loader image
September 28, 2025

Dritëhijet e Mbretit

Nëse historianët e shkollës së vjetër e demonizuan figurën e Zogut (kurse tash e quajnë “protagonist kontradiktor të historisë shqiptare”), historianët e shkollës së re e vlerësuan kontributin e tij për modernizimin dhe përparimin e shtetit shqiptar. Historiografia jonë është historiografi e ekstremeve. Je i mirë ose i keq. I glorifikuar ose i demonizuar.

Salajdin SALIHU, Tetovë

Politikani nuk është shenjt. Veprimet e tij mund të ngjallin admirim ose kundërshti. Sipas Stefan Cvajgut, kush dëshiron të jetë i përkorë, i qashtër dhe pa mëkate, duhet t’i ngrys ditët në vetmi.

Në sferën politike, ku priten interesa të mëdha, që çojnë në konflikte e mëkate të mëdha, ndodh që në ag të jesh hero dhe në muzg të jesh tradhtar.

Që ta analizosh veprimtarinë e një politikani, duhet të marrësh në konsideratë sukseset dhe dështimet e tij, por edhe rrethanat dhe kontekstin historik, shoqëror e kulturor.

Kështu duhet analizuar edhe veprimtaria e Mbretit Zog, që është demonizuar dhe vlerësuar, por nuk mund të përjashtohet nga historia shqiptare, ku zë vend shumë të rëndësishëm.

Ahmet Zogu, një politikan shumë i pushtetshëm, nuk ishte as engjëll dhe as djall. Ai pati suksese dhe dështime. Karriera e tij politike e ka anën e ndritshme dhe të errët.

Disa historianë panë dhe vazhdojnë të shohin në figurën e tij vetëm dështime e vese, kurse të tjerë panë dhe shohin vetëm suksese e virtyte. Për të parët ai është tradhtari, kurse për të dytët është atdhetari.

Nëse historiografia e periudhës komuniste e quajti Ahmet Zogun “tradhtar” dhe “satrap”, pas rënies së sistemit monist u fol edhe për meritat e tij, veçanërisht në formësimin e shtetit modern shqiptar.

Nëse historianët e shkollës së vjetër e demonizuan figurën e Zogut (kurse tash e quajnë “protagonist kontradiktor të historisë shqiptare”), historianët e shkollës së re e vlerësuan kontributin e tij për modernizimin dhe përparimin e shtetit shqiptar.

Historiografia jonë është historiografi e ekstremeve. Je i mirë ose i keq. I glorifikuar ose i demonizuar.

Historiografia shqiptare nuk ka shfaqur interesim për ta rivlerësuar figurën e Mbretit Zog edhe pse ai e mbizotëroi skenën politike të Shqipërisë si kryeministër, president dhe si mbret.

Politikani me disiplinë ushtaraku

Ahmet Zogu ishte drejtuesi shtetëror me disiplinë ushtaraku. Ai punonte në kabinetin e tij nga agu deri në muzg, duke pirë vazhdimisht cigare, sa u quajt “oxhaku njerëzor”.

Ai u rrit në familje feudale, kurse në Europë njohu organizimin e shoqërisë moderne, që mëtoi ta impononte në Shqipërinë e udhëhequr prej tij.

Ahmet Zogu ishte pjesë e proceseve politike nga mosha e re, duke filluar nga shpallja e Pavarësisë, kur ishte 17 vjeç. Në moshë të re shërbeu si ministër i Brendshëm, kryeministër, president i Republikës, por edhe si Mbret i Shqiptarëve.

Ai e përjetoi rënien nga pushteti dhe ekzilin më 1924, por edhe rikthimin triumfator në kulmin e pushtetit, kurse më pas drejtoi një shtet të brishtë dhe të paqëndrueshëm politikisht; të kërcënuar nga jashtë, veçanërisht nga shtetet fqinje; të varfër në aspektin social dhe të prapambetur kulturalisht.

