loader image
September 28, 2025

Nga monarkia deri te pushtimi i Shqipërisë

Politika e Zogut, sidomos politika e jashtme e tij, mund të gjykohet në mënyra të ndryshme. Megjithatë, duhet të pranojmë se Parimi themelor i politikës së Zogut ishte “piemont i çështjes shqiptare ishte Shqipëria dhe jo Ko­sova”. Parë në aspektin se çfarë bëri Zogu për të krijuar një politikë prokosovare, duket se karakterizohet nga një dimen­si­on i zbehtë, por shikuar nga aspekti s çfarë bëri për Shqipë­ri­në për ta shpëtuar nga kundërthëniet e brendshme, për kriji­min e një shteti modern, për frenimin e helenizimit të jugut të Shqi­përisë, duket se ai dha dëshmi të fuqishme shqiptarizmi në po­litikën e vet.

Lush CULAJ, Prishtinë

Në vitet e para pas rikthimit, politika e Zogut synonte fillimisht konsolidimin e regjimit të tij, që për situatën në ato vite do të thoshte konsolidimin e shtetit të brishtë shqiptar. Shqipëria, në kuadër të kësaj politike, u bë strehë për emi­gracionin po­litik kosovar të çdo niveli gjatë viteve 1925-1939. Më 1 shtator 1928 Zogu u shpall Mbret i Shqiptarëve. Qeveria jugo­sllave u përpoq që ai ta ndërronte titu­llin e tij në “Mbret i Shqipërisë”, por pa sukses. Kurorëzimi “Mbret i Shqiptarëve” dhe jo “Mbret i Shqipërisë”, që u referohej edhe shqiptarëve që jetonin jashtë kufijve të shtetit shqiptar, shkaktoi reagime të ashpra në qeverinë e Beogradit, e cila shihte pretendimet për t’i përfshirë nën kurorën e tij popullsinë dhe territoret shqip­ta­re që ndodheshin në kuadër të Jugosllavisë.

Zogut iu bë presion i hapur, por i pasuk­ses­shëm. Pasi u bind se nuk ka mbështetje ndërkombëtare, Beogradi u detyrua ta pranonte titullin e mbre­­tit, i cili me asgjë nuk dallonte nga ata që i bartnin ho­mologët e tij në Ballkan e gjetiu. SHBA-ja ishte ndër të parat që e njohu Zogun për mbret. Para së gjithash, Zogu arriti njëfarë uniteti të vendit, duke krijuar rend nga anarkia, por edhe push­teti i tij karakterizohej nga korrupsioni dhe nga papër­gjegjësia. Atdhe­tarët shqiptarë, e madje edhe Mbreti vetë, e shihnin rrezikun që u kanosej nga fqinji i fuqishëm përtej Adriatikut, por rrethanat politike i detyronin të kishin një aleat të tillë. Nga ana tjetër, Jugosllavia mbante të push­tuara shumë treva dhe bashk­at­dhetarë tanë dhe prapë as kjo nuk i mjaftonte. Ata në vazhdi­mësi ngritën kurthe dhe turbu­llira në Shqipëri.

Politika e Zogut, sidomos politika e jashtme e tij, mund të gjykohet në mënyra të ndryshme. Megjithatë, duhet të pranojmë se Parimi themelor i politikës së Zogut ishte “piemont i çështjes shqiptare ishte Shqipëria dhe jo Ko­sova”. Parë në aspektin se çfarë bëri Zogu për të krijuar një politikë prokosovare, duket se karakterizohet nga një dimen­si­on i zbehtë, por shikuar nga aspekti s çfarë bëri për Shqipë­ri­në për ta shpëtuar nga kundërthëniet e brendshme, për kriji­min e një shteti modern, për frenimin e helenizimit të jugut të Shqi­përisë, duket se ai dha dëshmi të fuqishme shqiptarizmi në po­litikën e vet.

