loader image
February 4, 2025

Një memorial për Adem Demaçin

Adem Demaçi nuk ishte vetëm simbol i sakrificës, simbol i qëndresës, simbol i bashkimit kombëtar, simbol i vuajtjeve 28-vjeçare në burgjet e Jugosllavisë dhe Serbisë. Ai ishte shumë më shumë se kaq. Ai ishte vizionar i çështjes kombëtare, ideator dhe projektues i lirisë së Kosovës, për çka u shpërblye me Çmimin më të lartë të Parlamentit Europian për paqe – SAHAROV, me Dekoratën më larta të Presidentit të Kosovës – HERO I KOSOVËS, (i vetmi i dekoruar për së gjalli deri sot) dhe Urdhërin NDERI I KOMBIT nga Presidenti i Shqipërisë. 

Selatin NOVOSELLA, Prishtinë  

Një popull e bëjnë të veçantë nga të tjerët jo vetëm sa është numerikisht i madh, çfarë standardi ekonomik ka, sa pallate, fabrika dhe rrugë moderne ka, çfarë ushtrie të fuqishme ka, të armatosur edhe me armë bërthamore etj. Por, atë e bëjnë të veçantë, në rend të parë, sa njerëz të veçantë ka akëcili popull.

Ne, shqiptarët, gjatë historisë qindravjeçare, të mos lëshohemi më thellë dhe më larg, patëm personalitete që i dhanë emër popullit tonë dhe u bënë pjesë e historisë së përbotshme. Le të përmendim këtu vetëm ca prej tyre, duke marrë rrezikun që t’u hyjmë në hak shumë të tjerëve: gjenerali i gjeneralëve Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, arkitekt Sinani, dijetari Sami Frashëri, artisti Aleksandër Moisiu, kryeirrendentisti Hasan Prishtina, gjuhëtari Eqrem Çabej, humanistja Nëna Tereze, këngëtarja Vaçe Zela, historiani i letërsisë Rexhep Qosja, shkrimtari Ismail Kadare, skulptori Odhise Paskali, kryeheroi i UÇK-së Adem Jashari dhe projektuesi i lirisë së Kosovës – Adem Demaçi.

Kur shokët e klasës së Adem Demaçit, si 10-vjeçar, në shkollë fillore, mësonin dhe i bënin detyrat në klasë, ai e pyeste mësuesen e gjuhës serbishte: “Pse, mësuese, nxënësit serbë nuk e mësojnë gjuhën shqipe siç e mësojmë ne nxënësit shqiptarë gjuhën serbishte?!”

Kur shkrimtari Dobrisa Qosiq i këshillonte kolegët e tij shqiptarë në Prishtinë, në vitet e ‘50-ta, që të fillojnë ta krijojnë një letërsi të re të shqiptarëve në Kosovë dhe Jugosllavi, në frymën e bashkim-vëllazërimit dhe patriotizmit jugosllav, i vetmi ishte Adem Demaçi që e kundërshtonte shkrimtarin shovinist serb që kishte ardhur nga Beogradi në Prishtinë, se: “Shqiptarët e kanë letërsinë e tyre dhe s’kanë nevojë të krijojnë letërsi të re në Kosovë. Ne i kemi shkrimtarët tanë – Naim Frashërin, Çajupin, Migjenin, Lasgushin etj!”

Kur kolegët shqiptarë të Adem Demaçit, në Kosovë, në vitet e ‘50-ta po i kushtonin poezi Titos dhe Sutjeskës, Adem Demaçi e shkruante romanin “Gjarpinjtë gjakut” dhe apelonte:

“Jo-atyre që janë trima 

Që ngrejnë gishtin e krimit, 

Por-atyre që janë trima 

Që shtrijnën dorën e pajtimit!” 

Kështu, shkrimtari i talentuar, vetëm 22-vjeçar, si vizionar dhe parashikues i proceseve historike, i porosiste shqiptarët të mos ia kthejnë pushkën njëri-tjetrit, por atyre që i kishin pushtuar!

Adem Demaçi, duke vazhduar të jetë krejt ndryshe nga të tjerët, kishte folur hapur për padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve para shokëve, kolegëve dhe miqve në Prishtinë, ku punonte si redaktor i letërsisë botërore në “Rilindje”, në Universitetin e Beogradit, ku studionte, si dhe më vonë në Fakultetin Juridik në Prishtinë, ku i kishte vazhduar studimet.