Zogu kishte shumë armiq dhe u mbijetoi shumë atentateve, por edhe u akuzua si urdhërdhënës i atentateve kundër Avni Rustemit, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit apo Hasan Prishtinës.

Në kohën e përplasjeve, të armiqësive dhe të intrigave të mëdha politike, qoftë nga brenda ose nga jashtë, Zogu krijoi një regjim autokratik, kurse në planin ndërkombëtar veproi sipas kryefjalës së Aristotelit: “Të dashur miq, nuk ka miq”.

Dështime dhe suksese

Ka historianë që Zogut ia zënë për të madhe vendosjen në Beograd pas “Revolucionit të Qershorit”, por në kohë trazirash ai mundi të largohej nga vendi vetëm në drejtim të Mbretërisë SKS. Zogu donte vetëm përkohësisht të qëndronte aty, para se të nisej drejt Europës. Gazeta “Politika” e Beogradit raportoi më 26 qershor 1924 se Ahmet Zogu, i vendosur në Shkup, do të udhëtonte në Beograd e pastaj do të nisej drejt Europës. Një ditë më pas, po kjo gazetë raportoi se bashkëpunëtorët e Zogut kishin arritur në Sarajevë dhe prej aty, bashkë me Zogun, do të niseshin drejt shteteve europiane. Gazeta e njëjtë raportonte më 28 qershor se Zogu do të nisej drejt Parisit. Ndërkohë, qeveria e Nolit e akuzonte Beogradin se i përkrahte forcat e Ahmet Zogut.

Zogu akuzohet edhe për “marrëveshjen” me Nikolla Pashiqin më 1924. Sipas disa historianëve, Zogu “lau borxhin ndaj serbëve” që e ndihmuan të rikthehej në Shqipëri për ta rrëzuar qeverinë e Fan Nolit. Sipas historianit Hasan Bello, shumica e studiuesve shqiptarë i referohen vetëm një letre pa firmë, pa vulë, pa numër protokolli dhe pa simbolikën e një dokumenti zyrtar, që nuk dihej si kishte ardhur në Shqipëri dhe gjendet në arkivin e Ministrisë së Jashtme. Këtë “marrëveshje”, sipas Bellos, asnjë historian serioz dhe specialist i arkivave nuk e konsideron nga pikëpamja shkencore si dokument.

Ahmet Zogu gjithashtu u kritikua se i përqendroi pushtetet në duart e veta; se persekutoi kundërshtarët politikë; se ia fali Shën Naumin dhe Vermoshin Mbretërisë SKS. Në veçanti i zihet për të madhe largimi nga vendi menjëherë pas pushtimit italian më 1939, pa organizuar rezistencë kundër pushtimit italian.

Shqipëria nuk kishte kapacitete t’i kundërvihej ushtarakisht një Italie të fuqishme. Zogu mbase do ta ruante pushtetin në marrëveshje me Italinë, por ai nuk pranoi që Shqipëria të bëhej protektorat italian. Në këtë mision nuk gjeti përkrahje as nga faktori ndërkombëtar. U largua nga vendi me shpresën se do të rikthehej, por kjo nuk ndodhi kurrë.

Zogu vlerësohet se hodhi themelet e shtetit modern shqiptar; se e krijoi shkollën kombëtare publike; se dërgoi qindra studentë shqiptarë me bursa jashtë shtetit; se mbështeti një elitë mendore me orientim perëndimor; se ndërmori reforma për emancipimin e gruas.

Kur jemi tek elita intelektuale shqiptare e kësaj kohe, duhet të pranojmë se ishte nga më të diturat në historinë shqiptare, edhe pse veproi në një vend me përqindje shumë të lartë analfabetizmi. Në këtë periudhë u shquan mendimtarë si Branko Merxhani, Vangjel Koça, Anton Harapi, Tajar Zavalani, Nebil Çika etj.

Zogu në sytë e të tjerëve

Zogu u portretizua nga diplomatët dhe autorët e huaj herë si një monark absolut e herë si një udhëheqës i aftë. Herë si politikani më i rëndësishëm shqiptar i shekullit XX e herë si nacionalist i palëkundur.