Shumë studiues të historiografisë shqiptare i përm­ba­hen mendimit se Zogu i ka luftuar nacionalistët shqiptarë të lidhur me Kosovën deri në eliminim fizik. Në fakt, historia e atentateve politike në jetën e shqiptareve të viteve 20-30-të është shumë e diskutueshme. Mund të besohet se Zogu i ka lloga­ri­tur ato si mjete mbijetese, kështu që ai u është kundër­për­gjigjur qartë dy herë atentateve, pas atentatit që ia bënë më 1923 para Kuvendit dhe pas atentatit që ia bënë në Vjenë më 1931. Në të dyja rastet ai ka qenë një hak­marrës i sukses­shëm. Vrasja e Hasan Prishtinës është më e komentuara dhe më e dhimbshmja për nacionalistët kosovarë. Ai përpiqej që përmes atentateve ta likuidonte Zogun. Megjithatë, likui­dimi i Hasan Prishtinës më 14 gusht 1933, u krye nëntë vite pas rikthimit të Zogut, kur ai e kishte bukur të konsoliduar pushtetin e brendshëm. Vrasja u krye në momen­tin kur marrëdhëniet shqiptaro-italiane ishin në acarim të plotë dhe ai, si udhëheqës i nacionalizmit shqiptar, mund të llogaritej nga Qeveria e Italisë si zëvendësues i mundshëm i Ahmet Zogut në Tiranë. Por, që synimi kryesor i Ahmet Zogut ishte stabi­lizimi i pushtetit dhe jo thjesht antipatia ose armiqësia për individë të caktuar, kjo provohet jo vetëm nga qëndrimi i tij ndaj lobit proitalian (rastet e M. Libo­hovës, Sh.Vërlacit, H. Prishtinës, etj.), por edhe nga veprimet ndaj lobit projugosllav në Shqipëri.

Duke mos e harruar edhe barrën e problemit të pazgji­dhur kombëtar, që rëndonte mbi qeveritë e Zogut me dekretet që nxorën për vëllezërit e tyre, do të bënin që t’iu lehtësohet vuajtja mijëra muhaxhirëve të përzënë nga tokat e tyre në këtë shtet. Dekreti për dhënie tokash, si dhe ndihma në franga ari, do të fliste shumë. Legjislacioni i viteve 20-30-të, posaçërisht ai i periudhës pas vitit 1925 (Rregullore për zbatimin e ligjit mbi instalimin e emigrantëve dhe të bujqve në tokat shte­tërore, 1925), i detajuar veçanërisht në Ligjin mbi Reformën Agrare të vitit 1930 (dekretuar më 3 maj 1930) dhe në Dek­retligjin mbi Vendosjen e emigrantëve të vitit 1931 (2 shtator 1931) në zbatimin e së cilës (në krye të Drejtorisë për In­sta­li­min e Emigrantëve) u caktua pikërisht një shqiptar nga Ko­sova, Sali Vuçiterna, ish-ministër i Punëve Botore në dy qeveri (në Qeverinë e A. Zogut, 11.05-1.09.1928 dhe të K. Kotës 5. 9. 1928-5.3.1930), ishte një dëshmi e synimit dhe e përpjekjeve të sipërpërmendura, që u konkretizua me siste­mimin kryesisht në toka-prona të shtetit shqiptar, në Pre­fekturat e Fierit dhe Durrësit, të mijëra familjeve nga Kosova e vise tjera shqiptare në Jugosllavi, përkatësisht të mbi 20.000 të shpërngulurve nga viset shqiptare në Jugosllavi. Në vitet ’30-të, vëmendja ndaj ele­men­tit shqiptar në Jugosllavi nuk u shkëput për asnjë moment.

Qëndrimet e shtetit shqiptar, në veçanti të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për trupin diplomatik që të hynte në lidhje dhe të përkrahte emigrantët kosovarë, e deri takimet e vetë Zogut në vitet 1930-të, 1933 etj. me krerë kosovarë, gjegjësisht emi­grantë, si p.sh. me Bedri Pejanin etj., ose pritja e një de­legacioni të lëvizjes kosovare në vitin 1933 dhe oferta për bashkëpunim “për hir të atdheut” etj., dëshmojnë rritjen e përpjekjeve të qeverive të Shqipërisë së asaj periudhe në të mirë të çështjes së Kosovës, duke rritur edhe bashkëpunimin me të gjithë elitën politike kosovare, brenda ose jashtë Ju­gosllavisë, që ishte e gatshme për një gjë të tillë. Aleanca jo fort e dukshme midis Tiranës zyrtare dhe Komitetit të Ko­sovës në këtë periudhë vërehet, ndër të tjera, edhe në rolin jo të vogël të Qeverisë shqiptare për botim në Konstancë (Rumani) të gazetës “Kosova” (nga maji 1932-qershor 1933) si një organ për ta sensibilizuar opinionin për çështjen e Ko­sovës, e gjithashtu në aktivizimin e Bedri Pejanit në dele­gacionet jozyrtare shqiptare në disa konferenca ballkanike etj. Edhe kjo është një dëshmi e fuqishme e mbështetjes së ele­mentit kosovar dhe çështjes së Kosovës.