Pas refuzimit që Adem Demaçi të anëtarësohej në Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë (një propozim që i ishte bërë përmes një kolegu shqiptar në “Rilindje”), ai ishte bërë tepër i bezdisshëm për pushtetin jugosllav, e posaçërisht atë serb, në Prishtinë dhe në Beograd.

E vetmja mundësi që pushtetit serb i kishte mbetur që t’ia ndalonte shkrimet dhe botimet e talentit të rrallë që po lindte, që t’ia pamundësonte kritikat e tij kundër pushtetit të kohës, që t’ia mbyllte gojën kryengritësit sypatrembur i kishte mbetur që, gjithsesi, ta vendoste Adem Demaçi prapa grilave.

Andaj, më 19 nëntor 1958, Adem Demaçi burgoset me akuzën se ai kishte bërë propagandë armiqësore kundër Jugosllavisë, kundër Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë dhe kundër Josip Broz Titos. Akuza parashihte dënimin deri në 15 vjet burg të rëndë.

Të gjitha ato që Adem Demaçi i kishte thënë sa kishte qenë në “liri”, tashti, në UDB-në famëkeqe, i përsëriste. Në deklaratën e tij gjatë hetimeve ai thotë se: “Pushteti jugosllav po planifikon t’i mbyllë shkollat në gjuhën shqipe; pushteti po i torturon shqiptarët me pretekst se kanë armë të fshehta duke mbytur shumë prej tyre në tortura; pushteti po bënë presion që shqiptarët të shpërngulen nga trojet e tyre në Shqipëri e, sidomos, në Turqi. Andaj, shqiptarët për t’iu shpëtuar këtyre padrejtësive duhet të përpiqen, deri në kryengritje të armatosur, dhe të bashkohen me atdheun e tyre – Shqipërinë.”

Në muajin shkurt të vitit 1959, në fjalën e tij të fundit para shqiptimit të dënimit, Adem Demaçi nuk ankohet, por kritikon, nuk mbrohet, por sulmon, duke dëshmuar, kështu, se popullit shqiptar po i lindte një vizionar, kurse pushtetit jugosllav dhe atij serb një kundërshtar i përjetshëm. Ai deklaron: “Nëse Jugosllavia dhe Serbia vazhdojnë me këtë politikë ndaj shqiptarëve në Jugosllavi dhe nuk lejojnë që ata të bashkohen me atdheun e tyre – Shqipërinë, nuk do të ketë paqe në Jugosllavi as në rajon. Nëse Serbia vazhdon me këtë politikë, një ditë do të bëhet shkaktare e shpartallimit të krejt Jugosllavisë dhe, në fund, do të mbetet edhe pa Kosovën!”

Pasojnë edhe dy gjykime të tjera kundër Adem Demaçit. I dyti, në vitin 1964, si themelues i organizatës atdhetare Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, me ç’rast dënohet me 15 vjet burg të rëndë së bashku edhe me rreth 200 bashkëveprimtarë të tij. Ndërsa, në gjykimin e tretë, në vitin 1975, dënohet përsëri me 15 vjet burg të rënë, së bashku edhe me 18 bashkëveprimtarë. Dënimet i vuan në burgjet e Podujevës, Prishtinës, Mitrovicës së Sremit, Pozharevcit dhe Stara Gradishkës.

Gjatë vuajtjes së 28 vjetëve burg të rëndë, biografët e Adem Demaçit kanë konstatuar se ai kishte vuajtur 5 vjet e 5 muaj qeli të rënda, në vetmi absolute dhe shumicën e kësaj kohe në qelitë nën dhe.

Për t’i vënë një kapak të artë jetës së tij, Adem Demaçi emërohet – nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Përfaqësues i Përgjithshëm i Politik i kësaj ushtrie, e vlerësuar edhe nga ekspertët ushtarakë botërorë si guerilja më e suksesshme e shekullit XX.

