loader image
March 12, 2025

Maqedonia në të kaluarën, Kosovës i ik treni i vonuar!

Duket sikur janë renditur katrorët e mozaikut të të gjithë euroskeptikëve dhe amerikanoskeptikëve, sepse pas samitit në SHBA-Rusi në Rijad, ana emotive dhe ajo politike përkojnë në një! Ose ashtu do t’u duket. SHBA-ja sikur heq dorë nga aleatët europianë dhe sikur afrohet me Rusinë. Është pikërisht ajo që do të donin disa qarqe në Maqedoni të Veriut, që t’i kenë “dy në një”, edhe Amerikën (që nuk e kanë dashtë ndonjëherë sinqerisht) edhe Rusinë (që e kanë dashtë, por s’kanë mundur ta shprehin). Plus, edhe përputhjen ideologjike djathtiste. Çështja e Kosovës ka ardhur në udhëkryq, ku zgjedhja e drejtimeve është sikur të zgjedhësh midis dy të këqijave: mirë a keq me Amerikë, edhe më pasigurt me Europë…

Daut DAUTI, Shkup

Tema e dhënë si detyrë nga redaksia e Shenjës, në shikim të parë, dukej me një shtrirje më të gjerë dhe e kisha pak problem të inkuadrohem në thelbin e saj. Me fjalë tjera, mendoja ta kapë “gjithëshqiptarinë”, pa u ndalur në situatat “lokale”, por një analizë e thellë e asaj që është dhënë si kontekst, pikërisht këtyre situatave tona “lokale” u jep dimension të ri. Loja e madhe e gjeopolitikës përfshin dridhje tektonike në përmasa planetare, por kur lëkunden “pllakat” e tërmetit kudoqoftë, nuk mund të mos e ndjejmë edhe ne në këtë Ballkanin e vogël. Me ardhjen e “tetktonistit” kryesor të këtyre dridhjeve në Shtëpinë e Bardhë, i ka kapur paniku miqtë e deridjeshëm të Amerikës në BE, ndaj është më se legjitime të pyesim: po vallë, ç’do të ndodhë me ne? Këto dilema i shohim si në Kroaci, si në Serbi, si në Maqedoni të Veriut, e sidomos në Bosnje e Hercegovinë. Për Kosovën as të mos bëjmë fjalë. Dhe, kur është kështu, padashtas një analizë duhet të fillojë nga oborri yt…

Maqedonia e Veriut, kthim para vitit 2001?!

Një anketë e fundit në Maqedoni të Veriut tregoi se ende diku mbi 60 për qind janë për BE, ndonëse nga BE-ja dhe sidomos nga anëtarja e BE-së, Bullgaria, ka pasur obstruksione të përpjekjeve të vendit për t’i hapur dyert e Unionit. Masa kritike e skepticizmit megjithatë e ka bërë të veten dhe unanimiteti i dikurshëm prej 80-90 për qind, ka bërë rënien e dukshme të besimit te BE-ja. Ndërkaq, BE-ja edhe në sytë e shqiptarëve ka shumë mëkate, sidomos me zvarritjen e pranimit në BE të Shqipërisë dhe vonimin e paarsyeshëm të heqjes së vizave ndaj Kosovës deri vjet!

Sa i përket Maqedonisë së Veriut, ku dhe dua të përqendrohem pak, euroskepticizmi në pikëpamje etnike (i pranishëm më së shumti te maqedonasit se te shqiptarët), përkundër politikave zyrtare pro euroatlantike, e ka dhe dozën e antiamerikanizmit. Rastësisht ose jo, tema e orientimit euroatlantik ishte dominuese në zgjedhjet e vitit të kaluar, qoftë si retorikë, qoftë si opsione të fshehura në kokat e politikanëve kalkulantë. Beteja kryesore, e zhvilluar midis VMRO-së dhe partive në pushtet, LSDM dhe BDI (me Frontin Europian), e kishte në qendër pikërisht çështjen e orientimit. Këto të dytat hidhnin dyshim se nëse Maqedonia e Veriut nuk ecë rrugës për BE, duke i akuzuar VMRO-në dhe disa parti të tjera për pengim të kësaj rruge, çojnë drejt Rusisë.