Përmendim, për shembull, rastin e tre klerikëve katolikë të arratisur nga Jugosllavia, Shtjefën Kurtit, Gjon Bisakut dhe Luigj Gashit, pas vrasjes atje të At Shtjefën Gjeçovit, si dhe dërgi­min prej tyre më 1930 në adresë të sekretarit të Për­gjithshëm të Lidhjes së Kombeve, Erik Drynondit, të një promemorieje të detajuar për gjendjen e rëndë të shqiptarëve atje etj.

Personalitete të ndryshme nga Kosova, në këtë kuadër, që plotësonin kriteret e cilësive dhe natyrisht që ishin besnikë e dëshironin të shërbenin në administratën e Shqipërisë u emëruan në poste të ndryshme civile e ushtarake (mund të evidentohen rastet e Sali Vuçiternit, nipit të Isa Boletinit, Ta­fil Boletini etj.) dhe patën detyra me rëndësi në administratën shqiptare. Të tjerët, si Ali Riza Kosova, Hysni Peja, Mehmet Delia etj., patën detyra po kaq të rëndësishme në ushtrinë e xhandarmërinë shqiptare etj. Në këtë kuadër, personalitete të elitës shqiptare nga Kosova, që jetonin në Jugosllavi, patën mbështetje në mënyrë të ndryshme nga qeveritë shqiptare. (Rasti i Ferhat Dragës, i cili familjarisht ishte i garantuar se do të kishte përkrahjen e Shqipërisë, madje edhe financohej për të mos u penguar në përpjekjet për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Jugosllavi). Këtë e dëshmon edhe Ambasada e Shqipërisë në Beograd më 23 mars 1936, e cila i raportonte ministrit të Jashtëm, Asllani, se Ferhat Draga, për shkak të mosdërgimit të shpërblimeve mujore të caktuara me kohë, ndodhej në një gjendje të vështirë financiare. “Duke marrë parasysh shërbimet me plot rreziqe që është duke kryer, ju lutemi të keni mirësinë dhe të ndërmjetësoni ku duhet për dër­gimin e pagesës për shërbimet e muajve janar-mars 1936.” Në të njëjtën periudhë kohore, raportet mes mbretit Zogu dhe Mustafa Ataturkut nuk ishin të mira. Ferhat Draga u nxit nga shteti shqiptar që të shfrytëzonte lidhjet personale për të dërguar deri në kabinetin e Ataturkut shqetësimin e shqip­tarëve për Konventën e njohur turko-jugosllave të shpër­nguljes së vitit 1938. Kjo përpjekje diplomatike e pati efekt­in e vet, sepse u mor premtimi nga Ataturku se do të ndi­konte që ajo Konventë të mos ratifikohej dhe shqiptarët të mos dëbo­heshin prej saj.

Vlen për t’u theksuar se në gjysmën e dytë të viteve 30-të, veçanërisht gjatë vitit 1938, vit i cili në are­nën ndërkombëtare karakterizohet nga lakimi gjerësisht i çështjes së minoriteteve dhe të drejtave të tyre (kulmi i traj­timit, pavarësisht nga spekulimet e shteteve fashiste, u bë në mbledhjen e Munihut), Zogu e shfrytëzoi edhe interesimin italian për ta gjallëruar irredentizmin te shqiptarët dhe i la hapësirë rigjallërimit të Komitetit të Kosovës në Shqipëri, pa llogaritur aktivizimin në këtë drejtim të nëpunësve të tij të besuar me origjinë nga Kosova.

Qëllimi i shtetit shqiptar për ruajtjen e Kosovës shqip­tare, në pritje të koniunkturës së favorshme ndërkombëtare, që do të lejonte korrigjimin e padrejtësive të bëra në forumet ndërkombëtare të njohura të viteve para e pas Luftës së Parë Botërore, e përcaktoi edhe veprimtarinë diplomatike dhe eko­no­mike të qeverive shqiptare të viteve 20-30-të, veçanërisht të periudhës 1925-1939, për të penguar shpërnguljen e shqip­ta­rë­ve nga viset e veta në Jugosllavi. Këtu do të duhej për­mendur veprimtaria e përfaqësive diplomatike shqiptare, ve­çanërisht në Shkup – kryekonsullata, në Manastir – konsu­lla­ta, në Beo­grad – ambasada, në Selanik – konsullata, në Stam­boll etj.