Ndonëse Adem Demaçi në Kosovën e lirë, pas vitit 1999, nuk u zgjodh as deputet, as ministër, as kryeministër, as kryeparlamentar, as president i vendit, ai ishte shumë më shumë se kaq. Jo vetëm pse, për këto 26 vjet lirie dhe 17 vjet nga pavarësia të Kosovës, kishim me qindra deputetë, me dhjetëra ministra dhe një dyzinë kryeministrash, kryeparlamentarësh dhe presidentësh, por të gjitha këto pozita nuk do ta bënin Adem Demaçin më të dashur, më të çmuar dhe më të vlerësuar sesa rruga e tij jetësore dhe vepra unikate, kolosale, që ka lënë pas vetes.

Po të isha poet ose këngëtar do të thosha “po ku ka poezi që e zë brenda Adem Demaçin” dhe “po ku ka këngë që e zë brenda Adem Demaçin!” Rrjedhimisht, po ku kishte pozitë politike, shtetërore dhe qeveritare që do ta zinte brenda Adem Demaçin?!

Për personalitetin e papërsëritshëm të shekullit XX, Adem Demaçi, kanë thënë se ai ishte, është dhe do të jetë: legjendë e gjallë, hero i gjallë, aromë atdheu, metaforë lirie, strateg i rrallë, vizionar largpamës, projektues lirie, frymëzues brezash, krenari kombëtare, nderi i kombit, bashkues brezash, humanist i madh, i panënshtruar i durueshëm, figurë unike kombëtare, martir i kombit, histori e gjallë, ideator i Lëvizjes Kombëtare, udhërrëfyes lirie, artikulues i ëndrrave të shqiptarëve, personalitet i pazëvendësueshëm, sfidues i madh, korife, yll polar, idol brezash, zë i ndërgjegjes kombëtare, inspirues i idesë çlirimtare, emër që flet vet, vullkan i pashuar, feniks shqiptar, përmendore e gjallë, burrë me palcë Shqipërie, flakadan i lirisë, figurë e spikatur, burrë legjendar, libër i hapur, luftëtar i pathyeshëm, i burgosur numër një në Jugosllavi, zë i fuqishëm i UÇK-së, pajtues i rrymave politike, udhëheqës shpirtëror, flamurtar betejash, emblemë kombëtare, titan i pathyeshëm, marothonamak shqiptar, zë i guximit, zë i shpresës, zë i sakrificës etj. etj. etj.

Adem Demaçi, përveç veprës kombëtare që ka lënë si trashëgimi, porosi dhe amanet për brezat që do të vijnë, ai ka lënë 11 vepra letrare (8 romane, 1 dramë historike, 1 përmbledhje me tregime dhe 1 libër me poezi). Po ashtu ka lënë edhe 13 vepra publicistike të pabotuara (4 libra me analiza, 5 libra me intervista, 1 me debate, 1 me letra, 1 me fjalime, 1 me kujtime).

E tërë kjo trashëgimi kolosale do të jetë e përfshirë në kolanën prej 40 veprave të titulluar VEPRAT E ZGJEDHURA TË ADEM DEMAÇIT DHE PËR ADEM DEMAÇIN, të cilat është duke i përgatitur Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës (SHBPK), për çka janë njoftuar me kohë: presidenti i Kosovës, kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës. Gjithë kjo veprimtari e madhe dhe projekt kapital do të kryhet me sukses pasi që në lokalet e SHBPK-së janë grumbullar dhe sistemuar: 27 vepra të botuara dhe të ribotuara të Adem Demaçit; 28 monografi kushtuar jetës dhe veprës së Adem Demaçit; 660 libra të cilat janë referencë edhe për Adem Demaçin; rreth 18.000 faqe me dokumente arkivore, artikuj të gazetave dhe revistave me shkrime të Adem Demaçit dhe të autorëve të tjerë kushtuar atij; 160 CD me video dhe audio material për Adem Demaçit; 35 këngë kushtuar Adem Demaçit; 30 piktura vizatime dhe skica kushtuar Adem Demaçit; 255 poezi kushtuar Adem Demaçit; mbi 200 fotografi të ndryshme; 88 urdhra, çmime, dekorata, shpërblime, mirënjohje dhe falënderime për Adem Demaçin.

Adem Demaçi, para se të burgosej tri herë, ishte kryetar i organizatave atdhetare, ishte kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ishte kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës para çlirimit, kurse, pas Vitit të Madh 1999, ishte Drejtor i Bordit të RTK-së dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, si dhe Kryetar Nderi i Përjetshëm SHBPK-së që nga themelimi, në vitin 1996, e deri në kalimin e tij në amshim. Me plot arsye SHBPK-ja është identifikuar me Bacën Adem Demaçi, ashtu siç është identifikuar Ai me këtë Shoqatë.