Këto dilema qenë shprehur kaq haptas e kaq në mënyrë agresive si asnjëherë më parë, saqë çdo vëzhgues i pa ngarkuar me afërsi me subjektet politike do ta vërente artificialitetin e tyre. Ishte e vërtetë se VMRO-ja ishte kundër ndryshimeve kushtetuese për futjen e bullgarëve në kushtetutë që e kërkonte Bullgaria, por këtë e arsyetonte me dyshimin se as pas këtyre ndryshimeve kërkesat e fqinjëve nuk do të pushonin ndaj Maqedonisë së Veriut dhe se mosgatishmëria për t’i votuar, nuk do të thoshte apriori kundër BE-së. Disa deklarata nga BE-ja se askush nuk mund të garantojë nëse futja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut është kërkesa e fundit e Bullgarisë, i jepte të drejtë VMRO-së, gjë që edhe u shpërblye nga votuesit në zgjedhjet e 8 majit 2024. Vetë pozicionimi kundër ndryshimeve kushtetuese ishte argument “i mjaftueshëm” për LSDM-në dhe BDI-në që t’i mëshonin telit se VMRO-ja është antieuropiane në orientimin e saj dhe proruse!

Paradoksi po ndodh me zgjedhjet amerikane dhe kthimin e Trampit. Partia VMRO, që e mban veten me orientim të djathtë, dhe disa media në gjuhën maqedonase, sikur kanë gjetur “shpirtin binjak” te administrata e Trampit, me të cilët gjejnë “vlera të përbashkëta” dhe ka një ekzaltim të pafshehur. Pikërisht në këtë kohë, kryeministri Hristijan Mickoski ka qëndruar në SHBA dhe duket sikur asnjë para tij s’e ka ndjerë Amerikën aq miqësore, aq promaqedonase.

Është pra, një çast kyç historik i thyerjes së mendësisë te një shumicë maqedonase, që te Amerika ndjenin një vend armiqësor ndaj tyre, me bindjen indoktrinuese se ajo i ka ndihmuar shqiptarët, kjo veçanërisht pas bombardimeve të Serbisë (shumëkush e ndjen këtë si një akt edhe ndaj tyre) dhe të vitit 2001 (“Amerika mori anën e UÇK-së terroriste!”). Pro-Trampizmi i shprehur haptas i ka rritur shpresat për një thellim të marrëdhënieve me Amerikën, sepse kësaj radhe ndërlidhen edhe çështjet politike me ato emocionale.

Përse ky përafrim mund të jetë edhe i rrezikshëm për kthime mbrapa, në nivele më të ulëta të standardeve të barazisë, për të cilën janë të interesuar shqiptarët? Të shohim çka po ndodh dhe përse ajo që ndodh është pa ndikimin e madh të subjekteve shqiptare? Mekanizmi i përfaqësimit etnik është hequr dhe do të zëvendësohet me ligj, si një ujdi e përbashkët VMRO-VLEN. I ashtuquajturi “balancues” ndoshta kishte disa defekte në zbatimin praktik, zëvendësohet me një model të paqartë. Se kjo mund të cenojë përfaqësimin e dëshmon disonanca midis partnerëve maqedonas dhe atyre shqiptarë për të njëjtën gjë. Gjuha shqipe është e kontestuar përmes Gjykatës Kushtetuese qysh në qeverisjen LSDM-BDI, porse atëherë nuk pati klimë të përshtatshme që të abrogohet ligji i vitit 2019, të cilin (duhet përsëritur vazhdimisht për të mos rënë në grackën e përplasjeve të kota midis partive shqiptare) e kishin votuar të gjitha partitë shqiptare. Atëherë dhe tash, subjekti më i zëshëm kundër atij ligji ka qenë VMRO-ja.

Gjuha dhe përfaqësimi janë dy nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe qe ngritur statusi kushtetues e juridik i shqiptarëve. Gjuha shqipe ishte ngritur në nivele të paparamendueshme në shtrirje horizontale dhe vertikale, ndërkaq përfaqësimi i ishte afruar përqindjes zyrtare të 25-përqindëshit (para regjistrimit të fundit, pas të cilit shqiptarët iu afruan edhe 30-përqindëshit në popullsinë e përgjithshme). Tash partitë shqiptare zotohen se do ta mbajnë përfaqësimin, por kjo nuk përkon me filozofinë politike të partive maqedonase në qeveri, ku kryeministri Mickovski thotë se sa të jetë ai nuk do të ketë punësime etnike! Ky është bumerangu i moskuptimit ose keqkuptimit të betejave politike të partisë VMRO nga ana e partive të VLEN-it. Që në hapat e parë të qeverisë së re pata tërhequr vëmendjen se partitë shqiptare duhet të kenë kujdes me kauzën “e përbashkët” anti-BDI-ste. Sepse, nëse partitë shqiptare dhe VMRO-ja e kishin platformë të përbashkët anti-BDI-zmin, qëllimet përfundimtare nuk janë të njëjta. Sepse, BDI-ja nuk ishte halë në sy për VMRO-në për gjërat që e akuzuan (korrupsioni…), por pikërisht për shkak të disa ngritjeve të standardeve të pushtetit dhe të të drejtave në favor të shqiptarëve. Kësisoj, në emër të luftimit të trashëgimisë politike të BDI-së, në të vërtetë, synohet ulja e arritjeve të mëparshme, siç janë gjuha dhe përfaqësimi i drejtë.