Njëri nga kritikuesit më të mëdhenj, Fan Noli, e quajti farsë oksidentalizmin e Zogut, kurse Faik Konica, që shërbeu si ambasador në SHBA, në fillim e lavdëroi e pastaj e shau.

Edhe shtypi ballkanik, veçanërisht ai serb, herë e lavdëroi e herë e kritikoi Zogun. Madje, e quajti dinak, që i mashtronte autoritetet e Mbretërisë SKS.

Shtypi bullgar e miratoi afërsinë e Zogut me Italinë, sepse e shihte të dëmshëm një afrim të mundshëm të Shqipërisë me Serbinë.

Në këtë vijë është shkrimi i publicistit bullgar Srebren Poppetrov (1870-1950), që shërbeu si inspektor për veprimtarinë arsimore dhe kishtare të bullgarëve në Shqipëri.

Në shkrimin “Raportet ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë” (Sofje, 1933), Poppetrovi e vlerësoi Mbretin Zog si “shqiptar të pastër për nga arsimimi, idealet dhe luftën që bën për lirinë e Shqipërisë”. Ai shkroi se me “dijen, taktin, heroizmin dhe vetëflijimin, Zogu ishte nderi i shqiptarëve dhe i Shqipërisë”. E vlerësoi se e kishte modernizuar shtetin shqiptar; se kishte krijuar ushtri moderne dhe me eprorë që i shërbenin atdheut me ndjenjë atdhedashurie (që nuk rezultoi e saktë gjatë pushtimit italian më 1939); se kishte hapur shkollat kombëtare, ku i jepej rëndësi zhvillimit kulturor e fizik që të krijohej popull i aftë dhe i shëndetshëm; se e kishte larguar vendin nga traditat arkaike; se e kishte ndaluar gjakmarrjen; se kishte kontribuuar për emancipimin e gruas; se Shqipëria nën udhëheqjen e tij kishte shënuar përparim në planin kulturor; se në vend botoheshin shumë gazeta, revista dhe libra shkollorë, shkencorë e artistikë; se kishte dhjetëra shtypshkronja moderne; se në Shqipëri nuk kishte skandale dashurie apo morale dhe as poligami; se rrugëve rrallë shihje të dehur; se rrallë flitej për vjedhje e vrasje dhe nuk kishte më vetëvrasje nga mjerimi.

Poppetrovi shënoi gjithashtu se Zogu qe detyruar ta merrte pushtetin e plotë duke u bërë mbret, sepse kishte shumë armiq brenda e jashtë vendit. Disa donin ta largonin nga pushteti dhe ta zinin vendin e tij. Të dytët ishin nën ndikimin e helenizmit. Të tretët ishin fanatikët fetarë. Të katërtit paguheshin prej serbëve dhe grekëve. Por, kundërshtarët e tij ishin të dobët dhe pa ndikim në shoqëri. Përveç kësaj, Zogu kishte pakt me Italinë, që ishte “politika më shpëtimtare për Shqipërinë e sotme”, sepse “Italia ishte e madhe, kulturore, e fuqishme, që garantonte kufijtë e Shqipërisë kundrejt pretendimit të Greqisë dhe Serbisë”. Ky autor besonte se Italia do ta ndihmonte Shqipërinë me kuadro dhe me mjete financiare për zhvillimin kulturor, shkencor, tregtar, industrial e bujqësor. Këtë bashkëpunim e shihte si të natyrshëm, kurse një pakt me Serbinë do ta fuste Shqipërinë në rreth të panjohur.

Pavarësisht se çfarë u tha për Mbretin Zog, sot është koha që historiografia shqiptare të fillojë me rivlerësimin e këtij personaliteti shumë të rëndësishëm në historinë shqiptare. Dhe, rivlerësimin mund ta bëjnë vetëm historianët që nuk e demonizuan paraprakisht për qëllime ideologjike.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X