Andaj, është plotësisht e kuptueshme që idetë dhe propozimet për ndarjen e shumicës së çmimeve, dekoratave dhe shpërblimeve të dakorduara për Adem Demaçin të kishin buruar pikërisht nga SHBPK-ja, siç janë: dekorata NDERI I KOMBIT e ndarë nga presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë; ndarja e titullit DOKTOR HONORIS KAUSA nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova; emërtimi i Sheshit më të mirë në Prishtinë SHESHI ADEM DEMAÇI nga kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku, në përvjetorin e ikjes së Bacës Aden Demaçi, më 26 korrik 2019, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vënë gurthemelin e shtatores së Adem Demaçit, si dhe caktimi i vendit të varrimit për Bacën Adem në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë.

Qeveria e ardhshme të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, dhe kryeministri i ardhshëm, përveç detyrimeve dhe angazhimeve të panumërta që i presin, besojmë se do t’i mbështesin edhe dy projektet kapitale përkitazi me jetësimin e veprës kolosale të Adem Demaçit: e para – që ta mbështesin financiarisht projektin për botimin e 40 veprave të zgjedhura të Adem Demaçit dhe për Adem Demaçin dhe, e dyta, ta ndërtojnë memorialin ku do pushojë përjetësisht shpirtndrituri, vizionari dhe i papërsëritshmi BACA ADEM DEMAÇI!

Memoriali duhet të ngritet në sheshin “Adem Demaçi”, në parcelën në sipërfaqe prej 140 ari në hyrje të Prishtinës. Ndonëse sipërfaqja aktuale e sheshit “Adem Demaçi” ka 83 ari, sipërfaqja tjetër, që aktualisht përfshin pompa e derivateve ”Iliria”, me infrastrukturë ndihmëse prej rreth 60 ari, do jetë hapësirë e mjaftueshme për MEMORIALIN ADEM DEMAÇI.

Në këtë memorial, përveç varrit të Adem Demaçit, i cili duhet të zë hapësirën qendrore, aty duhet të vendoset dhe sistemohet e tërë trashëgimia e Adem Demaçit: dokumentet arkivore, programet politike të organizatave atdhetare që i ka udhëhequr Adem Demaçi; botimet dhe ribotimet e veprave të Adem Demaçit; dorëshkrimet e pabotuara të konfiskuara nga policia me rastet e tri burgosjeve të Adem Demaçit; librat, revistat dhe gazetat ku ka shkruar Adem Demaçi dhe të tjerët për të; dekoratat, çmimet dhe shpërblimet e Adem Demaçit; fotografitë e burgjeve ku ka vuajtur dënimet Adem Demaçi, fotografitë familjare dhe me personalitetet e panumërta kombëtare dhe ndërkombëtare etj.etj.

Shumica e njerëzve vdesin. Vetëm disa të pakët ndërrojnë jetë. Në mesin e atyre shumë të rrallëve që ka ndërruar jetë është edhe Adem Demaçi. Si do të duket kjo jetë e dytë e Adem Demaçit (sepse jetën e parë se si duhej të jetohej ai e ka dëshmuar vetë), varet prej tre faktorëve: një – prej bashkëveprimtarëve të Adem Demaçit, të cilët me kujtimet e tyre ta mbajnë të gjallë praninë e Bacës në mesin tonë; dy – prej institucioneve të shkencës, arteve dhe kulturës se sa do të dinë ta studiojnë trashëgimin kolosale, polivalente dhe poliedrike të Adem Demaçit dhe tre – prej institucioneve shtetërore të Kosovës, për themelimin e të cilave Adem Demaçi vetëm nuk kishte vdekur dhe ringjallur.

Pres nga bashkëveprimtarët e Adem Demaçit, punëtorët e shkencës, artit dhe kulturës që t’i shprehin mendimet dhe vlerësimet e tyre për këtë ide-propozim dhe, në fund, pres që institucionet e shtetërore të Republikës së Kosovës, secili nga prizmi dhe kompetenca e tyre, ta realizojnë idenë për ngritjen e MEMORIALIT ADEM DEMAÇI.

* Bashkëveprimtari dhe biografi i Adem Demaçit

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X