Të dyja këto tash VMRO-ja po i zbaton dhe gjithë kjo shkon sa në dëm të shqiptarëve, edhe në dëm të VLEN-it. Është utopike të pritet se me një hap prapa, në ndonjëfarë mënyre, do t’i bëjnë dy hapa përpara. Kush mendon ndryshe, sigurisht është ose naiv ose ndonjë iluzionist si Hudini! Sepse, edhe iluzioni se shqipja me ndryshimet kushtetuese do ta marrë emrin e vet, e jo si 20-përqindëshe, s’është gjë tjetër, pos një vetëmashtrim, sepse VMRO-ja nuk bën përpjekje që ta abrogojë ligjin e gjuhëve që ta bëjë më të favorshëm për shqiptarët. Nëse do të ndodhte kjo, do të duhej t’u jepej çmimi Nobël për humanizëm ose paqe. Mund dhe t’i kthehet emri gjuhës, por të ketë nivel më të ulët përdorimi! Çka do të arrinin me këtë shqiptarët?

Andaj duhet të merren me shumë seriozitet tezat e kritikëve se kështu po kthehemi në periudhën para vitit 2001. Nëse i analizojmë edhe disa paralajmërime të Ministrisë së Arsimit (ditarët në dy gjuhë, këndimi i himnit monoetnik nëpër shkolla…), këto mund të na kthejë mbrapa gjer në vitet 80-të kur arsimit shqip i imponoheshin diktate që e rrënuan krejtësisht. Kështu shpërfaqen të gjitha tendencat për të shfrytëzuar përfaqësimin numerik të dobët të shqiptarëve në pushtet!

Gjithçka u tha më sipër duket se ka dhe lidhje me lëvizjet hutuese aventureske të Donald Trampit, të cilat pak kush gjen logjikë të shëndoshë (Ukrainën e akuzoi për fillimin e luftës, Gazën do ta bëjë rivierë pa palestinezët, europianët pothuajse i eliminoi nga aleanca me të…)! VMRO-ja po kthehet në “rrënjët” e veta nga koha e Gruevskit, kur s’i bëhej vonë për integrimet në BE e NATO, por me veprimet e veta vetëm i përkeqësonte shanset. Tash Mickovski bën të njëjtën gjë kundrejt BE-së – i ka shtuar kritikat, e ka hedhur poshtë mundësinë e ndryshimeve kushtetuese për t’i futur bullgarët në kushtetutë (ka këtu dhe arsye të bazuara, për këtë kam shkruar shumë herë), kurse i intensifikon përpjekjet për ta maqedonizuar shtetin në të gjitha nivelet dhe për t’i defaktorizuar shqiptarët sa të jetë e mundur.

Tash sikur janë renditur katrorët e mozaikut të të gjithë euroskeptikëve dhe amerikanoskeptikëve, sepse pas samitit në SHBA-Rusi në Rijad, ana emotive dhe ajo politike përkojnë në një! Ose, ashtu do t’u duket. SHBA-ja sikur heq dorë nga aleatët europianë dhe sikur afrohet me Rusinë. Është pikërisht ajo që do të donin disa qarqe në Maqedoni, që t’i kenë “dy në një”, edhe Amerikën (që nuk e kanë dashtë ndonjëherë sinqerisht) edhe Rusinë (që e kanë dashtë, por s’kanë mundur ta shprehin). Plus, edhe përputhjen ideologjike djathtiste.

Kush do të merrej me ankesat e shqiptarëve të pakënaqur që pozita e tyre mund të kthehej mbrapa nëse Trampi do të ishte i përqendruar në vatra tjera të interesit të tij?

Kosova me BE-në apo SHBA-në?

