disa qeveri, grushte shtetit, revolucione e kundërrevolucione.

Debatet e hedhura në publik nga Mehdi Frashëri, Gjergj Fishta, Krist Maloki, Anton Harapi, Branko Merxhani, Ismet Toto, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Nebil Çika ishin pikëpyetjet që i duheshin shoqërisë shqiptare. Ata zgjodhën të ishin origjinalë në betejën e tyre për një mendim shqiptar. Këtë liri të debatit e tregon edhe numri i madh i organeve mediatike siç ishin: “Minerva”, “Ora”, “Illyria”, “Drita”, “Zani i Naltë”, “Demokracia”, “Hylli i dritës”, “Leka”, “Tomori”, “Bashkimi i Kombit”, “Fryma”, “Fashizmi”, “Tomori i vogël”, “Bota e re”, “Përpjekja shqiptare”, “Dielli”, “Kombi”, “Albania”, “Drita”. Këto ishin organe të specializuara, me përmbajtje politike, shoqërore, fetare e letrare.

Prej një ndryshimi të fortë, që erdhi edhe për pasojë të ndërtimit të institucioneve dhe konceptit të shtetit e kombit në një frymë me legjislacion që u mor nga perëndimi, Shqipëria fitoi emrat e Kutelit, Fishtës, Potradecit, Nolit, Migjenit, Asdrenit, Koliqit dhe shumë të tjerëve, që sollën më në fund origjinalen në letraren shqipe, në mendimin shqip dhe në artin pamor – një hap që nuk u zhduk dot kurrë pavarësisht përpjekjes së diktaturës që ta çonte në harresë ose ta lexonte ideologjikisht.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X