Mbretëria Shqiptare dha kontribut të çmuar në favor të çështjes kombëtare për Kosovën edhe në fushën e arsimit. Mund të vlerësohet pa hezitim që politika e sipërpërmendur e diplomacisë shqiptare, e drejtuar nga Mbreti Zog, por edhe e dikastereve të tjera të qeverisë shqiptare në favor të elementit shqiptar në Jugosllavi, ishte për t’u vlerësuar lart. Edhe për­kundër mundësive të kufizuara që kishte në periudhën në fja­lë, shteti shqiptar u përpoq të ndikonte për ta frenuar politikën e spastrimit etnik në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, për t’u ardhur në ndihmë familjeve të shpër­ngu­lura, për të arsimuar dhe formuar me ide kombëtare elemente të brezit të ri kosovar, si dhe për të kultivuar sa më masivisht në viset shqiptare nën sundimin e huaj ndjenjat më të mira për “shtetin amë” dhe besimin se ai nuk i kishte braktisur.

Në periudhën midis dy luftërave botërore, çështja e Kosovës dhe e trevave të tjera shqiptare në Jugosllavi vazhdoi të jetë gjithmonë e gjallë dhe e pranishme, si për shkak të ruajtjes së strukturës etnike shqiptare në këto territore, e që i dallonte ato në mënyrë të dukshme nga popullata sllave e shtetit jugosllav, ashtu edhe të këmbënguljes së shqiptarëve për të realizuar aspiratat e tyre për t’u çliruar nga zgjedha e huaj e për t’u bashkuar me shtetin e pavarur shqiptar. Zogu ishte një politikan bri­lant dhe një patriot kontribuues deri në vitin 1924. Më pas e bjerri patriotizmin dhe shkëlqimin duke i zëvendësuar këto tipare me cilësitë e një burri të vërtetë shteti nga viti 1924 e deri më 1933. Pas vitit 1936 filloi rënia e tij. Nëse shihet më me vëmendje, duket sikur në fund të viteve ’30-të, pavarësisht kërcënimit italian, Zogu e kishte kon­su­muar suksesin qeverisës. I kishte mbetur pak nga frymëzimi i rinisë, i ishte zbehur idealizimi që e kishte bërë djaloshin e ri faktor për krijimin e shtetit shqiptar.

Italia dhe Jugosllavia do ta kenë të përbashkët politikën e nënshtrimit ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, me të vetmin ndryshim se Roma shtrirjen e saj në hapësirën shqip­tare e li­dhte me qenien e shtetit shqiptar të mbikëqyrur prej saj, ndër­sa Beogradi synonte copëtimin e Shqipërisë në shu­më pjesë, në mënyrë që ai të mos bëhej fare, sepse vetëm ashtu ndihej e sigurt. Gjithashtu mund të konkludohet se Italia e dëshironte një Shqipëri nën tutelën e saj të plotë, por nuk kishte plane për t’i zhdukur shqiptarët nga etnia e tyre siç kërkonte dhe vepronte Beogradi. I vetëdijshëm për rolin dhe rëndësinë e Italisë dhe të Jugosllavisë për çështjen shqip­tare, si dhe për mundësitë e ndikimit të saj prej tyre, por po ashtu i vetë­di­j­shëm se për t’u mbajtur dhe mbrojtur kishte përherë “xho­kerin” tepër të fuqishëm anglez, të siguruar nga koncesionet që u kishte dhënë firmave britanike në fushën e naftës dhe të resurseve të rëndësishme natyrore të vendit, Zogu do të sillet me shkathtësi dhe natyrisht për të nuk ishte punë e lehtë pa vështirësi. Por, cilat veprime mund të konsiderohen jonacionaliste dhe cilat nacionaliste që i përshkruhen politikës të Zogut?

Veprime dhe sjellje politike të regjimit zogist kundër nacionalizmit shqiptar në burimet e shkruara shqipe konside­rohen: ngritja kundër qeverisë së Hasan Prishtinës, ngase asaj i frikësoheshin se do t’i fuste në luftë me Jugosllavinë (1921); përpjekja për heqjen e mandatit të deputetëve të Kosovës nga grupi parlamentar i tij më 1921; braktisja e çështjes së Koso­vës për shkak të normalizimit të marrëdhënieve me Jugo­sllavinë (1922); shkarkimi i nëpunësve kosovarë nga admi­nistrata shtetërore pas protestave jugosllave (1923); zhbërja e Zonës Neutrale të Junikut (1921-1923) në bashkë­punim me ushtrinë serbe, me sugjerimin ndërkombëtar dhe për hir të qetësisë në Shqipëri; ndihma për kthimin në pushtet nga qeveria jugosllave (1924) ndonëse sinjali erdhi nga Anglia; ndërprerja e veprimtarisë së Komi­tetit të Kosovës, ndonëse ai në një formë ishte jofunksional (1925); kërkimi i ndihmës ekonomike nga Serbia (1925). Profili jonacionalist i presi­dentit Zogu, e më vonë i Mbretit Zog, është zanafilla e gati të gjitha pushteteve poli­tike në Shqipëri ndaj çështjes kom­bë­tare.