Në planin ndërkombëtar asnjëherë nuk ka pasur konfuzion kaq të madh se si do të ecë Kosova pas edhe një fitoreje të Albin Kurtit. Sa më shumë që ngrihet ai, aq më shumë duket se përkeqësohet pozita ndërkombëtare e Kosovës. E mira e fundit që i ka ndodhur Kosovës ka qenë nga koha e fundit të mandatit të parë të Trampit, kur me ato “marrëveshjet” e (pa)nënshkruara midis Avdulla Hotit dhe Aleksandar Vuçiqit erdhi edhe njohja nga Izraeli. Pas kësaj, erdhi një administratë që pritej të jetë edhe më përkrahëse për Kosovën, por Gabriel Eskobari i Bajdenit pothuajse iku me të njëjtin reputacion si Riçard Grenelli. Shumë qytetarë të rëndomtë kosovarë, të inkurajuar nga shumë shqiptaroamerikanë që përkrahnin Trampin dhe analistë, pritjet e mëdha i kishin te kthimi i tij, duke pasur parasysh vendosmërinë për t’i çuar punët gjer në fund, por askush nuk i ka pritur këto moduse hutuese të tij kundrejt Ukrainës e Gazës, por edhe të gjitha lëvizjet e tjera që krijojnë balance të reja, me sfida serioze të rirreshtimeve të atilla ku me pikëpyetje është gjithë aleanca perëndimore, deri te ekzistimi i NATO-s.

Në këndvështrimin ironik në të cilin u gjend Kosova është se tash vjen në shprehje pikërisht ajo teza e Albin Kurtit opozitar të dikurshëm, kur në vitin 2017 kishte thënë se “SHBA-ja është aleancë për të kaluarën…, por jo për të ardhmen”. Që të jemi të saktë, Kurti kishte përmendur se ajo aleancë kishte të bëjë me bombardimet, me çlirimin, me njohjen ndërkombëtare, porse jo aleancë për të ardhmen në ndërtimin e brendshëm të shtetit. Mund të hyhet në debate dhe t’i jepet të drejtë ose të kontestohet, sepse mund të ketë të drejtë se për ndërtimin e shtetit përgjegjësinë para së gjithash e kanë vetë kosovarët, por në anën tjetër, kur ndërtimi i shtetit nuk është i rrumbullakuar, si mund të pretendohet se nuk ka nevojë për aleancë pikërisht me SHBA-në, si sponsorisuese e deritashme e të gjitha hapave të pavarësimit, por edhe si anëtare me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, e cila fundja e ka autoritetin e mjaftueshëm negociues me dy superfuqitë e tjera, Rusinë dhe Kinën..

Në situatën pas fitores së Trampit, relacionet e çrregulluara me SHBA-në bëhen hendikep edhe më i madh. Si alternativë, vetë BE-ja është në një situatë kaotike që nuk e di se si do të përfundojnë raportet me administratën e Trampit, gjë që zor se mund t’ia japë krahun Kosovës. Nga përvoja me Lajçakun dhe Borelin, e ndihmuar nga Eskobari i padefinuar, e kemi rezultatin që kemi – Kosova nën sanksione, ndërsa Serbia e përkëdhelur.

Tash Kosova është në udhëkryqin më të rrezikshëm, kur cilindo drejtim që ta marrë ose, më saktë, në cilin drejtim do ta çojnë lëvizjet e gjeopolitikës së re, zgjidhja është midis dy të këqijave. Këtu qëndron e vërteta e humbjes së panevojshme të shanseve të mëhershme të jetësimit në formën më të volitshme të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilat më së shumti i ka penguar pikërisht Albin Kurti. Humbja e shanseve është pasojë e politikave destruktive opozitare, kur – për hir të pavarësisë – flijesa do të kishte qenë më e vogël se tash. Pra, nga këndvështrimi pesimist duket sikur çështja e Kosovës ka ardhur në udhëkryq, ku zgjedhja e drejtimeve është sikur të zgjedhësh midis dy të këqijave: mirë a keq me Amerikë, edhe më pasigurt me Europë… Por, në një drejtësi hyjnore, e mira është se hisja për t’u marrë me orientimet e Kosovës i ka rënë vetë atij që i praptonte automjetet e subjekteve ndërkombëtare, ë gjuante parlamentin e Kosovës sikur të ishte i Serbisë, që dinte t’i sulej edhe pronës private të oponentëve politikë, sepse ai për të gjitha këto dhe kauza të tjera e ka marrë besimin e shumicës së votuesve, ndaj edhe e ka detyrim t’i gjejë drejtimet e duhura, gjithnjë duke e pasur shpatën e Demokleut mbi kokë.

Një shpresë mund të lidhet prapë me vetë Donald Trampin, i cili me gjithë veprimet hutuese në skenën ndërkombëtare, me gjithë kthimin e Riçard Grenellit për t’u marrë me Ballkanin, ia uroi ditën e pavarësisë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, që mund të jetë një shenjë e mirë se disponimi i tij nuk ka ndryshuar ndaj shtetit më të ri në Ballkan.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X