Mirëpo, pavarësisht klasifikimit të zogizmit si vijë e antinacionalizmit shqiptar, për çfarë mund t’i bëhen dhe i janë bërë vërejtje të shumta, për t’i vlerësuar dy anët e medaljes duhet vlerësuar veprimet politike zogiste që përkojnë me logjikën e nacionalizmit shqiptar, si: rezistenca e armatosur ndaj ushtrive pushtuese serbe më 1913; kontributi për mbaj­tjen dhe mbroj­tjen e Kongresit të Lushnjës 1920; futja e qy­tetit të Shkodrës nën administratën e Qeverisë së Lushnjës; kontributi në protestën dërguar Konferencës së Paqes në Paris, ku kërkohej Shqipëri etnike; lufta kundër intervencionit jugosllav më 1920; mashtrimi i jugosllavëve më 1925; neni i pestë i paktit sekret me Italinë më 1925: “Nëse operacionet e përbashkëta (shqiptaro-italiane kundër Mbretërisë SKS) do të përfundojnë me marrje të kompensimeve territoriale, Italia detyrohet t’ia japë Shqipërisë territoret e banuara me popullsi në të cilat shumica flet shqip”; protesta në Lidhjen e Ko­m­beve ndaj caktimit të kufijve me Greqinë për shkak të njëanshmërisë në dëm të Çamërisë më 1925; demaskimi i kundërshtimit të politikës projugosllave të dhëndrit të tij, Cena Beu, më 1927; caktimi i më­vonshëm i përfaqësuesve diplomatikë në Beograd, të dësh­muar kombëtarisht, si Rauf Fico, Tahir Shtylla etj; këmbëngulja e përher­shme për reciprocitet marrëdhëniesh me Greqinë dhe letra drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve lidhur me këtë problem në prill 1928; ngritja e po këtij problemi në Këshillin e Lidhjes së Kombeve në qershor 1928, ku qeveria zogiste paralajmëroi për reci­procitet sjelljen e njëjtë ndaj minoritetit grek në Shqipëri; emërtimi “Mbret i Shqiptarëve”, trajtimi i emigrantëve ko­sovarë dhe çamë shumë mirë në su­aza të mundësive, ngritja e çështjes së minoriteteve shqiptare në Jugosllavi dhe Greqi në konferencat ballkanike, etj. Gjith­ashtu, brenda Shqipërisë Zogu kultivoi një frymë na­cio­naliste dhe një edukatë kombëtare që ndikoi në vendosjen e Kosovës në memorien his­torike të shqiptarëve si një pjesë natyrale e kombit shqip­tar.

Ahmet Zogu dëshironte të shfaqej si një mbret perë­ndimor dhe nuk mund të mohohet se ai e synonte sinqerisht një oksidentalizëm të vendit të tij. Bashkëkohësi, kundërshtari dhe përfaqësuesi diplomatik i tij në SHBA, Faik Konica, do të shprehej për të: “Pavarësisht se a e duam apo e urrejmë, Zogu mbetet një karakter çuditërisht enigmatik, gjysmëhero dhe gjysmëpalaço, i cili për një kohë të gjatë do të jetë tërheqës si për koleksionarin e çudirave historike, si për studiuesin e psikologjisë”. Ndërkaq atë Zef Pllumi, një person që i jetoi të dy regjimet do të thek­sonte: “Regjimi i Zogut ishte më i miri i regjimeve të këqija në Shqipëri.”

Përfundim: më 1 shtator 1928 Zogu u shpall Mbret i shqiptarëve. Qeveria jugo­sllave u përpoq që Zogu ta ndërronte titu­llin e tij në “Mbret i Shqipërisë”, por pa sukses. Zogu ishte frymëzuesi dhe shpirtdhënësi i Shqi­përisë moderne. Shteti shqiptar, gjatë viteve 1925-1939, u bë strehë për emigracionin politik kosovar të çdo niveli. Qe­ve­ritë e Zogut përpiqeshin ta mbanin të gjallë frymën kom­bëtare atje dhe të pengohej, sa të ishte e mundur, politika e terrorit, e shpronësimit, e shpërnguljes dhe e kolonizimit sllav të viseve shqiptare. Zogu ishte një politikan bri­lant dhe një patriot kontribuues deri në vitin 1924. Më pas, nga viti 1924 e deri më 1933, e bjerri patriotizmin dhe shkëlqimin duke i zëvendësuar këto tipare me cilësitë e një burri të vërtetë shteti. Pas vitit 1936 filloi rënia e tij.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X